New York Daily News Shkruan në 40 faqe gazetë: Si e festoi Shqipëria pavarësinë!

0
253

Një foto e rrallë në krye të faqes mban diçiturën: Nga festimi i pavarësisë së Shqipëri, 29 nëntor 1967, në hotel “Amerika” në Nju Jork Siti. Janë shqiptaro-amerikanët që festonin në anën tjetër të kontinentit në një marrëdhënie intime me amerikanët një nga përvjetorët e pavarësisë, ndërkohë që regjimi komunist shumë prej tyre i pati dënuar bashkë me familjet e tyre. Bëhet fjalë për një publik të sotëm në gazetën më të madhe amerikane, ku për herë të parë Shqipëria vihet në një vëmendje botërore për celebrimin më të rëndësishëm të saj, siç ishte 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Transformimi i realitetit të ri shqiptar si një vend demokratik e i lirë tashmë nga regjimi komunist fokusi është historia e saj. Për këtë kanë shkruar disa media në Evropë, por ngjarje është rasti i pazakontë që gazeta amerikane “New York Daily News” i dedikon Shqipërisë. Në rreth 40 faqe, si asnjëherë tjetër në histori, një gazetë joshqiptare i kushton kombit shqiptar dhe diasporës së tij në SHBA këtë hapësirë prezantuese dhe kremtuese.

“New York Daily News”, e njohur si periodikja me tirazhin më të lartë në shtetin e Nju Jorkut dhe si e pesta në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (direkt mbas gjigantëve “Wall Street Journal”, “The New York Times” që ia kalojnë vetëm me shitjet jashtë shtetit si dhe “USA Today” e “Los Angeles Times”).

Për shkrimet e botuara “New York Daily News” pati ndihmën e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. Synimi ishte që të prezantohej Shqipëria dhe shqiptarët, përfshi edhe komunitetin shqiptar në sytë e lexuesve të thjeshtë amerikanë.

Faqet kushtuar Shqipërisë u botuan nga gazeta njujorkeze në 28 nëntor 2012, shoqëruar me foto të rralla jo vetëm historike, por edhe me një pamje të sotme me modelen e njohur Emina Çunmulaj, të fotografuar nga Fadil Berisha. Një shkrim me titullin “Dita e Shqiptarëve”, nga Ruben Avxhiu, u shpjegonte lexuesve amerikanë festën shqiptare të 28 Nëntorit si dhe i bënte një përshkrim të shkurtër historisë së shqiptarëve. Në një pjesë nga libri “Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë” i botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, përshkruhej një pjesë e vizitës së tij në Jeruzalem, e organizuar nga organizata e fuqishme American Jewish Committee (Komiteti Amerikano-Hebre – AJC) si dhe historia e miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve, këta të fundit janë komuniteti etnik më i madh i qytetit tonë të Nju Jorkut dhe përbëjnë përqindjen më të lartë të lexuesve të “NY Daily News”.

Bëhet një pasqyrë 100-vjeçare e Shqipërisë, që nga koha e konfigurimit të flamurit shqiptar.

Gjithashtu, nga Vehbi Bajrami jepet ky dedikim e njëkohësisht një imazh i lartë për veprën e shqiptarëve në kohën kur mbrojtën hebrenjtë nga përndjekja e Hitlerit, duke mos i dorëzuar ato. Është kjo një simbolikë e re mbi mitin shqiptar të “besës” që po merr dimensione të tjera, të panjohura më parë për një pjesë të mirë të botës, qoftë në perëndim ashtu dhe në anën tjetër të kontinentin, Amerikë. I njohur ky fakt siç shkruhet në gazetën amerikane qysh më 1934 kur Herman Bernstein, ambasador në Shqipëri, zyrtar amerikan, shkruan se “nuk ka gjurmë të diskriminimit të hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla në Evropë sot, paragjykimet dhe urrejtja fetare nuk ekziston, madje vetë shqiptarët ndajnë tri besime”.

Kjo përforcohet në një raport të gazetës “Daily Post” në vitin 1935 në Londër, ku shkruhet se “shumë hebrenj duan të shkojnë dhe të jetojnë në Shqipëri”.

Pas vendosjes së këtyre fakteve “NY Daily News” shkruan se çfarë i dallon shqiptarët, që kanë arritur të mbështesin hebrenjtë ishte të bazuarit në Besë, e cila do të thotë “të mbash një premtim”. Besa ishte pjesë e Kanunit (Kodit) e njohur si Kodi i Lekë Dukagjinit që u përmend në shekullin e 15-të duke standardizuar në shekullin e 15-të ishte ligj i pashkruar, që kishte më shumë ndikim se fetë ose shteti ligjor. Me vendosjen e regjimit të komunizmit Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore u izolua nga pjesa tjetër e botës. Rizgjimi i heroizmit shqiptar gjatë Holokaustit filloi në vitin 1990, kur kongresmeni amerikan Tom Lantos dhe Joe DioGuardi hynë për herë të parë zyrtarisht pas 50 vitesh. Pra ky është një ekstrat i botuar në gazetën amerikane nga libri “My visit to Holy Land” (Publikuar nga Qendra për Pluralizmin Islamik në Uashington, janar 2011. Nga ana tjetër, gazeta njujorkeze, me ndërmjetësimin e botuesit të gazetës “Illyria”, intervistoi me këtë rast edhe shkrimtarin më të shquar shqiptar, Ismail Kadarenë, i cili foli për kthesat e mëdha të kombit shqiptar, për shekullin e parë të historisë së tij që prej pavarësisë, për kthimin në Perëndim të shqiptarëve si dhe për letërsinë dhe rolin e saj.

Një shkrim i posaçëm erdhi nga Kosova, kushtuar Nënë Terezës, për t’ia prezantuar lexuesit amerikan, këtë “nënë të botës dhe bijë të Shqipërisë”. Ishte shkruar dhe dërguar nga biografi më i mirë shqiptar i saj, Dom Lush Gjergji.

Suplementi kushtuar Shqipërisë përfshinte edhe histori shqiptaro-amerikanësh të njohur si ajo për inxhinierin Wilson Kokalari që luajti rol kyç në misionin hapësinor që dërgoi njeriun e parë në Hënë, Apollo 11, si dhe ajo për gazetarin shqiptaro-amerikan, Donald Lambro, që ndikoi personalisht në vizionin e Presidentit të shquar amerikan, Ronald Reagan. Lambro, djali i një emigranti shqiptar që punonte si berber, u bë një nga gazetarët më të shquar të Amerikës dhe një libër të tij Presidenti Reagan e shpalli lexim të detyrueshëm për të gjithë anëtarët e kabinetit të tij të parë presidencial.

Suplementi përfshin edhe arbëreshët. Një shkrim interesant nga Gena Bajrami zbulon një kryebashkiak arbëresh në një nga qytezat pranë Nju Jorkut, Andrew Parise, që si rrallëkush në historinë e Amerikës, e mban atë post që prej 16 vjetësh. Kaq shumë e duan njerëzit që qeveris, saqë parku kryesor aty mban emrin e tij. Shkrimi edukon lexuesin amerikan për lidhjen historike mes shqiptarëve dhe arbëreshëve. Një shkrim tjetër i kushtohet ish-kongresistit të parë dhe të vetëm me prejardhje shqiptare, Joseph DioGuardi, babai i të cilit ishte arbëresh. Shkrimi me autor Artur Vrekajn flet për rolin e DioGuardit si themelues i organizatës së parë dhe të vetme lobiste shqiptaro-amerikane në Uashington DC.

Në faqet kushtuar Shqipërisë, spikasin dy figura të komunitetit që shënojnë hyrjen në politikë të shqiptaro-amerikanëve.

Mark Gjonaj, i cili u bë këtë vit shqiptaro-amerikani i parë që zgjidhet në Asamblenë Shtetërore të Nju Jorkut, kongresisti ynë i parë shtetëror. Mark Gjonaj luajti një rol të rëndësishëm personal që të fillonte ky projekt për Shqipërinë në “New York Daily News”.

Figura tjetër ishte Ken Biberaj, që kandidon në 2013 për t’u zgjedhur këshilltari i parë shqiptaro-amerikan në Bashkinë e Nju Jork Sitit. Në një shkrim të posaçëm të shkruar nga ish-diplomati dhe eksperti i njohur amerikan tregohen intimitete interesante nga drama e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Një shkrim nga kritiku shqiptaro-amerikan i artit, Nick Leshi, zbulon një shkrimtare shqiptaro-amerikane të librave romantikë të kategorisë “bestseller”. Loreta Chase flet për krenarinë e saj kombëtare si vajzë shqiptarësh në këtë përvjetor shekullor të pavarësisë së vendit nga erdhi familja e saj me mbiemrin Chekani.

Një shkrim kushtuar kompanisë së prodhimit të verave “Stonecastle Vineyards and Winery LLC” përshkruan një histori të pashoqe suksesi ekonomik në Kosovën e pavarësuar, investimin e biznesmenit shqiptaro-amerikan Rustem Gecaj. Është historia e një tradite të lashtë verëprodhuese që nga koha e ilirëve, në Luginën e Rahovecit, historia e Kosovës dhe e verës “Stonecastle”, që tani tregtohet nëpër Evropë e SHBA.

Një listë shqiptaro-amerikanësh të suksesshëm, e shoqëruar me fotografi, i bën një prezantim më të gjerë e mozaik komunitetit te lexuesi i gazetës “New York Daily News”.

Ballina e suplementit, një fotografi me tematikë shqiptare e artistit të shquar shqiptaro-amerikan, fotografit Fadil Berisha, është mbresëlënëse dhe ideale për të nisur këtë prezantimin historik të shqiptarëve. Një numër biznesesh të komunitetit gjithashtu përfituan nga rasti që të ofronin dhe reklamonin punën dhe shërbimet e tyre përpara rreth 400 mijë lexuesve amerikanë të gazetës “New York Daily News”.

“Sigurisht, 40 faqe janë gjithnjë pak për të përshkruar një botë aq të ndërlikuar sa bota shqiptare, por ishte gjithsesi një fillim i mirë, një mundësi e madhe që rrallë mund t’i jetë dhënë një komuniteti tjetër etnik në SHBA. Gazeta “Illyria” është krenare që pati mundësinë të bashkëpunonte dhe të kontribuonte në këtë projekt”, – thotë Ruben Avxhia, duke na vënë në dispozicion materialin për njohjen intime të Shqipërisë në Amerikë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency