Komisioni parlamentar miraton me konsensus huanë e BERZH-it

0
166

Ervin Kaduku

komisioniKostoja e përgjithshme e projektit Drin-Bunë dhe Seman është 45 milionë dollarë nga të cilat 40 milionë dollarë financohen nga IBRD-ja dhe 5 milionë dollarë janë grant i qeverisë suedeze

 

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën me konsensus marrëveshjen e huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes. Sipas drejtorit për tokat bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Irfan Tarelli, projekti i burimeve ujore dhe ujitjes i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore ka si objektiv kryesor përcaktimin e kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujor në rrafsh kombëtar dhe në basenët e lumenjve Drin-Bunë dhe Seman si dhe të përmirësojë performancën e sistemeve të ujitjes në zonën e projektit. “Nëpërmjet tij synohen të adresohen përparësi të rëndësishme të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, si një faktori i domosdoshëm për zhvillimin aktual e perspektiv të bujqësisë në vend”, – tha Tarelli.

Drejtori i menaxhimit të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave, Gentian Opre, tha se kostoja e përgjithshme e projektit është 45 milionë dollarë nga të cilat 40 milionë dollarë financohen nga IBRD-ja dhe 5 milionë dollarë janë grant i qeverisë suedeze. Kjo hua do të përdoret për rehabilitimin e digave dhe sistemeve të ujitjes dhe kullimit . Parashikohet rehabilitimi dhe modernizimi i 14 digave të rezervuarëve, të cilat janë përzgjedhur nëpërmjet një analize të hollësishme përfshirë problemet evidente të sigurisë dhe rëndësinë e burimit ujor për ujitjen e kulturave bujqësore. Po kështu do të rehabilitohen skemat ujitëse përkatëse që furnizohen me ujë nga këta rezervuare dhe mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 35 mijë ha tokë bujqësore. Pjesa më e madhe e tyre shtrihen në zonën më intensive të bujqësisë, Lushnjë-Fier-Berat-Korçë.
Një ndër shqetësimet e opozitës që u ngrit gjatë debatit në Komision ishte menaxhimi i digave pasi shpesh fermerët penalizohen nga kultivuesit e peshkut në rezervuarët e digave. Këta të fundit nuk lejojnë fermerët të përdorin ujin për vaditje, pasi u dëmtohet prodhimi i tyre. Por, përfaqësuesi i MBUMK-së Tarelli theksoi se kjo është një ndër çështjet e mirëpërcaktuara në marrëveshjen që kemi me Ministrinë e Mjedisit. Një gjë e tillë, tha ai, nuk mund të lejohet, por ka të bëjë me menaxhimin konkret që duhet verifikuar.

 

Banka e Detit të Zi, ndryshojnë rregullat

 

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi po dje edhe projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së themelimit të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB). Bordi i Guvernatorëve të BSTDB-së me anë të adoptimit të rezolutës ka vendosur ndryshimin e disa dispozitave të marrëveshjes së themelimit të Bankës që ka të bëjë me unifikimin e monedhës. Nevoja për unifikimin e monedhës, pasi kjo bankë ka përdorur SRD-në si monedhë, solli kërkesën për ndryshimin e marrëveshjes themeluese.
Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim është themeluar si rezultat i nismës gjeopolitike për bashkëpunim rajonal të vendeve përreth Detit të Zi dhe disa vendeve fqinje të tyre. Banka është krijuar me kapital të autorizuar nga vendet pjesëmarrëse dhe ka filluar operacionet në vitin 1999. Vendet anëtare të Bankës janë Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina.

 

 

Ulet kostoja e borxhit të brendshëm të qeverisë

Tregu financiar ju përgjigj dje uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë me një ulje edhe të interesit mesatar të Bonove të Thesarit. Ashtu siç ka ndodhur historikisht në ankandin e parë pas uljes së normës bazë, interesat e borxhit publik afatshkurtër, ranë edhe këtë herë. Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 6.42%, nga 6.53% që kishte qenë interesi në ankandin e fundit të zhvilluar në muajin janar 2013.

Interesat lëvizën në të njëjtin kah edhe për bonot me maturim 6-mujor, që u emetuan me një mesatare të ponderuar interesi prej 6%, nga 6.08% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Ankandet e sotme ishin testi i parë për transmetimin e normës bazë jashtë tregut ndërbankar dhe rezultati ishte pozitiv.

Megjithatë, reagimi në ankandet e para është shndërruar në një lloj inercie apo reagimi automatik të tregut. Transmetimi i uljes së normës bazë do të shihet gjatë muajve të ardhshëm, si në tregun e financimit të borxhit publik, por mbi të gjitha në tregun e kredisë. Për momentin, kërkesa për financim në tregun e brendshëm duket e përmbajtur, por ajo pritet që të rritet në muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, kërkesa e dobët për kredi dhe shtrëngimi i standardeve të huadhënies për sektorin privat, favorizojnë investimet në titujt e borxhit publik.

 

Dhoma e Tregtisë përshëndet heqjen e TVSH-së për makineritë

Biznesi ka përshëndetur nismat e qeverisë për heqjen e TVSH-së për makineritë por kërkon kujdes në përcaktimin e përfituesve nga heqja e tatimeve mbi pagat për të rinjtë që punësohen për herë të parë. Sipas kreut të Dhomës së tregtisë dhe Industrisë në Tiranë Nikolin Jaka këto masa i vijnë në ndihmë biznesit në këto moment krize.

Ndërsa për sa u përket premtimeve të mazhorancës dhe opozitës për bizneset kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kërkon më shumë konsultime me grupet e interesit. Gjatë ditëve të ardhshme Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do të paraqesë një listë me disa prej kërkesave më urgjente të biznesit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency