KLD Miratohet lista e gjyqtarëve kandidatë për Kolegj Zgjedhor, të premten hidhet shorti

0
198

Miratohet në KLD lista me kandidatë për anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, ndërsa caktohet mesdita e të premtes për hedhjen e shortit për të përzgjedhur 8 gjyqtarët që do e përbëjnë atë. Pas shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, në datën 3.12.2012, në përmbushje të afateve kohore të parashikuara në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje, anëtarët e KLD-së miratuan listën me gjyqtarët e gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, për t’u përfshirë në procedurën e hedhjes së shortit, për përzgjedhjen e 8 gjyqtarëve që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Në miratimin e kësaj liste, Këshilli u bazua në nenin 146 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon përbërjen e këtij Kolegjit Zgjedhor; nenin 147 të Kodit Zgjedhor, paragrafi 1, i cili parashikon se Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë i ushtron funksionet e veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së Kuvendit të dalë nga zgjedhjet, për të cilat është hedhur shorti dhe funksionon për të gjitha llojet e zgjedhjeve; si dhe në nenin 148 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon kriteret e mos përfshirjes së gjyqtarëve në short. Gjithashtu, Këshilli vendosi të shpallë publikisht se procedura e shortit për përzgjedhjen e 8 gjyqtarëve, që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, në përputhje me nenin 146 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, do të zhvillohet ditën e premte, datë 7.12.2012, ora 13:00, në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në adresën: bulevardi “Zogu I”, Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency