Identifikohen vrasësit e faturinos 17-vjeçar, vetëdorëzohet babai i autorëve

0
198

Policia e Durrësit ndalon Sulejman Morinën në banesë, dorëzohet për verifikim në Tiranë. Policia: Autorët, anëtarë të së njëjtës familje nga Shënavlashi. Një i ndaluar, një i vetëdorëzuar, negocim me familjarët për vetëdorëzimin e 2 të tjerëve

Sonja Caka

Pas identifikimit të katër autorëve të përfshirë në vrasjen e faturinos 17-vjeçar të linjës së furgonëve Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, policia e Durrësit ka bërë të mundur ndalimin e njërit prej tyre, përkatësisht Sulejman Morinës, i dyshuar si personi që ka qëlluar me thikë ndaj Julian Çunit. Ndërkohë që, disa orë më pas është vetëdorëzuar në polici edhe babai i autorëve të dyshuar për ngjarjen. Policia po punon për kapjen edhe të 2 pjesëtarëve të tjerë të familjes Morina, banues në Shënavlash të Durrësit, të cilët dyshohet të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje. Por, për të bërë të mundur kapjen e tyre, policia është duke negociuar me familjarët, me qëllim që ata të vetëdorëzohen në polici. Sipas burimeve policore, tre bashkautorët e tjerë të ngjarjes së një jave më parë janë Hasan, Behar dhe Klodian Morina. Për të bërë të mundur kapjen e tyre, kërkimet janë shtrirë në disa qytete, duke angazhuar strukturat e skuadrës operacionale të zbulimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit në Tiranë, Durrës, Kukës dhe Has.

Operacioni

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një jave punë hetimore dhe kërkimore, policia e Durrësit ka zbarkuar në banesën e familjes Morina në Shënavlash të Sukthit në Durrës, duke ndaluar për llogari të kolegëve të Tiranës Sulejman Morinën, ndërsa nuk ka mundur të gjejë në banesë Hasan, Behar dhe Klodian Morinën. Policia e Durrësit ka nisur bisedimet me familjarët e tjerë, duke u kërkuar të negociojnë me tre bashkautorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, me qëllim vetëdorëzimin e tyre. Po dje, policia e qytetit bregdetar ka bërë dorëzimin në policinë e kryeqytetit të Sulejman Morinës për verifikim, ndërsa pak orë më vonë u vetëdorëzua babai i tij dhe dy autorëve të tjerë të ngjarjes. Nga ana e policisë po vijojnë kërkimet në Tiranë, Kukës, Has dhe Durrës për gjetjen e 2 të tjerëve.

Hetimi

Filmimet e kamerave dhe marrja në pyetje e personave që kanë parë skenën e krimit apo dhe kanë transportuar drejt Shënavlashit me furgon katër autorët, çuan në identifikimin e tyre. Sipas hetimeve, të dyshuarit Morina, të akuzuar për këtë vrasje, mësohet se kanë qenë në furgonin në të cilin ishte faturino 17-vjeçari Julian Çuni. Ata kanë hipur në afërsi të stacionit të Trenit për në banesën e tyre në Shënavlash. Në sheshin Rilindja, kanë dashur të zbresin për të blerë flamuj, dhe këtu ka nisur debati pasi 17-vjeçari u ka kërkuar 150 lekët e biletës. Të katër janë përleshur me faturinon, ku për pasojë ka humbur jetën i goditur me thikë 17-vjeçari. Sipas dëshmive rezulton se dy prej anëtarëve të familjes Morina kanë qenë aktivë në përleshje, ndërsa dy të tjerë më pak aktivë, por jo të papërfshirë. Mësohet se policia ka shoqëruar mbi 10 familjarë të të dyshuarve, të cilët duket se kanë zbardhur ngjarjen për oficerët e hetimit të vrasjeve. Mëngjesin e djeshëm u arrit të vihet në pranga në banesën e tij vetëm Sulejman Morina, i cili gjendet tashmë në drejtorinë e policisë së Tiranës ku është marrë në pyetje nga grupi hetimor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency