Rama: Sistemi i kontributeve ka falimentuar, Shehu: Skema aktuale, më e suksesshmja në Evropë

0
136

Gëzim Saliu

ediReagimi i deputetit të PD-së: Zgjidhja që Rama prezanton, centraliste si në komunizëm

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilëson si të falimentuar sistemin e kontributeve në vend, duke shprehur njëkohësisht domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të skemës. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryesocialisti u fokusua edhe një herë tek sistemi shëndetësor, ku theksoi se PS do të themelojë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, duke siguruar pagesë zero kontributi. “Skema duhet të ndryshojë rrënjësisht. Sistemi i kontributeve ka falimentuar. Mbajtja në këmbë e tij është vetëm një mbajtje në agoni e një trupi të degraduar dhe pa shpresë për t’u ringjallur. Sfida e krijimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor është një sfidë jashtëzakonisht e madhe, nuk është aspak e thjeshtë, por është e vetmja rrugë për t’i ikur rrënimit të vazhdueshëm të sistemit kontributiv. Sipas projektit tonë, dhe është një plan i mirëmenduar, ne do të mundësojmë një kontroll mjekësor bazë falas dhe të përvitshëm për grupmosha të caktuara brenda vitit 2014”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i selisë rozë pohoi se kontribuuesit e drejtpërdrejtë për sistemin janë më pak se 500 mijë persona që përbëjnë 1/7 e popullsisë shqiptare, gjë kjo që tregon sipas tij se shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shqipëri, në më shumë se gjysmën e tyre nuk vijnë si pagesë nga kontributet, por vijnë si pagesë e drejtpërdrejtë nga xhepi. “Sot për më tepër kemi një sistem kontributiv që është regresiv. Pra, kush fiton më shumë paguan më pak si përqindje e kontributit ndaj të ardhurave. Thelbi i vizionit tonë është që t’ua mundësojmë falas përfituesve dhe ta blejmë ne, ta blejë shteti nga ofruesit e shërbimeve”, – bëri të ditur kreu socialist Rama.

Reagimi

Deputeti demokrat, Tritan Shehu, ka reaguar dje ndaj akuzave të liderit socialist Rama ndaj sistemit shëndetësor dhe skemës së kontributeve duke e cilësuar këtë si një sulm denigrues që ika në qendër të tij nihilizmin. Sipas deputetit të selisë blu, skema aktuale e përdorur nga qeveria është ndër më të suksesshmet në Evropë dhe si e tillë ajo siguron medikamente dhe shërbimin për rreth 530 mijë pensionistë, për të papunët, ata me përkrahje sociale, nxënësit, invalidët e kategori të tjera nën nevojë. “Zhvillimi i reformave në shëndetësi, decentralizimi i sistemit, përfshirja e strukturave në skemën e sigurimeve etj. janë të vetmet rrugë që të çojnë në zhvillime pozitive cilësore të shërbimit. Kjo është rruga e vetme e përmirësimit, e rritjes cilësore e uljes së kostos, në përputhje me principet e ekonomisë së tregut, që dominojnë sot në tërësi në vend. Këto hapa të reformës shëndetësore përputhen dhe janë në harmoni të plotë midis koncepteve zhvilluese të tregut, me principet e mbrojtjes së gjerë sociale”, – u shpreh Shehu, duke shtuar se grupimet të tjera që përfitojnë nga skema suplementare mbështetje shëndetësore, janë gratë shtatzëna, në të gjitha ekzaminimet e nevojshme për ato dhe fëmijët, invalidë të grupeve të veçanta, programe të ndryshme parandalimi, si edhe për disa forma tumoresh etj. Më tej duke bërë të ditur se kjo skemë e përdorur nga qeveria i jep shteti shqiptar një aspekt thellësisht social, deputeti demokrat nënvizoi se fushata e kreut socialist kundër sistemit shëndetësor karakterizohet nga tre tipare: “1) Nihilizëm absolut, edhe për ato fare kemi realizuar së bashku me të majtë në këto vite, si është fjala për ligjin për Fondin e Sigurimeve dhe për sistemin e sigurimeve në tërësi. Ky ligj e ky sistem është ndërtuar me asistencën e plotë të Bankës Botërore. Sistemi i sigurimeve si koncept, është me i suksesshmi tashmë në hapësirën evropiane dhe dominon në shumicën dërmuese të këtyre vendeve. 2) Gënjeshtra të qarta për realitetin tonë shëndetësor e social, ofendime për personelin e tij. 3) Rrugët e zgjidhjes për problemet ekzistuese qe ai prezanton janë krejt irracionale, centraliste si dikur në komunizëm, absolutisht diametralisht të kundërta me ato zhvillime që ka nevojë sistemi ynë shëndetësor në të ardhmen”, – deklaroi deputeti i PD-së Tritan Shehu.

 

 

Tryeza me gratë për shëndetësinë, kreu i PS-së: Sfidë përmbysja e sistemit

Në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste me gratë për shëndetësinë, kreu socialist Edi Rama deklaroi se sistemi i sotëm ka falimentuar, prandaj, sipas tij, në 4 vitet e ardhshme të majtët do të punojnë për ta përmbysur këtë sistem. “Ky sistem nuk është i përshtatshëm për vendin tonë, për kushtet ekonomike dhe mbase për traditën dhe kulturën e vendit tonë. Sistemi i kontributeve arrin të financojë 7% të shërbimeve të përgjithshme, ndërkohë që rreth 60% prej tyre mbulohen nga vetë qytetarët. Tek 60% përfshihen ata që e marrin shërbimin me lekë në dorë dhe 7% vjen si kontribut i atyre që janë në punë. Skema e ndërtuar në këtë formë ka falimentuar”, – komentoi Rama. Po ashtu, kryesocialisti tha se një pikë tjetër ku fokusohet programi i PS-së është kontrolli mjekësor falas, për të parandaluar sëmundjet. “E di që ka një kosto, por jemi të gatshëm ta bëjmë”, – theksoi kryetari i PS-së.

 

PS, kthim mbrapa, ISKSH: Skema e sigurimeve, pa asnjë borxh dhe me përfitime për qytetarët

Skema e sigurimeve shëndetësore është një model i suksesshëm në vendet e Bashkimit Evropian e më gjerë dhe Shqipëria po hedh hapa të sigurt me një strategji afatgjatë në këtë drejtim. Kështu ka reaguar dje Instituti i Sigurimeve Kujdesit Shëndetësor ndaj akuzave të kreut socialist Edi Rama. “Aktualisht, skema e sigurimeve shëndetësore që menaxhohet nga ISKSH-ja është e qëndrueshme financiarit, pa asnjë borxh (ndryshe nga trashëgimia që patëm në vitin 2005) dhe ka shtuar përfitimet për popullatën. Mjafton të përmendin rritjen e fondit për rimbursimin e barnave, i cili është rritur me 2.5 herë që nga viti 2005, duke shtuar numrin e barnave në listë me 159 barna dhe duke zgjeruar popullatën përfituese”, – thuhej në reagimin e ISKSH. Ndërsa lidhur me masën e kontributit në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, ISKSH sqaroi se ajo ka mbetur e pandryshuar, pra 3.4% dhe sipas këtij institucioni do të vijojë të jetë kështu edhe në ligjin e ri, ku gjysma paguhet nga punëdhënësi dhe gjysma nga punëmarrësi. “Edhe pse janë më të ulëtat në rajon,ishte vendim i qeverisë, që edhe në ligjin e ri, të ruhej njëjta masë kontributesh. Ne i qëndrojmë skemës kontributive e cila është një skemë funksionale në vendet e Bashkimit Evropian, pasi dihet saktësisht financimi që shkon për shëndetësinë. Megjithatë duhet theksuar se, aktualisht, të gjitha kategoritë në nevojë mbulohen nga qeveria, e cila paguan 76% të fondeve totale dhe vetëm 24% vijnë nga kontributet në buxhetin e ISKSH-së”, – nënvizohej në reagimin e këtij institucioni, duke shtuar se sa u takon të papunëve, kjo kategori është e mbuluar nga qeveria për shërbim shëndetësor. “Një i papunë duhet të marrë statusin si i tillë pranë zyrave të punës dhe menjëherë mund të hapë librezën e shëndetit dhe i përfiton shërbimet shëndetësore falas, kostot e të cilave i paguan qeveria”.

 

Rama: Mazhoranca po na vjedh programin

Një pjesë kryesore e diskutimit të kreut socialist Rama me deputetët në mbledhjen e grupit parlamentar ishte edhe ajo që lidhej me programin e PS-së, i cili sipas lidershipit të selisë rozë, po vidhet në copëza nga mazhoranca qeverisëse. “Qeverisë i ka ardhur koha të largohet, sepse po mbijeton duke marrë copëza të programit tonë. Është kuptimplotë që i ka ardhur koha të largohet. Ne që kemi idetë, kemi aftësinë e duhur të realizojmë këto ide”, – tha Rama. Në të njëjtën linjë, kryesocialisti akuzoi qeverinë se po kopjon programin e Partisë Socialiste në pika siç është heqja e TVSH-së për makineritë bujqësore të importuara, heqja e TVSH-së për pagat e ulëta nën 300 mijë lekë dhe kthimin e QSUT-së në një universitet mjekësor. “Heqja e TVSH-së për makineritë është refuzuar për një kohë të gjatë nga qeveria si një propozim absurd dhe pastaj është adoptuar nga qeveria, por jo në masën e propozuar prej nesh dhe jo për një kategori të caktuar. Besoj se të gjithë e kanë parasysh reagimet e qeverisë që akuzoi PS për këtë propozim duke pretenduar që ai vinte nga kanalet e interesave të monopoleve dhe sot jemi në kushte ku Kryeministri ka deklamuar adoptimin e kësaj mase. Në programin tonë është shkruar që në 5 nëntor 2011 një pjesë e planit tonë për transformimin e arsimit dhe e zeza në të bardhë është edhe projekti që QSUT të kthehet në një Universit Mjekësor. Para pak ditësh kjo është deklamuar si një çuarje përpara e projektit të qeverisë dhe kulmi në këtë vazhdë kopjimesh të çoroditura pa asnjë koherencë, as me programin e tyre as me programin tonë është edhe heqja e TVSH-së për ata që paguhen 300 mijë lekë”, – u shpreh kreu i PS-së Edi Rama.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency