Dosja gjermane Arratisja nga salla e gjyqit e turkut që u kap në Shqipëri

0
138

Elton Qyno

sallaÇevdet Çelik, shiste heroinë në Gjermani tek agjentët e infiltruar të policisë

 

Një shtetas turk që ishte arratisur nga salla e gjyqit në Gjermani, është ekstraduar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë, pasi kërkohej nga drejtësia e këtij shteti për akuzën e trafikut të heroinës. Çevdet Çelik rezulton të ketë hyrë në tregtinë e heroinës në vitin 1994, kur pikërisht në këtë kohë ai ka bërë një marrëveshje me një nga agjentët e infiltruar të policisë gjermane, me qëllim shitjen e një sasie heroine prej 1 kg, kundrejt çmimit 40 mijë marka gjermane. Fillimisht, turku Çelik është takuar me agjentin e infiltruar në stacionin hekurudhor të Ofenbah, ku i ka paraqitur atij një porcion heroinë në masën 20 gramë. Pasi është bindur për cilësinë e drogës dhe rënien dakord për çmimin, Çevdet Çelik ia ka dhuruar porcionin e drogës agjentit të infiltruar. Pas kësaj kjo shitje nuk është bërë, ndërkohë që disa muaj më pas një tjetër agjent nga blerë nga Çelik dhe bashkëpunëtori i tij Adogan, sasinë e drogës prej 47 gramë heroinë kundrejt shumës prej 5 mijë marka gjermane. Kjo shitje është bërë për të krijuar një terren tregtie, pasi grupi kishte interes të shtrinte influencën e tij në disa zona të tjera të Gjermanisë. Mirëpo pas edhe një blerjeje të stimuluar, është bërë arrestimi i Çevdet Çelikut. Ky i fundit, teksa është çuar në gjykatë dhe priste fillimin e procesit gjyqësor në datën 7 shkurt 1995, ka hapur me forcë hekurat e qelisë në sallën e gjyqit, duke mundur të arratiset ende pa hyrë trupi gjykues. Që prej vitit 1995, Çalik ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia gjermane, ndërkohë që pak kohë më parë është arrestuar në aeroportin e Rinasit, duke ardhur në Shqipëri.

Dosja gjermane

Nga hetimet e kryera nga autoritetet gjermane, rezultoi se në datën 19 prill 1994, shtetasi Çevdet Çelik u takua me ndërmjetësimin e Ismail Keskinkiliçit rreth orës 18:00 në stacionin hekurudhor Ofenbah me një person të besuar të Zyrës Kriminalistike të landit Baden-Ërtemberg. Gjatë kësaj i fajësuari ka pasur me vete një kampion prove me 20 gramë heroinë, për të treguar që ishte në gjendje dhe dispononte sasi lënde narkotike për ta tregtuar atë si dhe për të verifikuar cilësinë e saj. Rezultoi gjithashtu që shtetasi Çevdet Çelik me personin e besuar ra dakord në mënyrë të detyrueshme dhe serioze furnizimin me 1 kg heroinë për një çmim prej 40.000,DM. Nga sasia që kishte me vete i fajësuari ia dorëzoi personit të besuar në një provë falas. I fajësuari ka qenë i aftë dhe i gatshëm për të furnizuar. Dorëzimi i heroinës ishte caktuar për ditët e ardhshme, por nuk është bërë më. Më datën 9 dhjetor 1994 rreth orës 14:20 shtetasi Çevdet Çelik dhe i ndjekuri tjetër Adogan, në bazë të një plani të përbashkët për të vepruar dhe në bashkëveprim të vetëdijshëm dhe të dëshiruar, i shitën dhe dorëzuan një personi të besuar të policisë bavareze 47gramë heroinë për çmimin prej 5.000 DM. Ata vepruan me qëllimin e realizimit të fitimeve. Bëhej fjalë për një të ashtuquajtur shitje për të fituar besimin duke marrë parasysh një biznes të mëvonshëm të heroinës. Heroina ka pasur një cilësi prej të paktën 20 për qind. Që në takimin e parë më datë 9 dhjetor 1994 rreth orës 14:20 shtetasi Çevdet Çelik dhe personi tjetër i quajtur Adogan ranë dakord me personin e besuar për shitjen e 1 kg heroinë me çmimin prej 100.100, DM personit të besuar. Sipas kësaj marrëveshjeje në datën 12 dhjetor 1994 rreth orës 18:35 ka pasur një takim midis personave të përmendur më sipër në sheshin e parkimit “Edenbergen” të autostradës federale A.8. Ata brenda veturës “Audi” të shtetasit të quajtur Adogan mbajtën gati 500 gramë heroinë me një cilësi prej të paktën 20 për qind por si pasojë e ndërhyrjes së forcave të policisë nuk ka ardhur më në dorëzim.

Arratisja nga gjyqi

Autoritetet gjyqësore gjermane kanë sqaruar gjithashtu që shtetasi Cevdet Çelik me datën 7 shkurt 1995 gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Komunale Ulm ka ikur duke hapur me forcë dorezën e dritares së qelisë së tij. Pra sipas dokumentacionit të paraqitur prej autoriteteve gjyqësore gjermane shtetasi Çevdet Çelik fajësohet për 3 veprime të pavarura gjithmonë me paramendim në mënyrë të palejuar të ketë bërë tregti me lëndë narkotike në sasi jo të vogël, në 2 prej atyre rasteve në bashkëpunim me persona të tjerë. Në përshkrimin e veprimeve të kryera prej shtetasit Çevdet Çelik nga dokumentacioni rezulton se ekziston motivi i arrestimit të arratisjes sepse i fajësuari sipas njohurive ekzistuese është në arrati respektivisht mbahet i fshehur.

 

Ekstradimi

Ka qenë gjyqtari Artur Gaxhi që në muajin nëntor ka vendosur ekstradimin e turkut në drejtim të Gjermanisë. Avokati mbrojtës i Çevdet Çelik, Ardian Visha, ka kërkuar rrëzimin e kësaj vepre penale, pasi sipas tij akuza e ngritur nga drejtësia Gjermane është amnistuar nga shteti shqiptar në vitin 1997.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency