Përfundon “periudha e mjaltit” e administratës fiskale

0
177

Ervin Kaduku

drejtoria e tatimeveNdonëse të ardhurat në total për 7-mujorin u rritën me rreth 11% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2014, duke qenë 1.5% më larta se plani, performanca e tatimeve e doganave rezulton në rënie, sipas të dhënave më të detajuara, të publikuara nga Ministria e Financave. Në total, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 1.5 miliardë lekë apo 1.1% më pak se plani, kryesisht e mbledhjes më pak se parashikimi të tatimfitimit, akcizës dhe taksës nacionale (që ishin përkatësisht 6.8, 16.6% dhe 10.2% më pak se plani).

Mungesa e këtyre të ardhurave në buxhet u kompensua kryesisht nga zëri më i lartë i të ardhurave jotatimore, që ishin rreth 1.9 miliardë lekë më shumë se plani për periudhën në fjalë.

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, Ddoganat mblodhën 82 miliardë lekë të ardhura për periudhën janar-korrik (më TVSH-në që zuri 66% të totalit), ndërsa tatimet 96.6 miliardë lekë, duke përfshirë dhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet. Në total, për 7-mujorin, doganat ishin 1.1% më pak se plani, si rrjedhojë e të ardhurave më pak se plani nga akciza (-16.6%) dhe renta (-15.6%). Tatimet mblodhën 0.8% më pak se plani, si rrjedhojë e performancës së dobët të tatim fitimi (6.8% më pak se plani) dhe taksave nacionale (-8.4%).

Vetëm për korrikun, të dhënat tregojnë se doganat kanë mbledhur 38% më pak se plani nga renta, ndërsa tatimet performancën më të keqe në korrik e kishin me TVSH-në, 23.4% më pak se plani.

 

“Lojërat” e Doganës

Të çudit fakti që, pavarësisht nga këto shifra zhgënjyese, vijojnë të raportohen “suksese” të paqena. Kështu, administrata doganore në muajin gusht 2014 deklaron se “arrin një ndër shifrat më të larta në vite dhe më të lartën në vitin 2014, duke arkëtuar 14,7 miliardë lekë ose 2,25 miliardë lekë (22 milionë USD) më shumë se gushti i vitit 2013”.

Po le të ndalemi në një prej mallrave të akcizës, për të kuptuar se këtu po manipulohet me shifrat. Sipas Doganave, në muajin gusht 2014 u zhdoganuan 344.17 tonë cigare, përkundrejt 302.20 tonë të zhdoganuara në muajin gusht të vitit paraardhës, me një rritje prej 13.9%. Por, INSTAT-i raporton se teksa ligji i ri antiduhan ka hyrë në fuqi, importet e cigareve për periudhën janar-korrik të këtij viti kanë rezultuar vetëm 1.435 tonë, duke shënuar nivelin më të ulët për periudhën në fjalë që nga viti 2001. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet e këtij produkti janë tkurrur me 18%.

Së pari, importuesit nxituan të mbushnin me sa më shumë cigare magazinat e tyre në dhjetor, në pritje të hyrjes në fuqi të taksës së rritur. Kjo bëri që në janar dhe shkurt 2014, mbërritjet e këtij produkti në dogana të ishin minimale (në janar u importuan vetëm 66 tonë, nga 565 tonë në dhjetor 2013. Së dyti, rritja e vazhdueshme e çmimeve të një pakete po ndikon në frenimin e vesin të konsumit të duhanit. Viti më i mbarë ka qenë 2006-ta, kur janë importuar gati 3.000 tonë cigare për 7-mujorin. Ku është suksesi? Cilave shifrave duhet t’u besojmë??

 

Eksportet nisin “rrudhjen”

Ndërkohë, eksportet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e zgjerimit për periudhën janar-korrik 2014, duke zbritur për herë të parë gjatë këtij viti në rritje njëshifrore. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT-i, në fund të shtatëmujorit 2014, eksportet arritën në rreth 153 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7.6% me bazë vjetore. Për gjashtëmujorin, rritja vjetore ishte 10.3%, ndërsa për katërmujorin, 11.2%.

Sipas statistikave, eksportet e “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 54.3 miliardë lekë për periudhën janar-korrik, duke përshpejtuar ritmet e rënies dhe duke u tkurrur me 7% me bazë vjetore (për gjashtëmujorin rënia ishte 3.3%). Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, që tregton naftën bruto, ka pohuar se për gjashtëmujorin e parë 2014 kanë rritur eksportet me 20% me bazë vjetore. Tkurrja e këtij grupi duket se ka ardhur nga energjia, si rrjedhojë e motit të thatë dhe frenimit të shitjeve të kromit.

Ky grup po shfaq ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-ta, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 41% në korrik 2013, në 35% në korrik 2014.

Sipas INSTAT-it, në muajin korrik 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 5,7% në krahasim me korrikun 2013. Kjo është rënia e tyre e parë në shkallë vjetore që prej shumë vitesh rritjeje të pandalshme. Por, edhe si 7-mujor ritmi i rritjes së tyre ka rënë dy herë në vlerë krahasuar me një vit më parë. Rënie më të madhe vjetore në korrik ka pasur në eksportet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 32,1%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 25,0% dhe “Prodhime druri dhe letre” me 19,3%. Rritje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” me 17,3%.

 

Probleme në ekonominë e Eurozonës

Rritja e sektorit të prodhimit në Eurozonë u ngadalësua lehtë gjatë gushtit, krahasuar me një muaj më parë, pasi porositë e reja shënuan rënie dhe fabrikat kanë vuajtur mes tensionit në rritje në Ukrainë. Këto të dhëna kanë zhvlerësuar edhe më tej monedhën e përbashkët evropiane, euro, që rreth mesditës të së hënës këmbehej me 1.3140 dollarë, niveli më i ulët që nga shtatori i 2013-ës. Fabrikat rritën lehtë çmimet gjatë muajit të kaluar, ndërsa aktiviteti i prodhimit në Francë ra me ritmin më të shpejtë në 15 muajt e fundit, një lajm zhgënjyes për Bankën Qendrore Evropiane, në prag të takimit të së enjtes, ku do të përcaktohet edhe politika e re monetare. Indeksi i Markit për sektorin e prodhimin rezultoi në 50.7 pikë për gushtin nga 51.8 që ishte në korrik. Analistët parashikonin një rënie deri në 50.8 pikë.

Por megjithatë, ky indeks po qëndron për të 14-in muaj me radhë mbi nivelin e 50 pikëve, që ndan rritjen nga kontraktimi. “Efekti i frenimit të kompanive po bëhet më i dukshëm për shkak të rritjes së pasigurive ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës”, – deklaroi Rob Dobson, ekonomist i lartë i Markit. Tensioni midis Rusisë dhe Ukrainës është përshkallëzuar në ditët e fundit dhe kërcënon të dëmtojë rimëkëmbjen e brishtë të rajonit.

Indeksi që mat aktivitetin e fabrikave në Gjermani, partneri më i madh tregtar i Rusisë ndër vendet e tjera të Bashkimin Evropian, ra në 51.4 pikë, niveli më i ulët në 11 muaj. Ndërsa në ekonominë e dytë më të madhe të bllokut ky indeks ra në 46.9 pikë. Në këtë situatë të vështirë, fokusi do të jetë i përqendruar tek mbledhja e Bankës Qendrore Evropiane. Analistët mendojnë se Instituti i Frankfurtit do të prezantojë një program të lehtësimit sasior, mbase duke filluar nga muaji Mars, për të parandaluar deflacionin dhe të mbështesë rritjen ekonomike në Eurozonë.

E njëjta tendencë e prodhimit ka rezultuar edhe në Britaninë e Madhe. Indeksi PMI i Markit ra në nivelin më të ulët në 14 muajt e fundit për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe kërkesës së dobët nga Eurozona. Indeksi që mat prodhimin ra në 52.5 pikë gjatë Gushtit, nga 54.8 që ishte në Korrik. Për këtë arsye në fokusin e tregjeve do të jetë edhe takimi i Bankës së Anglisë, pasi së fundmi 2 nga 9 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Anglisë kanë kërkuar rritjen e normës bazë të interesit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency