Babai i vrasësit: Përgjërohem studentin nuk e vrau djali im

0
209

Elton Qyno

PELLUMBFlet Pëllumb Shahinaj: Im bir ka qenë me kushërinjtë kur ka ndodhur krimi. Nëse vërtetohet se ai është autor, dënim maksimal

 

Arrestimi i 25-vjeçarit Gentjan Shahinaj, si të dyshuar kryesor për vrasjen e studentit të juridikut Andi Prifti në Fier, ka qenë një goditje e rëndë për babain dhe anëtarët e tjerë të familjes Shahinaj. Kjo, për shkak se banesa e viktimës ndodhet shumë afër me atë të autorit dhe se prej shumë vitesh, dy familjet kanë qenë fqinje duke pasur marrëdhënie shumë të mira me njëra-tjetrën. I tronditur thellë nga arrestimi i djalit të tij, babai i Gentjan Shahinajt, Pëllumb Shahinaj, tregon se djali 25-vjeçar është i pafajshëm dhe se s’ka marrë pjesë në vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë. “Ai nuk mund ta ketë bërë një gjë të tillë, pasi kanë qenë shokë për kokë dhe se janë rritur bashkë me Andin. Unë përgjërohem dhe ve dorën në zjarr se vrasjen, nuk e ka bërë im bir. Im bir interesohej në polici për tre kushërinjtë e tij, por policia ka arrestuar më pas atë”, – deklaron shtetasi Pëllumb Shahinaj. Ky i fundit mes lotësh dhe turpit që ka ndier rreth arrestimit të djalit të tij, shpreh keqardhje për humbjen e jetës së 21-vjeçarit Prifti, duke shtuar se nëse arrihet të provohet që i biri është autor i vrasjes së studentit të Juridikut, atëherë ai do jetë i pari që do të kërkojë dënimin më të rëndë për 25-vjeçarin.

Alibia me kushërinjtë

Pëllumb Shahinaj, që prej vitesh banon në lagjen Sheq i Vogël, jo shumë larg banesës së shtetasit 21-vjeçar Andi Prifti, të vrarë me disa goditje me thikë, ngreh një alibi duke rrëzuar versionin e policisë dhe prokurorisë së Fierit. Sipas Shahinajt, djali i tij ka qenë nën praninë e kushërinjve të tij në momentin kur ka ndodhur vrasja e 21-vjeçarit. Ai tregon se nën shoqërinë e tyre, Gentjan Shahinaj ka qëndruar deri në orën 23:00 të mbrëmjes dhe më pas ka shkuar në banesë. Ndërkohë që duke marrë në konsideratë dëshminë e nipave të tij, Pëllumb Shahinaj thotë se Andi Prifti ditën e shtunë, është kthyer në banesën e tij rreth orës 21:30. Ai nuk është në gjendje të tregojë nëse Andi Prifti më pas ka dalë nga banesa ose jo, por shton se gjithçka që di rreth lëvizjeve të Priftit, e ka mësuar nga dëshmitë e nipave të tij, të cilët kanë qenë nën shoqërinë e djalit 25-vjeçar dhe se kishin parë së bashku viktimën, duke ecur në rrugë, duke u kthyer në banesë. “Unë nuk besoj se im bir është autor i vrasjes se djalit të komshiut, pasi nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, vetë unë do kërkon një dënim më të rëndë për të”, – pohon mes lotësh babai i 25-vjeçarit Gentjan Shahinaj.

Policia: Gjetëm autorin

Pavarësisht nga pretendimet e babait të Gentjan Shahinajt, strukturat policore të Fierit kanë deklaruar se tashmë kanë zbardhur autorin e vrasjes së Andi Priftit dhe se personi që grabiti dhe qëlloi të riun është komshiu i tij 25-vjeçar. Sipas policisë, Shahinaj ka qenë në dijeni të fitimit të shumës financiare prej 600 mijë lekësh të vjetra të vjetra në loto dhe nisur nga kjo situatë ai e ka vrarë Priftin dhe më pas ka grabitur lekët, duke e hedhur trupin shumë larg vendit të krimit në zonën e fshatit Semani. Policia thotë se dëshmitarët kanë qenë ta që kanë treguar se për herë të fundit kishin parë viktimën mbi motorin e shtetasit Gentjan Shahinaj, të cilët ishin duke udhëtuar së bashku në rrugë. Pas kësaj, asnjë person tjetër nuk ka parë më 21-vjeçarin Prifti, deri në momentin kur trupi i pajetë i tij është gjetur nga kalimtarët e rastit në vendin e quajtur Kulla e Ujit në Seman.

 

 

Ngjarja në Fier

Djali kanos me thikë babain, arrestohet nga policia

Dhunon babain, prangoset nga policia djali. 25-vjeçari Jurgest Shalla akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Pas një konflikti në familje, ky shtetas në sherr e sipër ka rrahur babain e tij dhe ka kanosur atë me thikë. Kanë qenë fqinjët e kësaj familje, që kanë njoftuar policinë, e cila ka arrestuar në flagrancë të riun. Gjatë marrjes në pyetje të tij por edhe të familjarëve të tjerë, 25-vjeçari ka treguar se sherri kishte lindur si rezultat i një konflikti banal mes tij dhe babait. Në gjaknxehtësi e sipër, i riu ka marrë një thikë në kuzhinë dhe me të ka kanosur me jetë, babain e tij. Fatmirësisht është bërë ndërhyrja e shpejtë e policisë, duke shmangur kështu një krim brenda familjes.

 

Ngjarja në Krujë

Konkurrenca, 300 gr tritol dyqanit të biznesmenit

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në katin e parë të një godine në qytetin e Krujës. Tritoli ishte vendosur në një dyqan, i cili pothuajse ka shkatërruar gjithçka. Shpërthimi ndodhi pak pas mesnatës duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur gjatë natës në dyqan një sasi prej 200-300 gramë tritol. Dyqani ishte në pronës të Muharrem Hocjes, i njohur si një nga biznesmenët më të mëdhenj në këtë qytet. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet duke marrë në pyetje pronarin e dyqanit, pasi dyshimet e para mund të jenë për shkak të konkurrencës në biznes.

 

 

Musa Skura shpallet dëshmor, sot

mbërrin trupi i pajetë nga Italia

Qeveria i jep 50 milionë lekë dëmshpërblim familjes. Protokolli organizon 1 orë e gjysmë homazhe në Tiranë

Shefi i Krimeve në Komisariatin e Burrelit shpallet “Dëshmor i Atdheut” i rënë në krye të detyrës. Vendimi është marrë nga komisioni i dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut”, duke bërë që trupi i pajetë i Musa Skurës me miratimin edhe të familjarëve të tij, të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të vendit. 57-vjeçari Musa Skura është ndarë nga jeta tri ditë më parë në spitalin “Padre Piu” të Foxhas në Itali, pasi qëndrimit 9 ditë në koma, si pasojë e dëmtimit nga tre plumba të pesë organeve jetësore të trupit. Ndërkohë ditën e djeshme me një vendim të posaçëm Këshilli i Ministrave vendosi të japë familjes së Skurës një shumë financiare prej 50 milionë lekësh të vjetra si dëmshpërblim për humbjen e jetës së njeriut të afërm të tyre. Fondi financiar do të merret nga fondi rezervë, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve do të organizohet dhe një ceremoni zyrtare, e cila do të parashikohet sipas rregullave të protokollit shtetëror. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Policia e Shtetit bëri të ditur se homazhet do të zhvillohen nga duke filluar nga ora 11:00 deri me 12:30 të drekës së sotme.

Mbërritja në Durrës

Trupi i të ndjerit komisar Musa Skura mendohet të mbërrijë sot nga ora 08:00 deri në orën 09:00 të mëngjesit në portin e Durrësit. Gruaja dhe tre fëmijët e tij do të jenë në pritje të trupit në terminalin e portit dhe mes tyre mësohet se do të jenë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, por edhe kolegë të Skurës, me të cilët ai ka shërbyer në komisariatin e Matit. Që prej ditës së djeshme familja ka hapur dyert e shtëpisë për të pritur miq dhe shokë të Musa Skurës, ndërkohë që ditën e djeshme në familjen e komisarit të vrarë, ka shkuar për ngushëllime dhe ministri i Brendshëm Flamur Noka, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Noka dhe Burgaj kanë garantuar familjarët se do të bëjnë të pamundurën për dënimin e autorëve të krimit si dhe sjelljen e trupit të pajetë nga Italia. Musa Skura u qëllua nga shtetasi Fitim Alla, teksa ishte në një operacion për kapjen e tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, që mbrëmjen e 13 janarit kishin planifikuar shitjen e mbi 6 mijë fishekëve në zonën e fshatit Suç të rrethit të Burrelit. Në 15 janar, Skura u dërgua për mjekim më të specializuar në Itali, por për shkak të plagëve të marra, babai i tre fëmijëve nuk mundi të mbijetonte.

Ngushëllimi nga Presidenti

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shprehu dje ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të shefit të Krimeve të Matit, Musa Skura, i cili ra në krye të detyrës. Kreu i shtetit shprehu krenarinë për punën, aktin dhe mënyrën se si jetoi dhe kontribuoi në detyrën e tij, në misionin e tij për të mbrojtur rendin dhe jetën e njerëzve të thjeshtë, komisari Musa Skura. “Nuk është hera e parë që forcat e rendit ndeshen me të tilla ngjarje, ku prova për mbrojtjen e rendit ndodh që merr edhe jetën e tyre. Por është rasti për të theksuar se janë këto forca rendi që meritojnë respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë, sepse u takon atyre të ndeshen në çdo çast për të mbrojtur dhe siguruar jetën e qytetarëve, u takon atyre të përballen çdo ditë me krimin dhe rrezikun”, – thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency