SHBA, BE dhe OSBE: Zgjedhjet me standarde, garanci për të ardhmen evropiane

0
132

Gëzim Saliu

tavolinaNgjarjet në Preshevë dhe 23 qershori, Rama: Në sintoni me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë

 

SHBA, BE dhe OSBE bëjnë thirrje ndaj klasës politike shqiptare që të angazhohet maksimalisht për të zhvilluar zgjedhje me standarde në 23 qershor në kuadër të perspektivës evropiane të vendit. Në një takim të zhvilluar me kreun socialist Edi Rama në selinë rozë, trojka e ambasadorëve e akredituar në Tiranë, e përbërë nga kryediplomati amerikan Alexander Arvizu, kreu i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi ka nënvizuar domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve për elektoralet e përgjithshme të qershorit. “Këto zgjedhje duhet të bëhen në mënyrë konstruktive dhe sipas standardeve, që të kemi të ardhme të paqtë dhe shtet të së drejtës”, – tha pas takimit ambasadori i OSBE-së, Wollfarth.

 

Takimi

Situata e krijuar së fundmi në Luginën e Preshevës dhe situata parazgjedhore ka mbledhur dje në një takim në selinë rozë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe trojkën e ambasadorëve. Në emër edhe të dy kolegëve të tij, ambasadori i OSBE-së Eugen Vollfarth u bëri thirrje partive politike që të vijojnë dialogun dhe të merren seriozisht me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të zhvillohen sipas standardeve. “Përgatitja e zgjedhjeve sipas legjislacionit në fuqi është e një rëndësie maksimale. Të gjitha partitë, jo vetëm Partia Socialiste, duhet të jenë të interesuara për këtë. Përgatitjet po vijojnë. Ato përfshijnë edhe elementet elektronike që lidhen me numërimin dhe kartat e identitetit. Këto përgatitje, si dhe zgjedhjet, duhet të zhvillohen në mënyrë konstruktive sa u takon çështjeve që çojnë në një të ardhme më të paqtë për Shqipërinë, mes tyre: shteti i së drejtës, zhvillimi i mirë i çështjeve sociale dhe i ekonomisë”, – tha Wollfarth pas përfundimit të takimit me kryesocialistin Rama. Më tej ambasadori i OSBE-së, pohoi në fjalën e tij se KQZ dhe parlamenti përmes komisionit parlamentar është duke punuar në këtë drejtim. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon; parlamenti është momentalisht duke diskutuar në një komision, pra po punon dhe çdo gjë që është konstruktive ka mbështetjen tonë. Kjo është e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin e Shqipërisë në strukturat ekzistuese në Evropë. Zhvilluam një bisedë shumë konstruktive me kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, për këto çështje. Çdo gjë që i shmanget kësaj mund të çonte në një atmosferë më pak konstruktive dhe ne shkurajojmë shikimin drejt gjërave të dëmshme. Dialogu ka filluar dhe do të vijojë”, – theksoi Wollfarth. Po ashtu edhe ambasadori i BE-së Sequi, tha se mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane, do të sjellë garanci për të ardhmen e paqtë të vendit dhe për një shtet ligjor të konsoliduar. Ndërkohë i pyetur lidhur me qëndrimin e socialistëve për tre ligjet që kushtëzojnë marrjen e statusit, ambasadori i BE-së tha se nuk ishte pjesë e bisedës, pasi fokusi ishte tek zgjedhjet e 23 qershorit.”Nuk ishte pjesë e diskutimeve çështja e 3 ligjeve. Biseda u përqendrua tek zgjedhjet si dhe në përgatitjen e tyre”, – deklaroi Sequi. Ndërsa kreu socialist Rama duke bërë të ditur se në takimin me trojkën e ambasadorëve është folur si për situatën në Preshevë ashtu edhe për përgatitjet e zgjedhjeve,nënvizoi se PS është në sintoni të plotë me partnerët ndërkombëtarë lidhur me të dyja këto çështje. “Ndamë shqetësimet dhe opinionin tonë për atë çka ndodhi në Preshevë dhe për qasjen tonë si dhe për çfarë po ndodhë me procesin përgatitor për zgjedhjet parlamentare. Ne jemi në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë në rajon, si dhe për domosdoshmërinë që zgjedhjet e ardhshme të mbyllin një kapitull farsash elektorale dhe të hapin një kapitull ku është populli që vendos për qeverisjen” u shpreh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 

 

“Presheva”, Komisioni i Jashtëm: Duhet dialog dhe respektim i konventave ndërkombëtare

Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme lidhur me zhvillimet e fundit shqetësuese në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Komisioni shprehu shqetësim lidhur me përkeqësimin në vijueshmëri të situatës në Luginën e Preshevës dhe i bëri thirrje popullsisë shqiptare të atjeshme të tregojë maturi përkundrejt situatës së krijuar dhe të mos bjerë pre e provokimeve të palës serbe. “Njëkohësisht ai i bën thirrje palës serbë të zgjidhë nën frymën e dialogut me autoritetet shqiptare të atjeshme problemet që kanë dalë së fundmi. Situata në rajon nuk është produkt vetëm i qëndrimit të ndryshëm lidhur me çështjen e monumenteve, por ajo duhet parë nën këndvështrimin e problemeve më të hershme të këtij rajoni, që kanë të bëjnë me zhvillimin e pakët ekonomik dhe praninë e shtuar të xhandarmerisë serbe në rajon. Edhe njëherë, Komisioni përsërit nevojën e trajtimit të problemit me gjakftohtësi, në kuadër të respektimit të konventave ndërkombëtare si edhe Kartës së Autoriteteve Vendore të Këshillit të Evropës”, – thuhej në njoftimin e bërë publik. Në përfundim, Komisioni ka deklaruar se do të ndjekë në vijimësi evolucionin e situatës, dhe në bashkëpunim me MPJ, do të punojë në frymë konstruktive për zgjidhjen e saj, e cila, nëse lejohet të përshkallëzohet, mund të bëhet shkas për një destabilizim të përgjithshëm të rajonit, duke venë kështu në diskutim gjithçka të arritur deri tani.

 

 

Rama takon nobelistin për paqen Yunus, bashkëpunim për “Rilindjen”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti dje në një takim të veçantë nobelistin për paqen prof. Muhammad Yunus dhe ekipin që e shoqëron. Në bisedë me kryesocialistin, nobelisti Yunus u ofrua të japë kontributin e tij në dy fusha, në ndihmë të biznesit social dhe arsimi profesional në Shqipëri. Po ashtu ai e informoi Ramën për 4 projekte të nisura tashmë në vend, të cilat kanë si objektiv mbështetjen e prodhuesve vendorë në bujqësi dhe prodhuesit e vegjël të artizanatit. Nga ana e tij, kreu socialist ka vlerësuar se mbështetja e prodhuesve në bujqësi dhe e artizanatit janë çështje mjaft të rëndësishme që zënë pjesë të konsiderueshme në programin e Partisë Socialiste. Më tej, ai e informoi nobelistin Yunus lidhur me çka përmban Programin i PS-së për heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe balancim të investimeve në arsim në favor të arsimit profesional. Në këtë takim u ra dakord që ekipi i nobelistit Muhamad Yunus dhe i Partisë Socialiste të bashkëpunojnë në kuadër të Programit “Për një Rilindje Shqiptare”, në kuadër të pasurimit të këtij programi sa i takon mënyrave alternative të mbështetjes që i duhet dhënë biznesit të vogël, sipërmarrjes në fshat dhe arsimit profesional.

 

 

Presidenca irlandeze: Shqipëria, vlerësim për reformat, me miratimin e tri ligjeve merret statusi

Presidenca irlandeze e Bashkimit Evropian mbështet dhënien e statusit kandidat Shqipërisë brenda 6-mujorit të saj. Duke përshëndetur progresin e bërë nga vendi në vitin që lamë pas, ministri i Jashtëm i Irlandës Eamon Gilmore, theksoi se sapo të votohen tri kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria mund të marrë statusin e kandidatit. Kryediplomati irlandez, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës në BE, theksoi në fjalën e tij para eurodeputetëve në Bruksel për statusin e Shqipërisë se nuk do të ketë kushte shtesë krahas tri ligjeve të kërkuara nga KE. “Para së gjithash, unë mendoj se Shqipëria duhet përshëndetur për progresin real që ka bërë për sa u përket reformave tërësore e të rëndësishme. Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit Evropian thuhet se ka ende disa masa që duhen realizuar para se statusi i vendit kandidat të akordohet. Këto kërkesa kanë të bëjnë me reformën e gjyqësorit, atë të nëpunësit civil dhe të rregullores parlamentare. Komisionit i është kërkuar që t’i paraqesë Këshillit një raport sapo që këto të jenë plotësuar e që lejojnë dhënien e statusit. Dhe Irlanda është dakord për një gjë të tillë”, – deklaroi ministri i Jashtëm irlandez, Eamon Gilmore. gjatë debatit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian për Politikën e Zgjerimit për 6 muajt e ardhshëm të Presidencës irlandeze të BE-së. Nga ana e tyre eurodeputetët vlerësuan synimet e Irlandës për të ndjekur një politikë aktive e të besueshme, e cila do t’i ndihmonte vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur më shpejt në rrugën e reformave të integrimit evropian. Vetëm një javë më parë, kryeministrit i Irlandës, Enda Kenny pohoi se presidenca irlandeze do të mbetet e hapur për zgjerimin. “Gjatë kësaj presidence do të bëjmë prioritet një politikë të besueshme të zgjerimit. Presim që ta përshëndesim popullin kroat si anëtar të plotë më 1 korrik të këtij viti. Për shtetet që gjenden në fazën e negociatave, që janë në faza të ndryshme, do të pranojmë për të çuar përpara procesin me Islandën, Turqinë dhe Malin e Zi. Vendime të rëndësishme mund të merren edhe për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën gjatë presidencës të Irlandës”, – ka theksuar Kryeministri Kenny.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency