Kushtetuta, Presidenti Nishani dhe PS

0
165

Fitim Zekthi

Një nga tiparet e të menduarit marksist është përkufizimi i botës si konfliktualitet ku emocionet, instinktet dhe ndjesitë janë udhërrëfyes me të mirë dhe më të qartë për njeriun. Nisur nga kjo qasje marksizmi e shihte denoncimin si një mjet për të shkatërruar dhe jo si një mundësi për të thënë të vërteta. Lenini ka kërkuar në shumë letra drejtuar “shokëve sovjetë” që denoncimet duhet të ishin të pamëshirshme. Këtë taktikë të marksizmit, e cila ka patur kulmet dhe zbutjet e veta, e majta e ka përdorur gjithnjë. Edhe në kohët e sotme dhe pa dyshim edhe në Shqipëri. Gjithkush mund të vërë re shenja të kësaj në diskursin e përditshëm të kreut të PS-së, deputetëve Balla, Braçe, Tahiri dhe sidomos kryetarit Rama të cilët e shohin shoqërinë shqiptare në një konflikt permanent. Gjithçka ata thonë u drejtohet jo arsyes, por instinkteve dhe emocioneve të njerëzve në përpikmëri të plotë me këndvështrimin marksist të botës. Kjo është një e vjetër në Shqipëri dhe në shumë raste kjo e tejkalon Partinë Socialiste dhe mbërrin edhe tek parti të tjera, tek analistë e gazetarë dhe tek akademikë qesharakë si Rexhep Qosja. Kjo si çdo totalitarizëm që nuk kursen askënd po përplaset edhe tek Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Kreu i PS-së sulmoi me ashpërsi Presidentin për thyerje të rëndë të Kushtetutës në rastin e shkarkimit të znj. Ina Rama. Me sigurinë e një profesori ligjesh, me lehtësinë e një nxënësi shkolle dhe me argumente krejt të paqena ai foli për ushtarë të Kryeministrit dhe për uzurpim institucionesh. Ish-kryeprokurori i vendit, Theodhori Sollaku, anëtar i asamblesë së PS-së, tha pothuajse të njëjtat gjëra, por duke hyrë më në detaje, me idenë se është ekspert. Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese dhe se Ina Rama e përfundon mandatin në maj. Është një mjerim i madh që ai ka qenë vetë prokuror i Përgjithshëm dhe këshilltar i Presidentit të Republikës. Ish-kryeprokurori, anëtar asambleje, tregoi, si gjithnjë, se në pyllin e madh të së drejtës, të ligjit kushtetues dhe të filozofisë së ligjit ai kurrë nuk ka kuptuar asgjë. Ai tregoi gjithherë ka besuar se instinkti, denoncimi dhe kuptimi i botës si konfliktualitet janë premisat për njohjen. Ndryshimet kushtetuese të majit të vitit 2008 parashikojnë vendosjen e një mandati 5-vjeçar për prokurorin e Përgjithshëm. Ato ndryshime nuk tregojnë asgjë se çfarë ndodh me mandatin e prokurorit të Përgjithshëm në detyrë ose, sipas gjuhës së ligjit, nuk ka dispozita kalimtare. Partia Socialiste dhe gjithë ata që në të menduarit e tyre ushqehen me marksizëm, mendojnë se prokurori i Përgjithshëm, i tanishmi, duhet të rrijë në detyrë 5 vjet pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Në mendimin kushtetues më me ndikim në botë dhe që është provuar si mendimi që garanton drejtësi, mbron liritë dhe institucionet, afatet e mandateve në raste të tilla kur nuk ka dispozita kalimtare mbyllen thjesht kur mbushet koha dhe nuk varen nga momenti kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet apo amendamentet. Kjo do të thotë se kur ndryshimet duan që të mos preket personi në detyrë nga efektet prapavepruese atëherë hartohen nene të shkruara për këtë gjë. Kur nuk ka dispozita, atëherë personi në detyrë nuk është i mbrojtur. Në vitin 1947, në SHBA u propozuan ndryshime kushtetuese (amendamenti i 22-të) për të vendosur qëndrimin në detyrë të jo më shumë se dy mandate të Presidentit të vendit. Amendamenti i 22-të pasi u miratua nga dy të tretat e dhomave të Kongresit dhe nga tre të katërtat e shteteve hyri në fuqi, por ky amendament ka dispozita kalimtare që tregojnë se presidenti në detyrë nuk preket nga këto dispozita. Kjo do të thotë se Presidenti Truman mund të zgjidhej president më shumë se dy herë. Pra, Kongresi amerikan duke e ditur se mos shkrimi i dispozitës do të prekte edhe presidentin në detyrë ndërmori këtë akt. Vetëm pak ditë më parë, në 6 nëntor, datën e zgjedhjeve në SHBA, në shtetin e Nebraskës u votua edhe për ndryshimin e kushtetutës. Amendamenti 3, siç quhet, propozonte zgjatjen e numrit të mandateve nga dy në tre për anëtarët e Kongresit. Ky amendament gjithashtu kishte dispozita që përcaktojnë se çfarë me anëtarët në detyrë dhe i mbron ata nga efekti i amendamentit. Senatori Jim Demint dërgoi në mars të këtij viti në Kongres ndryshime kushtetuese për numrin e mandateve të anëtarëve të Kongresit dhe të Senatit, duke kërkuar limitimin e tyre në tre për Kongres dhe dy për Senat. Edhe ky amendament ka dispozita të shkruara, të qarta që thonë se kongresmenët dhe senatorët në detyrë nuk preken nga efekti i ndryshimeve për periudhën e mëparshme në detyrë. Raste në SHBA janë të pafundme dhe të gjitha kanë dispozita të shkruara, kur kërkojnë të mbrojnë funksionarët nga efektet prapavepruese. Për të marrë një rast në Evropë, në vitin 2000 në një referendum u shkurtua mandati i presidentit francez nga 7 vjet në 5 vjet. Zhak Shirak ishte në detyrë që prej vitit 1995 dhe duhet të largohej kur u miratuan ndryshimet dhe këtë do të bënte n.q.s. nuk do të kishte në amendament nene ku thuhet se ndryshimet hyjnë në fuqi në vitin 2002, pra kur përfundonte mandati i presidentit. Edhe në këtë rast kemi dispozitë të veçantë për të mos ndërprerë mandatin e presidentit, pasi mungesa e saj do të thotë ndërprerje kur mbushet afati 5-vjeçar. Sollaku mund të mos ketë asfare faj për mënyrën se si e interpreton ligjin, pasi ai nuk e ka, me sa duket, problemin me ligjin apo me Kushtetutën, por me mënyrën se si e sheh njeriun, botën dhe mënyrën se si përftohet njohja. Këtë qasje duhet ta vuajë shumëkush, por në këtë rast edhe Presidenti Nishani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency