Buxheti Bizneset që punësojnë, fond garancie nga bashkia

0
143

Kreu i bashkisë ka shkuar edhe më tej, me vizionin e tij për të mbështetur biznesin e suksesshëm, të vogël dhe të mesëm në kryeqytet, që do të hapet me fondin e garancive nga bashkia

Fond i veçantë garancie në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm, nëse tri vitet e para rezulton me fitim si dhe krijon mundësi punësimi. Kryebashkiaku Lulzim Basha, ndërsa ka prezantuar zë për zë parashikimet e këtij buxheti, u shpreh entuziast për rritjen e ekonomisë së kryeqytetit, e cila ka gjeneruar më shumë të ardhura në arkën e bashkisë, duke mundësuar mbështetjen e projekteve te rëndësishme që do të ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës, mbështetjen për bizneset e reja e natyrisht hapjen e vendeve të reja te punës.

Fondi

“Natyrisht ne do të stimulojnë suksesin dhe jo fiktivitetin. Për shembull, çdo biznes i cili në 3 vitet e para deklarohet me fitim, do të ketë shanse të marrë mbrapsht, sa më takon mua tërësisht, të gjithë interesin e kredisë nga Bashkia e Tiranës, sepse në fund të fundit, në qoftë se ne arrijmë të krijojmë 1 mijë, 2 mijë apo 3 mijë biznese të reja të suksesshme, që punësojnë 4 mijë, 6 mijë, 8 mijë apo 10 mijë të rinj, të jeni të sigurt, që çdo lek i përdorur në këtë drejtim ka realizuar objektivat tona afatgjata njësoj apo pse jo edhe më mirë sesa investime të tjera të domosdoshme që po i kryejmë dhe do t’i kryejmë në qytetin tonë. Pra, shpresoj shumë që përtej mbështetjes në këto konsultime, Këshilli Bashkiak ta miratojë këtë iniciativë dhe ne të ecim në këtë drejtim, duke siguruar që jo vetëm ekonomia e qytetit të vazhdojë rritjen, por që ajo pjesë e qytetit, të rinjtë e qytetit, të kenë një shans më shumë, një mundësi më shumë për të qenë të suksesshëm në Tiranë”, – theksoi kryebashkiaku Basha.

Taksat

Suksesi i politikave fiskale të ndërmarra një vit më parë, me heqjen e afro 60 taksave e tarifave vendore, heqjen e taksave lokale për një periudhë katër vjeçare, për kompani të cilat punësojnë 50 apo më shumë punëtorë të rinj, të marrë nga Zyra e Regjistrimit të të Papunëve në Tiranë është reflektuar në shifra konkrete, prej 1500 biznesesh të reja neto të hapura në Tiranë dhe 6880 persona me shumë të punësuar, që paguajnë sigurimet shoqërore. Ky sukses i ka mundësuar Bashkisë së Tiranës ndërmarrjen e një tjetër hapi të rëndësishëm, për stimulimin e hapjes së bizneseve të reja. “Në bazë të rezultateve që ka dhënë për ekonominë e qytetit, përfshirja e bashkisë për herë të parë dhe përkundrejt skepticizmit apo teorisë se “Bashkia nuk ka lidhje me punësimin dhe ekonominë”, – jam i sigurt se një vit më vonë, e trajtuar me kujdes, e vënë në lëvizje me transparencë dhe efiçencë, kjo skemë e garancive të mikrokredive dhe kredive për biznesin e vogël e të mesëm do të fillojë të na japë rezultatet e duhura”, – u shpreh kryebashkiaku Basha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency