Sport nga Bota

0
147

futItali

Ujkani mund të largohet nga Palermoja që në janar

Sfida ndaj Fiorentinës mund të jetë e fundit për Ujkanin si portier i Palermos. Aventura që nisi vetëm pesë muaj më parë, mund të mbyllet me tre golat e pësuar ndaj toskanëve që mbase kanë thelluar edhe më shumë atë “krisje” që ishte mes drejtuesve të skuadrës siciliane dhe lojtarit shqiptar. Zërat që flasin për një largim të 24-vjeçarit në drejtim të Veronës janë forcuar edhe më shumë. Ditën e djeshme ishte prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” që foli për këtë operacion që do të dërgojë në Palermo mbrojtësin ekstrem të Kievos. Është pikërisht ky plani midis dy skuadrave që duan të shkëmbejnë portierët. Sorentino do të mbërrijë në jug, ndërsa vendin e lënë bosh do ta zërë Ujkani.

 

Merkato

Vucaj shkon drejt Polonisë

Dëshirave të skuadrës polake Slask Vroklav në merkaton e janarit u shtohet edhe futbollisti i Laçit, Erjon Vucaj. Sipas faqes sportive polake, Sport.pl, mesfushori 23-vjeçar, i cili deri dy vite më parë ka qenë pjesë e U-21 të Shqipërisë, është një ndër më të pëlqyerit e trajnerit Cek Stanislav Levi, i cili kërkon të shfrytëzojë lidhjet që ka pasur me vendin tonë për të forcuar skuadrën e tij me elementë cilësorë. Prej javësh flitet transferimin e mundshëm te Slaks të Sebino Plakut, por edhe të nigerianit Nuredin Orelesi, që është pa dyshim një nga lojtarët më të mirë të huaj që ka luajtur në Superligë. Por në interesat e skuadrës polake shkojnë përtej afrimit të këtyre dy futbollistëve. Sipas portalit polak, Erjon Vucaj lojtari i duhur për mesfushën, pasi për cilësitë e tij ka hyrë garant Stanislav Levi, nën drejtimin e të cilit hkodrani ka luajtur vetëm dy takime të Champions me bluzën e Skënderbeut, por që kanë mjaftuar për t’u konfirmuar edhe në sytë e të huajve si një nga prodhimet më cilësore të futbollit shqiptar. Fakti që vetë Vucaj e ka pranuar në mediat shqiptare që mund të transferohet jashtë Shqipërisë i rrit mundësitë e nënshkrimit me Slask Vroclav, skuadër që mund të mbushë arkat e Laçit dhe kryesisht të Skënderbeut, por që ka edhe anën tjetër të medaljes: një futboll shqiptar më pak cilësor.

 

Angli

Uilliams i shpëton hetimit të FA-së

Eshli Uilliams mund të flejë i qetë. Federata nuk do ta hetojë incidentin e mbrojtësit me Van Persin gjatë ndeshjes Suonsi-Junajtid. Në 76 minuta, sulmuesi i Junajtidit ishte i shtrirë në fushë dhe Uilliamsi goditi topin me forcë në kokën e holandezit. Në fushë u nxehën gjakrat, ndërkohë që Fergusoni i kërkoi federatës pezullimin e Uilliamsit, pasi ai mund ta kishte vrarë Van Persin. “U përpoqa të largoja topin dhe nuk kisha asnjë qëllim tjetër”, – u justifikua 28-vjeçari.

 

Londër

Arsenali do të afrojë Demba Banë

Në Francë e bëjnë fakt të kryer. Demba Ba do të jetë sulmuesi i ri i Arsenalit. Televizioni “Canal +” transmetonte dje se mes sulmuesit senegalez dhe “topçinjve” ishte arritur marrëveshja, por pritet të bëhet zyrtar në javët e para të merkatos së janarit. Vengeri nuk e ka fshehur kurrë interesimin për bomberin e Njukasëllit, ndërsa edhe ky i fundit më 16 dhjetor deklaronte: “Unë nuk kam asgjë për të shtuar rreth këtyre spekulimeve. Arsenali? Është klubi që të bën të ëndërrosh. Ata e dinë klauzolën e prishjes së kontratës sime”. 27-vjeçari mund të largohet nga “St James Park” për ekipin që ofron 7.5 milionë paund. Sipas “Canal +”, pas diskutimeve të gjata, ofertën zyrtare e ka bërë Arsenali.

 

 

Spanjë

Reali kërkon një “rival” për Kasijasin

Reali i Madridit është vënë në kërkim të një portieri për sezonin e ardhshëm, raportoi të hënën e përditshmja spanjolle “AS”. Kapiteni Iker Kasijas duket se ka dalë nga preferencat e trajnerit Murinjo, i cili kërkon që kampioni i botës dhe i Evropës të ndiejë rivalitet brenda klubit. Në ndeshjen e fundit, humbjen 3-2 ndaj Malagës, Kasijas u la në stol, duke preferuar në lojë zëvendësuesin e tij, Adan, i cili tregoi pasiguri të shumta dhe kishte përgjegjësi të pjesshme në dy prej golave të pësuar. Sipas “AS”, zgjedhja e preferuar e Murinjos për portën është ajo e portierit të Atletikos, belgut Kurtua, i cili do të ishte në gjendje të rriste ndjeshëm nivelin brenda klubit dhe të konkurronte me Kasijasin për pozicionin e titullarit. Që prej vitit 2002, kur zëvendësoi Sezarin në finalen e Ligës së Kampioneve të fituar nga Reali përballë Leverkusenit (2-1), Kasijas ka qenë gjithmonë titullar i padiskutueshëm tek Reali. Portierët Sezar, Karlos Sançez, Diego Lopez, Jerci Dudek dhe Adan nuk kanë arritur asnjëherë të sfidojnë hegjemoninë e tij gjatë kësaj dekade.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency