Takimi me Fylen, Rama: Ngërçi do të zgjidhet pas 23 qershorit

0
141

Gëzim Saliu

ramaKreu i PS-së i paraqiti komisionerit propozimet e opozitës për garantimin e lirisë së zgjedhjeve

 

Vetëm pas 23 qershorit Shqipëria do të jetë e çliruar nga pengesat që kanë ndikuar në integrimin e saj. Kështu ka deklaruar dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin e zhvilluar me komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle, duke bërë të ditur kështu se votimi i tre ligjeve nuk do të bëhet i mundur në pranverë. Në takimin ku në qendër të diskutimit u vendosën zgjedhjet parlamentare, kryesocialisti paraqiti edhe propozimet konkrete të opozitës për të garantuar lirinë e këtyre zgjedhjeve. “Kryetari Edi Rama paraqiti propozime konkrete, për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 qershorit Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme”, – theksohej në njoftimin e PS-së që zbardhi bisedën mes kreut të opozitës dhe komisionerit Fyle.

 

Takimi

Pas takimit të zhvilluar me Kryeministrin Berisha, komisioneri për Zgjerimin në KE Stefan Fyle, i cili shoqërohej nga ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Ettore Sequi, mbërriti në selinë rozë rreth orës 12:05, ku u prit nga kryesocialisti Edi Rama dhe deputeti i PS-së e njëkohësisht kreu i komisionit të Integrimit Ditmir Bushati. Për më shumë se një orë, Fyle dhe Rama diskutuan kryesisht mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje për procesin integrues të vendit në strukturat evropiane. “Kryetari Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle folën për fatin evropian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve. Siç e paralajmëroi në Twitter përpara fillimit të takimeve, komisioneri adresoi disa çështje kyç për funksionimin e shtetit dhe për çfarë duhet bërë konkretisht që zgjedhjet të mos preken si në të shkuarën. Të dy palët u dëgjuan, me shqetësim, për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare”, bëri të ditur selia rozë detajet e këtij takimi. Në këtë kontekst mësohet se kreu socialist i ka paraqitur komisionerit Fyle propozimet konkrete të PS-së për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e parlamentareve të 23 qershorit. Ndërkohë sa i përket integrimit, lideri i selisë rozë ka deklaruar se vendi do të çlirohet nga pengesat vetëm pas zgjedhjeve, duke nënkuptuar në këtë formë se shanset e vendit për të marrë statusin në pranverë janë thuajse zero. Tetorin e kaluar, Komisioni Evropian i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Për dy muaj, kur edhe duhej të përmbusheshin tri kushtet e Brukselit, palët nuk arritën të gjenin dakordësinë mes tyre. Opozita vendosi si kusht për votimin e tri ligjeve, zhbllokimin e këshillit të qarkut Fier, i cili sipas të majtëve, po mbahet peng nga mazhoranca. Duke e cilësuar kushtin e opozitës si bllokues, mazhoranca propozoi një zgjidhje të mesme për këtë çështje ngërçi, duke kërkuar një mocion besimi për të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak të qytetit të Fierit. Një zgjidhje kjo që u cilësua si antikushtetuese nga opozita, e cila vazhdon ti qëndrojë kushtëzimit të saj për tri ligjet. Në këto kushte ngërçi, ku edhe deklarata e ripërsëritur e komisionerit Fyle se palët duhej të shfrytëzojnë çdo mundësi kompromisi për ti dhënë vendit statusin e kandidatit nuk po ndikon në zgjidhjen e situatës, duket se shanset janë minimale që vendi ta marrë atë para zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

 

Rama niset në Lisbonë, merr pjesë në mbledhjen e Internacionales Socialiste

Pas takimit të zhvilluar me komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle, kreu socialist Edi Rama është nisur dje drejt Lisbonës, ku pritet të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste. Po ashtu si edhe në takimin me Fylen, në këtë mbledhje pritet që të jetë në qendër të diskutimit zgjedhjet. “Pas bisedës shumë të frytshme me komisionerin Fyle, për Lisbonë në Këshillin e Internacionales Socialiste ku do diskutohen po ashtu zgjedhjet”, – bëri të ditur kreu i Partisë Socialiste Edi Rama në rrjetin social “Twitter”.

 

 

Itinerari i vizitës së komisionerit Fyle

Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, erdhi dje në Tiranë me misionin për zgjidhjen e ngërçit shqiptar midis mazhorancës dhe opozitës. Para se të zhvillonte takimet me dyer të mbyllura me Kryeministrin Berisha, kreun e opozitës Rama dhe Presidentin Nishani, Fyle shpjegoi në Twitter se misioni i vizitës në Tiranë, ishin zgjedhjet e 23 qershorit. “Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, – shkruante Fyle në faqen e tij personale në Twitter. Fillimisht, komisioneri zhvilloi një takim rreth orës 9:00 të mëngjesit me ambasadorët e akredituar në Tiranë, OSBE, BE dhe SHBA. Më pas rreth orës 10:45 së ditës së djeshme Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha, për t’u pasur me takimin mes tij dhe liderit të opozitës, Edi Rama, takim që u zhvillua rreth orës 12:05 dhe që përfundoi në orën 13:20 minuta. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle takoi dhe Presidentin Bujar Nishani. Në qendër të takimeve të tij me politikanët shqiptarë Fyle vendosi prioritetet e vendit sa u përket aspiratave për integrim në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm, por u takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet. Po ashtu, komisioneri nënvizoi gjatë bisedimeve të tij në Tiranë që zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit

 

 

Malaj: Të votohen tri ligjet dhe të hyjnë në fuqi në 2014-ën

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, duke vlerësuar vizitën e komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, kërkoi votimin e tri ligjeve të Brukselit, të cilat sipas tij mund të hyjnë në fuqi më pas në vitin 2014. Duke nënvizuar se suksesi apo dështimi i kësaj vizite nuk është suksesi apo dështimi i komisionerit të Zgjerimit Fyle, por suksesi apo dështimi i politikës shqiptare në raport me sfidat e vendit, Malaj pohoi se çdo dështim mund të ketë kosto të rënda për vendin. “Propozimet e PS-së për përmirësimet në ligjet përkatëse dhe rregulloren e parlamentit, si edhe hyrja në fuqi e këtyre ligjeve në Janar të vitit 2014 mund të jenë kontribuuese drejt një zgjidhje. Çdo dështim i ripërsëritur i politikes shqiptare edhe pas kësaj vizite, mund të ketë kosto më të rënda dhe afatgjata mbi zhvillimet politike dhe sfidat sociale. Duhet ta përdorim në maksimum këtë mundësi të re për të gjetur një zgjidhje e cila e nxjerr procesin e integrimit nga dështimet e tij të përsëritura”, – tha Malaj në një reagim në rrjetin social “Facebook”. Sipas anëtarit të kryesisë së PS-së, të gjitha partitë politike gjatë kësaj vizite duhet të fokusohen tek opsioni i zgjidhjes. “Mazhoranca duhet të kuptoj se bllokimi i këtij procesi i rëndon të gjithë shqiptarëve. Mbi dështimet nuk ka të fituar por vetëm të humbur. Kërkesat e opozitës për funksionimin e shtetit ligjorë janë të drejta dhe mbajnë parasysh situatën e përkeqësuar”, – u shpreh Malaj.

 

Itali, Ruçi dhe Balla, takime me emigrantët: PS garanton kujdes të veçantë

Drejtuesit e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla, si dhe deputeti Sadri Abazi ishin në Udine të Italisë ku kanë zhvilluar takime me emigrantë shqiptarë të vendosur në këtë zonë veriore të shtetit fqinj. Në takimin kryesor të zhvilluar në një nga sallat publike të qytetit në prani të qindra emigrantëve kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi bëri një ekspoze të Programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”. Ai theksoi faktin se vetëm në rajonin e Udines jetojnë një numër shumë i konsiderueshëm shqiptarësh, çka tregon për një forcë të madhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të vendit, por që sot për sot janë të braktisur nga qeveria dhe shteti i vendit të tyre. Ruçi i garantoi emigrantët se PS do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë mbështetjes dhe kujdesit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ndërkohë edhe për ata emigrantë që janë kthyer apo kthehen në Shqipëri kreu i grupit parlamentar bëri të ditur se janë parashikuar të zbatohen politika sociale ri-integrimi. Nga ana tjetër sekretari i grupit kuvendor socialist, Taulant Balla, duke ju referuar ndikimit që kanë të ardhurat e emigrantëve në ekonominë shqiptare, ka theksuar: “Emigrantët janë njerëzit që mbajnë Shqipërinë në këmbë dhe në tërësi janë forca më e madhe në Shqipëri”. Po ashtu ai ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që emigrantët kanë dhënë për PS-në dhe politikat e saj ekonomike e sociale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency