Eksperti Çardaku: Vrasja e Ziver Veizit, nga plumb rikoshet

0
180

Sonja Caka

Dëshmia: Në teshat e viktimës u gjetën dy copëza të drunjta, njëra prej copëzave i përket lëvozhgës, ndërsa tjetra pjesës së brendshme të trupit të një peme

 

Plumbi që vrau protestuesin Ziver Veizi ka prekur më parë në një nga pemët te Kryeministria dhe më pas ka bërë rikoshet duke e qëlluar atë për vdekje. Pra, nuk është një vrasje e drejtpërdrejt por me plumb rikoshet. Ky ka qenë përfundimi i dalë nga ekspertiza mjeko-ligjore për vdekjen e Veizit, ndërsa u deklarua dje para gjykatës në seancën gjyqësore për çështjen e 21 Janarit nga eksperti Ndoc Çardaku. I pyetur nën betim para gjykatës, eksperti mjeko-ligjor që ka bërë ekspertizën në morg të teshave të viktimës Ziver Veizi në prani të dy oficerëve të Policisë Gjyqësore më 23.1.2011, ka deklaruar se predha që u gjet në trupin e pajetë të këtij personi ka qenë e dëmtuar. Shkak për dëmtimin ka qenë prekja e diçkaje tjetër më parë, pasi gjatë ekspertizës janë gjetur copëza të vogla të drunjta. Këtë fakt, eksperti e ka shënuar edhe në raportin mjeko-ligjor, ndaj dhe me insistim është kërkuar nga ana e palës mbrojtëse për të thirret ky ekspert për të dëshmuar. Pikërisht ndryshimi i rrjedhës së ngjarjes në gjykatë solli reagimin e avokatëve të të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të cilët deklaruan se Prokuroria ka fshehur provat qëllimisht dhe se nuk e ka hetuar si duhet sulmin ndaj Kryeministrisë më 21 Janar. Sipas tyre, hetimi po bëhet tani në gjykatë.

Dëshmia

Eksperti Ndoc Çardaku dëshmoi para gjykatës se në teshat e viktimës Ziver Veizi dhe pikërisht në këmishën e tij, në gjoks, është vënë re një dëmtim. Gjatë këqyrjes mikroskopike janë konstatuar dy copëza të ngurta të ngjitura në fibrat e këmishës, të drejtuara nga jashtë brenda. Eksperti tha se njëra prej copëzave i përket lëvozhgës ndërsa tjetra pjesës së brendshme të trupit të një peme. Sipas tij ato janë mbetje të predhës që ka shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit. Çardaku ka sqaruar gjithashtu se nga kryerja e teshave është vënë re se dëmtimi i vrimës së hyrjes së predhës ka qenë më i madh se sa mund të shkaktohej nga një qitje direkte. Po sipas ekspertit, nëse qitja do të kishte qenë e drejtpërdrejtë, atëherë dëmtimi që do të linte në këmishë apo në trup do të ishte në formë rrethore apo ovale, ndërsa në rastin konkret nuk kemi asnjë nga këto forma. Por, deklarimet e tij u kundërshtuan hapur nga dy prokurorët e çështjes, të cilët i konsideruan ato jashtë kompetencës së ekspertit dhe kërkuan kohë t’i drejtojnë disa pyetje me shkrim Çardakut në seancën e radhës. Ndoc Çardaku ishte eksperti i zgjedhur nga organi i akuzës për të bërë kqyrjen e teshave të 4 viktimave të 21 janarit. E gjendur përballë kësaj situate, gjykata ndërpreu seancën për ta vijuar atë më datë 10 dhjetor, ku prokuroria do të përgatisë me shkrim pyetjet për Çardakun, por edhe për të marrë deklarimet e 2 oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët kanë qenë prezent kur është bërë këqyrja e teshave nga eksperti. Dy oficerët e Policisë Gjyqësore Aurel Zarka dhe Alven Shehu, janë kërkuar për të dëshmuar para gjykatës si nga avokatët, ashtu dhe nga organi i akuzës.

Reagimi

Pas përfundimit të seancës, kanë reaguar dy nga avokatët e këtij procesi, konkretisht avokatët e ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe vartësit të tij Agim Llupo. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, nga ana e prokurorëve nuk është hetuar sulmi ndaj Kryeministrisë. Sipas tij, sulmi është i konfirmuar por jo i hetuar nga ana e grupit hetimor. “Ka ndodhur sulmi pastaj mbrojtja e institucionit. E kanë lënë qëllimisht pa hetuar sulmin ndaj kryeministrisë. Hetimi për këtë ngjarje po bëhet në gjykim, jo më parë. Prokurorët e kanë fshehur qëllimisht provën. Janë të paktën tri akte që provojnë se vrasjet kanë ndodhur nga plumba rikoshet dhe jo të drejtpërdrejtë. Hetimi duhej t’i konstatonte menjëherë por nuk e ka bërë”, – u shpreh në fund të seancës për mediat avokati Gjokutaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency