Gjunkshi: Forcat e armatosura kanë nevojë për studentët cilësorë

0
120

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, bëri një promovim të Forcave të Armatosura para studentëve. Gjenerali Gjunkshi vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke kërkuar nga studentët specialistët më të mirë për t’u shërbyer forcave shqiptare. “Bindja e ka referencën tek eksperienca dhe mendimi tashmë i konsoliduar ndër të tërë shqiptarët se që nga koha e krijimit të tij, institucioni juaj ka qenë dhe mbetet prodhuesi, por edhe mbështetësi kryesor i elitave profesionale, të cilat janë të angazhuara në të gjitha aspektet përfshi këtu edhe Forcat e Armatosura. Në këtë konsideratë, Forcat e Armatosura, si një forcë tashmë tërësisht profesioniste, janë të interesuara që të ofrojnë në strukturat e tyre studentë të talentuar nga degë të ndryshme të shkencës. Duke qenë vend anëtar i NATO-s, aleancës e cila zhvillohet në mënyrë shumë të shpejtë e cilësore për shkak të dinamizmit të zhvillimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në nivelet nacional, rajonal e global, ne kemi synim që kandidatët për FA të jenë studentë dhe specialistë cilësorë në fusha të ndryshme, për të cilat institucioni juaj universitar ka traditë dhe arritje”, – u tha studentëve shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Takimi me studentët e Universitetit të Tiranës ka vijuar me një prezantim të historikut të krijimit të Forcave të Armatosura, misionit dhe detyrave, si dhe rrugës së gjatë të transformimit në një ushtri të trajnuar e të përgatitur, sipas standardeve të NATO-s. të pranishmit patën rastin gjithashtu që të ndiqnin një dokumentar të shkurtër mbi rrugën 100 vjeçare të transformimit të Forcave të Armatosura. Promovimi i Forcave të Armatosura, në këtë përvjetor historik, jo vetëm të krijimit të tyre, por edhe të ekzistencës së shtetit Shqiptar, është ideuar nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami. Qëllimi i kësaj ndërmarrje promovuese është njohja e të rinjve dhe të rejave, drejtuesve të ardhshëm të vendit, me misionin, detyrat, historikun dhe rrugën e gjatë të transformimit të Forcave të Armatosura, si dhe transmetimi i mesazheve të bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj gjithë popullit shqiptar, në përmbushje të misionit të lartë kushtetues.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency