Sherr në gjyq, vëllai përballet me vrasësin e të motrës

0
228

perplasjePërplasja e ashpër në prani të gjyqtarit, ndërhyn policia. Arben Hoxha, akuza familjarëve të gruas së vrarë për nderin e Marjolës. Reagimi, vëllai i 32-vjeçares kërcënon me vdekje në sallën e gjyqit 40-vjeçarin

Itali

E vështirë është paraqitur situata në procesin gjyqësor kundër Arben Hoxhës, bashkëshortit që vrau gruan e tij, pas dyshimeve se ajo e tradhtonte. Gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa brenda sallës ka qenë i pranishëm edhe vëllai i viktimës Marjola Mataj, i cili ka filluar të shkëmbejë fjalë dhe më pas kërcënime me kunatin-vrasës, i cili i mori jetën e të motrës, nëna e 4 fëmijëve. Ndonëse me dyer të mbyllura, ulërimat brenda seancës dëgjoheshin deri jashtë, pasi për herë të parë që nga vrasja e 2 shtatorit të këtij viti, ndodheshin ballë për ballë autori i vrasjes dhe vëllai i viktimës, i cili kishte ardhur posaçërisht për të ndjekur gjyqin. Për pak sa nuk plasi një përleshje, pasi të dy palët akuzonin dhe kërcënonin njëra-tjetrën. Autori i vrasjes së 32-vjeçares, Arben Hoxha, i mbrojtur nga avokati Baietta, u ka ulëritur familjarëve të viktimës duke hedhur fjalë shumë të rënda ndaj tyre për të bijën e vrarë. I është kundërpërgjigjur menjëherë vëllai i viktimës, i cili duke i bërtitur e ka kërcënuar me vdekje, ndërsa poterja është bërë në prani të gjyqtarit të çështjes. Të gjendur përballë kësaj situate, si policët e pranishëm, ashtu dhe policët e burgjeve, kanë reaguar për të qetësuar situatën, e cila mund të shpërthente nga momenti në moment. Policia e burgjeve futi brenda kabinës me hekura në sallë autorin e vrasjes, Hoxha, ndërsa policia e sallës nxori jashtë vëllanë e viktimës Marjola Mataj. Në fakt, kontakt mes të dyve nuk pati, por mundësitë kanë qenë mjaft të mëdha.

Incidenti

Incidenti në sallën e gjyqit nisi pas marrjes në pyetje të vëllait të autorit, Eduard Hoxha, 35 vjeç, i cili një natë më parë ishte telefonuar nga vëllai-vrasës, Arben. Qëllimi i prokurorëve ishte të mësonin nëse kishte pasur dyshime se vëllai donte të vriste të shoqen. Përgjigjet e Eduardit ishin jo në të gjitha pyetjet, duke ndjekur të njëjtën linjë. Ai është shprehur se injoronte cilat kishin qenë raportet mes të vëllait dhe gruas së tij, dhe se nuk kishte ditur asgjë mbi dyshimet dhe xhelozinë e të vëllait. Kjo ndodh për shkak se vrasja është bërë me thikë dhe shkak është bërë xhelozia e të pandehurit ndaj gruas së tij, nënë e dy fëmijëve binjakë të moshës 6 vjeç dhe 2 fëmijëve të moshave 12 dhe 15 vjeç. Sipas tij, ka qenë një sms e gjetur në telefonin e së shoqes që ka shtuar dyshimet se gruaja e tradhtonte me një tjetër dhe kjo ishte arsyeja pse ka ndenjur gjithë muajin gusht në Shqipëri. Por, familjarët e gruas së vrarë janë shprehur se nuk bëhet fjalë për xhelozia nga ana e Arbenit, pasi ai e ka sajuar këtë situatë. Sipas tyre, Arbeni kishte kohë që kishte krijuar varësi ndaj lojërave të fatit dhe kishte humbur shumë para aty. “Marjola punonte e vetme dhe sillte rrogë në shtëpi, ndërsa i shoqi, Arbeni, ishte i papunë dhe kishte nisur një ves, duke lënë paratë nëpër lojëra fati”, – u shprehën pas vrasjes familjarë të 32-vjeçares së vrarë.

Hetimi

Një udhëtim në Shqipëri dhe qëndrimi gjatë gjithë muajit gusht në vendin e origjinës, dyshohet të ketë qenë shkaku i xhelozisë së 40-vjeçarit. Sipas policisë, rezulton që gruaja të ketë qëndruar gjithë muajin në Shqipëri, ku i është dashur të merret me dokumentet e dy fëmijëve binjakë, të moshës 6 vjeç, të cilët kanë qëndruar në këtë vend dhe nuk janë kthyer me nënën në Itali. Hetuesit bëjnë me dije, se Arben Hoxha nuk përshkruhet si një njeri i dhunshëm, por i ishin shtuar dyshimet së fundmi për ndershmërinë e gruas, nisur dhe nga qëndrimi i gjatë në vendin e origjinës. Policia bëri me dije, se nuk ka pasur precedentë të mëparshëm zënkash të dhunshme, apo sjellje agresive ndaj të shoqes nga ana e Arben Hoxhës. Edhe pasditen e së dielës nuk janë dëgjuar britma, apo ulërima zënkash të vinin nga apartamenti i tyre. Nga hetimet dhe dëshmia e të shoqit, rezulton se 40-vjeçari e ka qëlluar gruan, ndërsa ka qenë duke fjetur në krevatin e dhomës së gjumit. Nuk është konstatuar asnjë shenjë që gruaja të jetë përpjekur, për t’u mbrojtur.

Motivi

“I mbrojturi prej meje ishte i bindur se gruaja e tij kishte një marrëdhënie jashtëmartesore. E kishte parë në Shqipëri të mbyllej në banjë dhe të fshinte mesazhet që kishte marrë pak më parë dhe një herë në Itali kishte lexuar të tjera mesazhe telefonike të dërguara nga një i panjohur, i cili i bënte komplimente të nxehta të shoqes, duke i folur për trupin dhe bukurinë e saj”. Ky ka qenë rrëfimi që avokati mbrojtës i Arben Hoxhës bëri për mediet pas daljes nga qelia, ku u mor në pyetje në prani të tij, klienti i akuzuar për vrasjen e të shoqes, ndërsa rikonfirmoi edhe njëherë se motivi ishte xhelozia dhe dyshimi i mbështetur në prova se gruaja e tradhtonte. “Arbeni ka bindjen e plotë, se Marjola e tradhtonte me një tjetër, madje dyshon se ajo ishte e dashuruar me atë person, i cili banonte në Shqipëri. Ky ka qenë edhe shkaku i kohëzgjatjes së qëndrimit të saj në Shqipëri, për gjithë muajin gusht. Klienti im e dinte prej kohësh se gruaja e tij e tradhtonte me dikë tjetër dhe për këtë arsye i është lutur atë ditë në krevat t’ia pranonte këtë lidhje, por ajo ia mohonte”, – është shprehur avokati i 40-vjeçarit, duke iu referuar dëshmisë së dhënë nga klienti i tij vetëm pak orë më parë.

Rrëfimi i krimit

Arben Hoxha është marrë në pyetje për gati 3 orë nga hetuesit në prani të avokatit të tij mbrojtës Marco Baietta. Të dielën e 2 shtatorit, para se të kryente krimin, Arben Hoxha ka rrëfyer se ka qenë në shtrat me të shoqen, Marjolën, 32 vjeçe, dhe nëna e katër fëmijëve. 40-vjeçari ka rrëfyer se i është lutur t’i pranojë këtë marrëdhënie jashtëmartesore, që kishte në Shqipëri me një tjetër, por gruaja e ka mohuar. Madje, sipas tij, e mohonte vazhdimisht. Ky reagim i Marjolës dhe mohimi i saj për lidhjen duket se e ka zemëruar shumë Arbenin, i cili ka marrë një rrip dhe ia ka lidhur rreth qafës gruas së tij. Një gjest ky fillimisht kërcënues, që gruaja e kishte refuzuar duke e hedhur rripin tutje dhe duke vazhduar t’i thotë atij se ishte një i çmendur, që arrinte të mendonte të tilla gjëra. Në këtë moment, burri ka shkuar dhe ka marrë në kuzhinë një thikë, është kthyer në dhomën e gjumit ku ishte shtrirë e shoqja dhe duke e parë dhe me një ton kërcënues i ka kërkuar sërish të pranojë se e ka tradhtuar dhe ka një mashkull tjetër në jetën e saj. Sërish është mohuar nga e shoqja se kishte një lidhje tjetër dhe kjo e ka nxehur edhe më shumë, duke u ulur në gjunjë afër shtratit dhe duke e qëlluar dy herë me thikë, një herë në qafë dhe një herë tjetër në bark. Më pas, ka kyçur derën me çelës dhe u nis drejt karabinierëve, për t’u dorëzuar ku ka treguar për krimin e kryer.

 

Autori i vrasjes së 32-vjeçares, Arben Hoxha, i mbrojtur nga avokati Baietta, u ka ulëritur familjarëve të viktimës, duke hedhur fjalë shumë të rënda ndaj tyre për të bijën e vrarë

I është kundërpërgjigjur menjëherë vëllai i viktimës, i cili duke i bërtitur e ka kërcënuar me vdekje, ndërsa poterja është bërë në prani të gjyqtarit të çështjes

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency