Konferenca në Mynih, Berisha: Albanofobia kërcënim për stabilitetin e rajonit

0
145

Gëzim Saliu

konferenca“Të hiqet dorë nga albanofobia, përgjigjja ndaj kërcënimit të copëtimit të shqiptarëve, bashkimi kombëtar”

 

Ideja, sipas të cilës shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete dhe për këtë duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri, është tërësisht e papranueshme. Kështu ka deklaruar dje në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49-të të Sigurisë në Mynih, Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se albanofobia është e gjallë dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në rajon. “Nëse ju shihni hartën e Evropës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombës dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. E rrezikshme është ideja, sipas të cilës meqenëse shqiptaret janë të copëtuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt”, – tha Berisha.

 

Diskutimi

Duke nënvizuar se kufijtë mbeten të parëndësishëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian, kreu qeverisë shqiptare e konsideroi vendimtare për rajonin respektimin e plotë dhe implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe. “Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë “baruti” urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptarët. Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen ne 5 kombe, sepse nuk do te pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar”, – deklaroi Berisha në diskutimin e konferencës në Mynih të Gjermanisë, ku drejtues i panelit ishte Marti Ahtisaari, ndërsa referues dhe të pranishëm ishin dhe George Ivanov President i Maqedonisë, Presidenti Kroacisë Ivi Josipovic, Milo Dukanovic Kryeministër i Malit të Zi, Miroslav Lajcak zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, Gulio Terzi di Sant’Agata ministër i Jashtëm i Italisë, Agim Çeku ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Elmar Maharam Mammadyarov ministër i Jashtëm i Azerbajxhanit, europarlamentari Elmar Brok, ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakoyannis, politikanë dhe gazetarë të ndryshëm. Ndërkohë, pyetjes së deputetit gjerman Rainer se cili ishte mesazhi i Kryeministrit Berisha për ta, kreu i ekzekutivit iu përgjigj duke marrë një shembull konkret. “Dua ta ilustroj këtë me një shembull: Në vitin 1992 unë kam qenë këtu ne Mynih në të njëjtën konferencë. Një gazetar italian i “Corriere della Sera” më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në rajon. Unë iu përgjigja se zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Unë isha shprehur për bombardimin e bazave ushtarake të Serbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndofta do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë sërish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në rajon. Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky”, – u shpreh Berisha. Në këtë kontekst Kryeministri pohoi se është e domosdoshme të zbatohen marrëveshjet dhe të punohet për klimën e pajtimit. “Unë shpresoj se perspektiva evropiane do të jetë ajo që do të sigurojë një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan ne BE ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Evropë. Por në të vërtetë kjo nuk po ndodh në rajonin tonë”, nënvizoi në fjalën e tij në punimet e konferencës së sigurisë në Mynih Kryeministri i vendit Berisha.

 

Takimi me të dërguarin e DASH, Berisha: TAP, projekti me interesin më të madh për Evropën

Pascual: Materiali i përgatitur nga stafi i një senatori nuk shpreh aspak qëndrimin zyrtar të SHBA-së

Gjatë qëndrimit në Mynih, ku mori pjesë në Konferencën e 49-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin Carlos Pascual, i dërguar i posaçëm dhe koordinator për çështjet e energjisë ndërkombëtare në Departamentin e Shtetit në SHBA. Në takim u diskutua gjerësisht për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për rajonin e Evropës Juglindore dhe Evropës, realizimi i projekteve të furnizimit me gaz natyror. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha ritheksoi faktin se projekti TAP mbetet projekti më fizibël, më i detajuari nga pikëpamja teknike dhe me interesin më të madh ekonomik për rajonin dhe për Evropën dhe njëkohësisht një projekt që gëzon tashmë një mbështetje të gjerë politike e të gjithanshme në Rajon e më gjerë. Po ashtu kreu i mazhorancës e falënderoi përzemërsisht për mbështetjen që SHBA dhe qeveria amerikane i ka dhënë në vijimësi diversifikimit të burimeve të energjisë dhe projekteve që do të bëjnë të mundur furnizimin me gaz natyror të rajonit si një burimi jashtëzakonisht efikas dhe i qëndrueshëm i energjisë dhe një faktor madhor për zhvillimin e modernizimin e ekonomive të tyre, por edhe rritjes së mirëqenies së popujve të tyre. Zyrtari i Departamentit të Shtetit Carlos Pacual nga ana e tij theksoi se qeveria amerikane beson fuqishëm që vendet e rajonit dhe popujt e tyre duhet të kenë akses në furnizimin me gaz si një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre. “SHBA mbështet fuqishëm zhvillimin e projekteve që do të sjellin gaz natyror nga fushat e Shah Deniz si një hap shumë i rëndësishëm për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë, çka do të përbëjë një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Evropën dhe rajonin”, – tha Pascual. Në këtë kontekst, ambasadori e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria e tij, i ka dhënë në vijimësi perspektivës së projekteve të furnizimit me gaz natyror të Rajonit. Ai vlerësoi në veçanti bashkëpunimin ndërqeveritar në Rajon midis qeverisë shqiptare asaj të Greqisë dhe të Italisë, të cilat ndodhen në fazën përgatitore të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi për këtë qëllim. Gjithashtu i dërguari i posaçëm dhe koordinatori i qeverisë së SHBA për energjinë ndërkombëtare Carlos Pascual e siguroi kryeministrin Berisha se, një materiali përgatitur nga stafi i një senatori nuk shpreh aspak qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane dhe theksoi se, qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm projektin që do të përzgjidhet përfundimisht për transmetimin e gazit nga Shah Deniz.

 

 

Dështimi i statusit, Bregu: Ja sa miliona euro humbi vendi nga Rama

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri të ditur dje se cilat janë humbjet ekonomike të Shqipërisë nga asistenca e BE-së për shkak të mos marrjes së statusit të vendit kandidat. Sipas Bregut, me bllokimin e tre ligjeve nga PS, vendi ka humbur investime të rëndësishme në fusha me rëndësi jetike. “E vërtetë është se asistenca e BE është e destinuar me marrjen e statusit te vendit kandidat, për më shumë infrastrukturë, ndërtim shkollash e spitalesh, rritje të mundësive për pagesën e bursave të studentëve shqiptarë që studiojnë në universitetet më të mira të botës. Por për ta kuptuar sa më thjesht humbjen, ju lutem, orientohuni nga këto të dhëna: Shuma që Shqipëria, pasi ka akredituar strukturat, do të merrte në vit, duke qenë vend kandidat, është rreth 30 milion euro më shumë në vit”, – tha ministrja në rrjetin social “Facebook”. Në këtë kontekst, Bregu paraqiti në mënyrë specifike, humbjet ekonomike të vendit duke renditur: “1. Me 30 milionë euro më shumë në vit do kishim 1800 studentë në vit që studionin në universitetet më të mira të Botës. Sot paguajmë 1 milion euro në vit për 60 studentë me bursë. 2. Me 30 milionë euro më shumë në vit, do të mund të ndërtonim 30 shkolla të reja. Një shkollë e re kushton 1 milion euro. 3. Me 30 milionë euro më shumë në vit dyfishohej buxheti vjetor i QSUT-së! Paga, shërbime speciale si dializa, ilaçet etj. Ose mund të ndërtohej spitali i kirurgjisë, që do të ishte zgjidhje për gjithë vendin. 4. 30 milion euro më shumë në vit janë baras me pagesën e 11.670 pensionistëve me pagesë 30 mijë lekë të reja në muaj. 5. 30 milionë euro më shumë në vit janë baras me 5800 vende punë me pagë 60 mijë lekë të reja, në muaj. 6. 30 milionë euro më shumë në vit janë baras 14.285 paga minimale. 7. Me 30 milionë euro më shumë në vit do të ishin ndërtuar 30 km rrugë të brendshme, 120 km rrugë rurale ose 17 km të tjerë nga by-pass-i i Vlorës. 8. Me 30 milionë euro më shumë në vit do të ishin ndërtuar 22 kopshte dhe shkolla”, – listoi ministrja e Integrimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency