Gripi, s’ka rrezik për epidemi; rastet, normale

0
146

Blerta Mrishaj

gripiISHP publikon raportin javor për situatën gripale

Javën që vjen, rriten rastet, gripi deri në mars

 

 

Teksa gripi po gjunjëzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ynë ka krijuar imunitet. Sipas strukturave shëndetësore, nuk ka rrezik për epidemi dhe rastet e deritanishme janë më se normale. Në raportin javor për situatën gripale, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, tha se deri tani janë evidentuar 9800 raste ose 20% më pak e rasteve të vjetshme, teksa java e dytë dhe fundi i muajit janar pritet të njohin një rritje të rasteve me grip. Ndërsa sa i takon virusit AH3N3, shfaqur në SHBA, z. Roshi ka shtuar se nuk ka asnjë rast të raportuar në rajon. Ndërkohë që mbështetur në të dhënat e viteve të mëparshme, pa marrë parasysh atë të pandemisë, qarkullimi i viruseve të gripit në vendin tonë, pritet të rritet në fund të janarit rritje kjo gjë vazhdon deri në muajin mars

Raporti

Infeksionet respiratore dhe virozat e stinës në Shqipëri paraqesin aktivitet të ulët. Aktualisht, numri i këtyre infeksioneve ka pësuar një rritje të lehtë, të pritshme për stinën, që vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe jemi shumë larg pragut epidemik. Numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme gjithashtu dhe numri i diarreve pa gjak është më i ulët, se e njëjta periudhë e një viti më parë. “Në bazë të vlerësimit të EuroFlu vendi ynë, si shumë vende të tjera të rajonit evropian, paraqet aktivitet të ulët të infeksioneve respiratore përfshi dhe gripin. Gjatë kësaj periudhe ka pasur 4 raste të moshës pediatrike me insuficiencë respiratore të rëndë, por që nuk kanë rezultuar Grip. Në bazë të ekzaminimit të një sërë mostash nga Tirana, Durrësi, Vlora nuk kemi izoluar ende virusin e gripit në vend, që tregon se kemi qarkullim të ulët të këtij virusi”.

Monitorimi

Lidhur me situatën gripale, monitorohet përmes survejancës alert, survejancës së infeksioneve respiratore të rënda dhe asaj laboratorike, ku janë shpërndarë materiale për marrjen e mostrave në të gjithë vendin. Bëjmë thirrje që mjekët të mos neglizhojnë marrjen e mostrave, raportimin e të gjitha rasteve të dyshuara, sidomos ato të rënda dhe të zbatojnë rekomandimet e MSH dhe ISHP. Gjithashtu, ISHP, ndjek me vëmendje situatën epidemiologjike dhe në vendet e rajonit dhe ka kontakte direkte me OBSH për çdo rast sëmundje/infeksioni që mund të ndikojë në përhapjen në shtetet fqinjë për marrjen e menjëhershme të masave të parandalimit. Aktualisht qarkullimi i gripit në vendet përreth nuk ka pasur ndryshime të theksuara. Vetëm disa shtete kanë kaluar nga niveli I ulët në atë të moderuar të qarkullimit të gripit por nuk kemi shfaqe epidemike si në SHBA. Prej disa muajsh në treg qarkullon dhe vaksina e gripit, për të cilën popullata është njoftuar tashmë për vaksinimin e grupeve vunerabël (fëmijët nën moshën 5 vjeç dhe grupmoshat e treta, të sëmurët me sëmundje të zemrës, diabetit dhe mushkërive).

 

 

SHBA

Situata e rënduar, të vdekur 25 fëmijë e 200 të rritur

Gripi gjunjëzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke futur në alarm 47 shtete nga 50 gjithsej. Në javën e parë të vitit 2013, nisën vdekjet e para nga gripi, ndërsa ditët e fundit u numëruan 25 fëmijë dhe 200 të rritur të vdekur. Dje, Andrew M. Cuomo, guvernator i shtetit të Nju Jorkut, shpalli gjendje emergjence për shëndetin publik. Në Bigg Apple, rastet kanë arritur me 20 mijë të infektuar, 4 herë më shumë se viti i kaluar. E ndërsa gripi po bën namin, qytetarët me nxitim kanë rendur farmacive për të blerë vaksinën. Ka qenë një garë e vërtetë kjo e qytetarëve këto ditë drejt farmacive. Kush arrin i pari e blen, kush nuk arrin, nuk e gjen. Farmacitë shprehen se nuk mund të përballojnë dot bumin e kërkesave për vaksina. Më i godituri nga të gjithë rezulton të jetë Masaçusets, në të cilin spitali i kryeqytetit tashmë është mbushur me të sëmurë. Virusi është një nga më të fortët, H3N2, dhe godet edhe ata të cilët janë vaksinuar. Federal and Drug Administration (FDA) megjithatë fton sërish njerëzit që të vaksinohen në mënyrë të veçantë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Sipas ekspertëve, është situata më e keqe gripale që ka kapur SHBA-në që prej vitit 2000.

 

Vaksina

Gripi i rënduar, vetëm në disa rajone

Ndërsa këtë vit na pret një sezon gripal më kompleks në krahasim me atë të dy viteve të mëparshme, duke kërkuar një vëmendje të veçantë për vaksinimin e kategorive me imunitet të dobët. Ndërkohë që, deklarata ka ardhur nga Shoqata Italiane e Mikrobiologjisë Klinike, bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Gripi shkaktohet nga tre lloje virusesh e që janë të tipit A, B dhe C. Nga këta tipa më të rrezikshmit janë A dhe B. Tipi C paraqitet me simptoma të fshehta respiratore dhe deri me sot nuk ka krijuar ndonjë epidemi siç janë ato të tipave A dhe B. Meqenëse në çdo shfaqje të gripit mund të ndryshojë edhe lloji i virusit disa herë edhe vaksina antigrip është e paefektshme. Ndërsa për gripin duhet një kujdes i madh dhe i veçantë dhe i sëmuri ka nevojë për të qëndruar i shtrirë në shtëpi, të ushqehet mirë me proteina të pijë lëngje të shumta frutash, dhoma e tij të ajroset mirë dhe shpesh herë, të mos vijë në kontakt me të tjerë, të eliminojë vizitat e familjarëve e të vegjëlve dhe së fundmi të përdori barna që qetësojnë të sëmurin dhe veçanërisht antibiotikë e aknitolozë kudra dhimbjeve. Asnjëherë të mos përdorni antibiotik dhe vetëm atëherë kur do ta këshillojë mjeku e kur ka vetëm komplikacione eventuale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency