Rritja e çmimeve, faji i tregtarëve apo i politikës së re fiskale?

0
188

Ervin Kaduku

 

Rezulton se që nga shtatori, kur u mor vesh për rritjen e akcizave dhe taksave, ka filluar importi masiv i disa mallrave bazë të konsumit. Çfarë bëri qeveria “Rama” për të frenuar këtë fenomen?

 

industria-e-veshjeveDitët e fundit po zbulohet se, me të marrë vesh ndryshimet e planifikuara nga qeveria “Rama” për taksat kryesore, bizneset kanë nxituar të shtojnë importin, para se këto taksa të hynin në fuqi. Kështu, importet e disa mallrave kryesore të akcizës kanë shënuar një rritje të fortë në muajin tetor, kohë kur filloi të diskutohej për rritjen e taksave të tyre. Tetori është muaji i fundit kur të dhënat nga Doganat janë të disponueshme.

 

Karburantet

Importet e karburanteve ishin 45 mijë tonë në tetor, sipas Doganave, me një rritje prej 25% në raport me një muaj më parë dhe duke shënuar nivelin më të lartë mujor përgjatë gjithë 2013-ës (rreth 24% më e lartë se mesatarja mujore për periudhën janar-shtator). Në 1 janar hyri në fuqi taksa e re e qarkullimit, që u rrit me 10 lekë për litër nga 7 në 17 lekë për litër si për benzinën ashtu dhe për naftën. Kjo taksë u reflektua në çmim që në javën e parë të janarit, ndonëse operatorët e naftës po shesin kryesisht rezervat e tyre.

 

Cigaret

E ndjeshme është dhe rritja e importeve të cigareve, që arritën në 410 tonë në tetor, duke qenë gati dyfish më të larta se mesatarja mujore e 9 mujorit. Nga 1 janari, akciza e cigareve u rrit nga 70 në 90 lekë për paketë, që u shoqërua menjëherë me shtrenjtimin e çmimeve, me 20-50 lekë për litër.

 

 

Dhjetori

Ndërkohë, në muajin dhjetor u importuan rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa i njëjti muaj i një viti më parë. Kjo sasi është zhdoganuar me taksat e vjetra për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmimet e rritura, nën pretekstin e taksave të reja. Ndërsa, tek cigaret abuzimi ka qenë edhe më i fortë. Të dhënat tregojnë se vetëm në muajin dhjetor grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75 për qind. Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekë, por që në treg po iu shiten qytetarëve me çmimet e rritura nën argumentin e taksës së re.
Kështu, vetëm për këtë muaj, shmangia e taksave përmes kësaj forme shkon në mbi 2.4 milionë dollarë dhe disa herë më shumë nëse llogaritet për tre muajt e fundit së bashku. Por ky nuk është abuzimi i vetëm. Tregtarët i kanë rritur çmimet e cigareve në treg deri në dy herë më shumë se shtesa e taksave dhe madje kjo rritje ka filluar disa muaj përpara se taksat e reja të hynin në fuqi. Kjo e çon abuzimin në miliona dollarë, të cilat duhet të përfundonin në buxhetin e shtetit për t’i lejuar qeverisë të shpenzonte më shumë për spitalet apo mjedisin, por që në të vërtetë kanë shkuar si përfitime abuzive tek grosistët që kontrollojnë tregjet.

 

Paaftësi apo mospërfillje?

Edhe sipas vetë përfaqësuesve të biznesit, subjektet duket se kanë gjetur shpikjen e radhës për t’i shpëtuar përkohësisht rritjes së taksave, duke importuar sasi të shumta malli ende pa hyrë në fuqi ligjet. Këto ligje të paketës, sipas kreut të Konfindustrisë, do të rritin evazionin fiskal, duke e dëmtuar më shumë shtetin. Gjergj Buxhuku deklaroi dje se në muajt të vijim shteti do të hasë vështirësi në mbledhjen e të ardhurave. Biznesi e vlerëson të vështirë vitin 2014. Për Buxhukun kjo situatë e rritjes së taksave do të bjerë si faturë në kurriz të qytetarëve të ndershëm.

Konfindustria ka kundërshtuar paketën fiskale, pasi rritja e taksave dhe tatimeve për kategoritë e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë, do të ishte me pasoja të rënda për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë kombëtare.

Lind pyetja: Kur administrata fiskale e di se gjithnjë ka ndodhur deformim i tregut në rastet kur priten ndryshime drastike të sistemit të taksave në vend, qeveria është treguar e pavëmendshme për të marrë opinionin e saj, është treguar mospërfillëse për rreziqet që mund të lindnin nga një gjë e tillë, apo thjesht është treguar “e panxënë” në fushën financiare? Në të gjitha opsionet e mundshme të përgjigjeve për një pyetje të tillë, ajo duhet të stigmatizohet si përgjegjëse për çka ndodh në treg.

Ja një sinjal që p.sh. nuk mund të neglizhohej (por u neglizhua).

 

Sinjalet e Konkurrencës

Që në mes të vitit të kaluar, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të nenit 28 të ligjit 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, ka realizuar një monitorim në tregun e karburanteve. Qëllimi i monitorimit në tregun e karburanteve ka qenë evidentimi i ndryshimeve në strukturën e tregut të karburanteve, diesel 10 ppm dhe benzinë, ecuria e çmimeve në treg për të parë nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës si pasojë e mundësisë së koordinimit të sjelljes në treg dhe/ose abuzimit me pozitën dominuese(në rast të ekzistencës) të një ose disa (dominancë kolektive) ndërmarrjeve aktive në tregun përkatës.

Treguesit e përqendrimit në tregun e importit të benzinës paraqiten në nivelin më të lartë të një tregu mesatarisht të përqendruar (800-1800) me një rritje krahasuar me vitet e kaluara. Gjithashtu rritje paraqesin edhe treguesit e përqendrimit për tre dhe pesë konkurrentët kryesorë, e cila është si pasojë e rritjes së pjesës së tregut të tri ndërmarrjeve më të mëdha në treg.

Çmimi i importit të dieselit dhe benzinës ka pasur vlerën më të ulët gjatë muajit maj 2013 me trend rritës për muajt në vazhdim, por këto ulje nuk janë reflektuar në çmimet në tregun e pakicës. Nga analiza e të dhënave mbi volumin dhe çmimin e shitjes me shumicë të karburanteve për vitin 2012, u vu re se nga analiza e çmimit të shitjes ne stacionet me logon e tyre, këto çmime kanë pasur ulje dhe ngritje, por trendi i ndryshimit të çmimeve për tre ndërmarrje kryesore është i njëjtë. Kjo vërehet veçanërisht që pas muajit maj 2012, çka mund të ngrejë dyshimin për një marrëveshje në vendosjen e çmimit.

 

“Hakmerret” tregu

Pra, Konkurrenca tregon qartë se ekziston një marrëveshje e heshtur, po aq sa e paligjshme, në tregun e karburanteve, ku operatorët më të mëdhenj të vendit merren vesh për çmimet, importet, ndarjen e tregut. Si pasojë e mungesës së një “paraprite” qeveritare për të përballuar efektet e një marrëveshjeje të tillë edhe në rastin e rritjes së taksës së qarkullimit mbi karburantet, që në ditët e para të muajit janar konsumatorët u ndeshën me rritjen e çmimit të karburanteve në pikat e shitjes, ndërsa rritje të çmimit po reflektojnë dhe një sërë sektorësh të tjerë të lidhur drejtpërdrejt ose indirekt me karburantet, si ushqimet, transporti, etj. Për importuesit e karburanteve, rritja e çmimit të naftës dhe benzinës është pasojë e hyrjes në fuqi të paketës fiskale, në të cilën parashikohet rritja me 10 lekë e akcizës. Importuesit shpjegojnë se rezervat e karburanteve që krijohen sipas ligjit, ruhen në depozitat doganore të pazhdoganuara. Si rrjedhim, në momentin që nafta apo benzina zhdoganohet, paguhet me çmimin e ri dhe rritja reflektohet menjëherë në treg. Sipas tyre zhdoganimet e reja kanë nisur që në datën 1 janar dhe për këtë arsye efekti është ndjerë ditët e fundit nga konsumatorët. Aktualisht në pikat e karburanteve në kryeqytet, çmimi i naftës luhatet nga 183 deri në 193 lekë për litër, ndërsa benzina shitet nga 187 deri në 199 lekë për litër. Por tendencat janë për të kaluar mbi kuotën e 200 lekëve për litër. Kjo ndikohet edhe nga rritja tendenciale e çmimit ndërkombëtar të nënprodukteve të naftës, që ndodh zakonisht në stinën dimërore në hemisferën veriore të globit.

Nga ana tjetër, duket e habitshme euforia quasi-fëminore e drejtores së përgjithshme të Doganave Spiropali, e cila, duke e ditur shumë mirë se rezultatet në rritje të zhdoganimeve vijnë si pasojë e makinacioneve të kompanive kryesore të akcizës, shpalli me bujë shifra “gjigante” në të ardhurat e institucionit që drejton gjatë dhjetorit.

 

Kush është fajtori?

Në fakt, kjo nuk është aspak rrjedhë e një pune më të mirë të bërë nga Doganat, por në të kundërt, një defekt i punës së gjithë sektorit të Financave publike shqiptare. Këto janë nanurisur me prurje më të mëdha arkëtimi, por, nga njëra anë, kanë humbur qindra milionë euro që do të fitoheshin me taksat e reja – të cilat u shmangën – dhe, nga ana tjetër, qeveria do të përballet me një zemërim në rritje nga ana e konsumatorëve, që preken nga kjo rritje e çmimeve që në hapat e para të implementimit të rregullave të reja fiskale.

Ta quash çoroditjen aktuale të tregut si një defekt fëminor të një qeverie të re do të ishte e tepërt, pasi në të ka edhe ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë me përvojë pune. Meritat apo kritikat i merr gjithnjë ai që harton një politikë të caktuar. Tani është madje tepër vonë për krijimin e task-forcave që do të kontrollojnë tregun, pasi, siç u tha më sipër, deformimet kanë nisur shumë kohë më parë, pikërisht që kur erdhi në pushtet mazhoranca e re.

Në këtë rast, fillimi i saj duket se ka qenë me këmbën e gabuar, të paktën në aspektin financiar…

 

 

 

 

Qeveria merr 190 milionë euro borxh në tregun e brendshëm

Për të përballuar pagat e pensionet, qeveria i është drejtuar që ditët e para të këtij viti borxhit publik. Por, pas disa javësh, kur financat u vunë në vështirësi për të siguruar shumën e nevojshme për borxh të ri apo shlyerjes së borxhit të vjetër, përmes shitjeve të letrave me vlerë, disa e djeshme ka qëlluar më me fat. Banka e Shqipërisë ka arritur që të shesë për llogari të Ministrisë së Financave 26.6 miliardë lekë bono thesari 12 dhe 6 mujore, pothuajse të gjithë shumën e planifikuar, ndërkohë që interesat shënuan një ulje të lehtë, pasi dy ankandesh radhazi ku ato i ishin kthyer tendencës rritëse, vetëm për bonot 12-mujore, ndërsa për ato 6 mujore vijuan tendencën rritëse.

Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 10.6 miliardë lekë, nga të cilat gati 2 miliardë lekë i takonin Bankës së Shqipërisë. Shuma e kërkuara ishte 12.1 miliardë lekë dhe ajo e pranuar 10.9 miliardë lekë. Interesi mesatar zbriti lehtë në 3.83%, nga 3.84% në ankandin e mëparshëm.
Për bonot 6 mujore, financat kishin nxjerrë në shitje 16.1 miliardë lekë, nga të cilat 14.8 miliardë lekë i takonin Bankës së Shqipërisë. Shuma e kërkuar ishte 15.9 miliardë lekë dhe ajo e pranuar 15.8 mld lekë. Interesi mesatar u rrit në 3.71%, nga 3.69% në ankandin e mëparshëm.

Ndërkohë, në ankandin e parë të fillimvitit, zhvilluar të hënën, nga 4 miliardë lekë obligacione, u shit vetëm 28% e shumës.
Në ankandin e zhvilluar në 6 janar, Financat kishin nxjerrë në shitje përmes Bankës së Shqipërisë 4 miliardë lekë obligacione fikse 3 vjeçarë. Sipas rezultateve të ankandit, shuma e kërkuar ishte vetëm 1.23 miliardë lekë, nga e cila u pranuan 1.13 miliardë lekë, duke bërë që financat të marrin vetëm 28% të shumës së kërkuar. Për shkak të mungesës së kërkesës, interesi (kuponi) u rrit, duke arritur në 5.68%, nga 5.45% që ishte kuponi indikativ.

Në muajin e fundit të 2013-ës, financat u përballën me vështirësi në sigurimin e të gjithë shumës që u duhej si për borxh të ri, apo për të rifinancuar borxhin e vjetër, çka bëri që interesat të fillonin rritjen, pas një viti ku tendenca kishte qenë rënëse.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency