Statusi, nga kutitë tek “Fieri”, kushtet e opozitës që nga 2010-ta deri në 2013-ën

0
153

Gëzim Saliu

beLigjet e integrimit, tri qëndrimet e ndryshme të PS-së për të njëjtën çështje

 

Që pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në 1 prill 2009, e cila përbënte edhe hapin e madh përpara të vendit drejt strukturave evropiane, Shqipëria ka humbur tri herë radhazi shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Me dorëzimin e pyetësorit në dhjetor të 2009-ës nga Komisioni Evropian, ku parashikohej përmbushja e 12 prioriteteve, presupozohej që vendi të përfshihej në BE që në vjeshtën e vitit 2010. Ndër arsyet kryesore të bllokimit të këtij procesi ka qenë ngërçi politik mes palëve në vend, ku mungesa e konsensusit ka bërë të pamundur përmbushjen e reformave të domosdoshme për integrimin evropian. Por në rast se do të përcaktonim se cilat kanë qenë shkaqet e mungesës së dialogut dhe konsensusit mes palëve politike, nuk mund të lëmë pa përfshirë në to edhe kushtet e njëpasnjëshme të vendosura nga Partia Socialiste dhe opozita në tërësi në kuadër të bashkëpunimit me mazhorancën.

 

2010-ta

Publikimi i progres-raportit të KE-së, ku u bë e ditur se Shqipëria nuk mori dot statusin e vendit kandidat ishte një lajm i pritshëm në vend, si nga klasa politike ashtu edhe nga vetë shqiptarët. Për një vit, që prej zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009, opozita si me anë të protestave ashtu edhe me grevat, kishte bërë të ditur se nuk do të njihte institucionet e vendit. PS për më shumë se 6 muaj bojkotoi kuvendin, ku nuk mori pjesë në asnjë seancë parlamentare, duke bërë kështu të pamundur votimin e një sërë ligjesh të rëndësishme si kodi civil apo reforma parlamentare, të cilat kërkonin shumicë të cilësuar votash. Në këtë kontekst, PS nuk votoi as ligjin e Gjykatës Administrative, ku me vonesën në miratimin e këtij ligji, vendi humbi miliona dollarë. Për të dhënë votën për këto ligje të rëndësishme, më parë opozita kishte vënë si kusht ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Më parë kreu socialist Rama kishte kërkuar hapjen e të gjitha kutive zgjedhore ku opozita kishte dyshime për manipulime, kërkesë kjo e hedhur poshtë kategorikisht nga mazhoranca qeverisëse. Pas ftesave të ripërsëritura të mazhorancës për të gjetur një zgjidhje të mesme mes palëve, në mënyrë që të ecej përpara me axhendën e integrimit, socialistët kërkuan që hetimi për zgjedhjet e 2009-ës të ishte i pakufizuar e ndërkohë që për fletët e votimit të pritej opinioni i Komisionit të Venecias. Kjo e fundit ishte ndër kërkesat e para që u pranua nga kryeministri Berisha e ndërsa kundërshtia e mazhorancës lidhej kryesisht me kërkesën për hetim të pakufizuar, gjë e cila sipas Kryeministrit, nënkuptonte rinumërimin të të gjitha votave të zgjedhjeve. Prej këtyre qëndrimeve, opozita ndryshoi shumë në muajt në vijim, ku kutitë dhe komisioni nuk do të bënin më pjesë në retorikën e përfaqësuesve të lartë të selisë rozë.

 

2011-ta

“Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin”. Kështu do të bënte të ditur dështimin e dytë radhazi të vendit për të marrë statusin e kandidatit, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle në paraqitjen e progres-raportit për Shqipërinë në 12 tetor të vitit 2011. Edhe në këtë vit, pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe kundërshtisë për zgjedhjet e Tiranës, kreu socialist Edi Rama do të bënte publik një pakt me 10 pika, të cilat përbënin edhe kushtet e opozitës për bashkëpunim me palën tjetër në kuadër të integrimit të vendit. Ndër kërkesat kryesore të PS-së ishin ato për një reformë parlamentare, për realizimin e reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, për zgjedhjen e 5 funksionarëve të lartë të institucioneve të vendit, për diskutimin e ligjeve me 3/5 më parë në tryezën e komisionit të ligjeve në praninë e ekspertëve, për ndërhyrjen në kushtetutë si domosdoshmëri për kufizimin e imunitetit, hetimin e “Wikileaks” etj. Të tilla kushte u cilësuan nga mazhoranca si bllokuese, në një kohë kur vendi kërkonte zgjidhje të atyre çështjeve që përbënin domosdoshmëri për integrimin evropian. Pas këtij dështimi të ripërsëritur, në nëntor të 2011-ës, pas gati dy vitesh krizë politike, PD dhe PS do të binin dakord të nisnin së bashku reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. E cilësuar si “marrëveshja e nëntorit”, ky konsensus i ri mes palëve pritej t’i hapte rrugë vendit për marrjen e statusit kandidat vitin pasardhës.

 

2012-ta

Në zbatim të marrëveshjes mes palëve, u nis puna për komisionin e reformës zgjedhore dhe në bazë edhe të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, u bë e mundur Kodi i ri Zgjedhor, i cili përbënte edhe një ndër rekomandimet më të rëndësishme të Komisionit Evropian. Po ashtu u miratuan një sërë ligjesh me shumicë të cilësuar, por ndërkohë mbetej si një pikë kyçe për tu përmbushur çështja e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë. Megjithëse PS e propozoi thuajse 1/3 e draftit për heqjen e imunitetit, ajo e kushtëzoi votën ndaj tij më paketën kushtetuese, e cila kërkonte në thelb votim me shumicë të cilësuar për kryeprokurorin e ri dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ky kusht i ri i socialistëve ishte hapi i parë i “krisjes” së marrëveshjes së nëntorit të 2011-ës. Por përpos kushtëzimeve të pandërprera, PS votoi në fillimin e vjeshtës së 2012-ës, ligjin për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Me plotësimin e këtyre reformave, vendi arriti të marrë në tetor, statusin kandidat, por me kushtin që të plotësoheshin deri në dhjetor tri kritere. Ligji i Gjykatës së Lartë, ai i nëpunësit civil dhe Reforma Parlamentare përbënin tri kushtet e Brukselit për të marrë në formë të plotë statusin e kandidatit. Kur pritej miratimi i këtyre tri kritereve, opozita riktheu sërish kushtëzimin e saj, duke kërkuar që të zhbllokohej çështja e Këshillit të Qarkut Fier. Sipas socialistëve, demokratët në mënyrë antiligjore kishin rrëzuar kryetarin e tyre dhe kishin vendosur në krye të Këshillit të Qarkut, kandidatin e djathtë. E vendosur si një kusht i panegociueshëm për votimin e tri ligjeve nga opozita, çështja e Fierit ishte ngërçi i radhës mes palëve. Ndërkombëtarët lëshuan thirrje të vazhdueshme ndaj klasës politike, duke kërkuar drejtpërsëdrejti votimin e tri ligjeve, si kushtet e vetme për marrjen e statusit kandidat. Po ashtu, edhe mazhoranca qeverisëse nëpërmjet kryeministrit Berisha bëri edhe një ofertë ndaj PS-së, e cila parashtronte zhvillimin e një mocioni për të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak Fier, ofertë kjo që u hodh poshtë nga kryesocialisti Rama.

 

Tri qëndrimet

Kushtëzimi i tri ligjeve të integrimit më çështjen e Fierit nuk do të vazhdonte gjatë, pasi PS ndryshoi tërësisht qëndrimin e asaj në kohën kur pritej publikimi i progres-raportit të KE-së. Kreu socialist Rama deklaroi se statusi kandidat nuk mund të merret vetëm me votimin e tri ligjeve, pasi, sipas tij, vendi nuk plotësonte edhe shumë kushte të tjera të përcaktuara nga Brukseli. “Shqipëria e gjen veten sërish të refuzuar për shkak se vendi është mbytur në batakun e korrupsionit dhe s’ka luftuar krimin e organizuar se është zhytur në fund të batakut botëror të korrupsionit, krah për krah me Nigerinë dhe Etiopinë dhe për shkak të rolit të qeverisë për mos përmbushjen e 12 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian”, – do të shprehej Rama. Ky qëndrim, në kundërshtim me kushtëzimin e parë, u hodh poshtë shumë shpejt nga vetë KE, ku komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle do të bënte të ditur se vetëm me miratimin e tri kushteve, vendi do të mund të merrte statusin. “Nëse Tirana nuk arrin të realizojë miratimin e tre ligjeve, do jetë një tjetër shans i humbur. Do ishte një mëkat nëse tre ligjet e kërkuara nga KE nuk do miratoheshin”, – u shpreh ai. Përpos këtyre qëndrimeve, opozita paraqiti edhe një tjetër “kusht” i cila sipas saj, bënte të pamundur marrjen e statusit në dhjetor të 2012-ës, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. “Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por ky nuk është një kusht”- do të bënte të ditur konferencën për shtyp së bashku me komisionerin Fyle, ministrja e jashtme e Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, duke hedhur kështu poshtë pretendimin e Partisë Socialiste.

 

Konferenca e së majtës evropiane, Rama mbështet Bersanin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka marrë pjesë dje në konferencën “Rilindje për Evropën: Paqe, prosperitet dhe progres”, të zhvilluar në Torino të Italisë, në një aksion politik për të mbështetur Pierluigi Bersanin, kandidatin e majtë për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 24 shkurt në këtë vend. Gjatë konferencës është diskutuar gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit mes të majtës veçanërisht në këtë vit që është vit elektoral për disa vende evropiane. Kreu i PS-së, Edi Rama, pas konferencës ka pohuar se Partitë Socialiste Evropiane kanë përqafuar sloganin e një rilindjeje për Evropën. “Dhe sot ishte një kënaqësi e veçantë që në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë isha mes udhëheqësve të lartë të socializmit evropian së bashku me disa kryeministra të partive socialiste e socialdemokrate të Evropës, për të mbështetur kandidatin e rilindjes evropiane për Italinë Pierluigi Bersanin. Është e ndjeshme kudo që era për Evropën e të nesërmes po fryn majtas dhe ne sot ndamë një frymëzim evropian me kryetarin e Parlamentit Evropian Martin Schulz, me një sërë kryeministrash që sot përfaqësojnë aspiratat e të majtës socialiste dhe progresiste me kandidatin për kryeministër dhe kryeministrin e së shpejtshëm të Italisë Pierluigi Bersani dhe plot të tjerë. U fol për Evropën e nesërme, u fol për domosdoshmërinë e një bashkimi evropian që është shumë më pranë qytetarëve, që është shumë më i angazhuar për rritjen, zhvillimin, solidaritetin mes qytetarëve të Europës së nesërme ku padyshim bëjnë pjesë edhe shqiptarët e Shqipërisë së sotme”, – u shpreh Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency