Plani urbanistik, detaje të reja, rrugë dhe investime në gjithë Tiranën

0
157

PLANIFutja e një sistemi tarife të përbashkët do të jetë e pëlqyeshme për udhëtarët e transportit publik, pasi ata mund të shfrytëzojnë një biletë për disa mjete. Ndërmjet llojeve të ndryshme të transportit publik duhet të kryhen transferime të lira ose të paktën me ulje çmimi

 

Rrugë, shkolla, kanalizime, rrjete kabllore dhe investime në gjithë qytetin, në faqen zyrtare në Bashkinë e Tiranës, tashmë është bërë publike edhe drafti i plotë i planit të përgjithshëm urbanistik. Në një draft prej 400 faqesh, shpjegohet me detaje, duke shpjeguar hap pas hapi planet ndër vite të hartuar për Tiranën, situatën aktuale kryeqytetit si dhe popullsia. Sakaq, drafti paraqet më në detaje se cilat do të jenë investimet që pritet të bëhen në qytetin e Tiranës dhe ndryshimet që do të pësojë në çdo drejtim, nisur që nga infrastruktura, shkollat dhe bizneset.

Tirana sot

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, popullsia aktuale e Tiranës është rreth 622.202 banorë. Vihet re se popullsia e Bashkisë së Tiranës është gati trefishuar nga viti 1989 deri në vitin 2011. Ritmet më të larta të rritjes i ka pasur deri në vitin 2005, veçanërisht gjatë periudhës 2003-2005 ku ritmet e rritjes ishin mbi 5%. Më tej, gjatë periudhës 2005-2009 vihet re një ngadalësim i ritmit të rritjes së popullsisë mesatarisht me 1.5% për të ardhur në një ulje prej 1.8% në vitin 2010 dhe rritje 1.2% në vitin 2011. Megjithëse është gati e pamundur të dihet se si do të evoluojë popullsia e Tiranës në 15 vitet e ardhshme, po të marrim parasysh ritmet e rritjes së popullsisë së Tiranës deri në vitin 2005 mendohet që Popullsia në Tiranë për vitin 2020 të afrohet me rreth 1 milionë banorë.

Situata

Sakaq, një ndër sektorët, që ka pësuar më së shumti ndryshim është sektori i ndërtimit, ku edhe për shkak të lëvizjes demografike ka pësuar ndryshime të rëndësishme, çka jo vetëm ka dhënë zhvillim qytetit, në njëfarë mënyre ka futur edhe kaos. Kështu, falë rritjes së GDP-së, urbanizmit, rritjes demografike dhe remitancave të ardhura nga jashtë vendit, Tirana ka pasur një “boom” të vërtetë në sektorin e ndërtimit gjatë 20 viteve të fundit. Aktualisht, sektori i ndërtimit zë rreth 4.28% të tregut ekonomik të qytetit ai numëron 1.143 firma ndërtuese dhe prodhuese të materialeve të ndërtimit, dhe rreth 80% të gjithë firmave ndërtuese në vend. Përqindjen më të lartë në veprimtarinë ndërtimore e zë ngritja e ndërtesave të banimit me rreth 60%. Gjithashtu, shitblerjet e banesave dhe apartamenteve kanë zënë rreth 65% të gjitha transaksioneve të tregut kryeqytetas. Aktualisht në Tiranë janë të ndërtuara rreth 115.000 banesa dhe apartamente12, ku 54% e tyre është ndërtuar para viteve ‘90 dhe 46% pas viteve ‘90.

Drafti

 

 

Ndërkohë që plani i përgjithshëm urbanistik parashikon se nëpërmjet një administrimi transparent dhe efiçent të fondeve për investime publike, do të mundësojë ndërtimin e akseve të reja rrugore brenda qytetit bazuar në planet e përgjithshme territoriale vendore. Akset kryesore ekzistuese e të reja do të lidhen me rrugët dytësore, me unazën e jashtme të Tiranës, si dhe me akset e reja kombëtare që lidhin Tiranën me pjesët e tjera të vendit si: autostrada për në Elbasan, Rruga e Arbrit, korridori veri-jug etj. Në qytet do të hapen rrugë të reja dytësore, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin e brendshëm nëpërmjet krijimit të më shumë alternativave të lëvizjes. Një tjetër drejtim ndërhyrjeje është zgjerimi i kapaciteteve qarkulluese në radialet dhe unazat ekzistuese, nëpërmjet: përdorimit të rrethrrotullimeve, mbikalimeve e nënkalimeve për mjete e këmbësorë, pajisjes dhe plotësimit me semaforë dhe sinjalistikë rrugore. Akset aktuale do të studiohen dhe rindërtohen për të siguruar lëvizjen e shpejtë e të sigurt të mjeteve dhe këmbësorëve. Në katër vitet e ardhshme, bashkia do të rehabilitojë 100% të sipërfaqes së pashtruar të rrugëve dytësore brenda lagjeve, përfshire trotuaret, kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, si sistemimin e rrjetit të kabllove.

Transporti publik me një biletë

Futja e një sistemi tarife të përbashkët do të jetë e pëlqyeshme për udhëtarët e transportit publik, pasi ata mund të shfrytëzojnë një biletë për disa mjete. Ndërmjet llojeve të ndryshme të transportit publik duhet të kryhen transferime të lira ose të paktën me ulje çmimi. Kjo duhet të jetë një tjetër nxitje për përdoruesit e tanishëm të automjeteve private që të zhvendosen në transportin publik.

Parkimet

Për menaxhimin e trafikut rrugor ka edhe organizimi i parkimeve ekzistuese dh shtimi i parkimeve të reja për automjetet. Parashikohet që të investohet në ngritjen 4 parkimeve të mëdha publike nëpërmjet bashkëpunimit publik-privat. Kapacitetet e parkimit do të shtohen si rezultat i ndërtimit të rrugëve të reja, rehabilitimit të rrugëve ekzistuese, zbatimit të standardeve minimale për parkime private në ndërtesat dhe qendrat komerciale ekzistuese në raporte të përshtatshme me sipërfaqet e përdorura për biznese. Gjithashtu, do të vendosen e zbatohen standarde më të larta për planifikimin e vendparkimeve në të gjitha ndërtimet e reja tregtare e rezidenciale. Zgjerimi i infrastrukturës në dispozicion të transportit publik. Fillimisht do të ngrihen 3 pika për parkimin e mjeteve publike e private të transportit të udhëtarëve, përgjatë tre akseve të hyrjes në qytet. Te gjitha pikat do të shërbehen nga linjat e transportit urban të qytetit.

Tramvaji

Bashkia do të përmirësojë infrastrukturën e transportit publik, e cila do të përshkojë të gjithë qytetin, nëpërmjet krijimit të korsive preferenciale për transportin publik. Rrjeti i tramvajit është domosdoshmëri për të gjitha qytetet metropolitane. Ai është tërësisht i mundshëm në Tiranë dhe do të realizohet sipas dy linjave kryesore, Kombinat – Kinostudio dhe Kamëz – Tiranë. Ngritja e linjave të tramvajit rrisë nivelin e shërbimit të transportit publik në zonat më të thella të qytetit.

Korsitë

Krijimi i korsive të rezervuara për biçikletat si dhe sistemimi e zgjerimi i trotuareve. Hapësirat për lëvizjen e këmbësoreve dhe biçikletave do të jenë të sigurt. Trotuaret, kalimet nga një anë e rrugës në tjetrën, si dhe korsitë e biçikletave do të ndërtohen në mënyrë të tillë që të hyjnë në konflikt me faktorë të jashtëm si: trafiku i mjeteve, elementët arkitekturorë, rrjetet inxhinierike që pengojnë hapësirën e lëvizjes, etj. Për sa me sipër, do të investohet në ndërtimin e trotuareve dhe të korsive të rezervuara për këmbësorët dhe biçikletat, si dhe do të përcaktohen zona ku ndalohet qarkullimi i automjeteve private.

Telekomunikacioni

Bashkia do t’i japë fund kaosit të shkaktuar nga parregullsia e këtyre rrjeteve të rrezikshme. Rrjetet e kabllove të telefonisë, internetit dhe elektrikut do të kalojnë nëntokë, me qëllim shmangien e rreziqeve për shëndetin publik, lehtësimin e mirëmbajtjes nëpërmjet krijimit të database-ve me informacione të plota për rrjetet përkatëse, lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve, si dhe krijimin e një imazhi dinjitoz evropiane për kryeqytetin e Shqipërisë. Platforma e Tiranës dixhitale është një tjetër faktor përcaktues për modernizimin e infrastrukturës dixhitale të qytetit bazuar ne lidhjet wireless, të cilat duhet të bëhen lehtësisht të aksesueshme.

Shkolla, spitale

Platforma fiskale mundëson rritjen e investimeve 3-4 herë me fondet buxhetore bashkiake, si dhe 5-6 herë si rezultat i rritjes së aftësive kredimarrëse. Përllogaritjet ne total tregojnë se nëpërmjet përdorimit të këtyre fondeve bashkia, për 4 vitet e ardhshme, do të ketë një kapacitet investues prej të paktën 200 milion Euro në 4 vitet e ardhshme, ndërkohë që në 4 vitet e kaluara bashkia me mjetet e saj ka investuar më pak se 50 milion euro. Përdorimi i instrumenteve të partneritetit publik e dyfishon kapacitetin vetjak të bashkisë. Sektori privat ka demonstruar në potencial të jashtëzakonshëm, ndaj administrimi i ri bashkiak do të devijojë përdorimin e kapitaleve private nga ndërtimi pa kriter i banesave drejt investimeve në infrastrukturë, të cilat paraqesin interes edhe për shkak të kthimit të sigurt të kapitalit. Investimet qeveritare në të gjitha akset infrastrukturore kombëtare, që hyjnë apo qarkojnë Tiranën, të kombinuara me rrjetet infrastrukturore vendore, do ta transformojnë Tiranën bashkë me qendrat urbane përreth në një metropol modern, motor të fuqishëm zhvillimi ekonomik dhe nyje kyçe të korridoreve ballkanike dhe evropiane. Sipas përllogaritjeve të Bashkisë në rrjetet infrastrukturore të kryeqytetit do të investohen së paku 1,5 miliard euro ne 4 vitet e ardhshme. Kjo platformë infrastrukturore gjithëpërfshirëse do të shumëfishojë mundësitë e investimit të biznesit privat, shqiptar e të huaj, duke mundësuar në dy vitet në vazhdim krijimin e 30 mijë vendesh pune brenda qytetit dhe të më shume se 100 mijë vendesh pune në hapësirën metropolitane të Tiranës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency