U merrte 600 euro ryshfet personave në kërkim, arrestohet oficeri në Rinas

0
151

Arrestohet në Rinas një oficer i kontrollimit të pasaportave, pasi merrte ryshfet në këmbim të tolerimit dhe lejimit të kalimit të personave në kërkim dhe që kishin thyer afatin 180-ditor të qëndrimit jashtë shtetit. Për një shërbim të tillë, oficeri i policisë në Rinas merrte shumën financiare që varionte nga 500 deri në 600 euro, ndërkohë që një veprim i tillë është dokumentuar në disa raste nga ana e Ministrisë së Brendshme. Operacioni për arrestimin e Eduard Çelmetës është bërë rreth orës 16:30, kur një shtetas i është afruar dhe i ka dorëzuar shumën e eurove. Pas kësaj, kanë ndërhyrë agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, duke bërë arrestimin në kushtet e flagrancës të Çelmetës. Menjëherë ky i fundit është shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë Tiranë, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar autorësinë e krimit. Burime pranë Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Tiranës thanë se kanë administruar disa prova si përgjime ambientale dhe kamerat e sigurisë në pikën e kalimit kufitar, të cilat implikojnë oficerin e policisë në këtë aferë korruptive. Aktualisht, ndaj Eduard Çelmetës janë ngritur akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv”, ndërkohë që materialet hetimore do t’i referohen për hetime të mëtejshme njësisë hetimore task-forcë në Prokurorinë e Tiranës. SHKB-ja shprehet se veç këtij rasti janë dhe disa raste të tjera, ku pritet që të finalizohen operacione të tilla, pasi efektivë të policisë lejojnë kalimin e shtetasve që kanë shkelur rregulloren e Bashkimit Evropian, për qëndrimin në afat në vendet e zonës “Shengen”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency