Sekonda që ndryshon historinë!

0
156

Artan Fuga

Artan FUGA(Nga kujtimet e fëmijërisë)

Sa herë e shoh në rrugë dhe shkëmbej ndonjë fjalë me shokun tim të klasës të 8-vjeçares, prej vitesh nuk më shqitet një mendim.

Në jetë ka disa pika thyerjeje. Jo vetëm në jetën e individit, por edhe në jetën e kombeve, të partive politike, të një grupi, sipërmarrjeje, një parlamenti etj.

Çfarë është një pikë thyerjeje?

Është një ngjarje që ndodh dhe që i ndryshon drejtimin pjesës tjetër të historisë individuale ose kolektive. Pas atij çasti, asgjë nuk është si më parë, historia nuk vjen më mbrapsht, dhe ndryshon kryekëput.

Ka me mijëra ngjarje që vijnë e shkojnë dhe si të ishin si të mos ishin nuk e ndryshojnë historinë, por ka ndonjë ngjarje sado e vogël të duket që mund të ndryshojë gjithçka në një sekondë.

Kujdes sekondën që e përthyen historinë!

E shoh mikun tim të vjetër, të pirë rrugëve, i merren këmbët, i grisur, i varfër, i parruar, i shkatërruar nga ana ekonomike, dhe pamja e tij kujton pikën e tij të thyerjes dekada më parë, atë paradite, ora 11 e 23 minuta, në klasën e 7 – A, të një shkolle shumë të njohur të Tiranës.

Nuk e di se përse na ishte bërë ai zakon si klasë, që sapo fillonte pushimi mes orëve, ishte dimër, gocat dhe ca djem andej nga fundi i klasës tërhiqnin të tjerët dhe mbi ta bënin si kala dibrançe. Disa djem hidheshin mbi të tjerët, pastaj grumbulli i trupave përfshinte të gjitha bangat, edhe të vajzave, edhe brenda pak sekondash formohej një lëmsh mishi, dhe të gjithë bërtisnin:

he, he, uh, uh, au, au, uu, uu.

Qeshnim, imitonim, ata që ishin poshtë kishin marrje fryme, kërkonin të shpëtonin e të vinin poshtë sulmuesit…

Një zhurmë e paparë, të qeshura, faqet skuqeshin, shkalaviteshin rrobat, një rrëmujë fare pa të keq, pa libido, pa qëllime të mbrapshta, thjesht një lojë…

Dikush mund të thotë se mund të ishte edhe një formë histerie kolektive, por unë vetë e perceptoja thjesht si lojë dhe nuk isha shumë aktiv në të.

Më shumë shihja nga larg sepse në atë kohë isha edhe pak klaustrofob.

Sa mbaronte pushimi i vogël, e dikush thërriste: Erdhi! – uleshim në banga, rregulloheshim, rimerrnim frymë dhe mësimi rifillonte.

Kështu vazhdoi për një periudhë ndoshta njëmujore. Ishte bërë zakon.

Në një nga këto skena ndodhi ajo që nuk duhej…

Miku im, që përmenda në fillim, ishte zhytur thellë në lëmshin prej mishi, kishte rrëshqitur poshtë bangave dhe pas pak doli që andej, si nga fundi i botës, i skuqur, me këmishën e nxjerrë nga pantallonat, flokët krejt shpupuritur, dhe me njërën dorë lart bërtiti:

“Ja hoqaaaaaaaa, ja hoqaaaaaaaaa brekëëët!”

Në fillim ne u hutuam sepse nuk kuptuam se çfarë po thoshte. Por, pastaj pamë se ai në dorë mbante si trofe një palë brekë të bardha gocash.

Menjëherë në klasë ra qetësia. As miza nuk dëgjohej. Veç një ngashërimë e mbytur qarjeje.

Shoku ynë ngeli pak i habitur që trofeu i tij nuk po sillte ofshama lavdërimesh. Sytë i shndrisnin si maçok, faqet i kishte të skuqura si pllakë plitke me korrent, na shihte me mburrje dhe me pak hutim sikur donte të thoshte:

“Si nuk e kuptoni, për të parën herë kam hequr një palë brekë!”

Sot e kuptoj se çfarë i kishte ndodhur. Ai ishte eksituar nga shprehja që sapo kishte thënë dhe nga veprimi që kishte bërë. Ja hoqaaaaaa!

Më vjen për të qeshur sot sepse kujtoj që atëherë te cepi i murit të shkollës mësimet popullore të seksologjisë na i jepte falas horri i lagjes Qenan K. Nuk i bënim në mësim. Ai na rrëfente lloj-lloj historish seksi dhe gjithmonë i mbaronte ato me fjalinë: “Pastaj i hoqa brekët!!!”

Kjo shprehje ishte fundi i historisë që linte të kuptoheshin të gjitha. Por si duket shoku ynë ishte fiksuar te ai veprim dhe te ajo fjalë që i zëvendësonte të gjithë qëllimin e libidos të tij.

Ajo fjali ishte përmbyllja e dëshirës të tij seksuale.

Prandaj kur bërtiti: “Ja hoqa brekët”, ai ishte në ekstazë, sytë i perëndonte dhe koka i tundej nën pulsione të çuditshme.

Nuk dukej fare në vete, ishte i tjetërsuar, dukej si somnambul.

Të gjithë u ulën në bangat e tyre. Ajo ngjarje ishte krejt jashtë parashikimit dhe skenarit të lojës. Por, miku ynë e kishte bërë.

Dëgjohej vetëm e qara e asaj vajzës të bukur bjonde, me një lëkurë të zbehtë dhe me sy të bojëkaftë, bjondja pa brekë, që s’e kam parë më kurrë pas mbarimit të atij viti shkollor.

Qante.

Më pas mësuesi e sqaroi çështjen, prindërit e leshverdhës u ankuan sigurisht, vajzës së tyre i kishin hequr brekët në bangon e fundit të klasës, në pushimin e vogël, nuk bëhej shakà atëherë me këto gjëra…

Mikun tim e përjashtuan një vit nga shkolla, e që atëherë jeta e tij morri drejtim tjetër, edhe pas katër a pesë dekadash gjitha u përcaktua nga ai veprim, nga ajo dorë e ngritur lart, nga ajo thirrmë plot seks, duf, e triumf:

“Ja hoqaaaaaaaa… !!!”

Hyri në shkollë profesionale, por edhe atje sigurisht që nuk e gjeti veten. E shihnin me sy të keq, si pervers, si përdhunues, si seksoman, si i sëmurë seksual. Nuk e duroi këtë trajtim, e la edhe atë shkollë, u fut në punë në gurore…

Atje nisi pijen dhe rruga e tij kur nuk mori dot drejtim tjetër. Nofkat që i kishin vendosur nga një çast i vetëm, nga një veprim i vetëm, e ndoqën pas, nuk e lanë të ngrejë kokë në jetë, dhe sot kur e shoh që rrëshqet rrugëve i dehur, i shkatërruar, paksa çakërqejf, që flet para e mbrapa ç’i shkrepet, më kujtohet ajo ditë, ora 11 e 23 minuta që i ndryshoi rrjedhën e jetës.

Ndofta ai e ka harruar.

Kështu mund t’i ndodhi kujtdo, si edhe një shteti, një partie, një parlamenti, kujtdo… pa përjashtim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency