Hillary Clinton uron 100-vjetorin: Dijeni se SHBA është partneri dhe miku juaj

0
128

Gëzim Saliu

Sekretarja amerikane e Shtetit: Miratoni reformat, zgjedhje të lira dhe transparente

Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton ka uruar dje shqiptarët për këtë vit jubile, duke theksuar se SHBA mbetet partneri dhe miku i shqiptarëve. “Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, kam kënaqësinë t’i dërgoj urimet më të mira popullit të Shqipërisë, ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë tuaj këtë 28 nëntor. Që nga themelimi i republikës demokratike, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ndërsa festoni me familjet dhe të dashurit tuaj, dijeni që Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe një mik. Presim me kënaqësi një të ardhme miqësie e bashkëpunimi të vazhdueshëm”, – u shpreh Clinton.

 

Deklarata

Në deklaratën për shtyp për këtë ditë festive, Sekretarja amerikane e Shtetit ka theksuar gjithashtu se vendi ka të domosdoshme plotësimin e reformave dhe ecurinë me standarde të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për të bërë të mundur sipas saj, aspiratën evropiane. Po ashtu sipas Clinton me rëndësi primare mbetet edhe forcimi i mëtejshëm i demokracisë dhe modernizimi i vendit. “Sot, Shqipëria është gati t’i konsolidojë ato fitore dhe të integrohet në një Evropë që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Por, kjo kërkon miratimin e reformave të mbetura tani si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente parlamentare pranverën e ardhshme, forcimin dhe modernizimin e mëtejshëm të demokracisë së Shqipërisë, në mënyrë që ajo t’iu përgjigjet nevojave të popullit shqiptar”, – theksoi kryediplomatja amerikane. Më parë, ka qenë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, ai që ka uruar shqiptarët në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Në mesazhin e tij të urimit, Obama rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për vendin, thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe inkurajoi ecurinë në rrugën e integrimit. “Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Shqipërisë në kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë më 28 nëntor. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ne i rikonfirmojmë Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin tonë të fuqishëm dhe presim me kënaqësi që ta thellojmë edhe më tej marrëdhënien tonë në vitet e ardhshme. Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike. Vlerësojmë thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it. Dy vendet tona ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Clinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaj të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, – shprehej kreu i Shtëpisë së Bardhë në mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve.

 

Mesazh i Clinton-it në Tiranë: SHBA, me ju edhe për 100 vite

 

Në vizitën historike të 1 nëntorit të këtij viti në Tiranë, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton theksoi në mesazhin drejtuar shqiptarëve nga foltorja e parlamentit se SHBA do të vazhdojë të mbetet një mbështetës dhe partner i Shqipërisë edhe për 100 vite të tjera. “SHBA ka qëndruar me ju për 100 vjet dhe do qëndrojë me ju edhe për 100 vjet të tjera. Është një nder i madh se pse sot po bashkohem me ju që festoni jubileun e 100-vjetorit të pavarësisë. Kjo ka qenë një fitore e madhe për të cilën ju keni luftuar shumë. Pashë fotografitë e paraardhësve tuaj dhe kaq shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë 100 vjetëve, po diçka është konstante që SHBA janë miku dhe partneri juaj e do vazhdojnë të jenë. Popujt amerikanë e shqiptarë kanë të njëjtën aftësi për të treguar vendosmëri ju keni qenë të vendosur për të qenë të lirë, për të ndërtuar demokraci, ekonomi të gjallë e lulëzuar dhe ju keni dëshirë që të lini mbrapa konfliktet dhe të ndërtoni një jetë paqeje. Jam e lumtur për këtë partnership dhe marrëdhëniet historike”, – u shpreh kryediplomatja amerikane.

 

Papa uron shqiptarët: Bekime për ju, forconi paqen dhe përparoni vendin

 Një mesazh i veçantë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit i ka dërguar dje Presidentit të Republikës Presidentit të Republikës, Bujar Nishani Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI. Në mesazhin e tij, kreu i Selisë së Shenjtë nënvizonte: “Po ju shkruaj për të shprehur urimet e mia më të përzemërta, me rastin e Festës së Pavarësisë të Republikës së Shqipërisë. Në këtë rast të rëndësishëm, po dërgoj Shumë të Nderuarin Zef Gashi, Prift i Barit, si Përfaqësues të Selisë së Shenjtë, që sjell urimet e mia personale për ju dhe qytetarët tuaj. Nëpërmjet tij, jam i kënaqur t’ju përcjell sigurimet e lutjeve të mia që ju dhe qeveria juaj të kërkoni forcimin e paqes, drejtësisë dhe përparimit për vendin. Duke përsëritur, zoti President, urimet e mia, ju dërgoj për ju dhe popullit të vendit tuaj, bekimet më të shumta!”. Krahas mesazhit të Atit të Shenjtë, Papa Benedikti XVI, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dje ka uruar shqiptarët edhe Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano. “Me rastin e festës kombëtare e në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dëshuroj t’Ju formuloj, në emrin tim personal dhe të popullit italian urimet më të mira për begatinë e kombit mik shqiptar. Historia e Popujve tanë është ngushtësisht e lidhur prej kohërave të lashta. Sot marrëdhëniet tona të veçanta e të ngushta bazohen në vlera e synime të përbashkëta si dhe në angazhimin tonë të përbashkët në forumet ndërkombëtare në gjirin e Aleancës së Atlantikut. Dëshiroj t’Ju përgëzoj për sukseset e arritura nga Shqipëria në kuadër të procesit të përafrimit në Bashkimin Evropian. Italia mbështet dhe përkrah vijimin e këtij rrugëtimi virtuoz. Me këto ndjenja Ju shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta për mirëqenien Tuaj dhe të Popullit shqiptar”, – u shpreh në mesazhin e tij Napolitano.

 

 

 

Viti jubile, përurohet oborri i Presidencës, Nishani: Dyert, të hapura për qytetarët

 

Një ditë para festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, u përurua dje

oborri i ri i Presidencës. Pasi ftoi qytetarët shqiptarë që të vizitojnë këto ambiente, Presidenti Nishani falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin në realizimin e punimeve e në veçanti Bashkinë e Tiranës, ndërsa siguroi të gjithë qytetarët se ky institucion ashtu siç mori një faqe të re në fasadën e tij, ashtu do të jetë edhe nga funksioni që do të kryejë, duke e bërë të hapur për çdo qytetar që ka interes dhe dëshiron të vizitojë jo vetëm ambientet e jashtme por edhe ato të brendshme. “Gjej rastin që këtë mbrëmje inaugurimi të këtij kopshti të bukur sonte të falënderoj të gjithë donatorët, të falënderoj ata që na dhuruan një ulli katërqind vjeçar, skulptorin që na dhuroi këtë skulpturë të bukur, po ashtu edhe Bashkinë e Tiranës për punën e saj. Dëshiroj të falënderoj punonjësit e gjithë administratës së Presidentes që bënë të mundur krijimin e një ambient të tillë. Unë dua t’iu siguroj këtu se të gjithë qytetarët që kanë dëshirë të shijojnë dhe admirojnë institucionin ne do të hapim dyert e Presidencës për ta, në mënyrë që ato të jenë të prekshme dhe të vizitueshme prej tyre”, – theksoi Presidenti Nishani.

 

 

 

100-vjetori, Wollfarth: Krenarë që ju kemi mbështetur, bashkëpunim për integrimin

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, uroi dje shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, ku nxiti palët që të bashkëpunojnë për realizimin e reformave, në funksion të integrimit të Shqipërisë. “U dërgoj urimet më të mira të gjithë shqiptarëve, që festojnë këtë përvjetor të rëndësishëm të pavarësisë së tyre. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është krenare që e ka mbështetur vendin në ndërtimin e një jete më demokratike e të begatë për qytetarët e tij, gjatë 15 viteve të fundit. I nxis të gjithë aktorët në vend t’i qasen frymës së bashkimit, që nevojitet për të çuar përpara axhendën e reformave, me qëllim realizimin e synimeve kombëtare të Shqipërisë për integrim evropian”, – thuhej në mesazhin e kreut të OSBE-së në Tiranë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency