Debati në PS për deputetët e 2013-ës, Isaraji, Finos: Nuk e bën ti listën

0
137

Gëzim Saliu

Arben Isaraj: Po reduktohet politika e tavolinës së ditës në pisllëkun e luftës për pushtet


“80 për qind e deputetëve aktualë do jenë sërish pjesë e listës për zgjedhjet e vitit 2013”. Ka mjaftuar kjo deklaratë e dhënë nga sekretari për çështjet vendore në Partinë Socialiste, Bashkim Fino, që të hapet një debat i ri në selinë rozë. Deputeti socialist Arben Isaraj ka reaguar dje me tone kritike ndaj këtyre deklaratave të kolegut të tij, duke theksuar se do të jenë forumet dhe komuniteti socialist ai që do të vlerësojë se kush duhet të bëhet pjesë e listës së deputetëve të forcës më të madhe opozitare, e cila do të garojë përballë mazhorancës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Sot lexova që një shoku im politik, ka thënë pak a shumë se: “80% nga ne bëjnë dhe 20% jo”. Si ka mundësi??? Reduktohet politika e tavolinës së ditës, në pisllëkun e luftës për pushtet, si simptomë se punët po shkojnë mirë. Kur flet dhe të mungojnë argumentet e rëndësishme, tensioni i përleshjes së 80% me 20%, është një mënyrë për të bindur qytetarët-votues se luhet diçka e madhe, se “ata” e dinë nga vjen ky vlerësim??? Dua të them se politika e ka një vend ku të vlerësohet- komunitetin arbitër”, – u shpreh Isaraj në rrjetin social “Facebook”.

 

Debati

Sipas deputetit të PS-së, do të jetë anëtari socialist ai që do të bëjë vlerësimin e çdokujt prej atyre që do të përfshihet në listën e deputetëve të PS-së për zgjedhjet e 2013-ës. Duke iu kundërvënë deklaratës së deputetit Fino, Isaraj nënvizoi se përjashtimi i komunitetit nga proceset vendimmarrëse nuk sjell politika bashkuese dhe ndikon sipas tij, deri në poshtërim të qytetarit. “Qytetari, mbështetësi, militant, anëtari socialist, si komunitet është ai që vlerëson se kush bën e kush nuk bën ndër ne. Përjashtimi i këtij komuniteti, nuk sjell politika bashkuese, por anonime (referuar *Avishai Margalit “La siciedad decente”, Barcelona 1997), gjendje politiko-sociale, luftën e të gjithëve kundër të gjithëve. Nëse politika është hapësira ku politikani njihet si subjekt përderisa pranon se është qytetar. Qytetari që voton, gëzon të drejtën që të mos poshtërohet kështu”, – tha deputeti socialist Arben Isaraj. Reagimi i tij vjen pas deklaratës së bërë dy ditë më parë nga sekretari për çështjet vendore në Partinë Socialiste, Bashkim Fino, i cili pohoi për “AS” se shumica e grupit parlamentar të PS-së do të jetë pjesë e listës së kandidimit në zgjedhjet e 2013-ës. “Mendoj që grupi parlamentar aktual i partisë Socialiste në opozitë ka bërë një punë shumë të mirë në këto 4 vjet. Unë besoj dhe kjo është bindja ime personale, por në fund të fundit dhe nga ç’kam dëgjuar në të gjitha fjalimet që kryetari i partisë, Rama, ka mbajtur në grupin parlamentar, është i predispozuar që shumica dërrmuese dhe kur them shumica dërrmuese jo 50 për qind, por më shumë, afër 80 për qind, që ky grup parlamentar të konsolidohet dhe të jetë si të thuash, pjesë përbërëse e listave për kandidat për deputet”, – ishte shprehur Fino. Lidhur me këtë çështje, pak kohë më parë është shprehur edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Në një intervistë televizive, kryesocialisti ka pranuar se pjesa më e madhe e deputetëve aktualë të selisë rozë do të jenë sërish në listën e deputetëve me të cilët do të përfaqësohet opozita në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Unë kam shumë besim se ne kemi një grup parlamentar të gatshëm për ta përballuar betejën e ardhshme zgjedhore”, – ka thënë Rama.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency