PE, Kukan: Tri kushtet janë të qarta, votojini për progresin

0
131

Gëzim Saliu

kukanEurodepueteti: Nëse politikanët janë në favor të integrimit, atëherë ata e kanë shumë të qartë se çfarë duhet të bëjnë

 

Parlamenti Evropian i bën thirrje klasës politike shqiptare që të tregojë përgjegjshmëri për integrimin e vendit, duke përmbushur tri kushtet e përcaktuara nga Brukseli në raport-progresin e 10 tetorit. Kreu i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, theksoi se nëse politikanët duan vërtet integrimin evropian të vendit, atëherë ato duhet të votojnë kriteret e KE-së. “Ne do të jemi të gjithë të lumtur kur të marrim lajmin që tri kushtet e mbetura janë përmbushur dhe votuar në Parlament dhe se nga ana tjetër përgatitjet për zgjedhjet po ecin në rrugë të mbarë”, – tha eurodeputeti.

 

Statusi

Për eurodeputetin, Shqipëria ka shans të marrë statusin e kandidatit gjatë pranverës së këtij viti, por më parë nënvizoi ai, duhen përmbushur kushtet e Brukselit. “Këtë radhë, forcat politike duhet të zgjidhin çështjet e nevojshme dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme para zgjedhjeve. Presidenca irlandeze ka risjellë në vëmendje konkluzionet e samitit evropian të dhjetorit. Këto konkluzione janë ende të vlefshme. Mbeten disa çështje për tu zgjidhur. Nuk dua të tregohem kritik, por nëse politikanët në Shqipëri janë vërtet në favor të integrimit evropian, atëherë ata e kanë shumë të qartë se çfarë duhet të bëjnë. Dhe ata duhet ta bëjnë këtë nëse janë për progresin e vendit të tyre”, – deklaroi Kreu i delegacionit te PE për Evropën Juglindore, Eduard Kukan. Në 10 tetor, Shqipëria mori statusin e kandidat me kushtin që klasa politike të përmbushte brenda dy muajve, tri kritere të Brukselit. Përkatësisht ligji i Gjykatës së Lartë, reforma parlamentare dhe statusi i nëpunësit civil ishin tri kushtet e Brukselit për marrjen e statusit. Por për dy muaj mazhoranca dhe opozita nuk arritën të gjenin konsensusin mes tyre, pasi më parë PS kushtëzoi votimin e tri ligjeve me çështjen e “Fierit”. Sipas socialistëve vetëm me zhbllokimin e këshillit të qarkut Fier do të bëhej i mundur votimi i ligjeve të KE-së nga opozita. Pas mungesës së dialogut mes palëve, në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u vendos që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, pasi sipas Brukselit zyrtar, ky hap mund të hidhej vetëm pasi të ishin përmbushur tri kriteret kyçe të vendosura në progres-raportin e muajit tetor. Por gjithashtu ministrat e Jashtëm të BE-së pohuan se nëse palët politike do të arrin konsensusin dhe rrjedhimisht do votonin tri ligjet, atëherë ato do të ishin të gatshëm të mblidheshin menjëherë dhe të hartonin një raport pozitiv për Shqipërinë. Megjithatë, PS ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga kushtëzimi i saj për çështjen e Fierit, kur për më tepër, kreu socialist Rama ka theksuar se nuk janë vetëm tri ligjet që do të bëjnë të mundur marrjen e statusit. Sipas tij, statusi kandidat do të bëhet i mundur vetëm pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në këto kushte, kur gjithashtu janë anashkaluar edhe thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për të votuar ligjet në emër të interesave kombëtare, duket se shanset e vendit për të marrë statusin e kandidatit në pranverë janë me të vërtetë të pakta.

 

 

Të rinjtë, Ramës: Nga 10 tetori, ke vonuar 109 ditë integrimin e Shqipërisë

Lëvizja “Voto Tani, Vepro Tani”, pas disa peticioneve dhe thirrjeve të përsëritura drejtuar deputetëve të Parlamentit shqiptar për të votuar tri ligjet që kërkohen nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, dje u bëri sërish thirrje deputetëve për të votuar këto ligje. Në ambientet e jashtme të Kryesisë së Kuvendit, lëvizja “Voto Tani, Vepro Tani” ka vendosur një Count Down rritës, ku u kujton sa ditë, sa orë dhe sa minuta kanë kaluar dhe po kalojnë që nga 10 tetori, ditë kur KiE kërkoi votimin e tri ligjeve dhe deputetet akoma si kanë votuar ato. “Prej më shumë se dy muajsh, Lëvizja “VOTO TANI-VEPRO TANI!” i ka kërkuar Parlamentit shqiptar, në mënyrë të veçantë opozitës shqiptare, votimin e 3 ligjeve që mbahen pezull në parlament dhe që pengojnë dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Këtu, përpara Kuvendit të Shqipërisë, kemi vendosur tabelën elektronike, që Ju deputetët e PS-së të shikoni se sa ditë, sa orë dhe sa minuta, e keni vonuar Shqipërinë për të hyrë në Evropë. Me qëndrimin tuaj bllokues, Ju i keni mohuar Shqipërisë rreth 400 milionë euro të ardhura në çdo vit, që do të shërbejnë për rritjen e punësimit, për rritjen e mirëqenies, për rritjen e dinjitetit të çdo shqiptari dhe të rinisë në veçanti. Për këto 109 ditë bllokimi, nëse nuk e dini, pyesni rininë, pyesni popullin, sepse j̒ua thonë ata, se çfarë demi të madh i keni sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, – theksohej në peticionin e lëvizjes. Më tej ata nënvizonin se me mosvotimin e 3 ligjeve, deputetë e opozitës vetëdeklarohen si përfaqësues të vetëm 7% të atyre që nuk duan Evropën, sepse shumica e popullit shqiptar sipas lëvizjes, plot 93 % e tyre, duan që Shqipëria të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane. “Ju deputetët e Parlamentit shqiptar, të zgjedhur me votën e popullit, sa herë që të kaloni përpara kësaj tabele elektronike, duhet të shikoni dhe të kujtoni se sa ditë vonesa dhe sa dëme po i sillni interesit kombëtar të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata janë”, – theksoi në peticionin e saj lëvizja “Voto Tani-Vepro Tani”.

 

KQZ, strategji trajnimi për anëtarët e komisioneve zgjedhore

Komisionit Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë në mbledhjen e sotme të tij projektvendimin që lidhet me kualifikimin më të mirë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë në zgjedhjet e qershorit 2013 përmes një strategjie trajnimi të tyre. KQZ, në zbatim të nenit 21 të Kodit Zgjedhor, ka detyrimin të kryejë kurse trajnimi për anëtarët e KZAZ-ve dhe të KQV-ve dhe për këtë qëllim është përgatitur dhe strategjia e trajnimit të tyre. Strategjia është një plan pune i detajuar për të gjithë fazat e procesit të trajnimeve dhe që parashikon kualifikimin e komisionerëve me qëllim mbarëvajtjen dhe miradministrimin e procesit në zonën e administrimit zgjedhor (ZAZ), në qendrën e votimit (QV) dhe në vendin e numërimit të votave (VNV), në funksion të realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve. Projektvendimi i KQZ-së parashikon një procedurë transparente në përzgjedhjen dhe rekrutimin e trajnuesve, të cilët duhet të përmbushin disa kritere vlerësimi. Gjithashtu, në mbledhjen e ditës së sotme parashikohet dhe shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e dokumentacionit të punës dhe modeleve të vendimeve të KZAZ-ve, për zgjedhjet e Kuvendit”.

 

Meta: Kokëfortësia politike pengoi marrjen e statusit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar dje se kokëfortësia politike pengoi marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Nga qyteti i Pogradecit, ku ishte i pranishëm në mbledhjen e komitetit drejtues të kësaj partie kreu i LSI-së ka theksuar: “Politika e la Shqipërinë përsëri pa status dhe kjo vetëm për kokëfortësira, vetëm për një luftë politike të padrejtë e cila cenon kredibilitetin e vendit. Ne, si LSI, nuk i ndryshojmë dot të tjerët, por ajo që kemi në dorë dhe mendoj se po e bëjmë shumë mirë është të tregojmë përgjegjshmërinë tonë, të sillemi si evropianë, të përpiqemi për të bashkëpunuar me të gjithë, nuk duam t’i shërbejmë konflikteve sepse konfliktet janë kosto për shoqërinë, kosto për qytetarët”, – tha Meta. Gjatë fjalës së tij, kreu i LSI-së u ndal dhe te koalicionet zgjedhore, duke përsëritur dhe një herë se do të jetë Konventa e forcës që ai drejton, ajo që do të vendosë për këtë çështje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency