Takimi me homologen bullgare, Topalli: Bashkëpunim për Korridorin 8

0
147

Ina Jano

topalli.2

Opozita të votojë ligjet, në mënyrë që të hapen negociatat. Kryeparlamentarja merr mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë në BE

Caceva: U takova me ministrin e Jashtëm të Irlandës, vend që mban Presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria

 

Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, së bashku me homologen e saj bullgare u zotuan se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vijojë, sidomos në ndërtimin e Korridorit 8. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se gjatë takimit, Jozefina Topalli dhe Caceva biseduan për një bashkëpunim konkret për të përfituar projekte madhore infrastrukturore përmes fondeve të BE-së. “Për Shqipërinë e Bullgarinë, por dhe për zhvillimin e mbarë rajonit ka një rëndësi të madhe realizimi i Korridorit 8. Një rrjet rajonal infrastrukturor do të nxiste një epokë të re zhvillimi për gjithë Ballkanin”, – ishte përfundimi i të dyja homologeve. Ndërkohë, zonja Topalli nënvizoi gjatë bisedës me homologen bullgare se mazhoranca dhe gjithë vendi po presin votën e opozitës për tri ligjet, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund që të hapen negociatat për Shqipërinë. Në përfundim të takimit, Kryetarja e Kuvendit për mediat bëri një përmbledhje të diskutimeve dhe tha se ishte e gëzuar që Shqipëria ka një aleate të tillë si Bullgaria, dhe që e mbështet rrugën evropiane të vendit tonë. “Biseduam për çështje të integrimit dhe unë me gjithë zemër dua të falënderoj zonjën Caceva, e cila në takimin e fundit në Dublin, në Irlandë ka insistuar duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë Bullgare për procesin e përshpejtimin të integrimit të Ballkanit Perëndimor, sigurisht të Shqipërisë meqenëse ajo është edhe një mike e veçantë e vendit tonë. Unë e falënderova atë sikurse falënderoj edhe qeverinë bullgare. Për mua është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm që nesër do të kem mundësinë të flas përpara parlamentit të Bullgarisë mbi atë çfarë është Shqipëria dhe si e projekton ajo veten në të ardhmen”, – shtoi Topalli.

Nga ana e saj, zonja Caceva konfirmoi se Bullgaria është dhe do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të japë eksperiencën e saj në këtë drejtim. Ajo tha se Progres-Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë fliste për progresin real të vendit tuaj. “Në çdo takim me faktorë të rëndësishëm të politikës së BE-së, kam lobuar për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, u takova në Dublin me Ministrin e jashtëm të Irlandës, vend që mban presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria. Uroj që anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane të jetë sa më i afërt”, – u shpreh Caceva. Ndërkohë që Topalli në bashkëbisedim vlerësoi të veçantën e Shqipërisë dhe tha se në fakt asnjë vend tjetër nuk ka mundur dot të bëjë progres kaq të shpejtë sa vendi ynë. Ajo pohoi se vetëm brenda pak vitesh Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe gjithashtu tani është në pritje të integrimit në Bashkimin Evropian, arritje që çdokush do ti nënvizonte.

Në fillim të vizitës së saj Bullgari, kryeparlamentarja e shoqëruar edhe nga deputetët që e shoqëronin, mori pjesë në ceremonial zyrtar para monumentit të “Ushtarit të panjohur”, në nderim të ushtarëve bullgarë të rënë në luftë. Zonja Topalli ndodhet në shtetin bullgar me ftesë së homologes së saj zonjës Cecka Caceva dhe do të takohet me personalitete të larta. Kështu ditën e sotme ajo do të ketë një takim me Presidentin e shtetit bullgar dhe Kryeministrin, ndërkohë që do ti drejtohet edhe Parlamentit me një fjalë të posaçme. Pritet që një ndër çështjet në fjalën së zonjës Topalli të jetë edhe çështja e shtetit më të ri në Ballkan, atij të Kosovës, por edhe rruga që ka kaluar Shqipëria në këto vite tranzicioni dhe arritjet e vendit tonë. Kjo është vizita e dytë zyrtare e Kryetares së Kuvendit në Bullgari. 5 vite më parë zonja Jozefina Topalli së bashku me kryetarët e parlamenteve të Kroacisë dhe Maqedonisë u ftuan në seancën plenare ku u ratifikua protokolli i anëtarsimit në NATO. Në takimet me krerët më të lartë të shtetit bullgar, zonja Jozefina Topalli do të kërkojë mbështetje për statusin e vendit kandidat si dhe do bisedojë për një shtysë të re të bashkëpunimit ekonomik në energji, hidrokarbure, miniera por edhe përmes projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Korridori 8.

 

 

Berisha, takim me përfaqësues të grupit turk “Marmara”

Kreu i ekzekutivit, Berisha, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të grupit “Marmara”, të cilët vijnë nga Turqia në vendin tonë për të folur për investimet. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori turk në Shqipëri, zoti Hassan Asan. Zoti Suver i shprehu Kryeministrit, në emër të grupit të tij, përgëzimet për arritjet e qeverisë në fushën politike dhe ekonomike. Zoti Suver u shpreh se rezultat i këtyre arritjeve janë edhe forcimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë si në aspektin politik, ashtu edhe në bashkëpunimin ekonomik. “Interesi i komunitetit turk për Shqipërinë, – tha ai, – është i gjithanshëm dhe shtrirja e bashkëpunimit në shumë fusha është e rëndësishme për të dyja palët”. Zoti Suver ftoi Kryeministrin Berisha për të marrë pjesë në Samitin Ekonomik të Euroazisë, që do të zhvillohet në muajin prill në Turqi. “Kontributi i Shqipërisë, – nënvizoi zoti Suver, – është i vlerësuar nga grupi “Marmara” si shumë i rëndësishëm”. Lideri i mazhorancës e falënderoi zotin Suver për vizitën dhe interesin e grupit “Marmara” për Shqipërinë. Kryeministri Berisha i siguroi ata se marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetin mik turk kanë qenë e do të jenë gjithmonë të rëndësishme dhe të afërta. Ai ndër të tjera u shpreh se bashkëpunimi politik është shoqëruar me forcim të marrëdhënieve ekonomike dhe rritje të investimeve turke në Shqipëri. Po ashtu edhe marrëdhëniet historike e kulturore midis dy popujve kanë ardhur duke u forcuar.

 

Kryeministri: Sot, marrëveshja historike për TAP

Për herë të parë, Kryeministri Berisha ka zbuluar një ditë më parë, detajet që do të diskutohen në mbledhjen e përjavshme të kabinetit qeveritar që do të mbahet ditën e sotme. Kështu, ditën e djeshme, kreu i mazhorancës ka zbuluar se kryefjalë e mbledhjes së të mërkurës me ministrat do të jetë gazsjellësi TAP. Numri një i qeverisë për të gjithë miqtë e tij në Facebook ka vlerësuar këtë projekt ndërsa është shprehur se ky është një marrëveshje historike që nënshkruhet mes tri vendeve. Këshilli i Ministrave do të miratojë në mbledhjen e sotme tekstin e marrëveshjes midis Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë për gazsjellësin TAP. “Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. TAP-i sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune”, – u shpreh Berisha. Ai shtoi se ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Në projektin e qeverisë për të shndërruar vendin tonë në një vend të zhvilluar gazifikimi i të gjithë territorit është një nga prioritetet ndërsa po ashtu një vend të rëndësishëm zë edhe energjia dhe sidomos ajo e rinovueshme. “TAP bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshme se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon!”, – përfundoi shkrimi i djeshëm i kreut të qeverisë për rreth 380 mijë miqtë e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency