Niksic, Topallit: Shqipëria, model për Bosnjën

0
158

Ina Jano

topalliBashkëpunimi mes dy vendeve në nivele të lartë, për të arritur synimin më të madh, atë të anëtarësimit në BE

Kryetarja e Kuvendit: Dy vendet kanë projektuar veten në Bashkimin Evropian

 

Shteti i Bosnjës është duke ndjekur si model për zhvillimin e infrastrukturës vendin tonë. Këtë ka bërë të ditur në takimin me Kryetaren e Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli, Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në vendin tonë, me ftesë së homologut Berisha. Në takimin me Kryeparlamentaren, zoti Niksic vlerësoi avancimin e dukshëm të Shqipërisë dhe përmendi edhe faktin që vendi ynë është një anëtar i denjë i NATO-s. Kryeministri Niksic u shpreh: “Shqipëria ka një epërsi; ajo është anëtare e NATO-s. Dy vendet tona kanë një rrugëtim të përbashkët drejt BE-së dhe jemi partnerë në arritjen e këtij objektivi. Ne e kemi lakmi infrastrukturën tuaj rrugore, tha zoti Niksic, dhe në këtë fushë po ecim sipas modelit tuaj”. Kryetarja e Kuvendit tha se kjo vizitë vjen si një inkurajim i bashkëpunimit edhe më të ngushtë mes dy vendeve tona, që natyrshëm duhet të jenë shumë të afërta. “Dy vendet tona e kanë projektuar veten në BE dhe ky synim e bën të domosdoshëm bashkëpunimin tonë”, – u shpreh Topalli. Në takim u diskutua për forcimin e shkëmbimeve ekonomike. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se është një lajm shumë i mirë për qytetarët dhe për biznesin, diskutimi për lëvizjen midis dy vendeve vetëm me karta identiteti, si dhe hapja e Ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit theksoi se shkëmbimet e vizitave parlamentare, jo vetëm në nivele të larta por edhe të komisioneve e grupeve të deputetëve janë një instrument shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve. Duke folur për çështjet rajonale, zonja Topalli u ndal edhe në çështjen e Kosovës, duke theksuar se pavarësia e saj po i shërben stabilitetit në rajon. Kosova po konsolidon shtetin ligjor dhe e ardhmja e saj, ashtu si e vendeve të Ballkanit është në BE.

Nishani

Me kreun e qeverisë boshnjake u takua edhe Presidenti Nishani. “Besoj se rajoni ka nevojë për gjithë përfshirje dhe jo për izolime”, – tha kreu i shtetit shqiptar. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe u vu në dukje se ka ende shumë hapësirë për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona mike, intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në kuadër të integrimit euroatlantik. Nishani shtoi se është e plotësisht e mundur që Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina të krijojnë një model bashkëpunimi të vlefshëm për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe më gjerë. Nga ana e tij, Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Niksic, e çmoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Shqipërisë për stabilitetin e vendit të tij dhe integrimin euroatlantik duke ndarë të njëjtin mendim se veçanërisht bashkëpunimi në fushën e turizmit, energjetikës, shkëmbimit tregtar e kulturës do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona. Një ditë më parë Kryeministri i Bosnjës, u takua me homologun e tij Berisha ku dhanë edhe një konferencë për mediat. Gjatë fjalës së tyre, ata vunë theksin në bashkëpunimin e mirë që ekziston mes dy vendeve dhe u zotuan për t’i ngritur ato në një nivel të ri. Me rëndësi u paraqitën fusha të tilla, si energjia, turizmi dhe agroturizmi. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, numri një i qeverisë boshnjake pati një ditë intensive me krerët e politikës shqiptare dhe ministra të ndryshëm, për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe për të marrë informacion të ndërsjellë për hapësirat e mbetura bosh mes dy vendeve.

 

Suedia: Nuk ka rikthim të regjimit të vizave për Ballkanin Perëndimor

Ambasada suedeze hodhi dje poshtë të gjitha zërat se mund të ketë një pezullim në lidhje me regjimin e vizave nga ky shtet. Në një deklaratë të posaçme për mediat, ambasada suedeze sqaron se deri më tani nuk asnjë hap konkret, por ajo mbështet zbatimin e rregullave që janë vendosur për këtë shërbim. Megjithatë, referuar numrit të lartë të azilkërkuesve në këtë vend, ambasada thekson faktin se mbetet ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim duke bërë thirrje edhe për bashkëpunim të ndërsjellë mes vendeve dhe qeverive. Thyerja e rregullave në mënyrë masive, është një pikë për të cilën ambasada nënvizon se do të sillte marrjen e masave, megjithatë diskutimet brenda unionit evropian vazhdojnë dhe nuk ka një vendim përfundimtar në lidhje më këtë çështje. “Qeveria suedeze e kupton dhe është e vetëdijshme sesa e rëndësishme është heqja e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë mënyra se si është përdorur kjo liri nuk është totalisht e pranueshme. Por diskutimi në lidhje me vendosjen e regjimit, nuk do të thotë se Suedia do ta zbatojë atë në mënyrë të menjëhershme”, – nënvizohet në deklaratë. “Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre suedeze është duke funksionuar mirë dhe shpresojmë se kjo punë do të bëjë që të minimizohen trendet aktuale”, – vijon njoftimi për mediat. Një ditë më parë ministri i Migrimit Tobias Bilstrom u shpreh se qeveria suedeze mbështet kërkesën për vendosjen e regjimit të vizave të këtyre vendeve, një praktikë kjo që lidhet vetëm më numrin e lartë të azilkërkuesve. Megjithatë, duket se ambasada suedeze ka hedhur poshtë këtë deklaratë, duke u shprehur se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë për vizat.

Berisha: “Don Bosko”, kampus i mrekullueshëm shkollor

Kryeministri Berisha vizitoi dje qendrën sociale “Don Bosko” në Tiranë, e cila në një ceremoni festive përkujtoi 20-vjetorin e pranisë saleziane në Tiranë. “Ajo çka 20 vjet më parë filloi me disa baraka, sot është një kampus i mrekullueshëm, ku fëmijët nga klasa e parë deri në maturë marrin njohuri nga më të plotat, ku përgatiten në shumë fusha, në shumë profesione për të përballuar jetën. Por mbi të gjitha të dashur fëmijë, asgjë nuk ka më të rëndësishme për njeriun sesa besimi tek Zoti, i cili e ndihmon atë më shumë se çdo gjë tjetër në çdo lloj vështirësie që të ketë që të përpiqet për përmirësim, të përpiqet për më të mirën dhe ai ia arrin qëllimit. Në qoftë se nuk e arrin menjëherë, por vazhdon të qëndrojë në rrugën e tij, ai ka mbështetjen e Zotit dhe ai është i sigurt që e pret suksesi. Nga oratori, nga bankat e shkollave, e gjimnazit, e shkollave profesionale, e qendrës së formimit profesional, shkollës 9 vjeçare kanë kaluar mijëra fëmijë, të cilët kanë dhënë dhe japin një ndihmesë të madhe në zhvillimin e vendit të tyre, kanë dhënë dhe japin një ndihmesë të madhe në mbajtjen, mbështetjen e familjes së tyre, ndërtimin e jetës së tyre”, – u shpreh kreu i qeverisë. Duke vlerësuar në maksimum punën dhe përkushtimin e mësuesve në këtë qendër, lideri i mazhorancës shprehu kënaqësinë që ai ndodhej në një qendër të tillë shumëfunksionale, që i shërben më së miri kushteve prezente në të cilat është duke u zhvilluar arsimi. Në ceremoninë e rastit, Kryeministri u nderua me titullin “Mik i Don Boskos” me motivacionin: “Për kontribut të çmuar, impenjim social, mbështetje të iniciativave të zhvillimit dhe forcimit të strukturave rinore. Sot, kjo qendër sociale drejton kolegjin “Don Bosko”, i cili përbëhet nga shkolla 9-vjeçare, gjimnazi dhe shkolla e mesme profesionale; qendrën e formimit profesional; oratorin-qendrën rinore; qendrën ditore në ndihmë të fëmijëve, kryesisht me etni rome, si dhe “Shtëpia e miqve”, në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar. “Ju falënderoj shumë për nderin që më bëtë me urdhrin e “Mikut të Don Boskos”. E kam për nder të madh që të jem mik i atij burri që frymëzon çdo njeri për fëmijët, për të rinjtë, për të ardhmen”, – tha Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency