Shqipëria etnike dhe nacionalizmi politik

0
238

 Nebil Çika

Mbyllja e një shekulli pavarësie duket se i ka kujtuar shqiptarët, në mënyrë të veçantë politikanët, se jemi kombi më i masakruar dhe më i copëtuar i rajonit, gjë që ka kthyer edhe vëmendjen e tyre tek mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi. Patriotizmi apo nacionalizmi politik që po shikojmë të shfaqet kaq hapur ditët e fundit, është në fakt një përqendrim i politikave dhe politikanëve tanë tek ajo çfarë kombi shqiptar, që është njëherazi edhe elektorati i tyre, ka kërkuar dhe kërkon ta realizojë pa interesa pushteti. Natyrisht që ky zhvillim i shumëpritur nga politika vjen i favorizuar edhe nga kushtet politike në të cilat ndodhet rajoni dhe sidomos hapësira mbarëshqiptare apo Shqipëria etnike, gjë që mund të konstatohet lehtë nga kushdo. Festa e 28 Nëntorit, shpalljes së pavarësisë dhe ditëlindja e shtetit shqiptar, nuk ka qenë kurrë festa e shtetasve shqiptarë, por dita kombëtare e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen me dhe pa dëshirën e tyre në gjithë botën. Më shumë se Festa e Pavarësisë ajo është kujtuar jo pa arsye si festa e bashkimit kombëtar. Në 28 nëntor të vitit 1912 rreziku më i madh i kombit shqiptar nuk ishte Perandoria Otomane që po shembej, por fqinjët tanë që kërkonin të gllabëronin, ashtu siç bënë me shumicën e tyre, trojet tona etnike e historike, gjë që e kanë theksuar fort në këtë 100-vjetor të pavarësisë pothuaj të gjithë historianët. Për këtë arsye bashkimi kombëtar del në krye të axhendave politike, shoqërore, kulturore etj., sa herë kujtojmë këtë datë apo përpiqemi të bëjmë bilancin e kombit tonë. Pa dyshim që ky kthim apo rikthim te nacionalizmi i politikës shqiptare ka theksuar shpresat e zgjidhjes së çështjes kombëtare si kërkesa e shumicës së shqiptarëve, por edhe kundërshtimin brenda dhe jashtë vendit të politikave apo individëve që ose janë përgjegjës për këtë situatë të kombit tonë, ose që bashkimi kombëtar kërcënon interesat e tyre personale politike apo të natyrave të tjera.

Bujë, pa dyshim, ka bërë artikulimi apo rikthimi i Berishës tek politika nacionaliste, një karakteristikë dalluese kjo e të djathtës historike që nga 1912-ta e deri më sot. Berisha është cilësuar shume herë si nacionalist nga kundërshtarët politikë, edhe pse nacionalizmi i tij i mëparshëm kishte të bënte më shumë me retorikën politike sesa me aksionin apo programin e tij politik. Dua të kujtoj akuzën “nacionalist” që kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë vendit gjatë kohës kur ishte President, për shkak të qëndrimit të tij ndaj Kosovës dhe zhvillimeve atje. Përgjigjja e tij: “një komb një qëndrim” e përsëritur pothuaj pas pyetjeve gjithashtu të përsëritura të politikanëve, diplomatëve apo gazetarëve të huaj se cili do të ishte qëndrimi i Shqipërisë ndaj një konflikti të mundshëm në Kosovë ka rezultuar më korrektja, më e sakta më e vërteta, edhe pse është përdoruar, jo pa sukses, si argument e akuzë e fortë kundër tij nga kundërshtarët ish-komunistë dhe të tjerë, sidomos në raport me partnerët ndërkombëtarë. Berisha e humbi referendumin për kushtetutën në vitin 1994, për shkak se kundërshtarët e tij anatemuan frymën patriotike të saj, që prekte e pengonte shumë interesa e projekte të politikave e qarqeve antishqiptare në rajon. Me pak fjalë, nacionalizmi i z. Berisha nuk është një risi, ndërkohë që e kundërta ajo politikë apo retorikë politike që ai ka manifestuar pas rikthimit në pushtet që nga viti 2005 e deri para pak kohëve, është parë si një tjetërsim i sforcuar i karakterit politik të tij.

Gjithsesi, tek politika apo retorika nacionaliste është rikthyer e gjithë politika shqiptare dhe për ketë një ndikim të veçantë vendi që në bilancin që ne i bëmë një shekulli pavarësie zënë politikanet dhe figurat e tjera nacionaliste, respekti dhe nderimi për të cilët u manifestua me bujë nga shumica e shqiptarëve kudo që ndodhen. Politikanët tanë, përfshi edhe ata internacionalistët komunistë apo zgjatimet e tyre aktuale politike, panë se në histori mund të ngelesh i nderuar e i respektuar po deshe e punove për këtë vend popull e komb, lirinë dhe prosperitetin e tyre. Panë gjithashtu se liria dhe interesat nacionale janë përparësia jonë mbarëkombëtare njëherazi edhe orientimi elektoral i tyre që natyrisht do të shkojë drejt atyre politikave që do të kenë si projekt e synim pikërisht këtë frymë. Politikanët tanë aktualë panë me sytë e tyre rikthimin me lavdi në historinë e vendit të figurave nacionaliste të këtij shekulli pavarësie që edhe pse për 50 vite u denigruan dhe u përbaltën nga politika dhe propaganda e regjimit antikombëtar të E. Hoxhës, u rikthyen në panteonin e historisë, ndërkohë që panë fundin e ndyrë të atyre që punuan kundër kombit, të cilëve as pushteti i gjatë e as pasuritë e mëdha të grabitura nuk mundën t’i pastronin dot nga turpi me të cilin i ka mbuluar e po i mbulon historia. Këto, por edhe, siç thashë edhe më lart, kushtet e reja gjeopolitike dhe pozita shumë e konsoliduar e shqiptarëve në rajon janë kushte që çojnë në një politikë të tillë të konsoliduar si nacionaliste, por që në fakt është një ide, përpjekje e ndoshta edhe projekt për të zgjidhur çështjen tonë kombëtare. Përmendja e disa pikave historike të kufirit etnik “nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë” apo faktin se Shqipëria etnike është 67 mijë km katrorë janë një realitet që ngjan si nacionalizëm, vetëm po ta krahasosh me politikën dhe retorikën e diktatorit Hoxha, sipas konceptit komunist, “vëllezërit nga Kina dhe miqtë nga Kosova”, në çdo rrethanë tjetër kjo është një deklaratë sa normale aq edhe korrekte në të gjitha kuptimet e saj. I vetmi përcaktim i kësaj risie në zhvillimet apo retorikën politike shqiptare mund të jetë kthimi në realitet apo me këmbë në tokë i një pjese të politikës serioze shqiptare.

S’ka dyshim që bashkimi kombëtar është sfida shqiptare e shekullit të ri të pavarësisë dhe duket se edhe koha punon për këtë. Shteti shqiptar apo, siç quhet ndryshe, Shqipëria politike, nuk është produkt i dëshirës, projektit dhe sakrificave sublime të mijëra burrave e gra të këtij kombi në luftë për të drejtat e tyre kombëtare, por produkt i një marrëveshjeje të fuqive të mëdha, i cili ka skaduar si politikisht edhe juridikisht, ata që luftuan për lirinë e Kosovës nga zgjedha serbe nuk kishin parasysh këtë shtet e flamur që i ka imponuar bashkësia kombëtare, por bashkimin me Shqipërinë mëmë. Shqiptarët ne Maqedoni janë jashtë shtetit amë për të njëjtën arsye. Krahinat shqiptare të Malit të Zi iu aneksuan këtij shteti jo vetëm me marrëveshjen, por edhe me dhunën e fuqive të mëdha që dërguan ushtritë e tyre në Ulqin për të konkretizuar robërinë që politikanët e tyre e kishin vendosur pa i pyetur fare shqiptarët. Çamët nuk u masakruan e u dëbuan me dëshirën e tyre nga trojet historike në Çamëri, por u detyruan ta bënin këtë të detyruar nga politikat e gjenocidit dhe spastrimit etnik të zbatuara nga shteti grek nën hundën e fuqive të mëdha në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me pak fjalë, kjo situatë etnike aspak normale e shqiptarëve nuk është një vullnet i tyre, por një imponim i dhunshëm e i përgjakshëm nga faktorë të jashtëm, sa të paarsyeshëm aq edhe armiqësorë. Me gjithë rritjen e të drejtave nacionale të shqiptarëve në rajon pozita e tyre mbetet ende e paplotësuar, një problem i madh si për ata edhe për stabilitetin e paqen në rajon. Për shumë arsye çështja çame mbetet problemi më i pazgjidhur e më akut i çështjes kombëtare. Ky problem është rënduar edhe ai pasojë e politikës antikombëtare të qeverisë komuniste të Hoxhës që nuk lejoi kthimin e refugjatëve çamë pas mbarimit të luftës civile në Greqi, duke ndihmuar kështu në mënyrë direkte spastrimin etnik të Çamërisë. Zgjidhja e kësaj çështjeje natyrisht nuk është e pamundur. Natyrisht që së pari duhet projekti e pastaj modalitetet. E drejta ndërkombëtare favorizon në tërësinë e saj zgjidhjen paqësore të kësaj çështjeje. Edhe kombe të qytetëruara kërkojnë sot ndryshime të karakterit etnik. Belgjika, ku ndodhet edhe selia qendrore e BE-së, ka disa vite në krizë politike, për shkak të përpjekjeve të flamandëve për pavarësi nacionale, më parë çekët dhe sllovakët e shtrënguar të jetojnë bashkë u ndanë në dy shtete, Skocia së fundi ka fituar të drejtën e referendumit për shkëputje nga Britania e Madhe etj. Siç shihet, ndryshimet mbi baza etnike janë një gjë e zakonshme edhe për Evropën e qytetëruar, gjë që legjitimon plotësisht edhe përpjekjen tonë. Por çështja çame ka më shumë se kushdo tjetër ngjashmëri me çështjen sioniste apo shtetin e Izraelit. Hebrenjtë arritën të riktheheshin në tokën e tyre e të krijonin shtetin e tyre pas më shumë se 2000 vjet largimi nga atje. 60 vjet nga spastrimi etnik i Çamërisë janë një fraksion sekonde në histori, po ta krahasosh me 2000 vjetët që iu deshën çifutëve për t’u rikthyer në dheun e të parëve. Pra, asgjë nuk është dhe nuk duhet trajtuar si e pamundur. E rëndësishme është krijimi i idesë dhe i projektit të bashkimit dhe sidomos unifikimit mbarëkombëtar të tij. Duket se strukturat politike e kanë kapur momentin, tani pritet vetëm konkretizimi i politikave që do të na çojnë drejt zgjidhjes së këtij problemi jetik për kombin. Na duhet të presim, por besoj se angazhimi i politikave dhe politikanëve seriozë, si rasti i Berishës, na bën të besojmë në një sukses relativisht të shpejtë.

Ajo që më ka bërë përshtypje në ketë artikulim nacionalist të politikës, janë reagimet kundër të disa mediave shqiptare kundër këtij zhvillimi. Kam parë reagime që edhe mediat greke e serbe do ta kishin të vështirë t’i botonin. Ide, terma e frazeologji të denja vetëm për bashkim-vëllazërim me Jugosllavinë apo “Dy popuj miq” të E. Hoxhës janë rikthyer si argumente kundër Berishës si dikur kundër Mid’hat Frashërit apo Abaz Kupit që u shpallën zyrtarisht tradhtarë e armiq pse donin e punonin për Shqipërinë etnike, këtë që Berisha apo politikanë të tjerë po e bëjnë sot. Por ky është edhe një moment tjetër për të sqaruar edhe një herë historinë. Kush janë armiq tradhtarë e kolaboracionistë: ata që në aleanca me shtete sot anëtare të NATO-s dhe BE-se donin të bënin Shqipërinë e madhe apo ata që në shërbim të Serbisë e Rusisë morën pjesë në masakrat ndaj shpatarëve, edhe, sipas z. Berisha, nga Preveza ne Preshevë. Duket se brezi i ri i shqiptarëve do ta ketë mundësinë jo vetëm të lexojë mirë historinë, por edhe të shohë të realizuar ëndrrën e patriotëve nacionalistë nga Ismail bej Vlora tek Adem Jashari e të tjerë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency