Kontratat e reja Poliklinikat, tri lloje financimi, teste për diabetin dhe kancerin e gjirit

0
143

Blerta Mrishaj

poliklinikaDrejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana: Regjistri elektronik, së shpejti karta e identitetit si kartë shëndeti. Kontratat me farmacitë, penalitete në rast ndryshimi të recetës, barnat online në gjithë vendin

 

Në poliklinikat e lagjeve do të kryhet testi i hemoglobinës së glukozuar, teksa për herë të parë mjekët e familjes do të vizitojnë gra dhe vajza mbi 35 vjeçe për hetimin e kancerit të gjirit. Në kontratat e reja, të nënshkruara për vitin 2013, drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, ka njoftuar se për herë të parë është përcaktuar mënyra e financimit të poliklinikave dhe shërbimet shtesë që futen duke nisur prej këtij viti. Po kështu dje janë nënshkruar edhe kontratat me farmacistët, ku në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit merr fund abuzivizmi i farmacistëve me ndryshimet e formëdozave dhe alternativave të ilaçeve të përshkruara në recetë. Sakaq, në këto kontrata parashikohen edhe sanksione për mospublikimin e listës së barnave online.

Sëmundjet

Nisur nga shtimi i rasteve me kancer gjiri në vendin tonë, ku çdo vit zbulohen 5 mijë raste të reja, është shtuar nevoja për hetimin e sëmundjes që në fazat e para të saj, për këtë ISKSH ka parashikuar që mjekët e familjes të kryejnë depistimet e vajzave dhe grave mbi 35 vjeçe. Për këtë strukturat shëndetësore vlerësojnë se kapja në kohë e sëmundjes rrit suksesin e trajtimit, duke ulur kështu vdekshmërinë. Sakaq, përveç glicemisë esëll që kryhet tashmë, për diabetikët do të kryhet një tjetër test, hemoglobina e glukozuar, e cila ka qëllim reduktimin e invalidizmit të rëndë të këtyre të sëmurëve. Drejtorja Hana gjatë prezantimit të dy shërbimeve të reja tha: “Një tjetër indikator cilësie që është shtuar në kontratë, ka të bëjë me ekzaminimin më të mirë të pacientëve që vuajnë nga diabeti, nisur nga fakti se kjo është një sëmundshmëri në rritje (ne trajtojmë rreth 510 raste të reja në muaj) dhe me pasoja të mëdha për popullatën”.

Financimi

Sa i takon financimit të qendrave shëndetësore, do të bëhet bazuar në cilësinë e ofruar për pacientët si dhe në një kontroll më të rreptë për barnat e rimbursueshme me farmacitë e kontraktuara. Kontratat përcaktojnë se ISKSH financon poliklinikat sipas një sistemi miks të financimit që përbëhet nga 80 për qind pagesë për numër banorësh, 10 për qind financim shtesë për numër vizitash të kryera nga mjekët e familjes si dhe 10 për qind për realizimin e treguesve të cilësisë apo të bonusit.

Në kontratat e reja, për herë të parë vihet në jetë funksionimi i regjistrit elektronik të banorëve, i cili do të jetë pranë çdo qendre shëndetësore, në mënyrë që të evidentohen saktë pacientët dhe të pasqyrohen ndryshimet çdo muaj. Pas fazës së parë të regjistrimit të gjithë popullatës, procesi i regjistrimit me kartë identiteti (ID) të çdo pacienti, ka arritur në rreth 1.6 milionë banorë dhe pritet të përfundojë brenda pak muajsh. Kjo do të na çojë së afërmi, në përdorimin e kartës së identitetit për të dhënat shëndetësore të çdo pacienti.

Kontratat me farmacitë

Në kontratën e 2013-s duhet që farmacia të dërgojë pranë ISKSH-së të dhënat e recetave të rimbursueshme online brenda 48 orëve nga koha e ekzekutimit të recetës. Ndërkohë që një tjetër ndryshim. Nisur nga problematika e shfaqur vitin e fundit, farmacistët duhet t’i japin pacientit barnat e përshkruara në recetë pa bërë asnjë lloj zëvendësimi apo ndryshimi të formëdozës, principit aktiv apo sasisë së barit të përshkruar nga mjeku. Në të kundërt, zgjidhet kontrata deri në fund të periudhës së kontraktuar, por jo më pak se për një periudhë 6 mujore që nga koha e zgjidhjes. Po kështu parashikohen penalitete të rënda për rastet kur në farmaci gjendet faturë apo recetë fiktive si dhe në rastet kur në farmaci shërben një person i palicencuar nga Urdhri i Farmacistëve. Edhe në këto raste, ISKSH zgjidh kontratën me farmacinë deri në fund të periudhës së kontraktuar, por jo më pak se për një periudhë 6 mujore që nga koha e zgjidhjes. Gjithashtu, në kuadër të rritjes së transparencës si dhe për të lehtësuar inventarët e farmacive, ISKSH-së në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistëve kanë propozuar që, jo vetëm barnat e rimbursueshme, por të gjitha barnat që qarkullojnë në vend të përfshihen në kasat fiskale.

Financimi:

I-një pagesë fikse

II-pagesë për aktivitet

III-pagesë për performancë ose bonus

I. ISKSH do t’i paguajë poliklinikës një pagesë fikse në masën 80% të buxhetit të kontratuar, që duhet arkëtuar në 12 këste mujore të barabarta, jo më vonë se ditën e fundit të muajit paraardhës.

II. ISKSH do t’i paguajë poliklinikës një pagesë bazuar në aktivitetin, të barabartë me 10% të buxhetit. PA do të llogaritet proporcionalisht sipas indikatorit të mëposhtëm (aneksi H):

“Numri mesatar i vizitave në ditë për persona të siguruar të MP/MF për mjek gjatë një muaji”.

Numri mesatar i vizitave nga MP/F në QSH u referohet standardeve sipas kategorive:

•           Në qytet MP/F për të gjitha moshat, MP/F për të rritur 12 vizita në një ditë

•           Në qytet MP/F për fëmijë 10 vizita në një ditë

•           Në komuna MP/F zonë fushore/kodrinore 9 vizita në një ditë

•           Në komuna MP/F zonë malore/e thellë malore 6 vizita në një ditë

•           Në qytet MP/F për studentët 9 vizita në një ditë

•           MS 10 vizita në një ditë

 

III. ISKSH, për nxitjen e cilësisë dhe efektivitetit të shërbimeve, do t’i paguajë QSH një pagesë bonus të barabartë me 10% të buxhetit të QSH

ISKSH do ta shpërndajë bonusin në katër këste, në fund të çdo tremujori, jo më vonë se dita e fundit e muajit të parë të tremujorit pasardhës

Bonusi:

1. Përqindja e pacientëve të regjistruar që janë vizituar për herë të parë të padublikuar nga personeli shëndetësor gjatë vitit;

2. Kosto mesatare e recetave për diagnozë, për 4 diagnoza të zgjedhura

3. Përqindja e pacientëve kronike të vizituar çdo muaj nga MPF

4. Përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë të detyrueshme nga personeli shëndetësor (mjekët e konsultorit apo MPF), brenda tremujorit të parë

5. Përqindja e fëmijëve të moshës 0 – 1 vjeç që marrin vizitën e detyrueshme për mirë-rritjen e tyre nga personeli shëndetësor (mjekë konsultori apo MPF)

6. Përqindja e fëmijëve të moshës 0-14 vjeç të vaksinuar gjate 3-mujorit

7. Përqindja e pacientëve me HTA të diagnostikuar nën mjekim (gjithë stadet) që kanë vlerën e TA brenda “normës”

8. Përqindja e pacienteve me Diabet Melitus te diagnostikuar nën mjekim që kanë nivelin e glicemisë esëll në “normë”/ hemoglobina e glukozuar

9. Përqindja e stafit që merr pjesë në Edukimin Mjekësor të Vazhdueshëm

10. Përqindja e grave mbi 35 vjeçe të depistuara me Ca gjiri

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency