Si tallej diktatori me fëmijët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë

0
229

Çelo Hoxha

pioneratFëmijët e vitit 1967 në Berat sot janë burra e gra në moshë të mesme, familjarë të mirë e qytetarë të ndershëm dhe mund t’i kenë harruar ditët kur u kthyen në instrument propagande nga diktatura

 

 

Ka shumë vetë që sot mundohen të justifikojnë veprimtarinë e tyre ose të tjerëve në shërbim të diktaturës, duke thënë se ashtu ishte sistemi, në përpjekje për të relativizuar krimin, për ta bërë atë më të pranueshëm, të shpëtojnë qoftë edhe nga përgjegjësia morale. Mirëpo, krimi është krim dhe ai duhet ndëshkuar, të paktën moralisht, në çdo kohë.

Shfrytëzimi i minorenëve në punë nga diktatura ishte një krim dhe si i tillë duhet trajtuar. Fëmijët e shkollave tetëvjeçare, të cilët diktatori i nxiste të shkonin në punë (pa shpërblim) ishin të moshës 9-14 vjeç. Duke iu referuar kodit të punës së viteve të periudhës së komunizmit, fëmijët mund të punonin që në moshën 15 vjeç, deri në 6 orë. Letrat që botojmë sot, tregojnë që fëmijët punësoheshin nën moshën e pranuar si ligjore dhe nga vetë regjimi.

Në rastin në fjalë, letra u drejtohet fëmijëve të Beratit, por ai është mësim për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Enver Hoxha shkruan me pretekstin se gjoja ka marrë vesh që fëmijët e Beratit kanë bërë punë vullnetare, por në fakt, lajmi që ai ka marrë vesh, u bë publik në gazetë po atë ditë. Duket sikur lajmi ka qenë pjesë e një skenari të parapërgatitur.

Po të lexohet lajmi (Dokumenti 2), ai duket që nuk është lajm, por një udhëzim se si duhet të veprohet në të gjitha rrethet, që pionierët të kalojnë kohën e lirë të tyre duke u marrë me gdhendjen e gurit. Aty jepet, tërthorazi, këshilla që BRPSH e rrethit (organizata e rinisë) të merret me organizmin e nxënësve në aksione, thuhet gjithashtu si duhet të ndahen nxënësit, kush duhet t’i furnizojë me material etj. Letra është botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, marrë nga ATSH-ja.

Fill pa letrës, tri ditë më vonë, në të njëjtën gazetë u botua lajmi, pritja që iu bë nga pionierët e Beratit letrës së diktatorit. Lajmi nga nënshkrimin S(ulejman). Mato.

Pas letrës për fëmijët e Beratit, siç tregojnë letrat e tjera të botuara, fëmijët filluan t’i shkruanin diktatorit nga të gjitha anët për punën që bënin, në vend që të shkonin në shkollë dhe të jetonin si fëmijë.

Në letrën e fëmijëve të Korçës gjendet edhe një gjurmë e hershme e fillimit të veprimtarisë së mbledhjes së hekurishteve për skrap, që në ditët e sotme është shfaqur si problem shqetësues shumë herë, sepse ushtruesit e tij dëmtojnë objekte të ndryshme.

 

 

Dokumenti 1

Letër e shokut Enver Hoxha drejtuar pionierëve të qytetit të Beratit

 

Të dashur pionierë,

U gëzova pa masë sot kur mora vesh se Ju, të dashur djem dhe vajza të shkollave tetëvjeçare të qytetit, u organizuat, u armatosët me çekiçë e me dalta dhe, nën drejtimin e mësuesve e gurgdhëndësve pensionistë, filluat të ndërtoni në kohën Tuaj të lirë kalldrëmet e qytetit.

Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të ecni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vendit tonë që shekuj me radhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit. Veprat e këtyre baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve tonë janë të pavdekshme, ne i shohim ato kudo në vendin tonë dhe i admirojmë, sidomos në qytetin Tuaj muze. Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vendin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetë veprën madhështore të Partisë dhe të popullit tonë.

Unë i kam dashur, i dua dhe i respektoj shumë muratorët dhe punonjësit e gurit, prandaj vij sot tek Ju, të dashur të vegjël dhe vogëlushë, t’Ju përqafoj dhe t’Ju puth me dashuri që muarët këtë inisiativë kaq të mirë. Ju siguroj se kur të vi në Berat, gjëja e parë që do të bëj, është të piqem me Ju dhe të shoh punën Tuaj.

Ju puth me mall të gjithëve, ENVER.

 

Tiranë, 27.1.1967

 

Dokumenti 2

DY AKSIONE TE PIONIERËVE TË BERATIT

 

Këto ditë pionierët e Beratit janë hedhur në dy aksione në grumbullimin e hirit dhe në mirëmbajtjen e rrugëve e rrugicave të lagjeve të qytetit. Aksioni i parë nuk është i panjohur për ta, ai është shpallur me kohë dhe nxënësit e disa shkollave si të asaj 8 vjeçare “24 Maji” etj. ka-në grumbulluar disa kuintalë hi. Por këtë herë problemi ngrihet më me forcë dhe pionierët janë të vendosur për ta çuar deri në fund detyrën. Grumbullimi i hirit po bëhet nën drejtimin e udhëheqësve të pionierit, kurse ndërmarrja komunale ka vendosur në pika kryesore të lagjeve kazanë, krahas atyre të plehrave.

Kohët e fundit aksioni është shtrirë edhe te nxënësit e fshatit, si në kooperativën bujqësore të Starovës, etj.

Aksion i ri dhe interesant është ai i gurë-skalitësve të vegjël shkollarë për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit muze. Këtë inisiativë të marrë nga nxënësit e shkollës 8-vjeçare “7 Nëndori” në Berat komiteti i BRPSH filloi ta përgjithësojë në një mbledhje të organizuar ditët e fundit me udhëheqësit e pionierëve të shkollave dhe të ftuar të tjerë. Çdo shkollë ka bërë ndarjen e nxënësve në kompani pune, të cilat drejtohen nga udhëheqësit e pionierëve të shkollave dhe instruktorë të shtëpisë së pionierit. Ndërmarrja komunale po bën furnizimin me gurë dhe rërë, kurse ofiçinat e ndërmarrjeve kanë plotësuar kërkesat për çekiça e dalte për mjaft shkolla. Aksionin e ka filluar çdo shkollë. Në ndihmë të pionierëve kanë shkuar edhe pensionistët muratorë të lagjeve, të cilët si mësues të dashur po drejtojnë e udhëzojnë gurëskalitësit e vegjël, pasardhësit e denjë të tyre, për rregullimin, mirëmbajtjen e zbukurimin e rrugëve të qytetit.

 

(Sipas ATSH-së)

 

(Zëri i rinisë, 28 janar 1967)

 

Dokumenti 3

PIONIERET E BERATIT PRITEN ME GEZIM TE MADH LETREN E SHOKUT ENVER

 

Letrën e shokut Enver Hoxha, drejtuar gjithë pionierëve të qytetit të Beratit, shumica e pionierëve të shkollës “Kristaq Capo” në Kala e dëgjuan në emisionet e radios që në mbasditën e 27 janarit. Ajo mbrëmje për pionierët e lagjes Kala ishte e mbushur me një emocion të papërshkrueshëm. Shoku Enver përgëzonte pionierët e Beratit për inisiativën e marrë në rregullimin e kalldrëmeve dhe në mësimin e mjeshtërisë së skalitjes së gurëve. Një pjesë të asaj përshëndetjeje udhëheqësi i dashur ua drejtonte edhe pionierëve të shkollës “K. Capo” pionierëve të kalasë së lashtë.

Të nesërmen në mëngjez në obo-rrin e shkollës kishte gjallëri të madhe. Pionierët grupe-grupe shpërndanin lajmin e madh të përshëndetjes së inisiativës së tyre.

Letra e shokut Enver u lexua nga komandantja e çetës Liljana Capo. Në përgjigje pionierët filluan të brohorasin për Partinë, udhëheqësin e saj.

– I dashur shoku Enver! – tha pionieri Kristaq Limsia, ne do ta zbatojmë patjetër porosinë tuaj, porosinë e partisë, amanetin e gjyshërve.

Në mbasditën e po kësaj dite, 27 janarit, 4 skuadrat a gurskalitësve të shkollës u nisën në drejtim të rrugicës që të çon te kisha e lashtë e Shën-Triadhës.

Në mes të tyre kishin hyrë dhe mjeshtrit gurskalitës të lagjes, pensionistët Nasi Pishka dhe Gori Pjetri. Ata gëzoheshin dhe entuziazmoheshin bashkë me nipat e tyre, pionierët e vegjël. Për ne, tha xha Nasi, është një porosi e baballarëve tanë që t’ua lemë zanatin ju, për ne kjo është një detyrë e lavdishme, që zanati ynë të bjerë në duart tuaja të sigurta.

Pionierët e shkollës, me fytyra të qeshura dhe të gëzuara filluan punën për shtrimin e rrugës së re. Disa sillnin gurë, disa shtronin çakëll. Ndrekua, Omeri, Kristaqi, Serveti, qëndronin pranë mjeshtërve gurskalitës dhe mundoheshin të përfitonin prej tyre sa më shumë.

Njëri prej tyre në punë e sipër u hodh e tha: Shokë! Unë propozoj që rrugicën e Shën Triadhës ta quajmë «Rruga Pionieri». Të gjithë e aprovuan njëzëri duke punuar më me entusiazëm.

Ata punojnë, ndërsa në vëndin e seicilit prej tyre kumbojnë të freskëta fjalët e ngrohta të shokut Enver: “Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të ecni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vëndit tonë, që shekuj me radhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit…”.

“…Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vëndin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetë veprën madhështore të Partisë dhe të popullit tonë». Po, sa e vlerëson shoku Enver këtë fillim të tyre! Dhe ata po punojnë që të meritojnë këtë besim të madh, për t’u bërë vazhdonjës të denjë të mjeshtërve të shquar, të cilët në gurë të thjeshtë, skalitën e ndërtuan qytetin muze të Beratit.

Pionierët duke punuar vazhdonin të këndonin këngën, “Në njërën dorë kazmën në tjetrën pushkën” si një premtim të madh që u bëhej stërgjyshërve të tyre, si një premtim i madh udhëheqësit të dashur.

 

S. MATO

(Zëri i rinisë, 1 shkurt 1967)

 

Dokumenti 4

Të gatshëm për të mësuar dhe punuar si revolucionarë

 

Letër e pionierëve të Korçës dërguar shokut Enver Hoxha

 

I dashur shoku Enver!

Ne pionierë e shkollave 8 vjeçare të Korçës, të mobilizuar krah për krah me prindërit dhe vëllezërit tanë për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të V të partisë, të frymëzuar nga inisiativa e pionierëve të Beratit dhe përshëndetja që Ju mësuesi, udhëheqësi dhe miku më i dashur i zëmrave tona të njoma, por revolucionare, që u drejtuar atyre, jemi mbledhur sot gjithë së bashku me kazma, lopata dhe vegla pune në duar për të filluar punën në kryerjen e aksionit për ngritjen e dy parqeve të rinj për pionjerë dhe mirëmbajtjen e lulishteve të qytetit, që partia dhe pushteti në rreth na i besuan ne fëmijëve.

Duke na siguruar drejtuesit teknikë, kryesisht pensionistë, nga të cilët ne do të fitojmë eksperiencën, dhe materialet e nevojshme nga organet përkatëse, ne zotohemi para jush i dashur shoku Enver dhe para partisë për të kryer konkretisht këto punime:

Parku i parë i fëmijëve do të jetë 4 ha dhe i dyti 2 ha. Gjithashtu do të ndërtojmë 2800 m2 rrugë kalldrëm, por duke mos lënë mënjanë aksionet e tjera mirëmbajtjen e lulishteve të qytetit, grumbullimin e hirit të zjarrit, grumbullimin e letrës dhe hekurishtave.

I dashur shoku Enver!

Ne dëgjuam në radjo, po na i lexojnë mësuesit dhe prindërit tanë fjalimin Tuaj të rëndësishëm që bajtët ditët e fundit para komunistëve të disa organizatave të partisë së Tiranës, gëzohemi që partia heroike e Shqipërisë me në krye Ju shoku Enver mendon aqë shumë për popullin dhe veçanërisht për ne filizat e kuq, që një ditë do të ritemi qytetarë të denjë të Republikës popullore të Shqipërisë, zëvëndës të denjë për ndërtimin e socializmit dhe komunizmit në vendin tonë.

Kudo që të na thëresë partia, duke mos lënë mënjanë detyrën tonë kryesore – mësimin, jemi të gatshëm të shkrijmë të gjitha forcat tona, për të mësuar dhe punuar si revolucionarë të vërtetë për të mirën e popullit dhe të atdheut tonë socialist.

Të roni sa malet i dashur mësuesi ynë i shtrenjtë shoku Enver.

 

NGA PIONIERËT E QYTETIT TË KORÇËS

 

Korçë më 8.II.1967

 

(Zëri i rinisë, 15 shkurt 1967)

 

Shënim: Një letër të ngjashme e dërguan dhe fëmijët e Gjirokastrës. Lajmet për punën e minoreneve në gjithë Shqipërinë ishin të shumta, por nuk i botojmë për të shmangur frymën e mërzisë që shkaktojnë, se janë të ngjashme si të shkruara nga e njëjta dorë. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency