Topalli takon Erdoganin në Turqi, Shqipëria faktor kyç i paqes në Ballkan

0
167

Florenc Drizari

topalliTakimi me kreun e Asamblesë Çiçek: Marrëdhëniet me Kosovën Turqia i sheh nën të njëjtin prizëm si me Shqipërinë

 

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë vizitës së zhvilluar në Turqi u takua me krerët më të lartë të shtetit turk, ku mes takimeve spikati ai me Kryeministrin Taip Erdogan. Biseda mes Kryetares Jozefina Topalli dhe Kryeministrit Erdogan u fokusua në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e Kuvendit, thuhet se Kryeministri i Turqisë Recep Tayyp Erdogan përtej anxhendës së ngjeshur kryeministrore, i rezervoi një takim të veçantë Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Turqia është një nga partnerët tregtarë më konstantë dhe investitori i tretë më i madh në vendin tonë dhe Kryeministri Erdogan theksoi se biznesi turk vlerësoi lehtësimet dhe klimën e favorshme që është krijuar në Shqipëri për investitorët e huaj. Samiti ekonomik Euro-Aziatik i Stambollit që do të mbahet në muajin prill të 2013-ës, do të jetë një tjetër zhvillim mes dy vendeve, për të forcuar lidhjet ekonomike shumëdimensionale edhe në nivel rajonal. Investimet direkte të Turqisë në Shqipëri nga 100 milionë dollarë që ishin në vitin 2004, kanë shkuar në mbi 1 miliardë dollarë, duke punësuar mbi 3 mijë shtetas shqiptarë. Dy personalitetet u shprehën se synimi dhe ambicia e përbashkët është kapërcimi i kësaj vlere të shkëmbimeve tregtare. “Kryetarja e Kuvendit tha se marrëveshja e firmosur mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë dhe mbështetja e Turqisë për realizimin e kalimit të këtij gazsjellësi përmes Shqipërisë, do të sillte një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin e më gjerë”, – thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Kuvendi. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në Detin Kaspik, në Evropën Perëndimore.

Takimi me kreun e Asamblesë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të Kryetarit të Asamblesë së Madhe. Kryetarja e Kuvendit gjatë takimit që pati me Kryetarin Cemil Çiçek tha se Shqipëria dhe Turqia janar partnerë strategjikë. Vizita zyrtare e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Turqi ka nisur me një ceremonial nderi, rezervuar krerëve të lartë shtetërorë, pasuar me homazhe në mauzoleun e liderit të madh turk, reformatorit vizionar, Mustafa Qemal Ataturk. Me ftesë të Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, zonja Jozefina Topalli nisi axhendën zyrtare me një takim kokë më kokë me Kryetarin Cemil Çiçek. Më tej, në takimin mes dy delegacioneve, dy personalitet e larta, vlerësuan miqësinë dhe lidhjet tradicionale të shtrira në të gjitha fushat, partneritetin në NATO dhe aspiratën e të dyja vendeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Kuvendit tha se Turqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon e më gjerë. Ajo shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet ndërparlamentare janë intensifikuar gjatë viteve të fundit. Në takim u fol për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me tregues dinamikë dhe u shpreh vullneti për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në të gjitha fushat, infrastrukturë, energji, naftë, gaz etj.
Ndërkaq, marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mbështeten mbi një bazë të gjerë juridike, që përfshin mbi 160 marrëveshje, protokolle e memorandume të nënshkruara, dhe në takim u bisedua për përshpejtimin e punës për përmbylljen e procedurave për nënshkrimin e rreth 12 marrëveshjeve në proces. Kryetarja Jozefina Topalli veçoi rolin dhe kontributin e Turqisë në njohjen e shtetit të ri të Kosovës, veçanërisht lobimin i saj në vendet e OKI-t. Zoti Çiçek se Shqipëria është një faktor kyç i paqes në Ballkan, dhe siguroi se dhe marrëdhëniet me Kosovën, Turqia i sheh nën të njëjtin prizëm si marrëdhëniet me Shqipërinë.

 

 

 

Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë

Rreth një javë më parë, vendet si Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan memorandumin e dytë për gazsjellësin Trans-Adriatik, ku palët morën përsipër të mbështesin ndërtimin dhe operimin e tij. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Athinë dhe firmosja u krye nga ministri i Ekonomisë i Shqipërisë, ministri i Jashtëm i Greqisë, dhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Italisë. Në ceremoni mori pjesë edhe zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Erik Rubin, duke hedhur kështu poshtë vorbullën e krijuar në janar nga raporti i senatorit Richard Lungar për një lobim të fuqishëm ndaj konkurrentit të TAP-it, Nabuco West. Prezenca e SHBA-ve në nënshkrimin e djeshëm tregon interesin dhe mbështetjen e saj të qartë për projektin “TAP”, duke konfirmuar edhe qëndrimin më të hershëm të Departamentit të Shtetit. Ndërkaq, edhe Komisioneri për Energjinë në Bashkimin Europian, Guenther Ottinger, e cilësoi marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë si hallkën e fundit që duhej plotësuar nga vendet ku kalon projekti “TAP”.

 

KQZ vendos rregulla të reja për koalicionet dhe trajnimin e komisionerëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi mes debatesh të gjata rregullat për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në KQZ. Nëpërmjet këtij vendimi përcakton disa elemente të formës dhe përmbajtjes se kërkesë për regjistrimin e koalicionit qe do të paraqitet nga partitë politike të cilat do të jene pjesëtare të këtij koalicioni. Partitë politike të cilat do të regjistrohen në KQZ si subjekt zgjedhor, duhet të paraqesin një kërkesë për regjistrimin e koalicionit dhe marrëveshjen përkatëse. Kërkesa për regjistrimin e koalicionit zgjedhor në KQZ duhet të nënshkruhet nga të gjithë kryetarët e partive pjesëmarrëse të koalicionit zgjedhor ose nga një person i autorizuar prej kryetarit te partisë pjesëmarrëse në marrëveshje. Projektvendimi u miratua me 7 vota pro. Gjithashtu me konsensus anëtarët e komisionit miratuan edhe draftin për “Organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor”. Sipas ndryshimeve dhe shtesave të miratuara, nëse partitë politike që kanë të drejta të paraqesin kandidatura për KZAZ nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, KQZ konstaton vakancën dhe plotëson vendin vakant të krijuar në KZAZ deri sa ky komision te arrije kuorumin për vendim marrje. KQZ miratoi edhe “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ, për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”.

 

Rikthehet në Kuvend projektligji për Kontrollin e shërbimeve sekrete

Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe ai për Sigurinë Kombëtare pritet të diskutojë sot për projektligjin e ri për kontrollin parlamentar ndaj institucioneve të sigurisë. Fillimisht drafti do të diskutohet tek Ligjet rreth orës 09:00 dhe më pas tek Siguria në orën 11:00. Futja në axhendën parlamentare të këtij drafti u njoftua dy ditë më parë nga kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, ndërkohë që ky komision është përgjegjës për ligjin në fjalë. Drafti për kontrollin parlamentar ndaj institucioneve të sigurisë pritet të rikthejë sërish debatet mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe të opozitës, lidhur me mbikëqyrjen parlamentare në ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha shërbimet sekrete informative që operojnë në Shqipëri, si dhe informacionet e klasifikuara si sekrete shtetërore që ato do të prodhojnë, do të kontrollohen nga Nënkomisioni i Sigurisë Kombëtare. Sipas disa ekspertëve nga Kuvendi i Shqipërisë projektligji “Për kontrollin parlamentar të shërbimeve informative dhe të sigurisë”, rikthehet duke marrë edhe ekspertizën e ndërkombëtarëve.

 

Nishani takon prokurorët: Mos prisni t’u bëj të pavarur Presidenti i Republikës

Kryeprokurori Llalla: Prokuroria po bashkëpunon me institucione të tjera për fillimin e hetimeve për ngjarje të rënda të mëparshme

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi një takim me prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Task-Forcës kundër korrupsionit. Kreu i shtetit në fjalën e tij kërkoi përgjegjshmëri maksimale dhe integritet të lartë nga prokurorët në luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, të cilat qëndrojnë si kërcënim i përhershëm ndaj të drejtës, shtetit ligjor, funksionimit të institucioneve publike dhe ndaj shërbimit për qytetarët e vendit. Duke apeluar për bashkëpunim ndërinstitucional mes të gjitha agjencive ligjzbatuese, Presidenti i Republikës theksoi se lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është sfidë e përhershme e institucioneve ligjzbatuese.
Gjithashtu Presidenti Nishani kërkoi nga grupet e prokurorëve të task-forcës rivitalizim më të madh të punës hetimore duke i nxitur që në metodologjinë e hetimit të vlerësojnë me transparencë çdo informacion që vjen nga qytetarët, institucionet dhe media, duke justifikuar me punë konkrete pritshmërinë e lartë të opinionit publik te sistemi i drejtësisë. Duke nënvizuar se shtyllat e konsolidimit të institucioneve të pavarura janë profesionalizmi dhe integriteti, Presidenti Nishani u bëri thirrje prokurorëve se institucionin e Prokurorisë duhet ta bëjnë të pavarur prokurorët vetë duke dhënë një kontribut real në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave. “Do të desha të them që të mos prisni t’ju bëjë të pavarur Presidenti i Republikës. Të pavarur, institucionin, punën tuaj, mund ta bëni dhe do ta bëni ju dhe vetëm ju! Sa më profesionistë që të jeni, sa më transparentë që të jeni në punën tuaj të përditshme, aq më shumë do të konsolidoni dhe do të forconi vërtet pavarësinë e institucionit, por dhe atë që qytetarët kërkojnë, krijimin e perceptimeve dhe të besimit mbi pavarësinë e institucionit”, – u shpreh Presidenti Nishani. Nga ana e tij, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla theksoi se “prokuroria shqiptare po bashkëpunon me mjaft institucione të tjera me synim fillimin e hetimeve për mjaft ngjarje të rënda të mëparshme, kryesisht të disa vrasjeve të ndodhura vite më parë, si vrasjen e punonjësve të drejtësisë, të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku veprimet hetimore janë pezulluar për shkak të moszbulimit të autorëve”.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency