Halil Sherif Pasha dhe marrëdhënia e shqiptarëve me nudon

0
218

Eleni Laperi

 

 

Një gazetar nga vendlindja e piktorit do të shkruante për ‘Gjumin’: ‘Tabloja e bujshme nuk ishte pranuar në asnjë ekspozitë, po Kurbè ia shiti një diplomati turk. Tani piktori po pikturon një tjetër tablo si ajo dhe nuk është nevoja të themi se është po aq e pacipë sa e para. Po fundja për një turk është!’ Fjala ishte për ‘Origjinën e botës’

 

22 tetor Gustave_Courbet_-_Sleeping_Nude_-_Google_Art_ProjectPara disa ditësh, në një ekspozitë në Tiranë, një vajzë e vogël, ndoshta në klasën e dytë, i ra me shishen e ujit një shoqes së saj, që ishte shkëputur nga grupi i klasës e kishte ndaluar e habitur para pikturës së një gruaje nudo. Mësuesja iu afrua e i pyeti çfarë kishin dhe vajza me shishe i tha: ‘Ja kjo po shikon këtë!’ Dhe m’u kujtua piktura ‘Origjina e botës’, pronari i saj i parë, diplomati otoman me origjinë shqiptare Halil Sherif Pasha dhe komentet e disa autorëve shqiptarë që e lidhin këtë histori me krenarinë dhe me raportin e shqiptarëve me artin.

Kur tabloja ‘Origjina e botës’ e Gustav Kurbè, piktorit realist francez të shekullit të 19-të, e cila paraqet seksin e një femre, u rigjet dhe u ekspozua, duke ngjallur polemika të mëdha, një mikja ime franceze mëmë pyeti në se njihej në Shqipëri Halil Sherif Pasha. Atëherë shfletova mjaft materiale, për të njohur e kuptuar personazhin, i cili u bë i famshëm si porositësi i pikturës shumë të përfolur – edhe në fillimin e shekullit të 19-të, kur Gustav Kurbè ia shiti Halil Pashës, edhe në fundin e shekullit të 20-të, kur u rigjet e u diskutua në duhej ekspozuar apo jo. Si studim për trupin e njeriut tabloja nuk paraqet asnjë çudi, po si tablo për të zbukuruar një ambient familjar është e pazakontë edhe për shijet e kohës sonë. ‘Origjina e botës’ për disa ishte pikturuar enkas sipas porosisë së Halil Pashës, për disa të tjerë është pjesë e prerë nga një tablo, për të cilën ka pozuar modelja dhe mikja e Kurbèsë, Joana Hifernan. Pjesa e tablosë me kokën e modeles pretendohet se është gjetur së fundmi nga një blerës në një galeri të Parisit dhe është vërtetuar nga analizat e kanavacës dhe nga mënyra e pikturimit. Zhurma në shtypin francez dhe mbivlerësimi i kësaj pikture ndoshta është më shumë komerciale, lidhet me nevojën për të patur publik për një pikturë, ashtu si shfrytëzohen për fitime me tepëri skenat erotike në filmat e sotëm. Ndërsa shkrimet dhe komentet e autorëve shqiptarëtë botuara me mbi këtë temë – që ngrenë lart Halil Pashën me prejardhje shqiptare për ‘kurajon’ e padëgjuar të tij (e cila u mungonte edhe parizianëve) dhe ulin poshtë publikun shqiptar për raportin e tij me artin -kanë të përbashkët sindromën e qytetarëve të një shteti të vogël.

Personazhi i Halil Sherif Pashës është më i ndërlikuar e më interesant, se sa një përcaktim i bërë me qëllimin për të forcuar ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve apo për të qortuar mungesën e ‘kurajos’ përpara një vepre të tillë. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar nuk fitojnë asgjë nga këto përcaktime të pabaza, pasi po të njohësh mirë faktet e kësaj ndodhie, tek personazhi kryesor nuk gjen as guxim, as ndikimin e origjinës shqiptare në shijet e zgjedhjet e tij, as krenari për origjinën shqiptare (pasi ai vetë ‘atdhe’ quante Egjiptin).

Halil Sherif Pasha u lind në Soyut të Egjiptit të Sipërm (atëherë pjesë e Perandorisë Osmane) në qershor të vitit 1831 në familjen e Muhamed Sherifit Pashës, një shqiptar i lindur në Kavala (sot qytet në Greqi). Muhamed Pasha ishte bir i adoptuar i Muhamed Ali Pashës, sundimtarit me origjinë shqiptare të Egjiptit, i cili e mori Muhamedin nga Kavala, e adoptoi, e edukoi bashkë me djemtë e tij dhe e bëri kapiten të ushtrisë egjiptiane të Perandorisë Osmane. Djali i Muhamed Sherifit, Halili, u rrit në një mjedis, ku shkriheshin detyrimi për të qenë pjesë e Perandorisë Osmane dhe dëshira për të pranuar ndikimin e madh të evropianëve perëndimorë, që tashmë e njihnin dhe e frekuentonin Egjiptin, falë edhe ekspeditave të Napoleon Bonapartit. Edhe vetë Muhamed Ali Pasha nuk vishej sipas stilit të oborrit perandorak të Stambollit, po mbante uniformë ushtarake, sipas stilit anglez. Kur Halili u rrit, i ati e dërgoi atë dhe dy vëllezërit e tij, Aliun e Osmanin, të studionin në shkollën ushtarake egjiptiane në Paris, shkollë e ngritur nga vetë sundimtari Muhamed Ali në 1844. Sipas Deniz Turker, që ka studiuar karrierën diplomatike dhe zhvillimin e idealeve egalitariste dhe reformuese të Halilit, Parisi u bë qendra e viteve të formimit të tij. Me lëvizjet nëpër kryeqendrat e Evropës së shekullit të 19-të ai u bë një shembull i faktit se sa i papërcaktuar mund të ishte identiteti mashkullor i kohës. I edukuar si evropian me mbështetjen e vetë Muhamed Aliut, Halili u përgatit për të ringjallur sipas rregullave të sjelljes perëndimore strukturën shoqërore të Egjiptit të degraduar. Në1848, moshën 19 vjeç ai u kthye në Kajro, ku u emërua sekretar i dytë i nënmbretit Abas Ali, djali konservator i Muhamed Aliut, i cili në 1849 e mbylli shkollën egjiptiane ushtarake të Parisit. Në vitin 1855 në fuqi si nënmbret erdhi Said Pasha, i cili iu rikthye marrëdhënieve me Francën. Halili u dërgua si komisar i posaçëm në Ekspozitën e parë Ndërkombëtare të po atij viti në Paris, ku për herë të parë pa veprat e rrymës realiste në sallonin e artit të ekspozitës. Më 1856, duke qënë se aftësitë dhe edukimi e dallonin midis elitës osmane, Halili hyri në shërbimin diplomatik, madje u dërgua si anëtar i delegacionit fuqiplotë, që përfaqësonte Perandorinë Osmane në bisedimet ruso-turke pas Luftës së Krimesë, u emërua ambasador i Perandorisë Osmane në Athinë, e më vonë ambasador në Shën Petërburg, ku ishte edhe një nga muzetë më të mëdhenj të botës, i themeluar në 1764 nga Katerina e Madhe dhe i hapur për publikun në 1852. Atje diplomati i ri, i edukuar në Paris, në një shkollë ku tre herë në javë mësonin nga dy orë vizatim, shkroi një artikull me titull ‘Historia e mbretërve të lashtë të Egjiptit’, në bashkëpunim me Xhemil Beun, ambasadorin osman në Paris, i cili u botua në gazetën e shoqatës shkencore osmane. Pas katër viteve Halil Pasha u largua nga Shën Petërburgu: disa shkruajnë se ai nuk e duroi gjatë klimën e ftohtë të Rusisë, disa thonë se ai mori sifilizin nga prostitutat ruse. Fakt është që ai dha dorëheqjen nga diplomacia dhe në 1865 shkoi të kalonte ca kohë në Paris, mbasi atje kishte mundësi kurimi. Po atë vit Halilit i vdiq i ati, duke i lënë një pasuri të madhe. Paskëtaj ai mori me qira një apartament të shtrenjtë në rrugën “Taitbout” dhe nisi një jetë luksoze të shfrenuar prej bohemi pasanik. Djaloshi bukurosh e me kulturë u integrua shpejt në jetën e shoqërisë së lartë parisiene. Sipas Teofil Gotie ishte ‘biri i parë i Islamit, që hyri në rrethet elitare të Perandorisë së Dytë’, ku e quanin ‘princ i përrallave orientale… që mbeti turk për nga bujaria dorëshpuar, nga tërheqja pas grave e kumarit, por u bë parizian për nga mendjemprehtësia, eleganca dhe dashuria për teatrin dhe artet’; por thoshin edhe se ishte ‘njeri i edukuar, por imoral e mendjelehtë’. Halil Sherif Pasha u martua me fisniken franceze Juli dë Niverli, me të cilën pati një vajzë, Leilën (që më vonë u quajt Suzan Sherif). Shpejt stili i tij i jetesës e hodhi në krahët e Zhanë dë Turbei, që kish qenë e dashura e princit Napoleon, kushëririt të perandorit Napoleoni III. Në sallonin e saj, në rrugën e Arkadisë ai njohu mjaft personalitete të aristokracisë e kulturës së kohës. Në tre vite ai shpenzoi shuma të mëdha për të blerë piktura dhe krijoi një koleksion të madh me rreth 180 vepra me vlerë, që u cilësua si nga më misteriozët e shekullit të 19-të, për shkak të temave që trajtonin tablotë e grumbulluara prej tij. Ndër veprat e koleksionit ishin edhe mjaft piktura të autorëve të mëdhenj francezë: Kurbè, Engr, Delakrua, Mësonie, Dobinji, Koro, Ruso, etj.

Jeta e shkujdesur, me gra e kumar, i solli shpejt fundin pasurisë së tij të madhe dhe martesës (ndoshta edhe sepse konceptet e osmanit Halil Pasha për jetën e gruan nuk ishin aq të pranueshme për një katolike fisnike franceze). Në 1868 Julia kërkoi divorcin. Halil Pasha u detyrua ta shiste koleksionin e tij të veprave të artit. Ai iu kthye diplomacisë, u dërgua ambasador në Vjenë, ku qëndroi dy vite, pastaju kthye përsëri në Stamboll. Në 1874 u martua me princeshën Nazli Fazl, nga dinastia e Muhamed Ali Pashës së Egjiptit dhe 1877 u dërgua ambasador në Parisin e tij të dashur, po ndenji atje vetëm gati gjashtë muaj, se u sëmur. Edhe martesa e tij e dytë nuk zgjati, ndoshta sepse edhe një grua myslimane si princesha Nazli, nuk e duronte jetën aq të shthurur të tij. Nazliu kthye në Kajro, pranë familjes së saj. Ajo u bë një nga gratë e para që ringjalli traditën e salloneve letrare në botën arabe. Në pallatin e saj në Kajro nga viti 1880 e deri ditën që vdiq organizoheshin pritje me pjesëmarrjen e figurave më të ndritura të qytetit. Ndërsa Halil Pasha u kthye në Stamboll, ku vdiq në janar 1879, nga një goditje në tru, sipas disa burimeve; nga sifilizi, që kishte marrë në Rusi, sipas disa të tjerëve.

‘Kur dashamirësit e artit të shohin disa prej kryeveprave të pikturës në Luvër, në Pëti Pale apo në ndonjë muze tjetër, do të kujtojnë edhe njeriun, në dhomat e të cilit ato vepra vareshin dikur’, shkroi shtypi francez, kur u mësua për kë u krijua tabloja ‘Origjina e botës’. Ndërsa vetë Halil Sherif Pasha, kur i shiti të gjitha pikturat e koleksionit të tij, tha: ‘Jeta është e çuditshme. Gratë më kanë mashtruar, kumari më la trokë, po pikturat më bënë përsëri me para’.

Cilat ishin gratë, që e mashtruan Halil Beun? Ndoshta e kishte fjalën për bashkëshorten e tij, ndoshta për marrëdhëniet me prostitutat në Rusi e gjetkë. Po më e famshmja patjetër ishte Mari-An Dëturbei, apo Zhanë dë Turbei, si e quajti ajo veten. Zhana ishte nga Reimsi, nga një familje e varfër e me shumë fëmijë. Ajo e la qytetin e saj e u vendos në Paris, ku me bukurinë e zgjuarsinë e saj ia mori mendjen në fillim Mark Furnies, drejtorit të teatrit “Port-Sen-Martë”, të cilin e shkatërroi. Më pas ajo u bë e dashura e princit Napoleon, kushëri i perandorit Napoleoni III, i cili i dha një apartament në një rrugë afër bulevardit “Shanz Elize”, ku ajo priste gjithë ajkën e letrarëve të Parisit. Natyrisht pasuria e beut ‘turk’, që shpenzonte bujarisht me të dy duart, nuk mund të mos e tërhiqte bukuroshen e shthurur (siç e quanin në Paris), që kalonte nga një burrë te tjetri, duke ruajtur shoqërinë me të gjithë. Në sallonin e saj ai njohu kritikun letrar Sharl Ogystë Sen-Bëv, i cili kishte për detyrë të gdhendte shijet e zonjushës Zhanë. Sen-Bëvishtei pari që e prezantoi Halilin me piktorin Gustav Kurbè dhe e njohu me tregtarin e artit Pol Dyran Ryel, admirues i artistëve të shkollës së Barbizonit, me të cilën qe i lidhur Kurbè. Sepse Halil Pasha ishte njeri i edukuar e me shije, po për studiuesit ai nuk ishte njohës i veprave të artit dhe për blerjen e pikturave, ashtu si të tjerët, ai u ndihmua nga tregtarët profesionistë të tyre.

Gustav Kurbè ishte piktori që ndryshoi historinë e pikturës së Evropës. Ai quhej ‘provincial’ prej parizianëve. Vinte nga një qytet i vogël i mesit të Francës në mes të shoqërisë së sofistikuar të Parisit, ku binte më shumë në sy origjina e tij ‘prej katundari’. Në atë kohë artistët akademikë po përballeshin me transformimet shoqërore të Perandorisë së Dytë, periudhë që lidhej me lindjen e kulturës së masave dhe solli në Paris njerëz të rinj e ide të reja, si dhe subjekte pikante e mjaft të diskutueshme në art. Kurbè ishte një prej atyre njerëzve. Deri në mesin e shekullit të 19-të piktura evropiane trajtonte vetëm temat historike, biblike, mitologjike, apo alegorike. Kurbè deklaroi se edhe jeta e përditshme, qoftë ajo e njerëzve të thjeshtë, meritonte tablo realiste me përmasa të mëdha, pasi edhe ajo ishte histori. Kjo mënyrë e re e të pikturuarit dhe temat e veprave të tij ishin provokative në atë mjedis ende të pamësuar me artin, ku personazhet ishin të marra nga jeta e përditshme. Krijimtaria e tij i solli jo pak probleme. Në 1863 ai pikturoi tablonë ‘Kthimi nga konferenca’, që paraqiste disa priftërinj, duke u kthyer nga një konferencë ekleziaste, ku me sa duket kishin ngrënë mirë e ishin dehur. Tabloja u quajt një fyerje ndaj fesë dhe moralit dhe askush nuk pranoi ta ekspozonte. Atëherë ai e vari në atelienë e tij në rrugën Otfëj, përballë derës së hapur, duke tërhequr interesin e turmës, e cila vinte për të parë pikturën ‘e mallkuar’. Piktura u ble nga dikush dhe më pas u shkatërrua, apo u dogj. Po atë fat pati edhe tabloja ‘Venusi dhe Psike’, që më shumë të kujtonte një çift lesbikesh sesa personazhet mitologjike. Meqë tabloja u quajt e paturpshme, për ekspozitën e Sallonit Kurbè e titulloi ‘Studim i trupit të gruas’.

Halil Beu e pa tablonë kur vizitoi për herë të parë studion e Kurbèsë dhe deshi ta blinte, po tabloja i ishte shitur dikujt tjetër. Atëherë Halil Pasha mori tablonë ‘Gjumi’, ku janë pikturuar dy gra nudo në çastet e çlodhjes pas orgjisë. Halili bleu disa vepra prej Kurbèsë, si: ‘Gjumi’, ‘Nudo që lahet’, ‘Brakonierët’ etj. Për tablotë ‘Gjumi’ të Kurbèsë dhe për tablonë ‘Banja turke’ të Engrit, të dyja vepra të koleksionit të Halilit, Bodleri do të thoshte se në ato vepra ‘autorët nuk i linin fare vend fantazisë’. Ndërsa një gazetar nga vendlindja e piktorit do të shkruante për ‘Gjumin’: ‘tabloja e bujshme nuk ishte pranuar në asnjë ekspozitë, po Kurbè ia shiti një diplomati turk. Tani piktori po pikturon një tjetër tablo si ajo dhe nuk është nevoja të themi se është po aq e pacipë sa e para. Po fundja për një turk është!’ Fjala ishte për ‘Origjinën e Botës’.

Po çfarë donte të thoshte atëherë për një evropian ‘të qenët turk’ dhe pse ata nuk habiteshin me shijen e Halil Beut? Halil Beu ishte një kozmopolitan, i formuar nga jetesa në Paris, Kajro e Stamboll. Për Kuame Antoni Apiah, një filozof anglo-amerikan, një patriot kozmopolitan është ai, që dëfrehet me mundësitë që i jep një botë, ku në themel secili është i lidhur me shtëpinë e tij, me veçoritë e tij kulturore, po kënaqet edhe nga prania e të tjerëve, që për shtëpi kanë vende të tjera, që vijnë nga popuj të tjerë’. Por Apiah është një filozof bashkëkohor. Për një parizian të shekullit të 19-të, ashtu si për udhëtarët evropianë në Orientin e fillimit të shekullit të 18-të, historitë me hareme, odaliska, eunukë e sodomi ishin të çuditshme e të papranueshme. Konceptet e seksit dhe të gjinive në Perandorinë Bizantine nuk kishin qenë aq të ndryshme nga ato që mbizotëronin në Perandorinë Osmane të fillimit të shekullit të 19-të, por në fundin e shekullit të 15-të dhe në fillim të shekullit të 16-të në Evropë nisi të zhvillohet një moral seksual i ri, konservator.

Prandaj evropianët tmerroheshin prej historive mbi seksin e papërmbajtur e të korruptuar, që udhëtarët sillnin me rrëfimet e botuara për Perandorinë Osmane.

Ato histori kishin personazhe kryesore pjesëtarët e elitës dhe të oborrit perandorak. Edhe Xhevdet Pasha, një klerik osman, ekspert ligjor dhe reformator i famshëm i shekullit të 19-të i përshkruan në kujtimet e tij këto praktika seksuale të elitës osmane, duke thënë se deri vonë seksi midis gjinive të njëjta ishte mjaft i përhapur në gjirin e elitës osmane, duke përfshirë edhe sulltanin e vezirin e madh. Vetëm kur u njohën me talljet e të huajve, ata e lanë mënjanë këtë praktikë e nisën të shkojnë pas grave.

Sipas Enciklopedisë së Perandorisë Osmane, në kulmin e lavdisë së perandorisë, klasat e larta ndanin një koncept të ndërlikuar mbi seksin. Ky koncept ishte formuar nga disa njohuri mbi mjekësinë. Në përputhje me ato njohuri ishte përpunuar edhe përcaktimi mbi burrat dhe gratë, ligji ngrinte rregullat e tij dhe veprat në letërsi, poezi dhe artet e performuara i merrnin për bazë.

Qasja nga ana profesionale mjekësore e seksualitetit bëhej sipas konceptit se trupi ishte një hallkë në zinxhirin e qenies, i bazuar në katër elemente: ajri, uji, toka dhe zjarri. Duke e konceptuar kështu rregullin universal, për ta burri dhe gruaja ishin virtualisht e njëjta qenie dhe ndryshonin vetëm nga shkalla e zhvillimit. Gruaja nuk shihej si një seks i ndryshëm nga burri, po si një variant i papërsosur i burrit, i pazhvilluar plotësisht. Me ligj ndalohej tradhtia dhe incesti, po marrëdhëniet midis sekseve të njëjtë nuk quheshin të panatyrshme. Një tjetër pasojë e këtij supozimi mjekësor ishte se seksi i një njeriu nuk ishte i pandryshueshëm. Besohej se në rrethana të caktuara mund të kapërcehej kufiri seksual. Duke qenë se praktikimi i fesë dhe kulturës kërkonte një ndarje të qartë të sekseve, në xhami, në banjot dhe në sferat publike kërkoheshin shenja të qarta të përkatësisë seksuale. Burrat e gratë duhej të qëndronin brenda kufijve të tyre seksualë me anë të shenjave të qarta, të tilla si: kodet e veshjes, mbulesë, mjekra dhe veçimi hapësinor. Studiuesit e kulturës islame pohojnë se në shumë rrethe dashuria midis të njëjtit seks (sidomos midis më të vjetërve me më të rinjtë) perceptohej si më i pastër. Seksi midis grave njihej e përmendej ndonjëherë, po injorohej nga të gjithë shkruesit e perandorisë, deri në shekullin e 19-të. Preferenca për marrëdhëniet erotike midis burrave ndiheshin qartë në rrethet mistike të sufive. Në shekullin e 17-të grupet fanatike arritën ta ndryshonin këtë tendencë të sufive, të cilat u quajtën si mbeturina të së kaluarës primitive. Oborri perandorak e rindërtoi traditën, për ta paraqitur seksin dhe seksualitetin osman si besnik të zakoneve të rrepta. Sufitë nisën të ishin të kujdesshëm në diskutimin e këtyre praktikave të cilësuara të mbrapshta, por ato vijuan në fshehtësi deri edhe në vendet e Lindjes së Mesme.

Ngritja e qytetërimit islam është e lidhur ngushtë më filozofinë islame të sufive. Përhapja e sufizmit është quajtur si një faktor vendimtar në përhapjen e islamit dhe në tërësinë e krijimit të kulturave islame. Poetët sufi si Rumiu dhe Atari i Nishapurit e përhapën kulturën islame nga Anadolli në Azinë Qendrore dhe Azinë Jugore. Halil Sherif Pasha ishte rritur në një mjedis mysliman të kulturës sufi. Kur bleu tablonë ‘Origjina e botës’, ai nuk pati aspak qëllimin të thyente ndonjë rregull moral, sepse tabloja nuk u ekspozua në asnjë nga dhomat e shtëpisë së tij. Ajo u kyç në një dollap në studion e tij, e mbuluar me një copë të gjelbër dhe vetëm rrallë i zbulohej ndonjë vizitori mik të pashait. Pashai ishte një bej otoman me pasuri të madhe, i hijshëm e i shthurur, si oriental e si bohem parizian në të njëjtën kohë, të cilit gërshetimi i kulturës evropiane të kohës së ‘Luleve të së keqes’ të Bodlerit me kulturën Sufi i kishte formuar shijen për të bukurën dhe seksin. Pashai i hijshëm nuk mendoi fare se po tregohej i guximshëm, kur bleu tablonë, që paraqiste në plan të parë seksin e një gruaje. Aq më pak mendoi ai për vendin e origjinës së prindërve të tij apo për qëndrimet e shqiptarëve ndaj moralit. Gjesti i tij ishte i pashpjegueshëm dhe shprehje e një guximi të marrë për evropianët, ndërsa për pashain ishte thjesht plotësimi i një dëshire erotike të shfrenuar, e cila ishte pjesë e moralit me të cilin ishte ushqyer gjatë jetës së tij në shoqërinë e lartë osmane, që në fund i mori edhe jetën në moshën 48-vjeçare. Kjo bëhet e thjeshtë dhe fare e kuptueshme, kur njohim rrënjët e moralit dhe kulturës së tij.

Sot vepra ‘Origjina e botës’ është e ekspozuar në muzeun “Orsei” në Paris, ku të duket mjaft normale të shohësh vepra të tilla, ashtu si nuk të habisin skicat e Rembrandit me gra që bëjnë çiçin. Në vitin 1994 pikturën e bleu në një ankand për 1.5 milionë franga psikanalisti i njohur francez Zhak Lakan. Ai e vari atë në shtëpinë e tij të fshatit, por edhe pse një kozmopolitan i shekullit të 20-të, edhe pse një filozof perëndimor, Lakan nuk mundi ta mbante të zbuluar në shtëpi pikturën e një seksi gruaje. Ai i kërkoi piktorit Andre Maso t’i bënte një kornizë të dyfishtë e të vendoste mbi të një pikturë tjetër. Mason i pikturoi variantin surrealist të ‘Origjinës së botës’.

Sa më shumë udhëton, aq më mirë e kupton se nuk ka popuj me më shumë vlera e popuj e më pak vlera. Secili popull në mënyrën e vet të mahnit, kur di të gjesh të veçantën, që e dallon nga të tjerët. Marrëdhënia e shqiptarëve me artin, ashtu si marrëdhënia me artin e çdo populli mbi dhè, përcaktohet nga pozicioni gjeografik i vendit, nga morali dhe kultura, që mbizotëron në periudha të ndryshme, nga kushtet ekonomike, dhe regjimet politike. Nëse shqiptarët do jetonin në pyjet tropikale të ishujve Andaman apo në Holandë, askujt nuk do t’i shkonte ndërmend të tallej me lakuriqësinë e kryetarit të fisit/grupit kundërshtar. Po shqiptarët jetojnë në Ballkan, në kushte gjeografike të ndryshme nga ato të ishujve Adaman apo të Holandës, midis popujve italianë, sllavë e grekë, nën rregullat e mbivendosura morale të besimit kristian e mysliman.

Në tokën tonë kanë shkelur që nga vikingët, grekët, romakët, turqit, francezët, austriakët, anglezët, italianët, bullgarët, serbët, deri edhe rusët e kinezët. Secili prej tyre ka lënë e ka marrë fjalë e ka ndikuar në mënyrën e jetesës e të besimit. Me fqinjët shqiptari ndan fjalë, zakone e gojëdhëna. Ashtu si të gjithë popujt e botës, ai e ka dashur dhe e do të bukurën, edhe në formën e përshkrimit të një trupi të zhveshur, gjë që e gjejmë me shumicë që në folklorin shqiptar (Të jeshë, moj, të jeshë/ të jeshë dot murtajë / dijë u, moj, dijë u /dijë u se ç’do të hajë/shalë gushë e sisë me majë). Kur ishim studentë në Institutin e Arteve, profesori i pikturës, Sali Shijaku, na tregoi një histori për plakat tiranase të mëhallës së tij, që u dyndën të pinin kafe me nondajën e tij, sapo njëra pa pikturën e një gruaje nudo të varur në krye të dhomës së oxhakut. Pasi pinin kafenë, ato dilnin duke shkulur faqet e duke pëshpëritur ‘qyqa, qyqa!’, por ktheheshin përsëri e përsëri të ‘pinin kafe me nudo’. Ato zonja të thjeshta, të moshuara, në mënyrë instinktive i tërhiqte e bukura e modeluar nga artisti në formën e trupit të zhveshur të një gruaje dhe ndjeheshin mirë në prani të saj.

Prandaj mendoj se nuk ka pse të kërkojmë vlera të kombit tonë atje ku nuk janë, në vend që të prodhojmë vlera e t’i gjejmë vlerat tona atje ku i kemi, në vend që të zbulojmë e të mbështesim prodhuesit e vlerave të vërteta shqiptare, sidomos këtu në Shqipëri.

 

 

Surealizëm mbi “Origjina e botës”, e bleu psikanalisti Lakan pikturën e porositur të shqiptarit

 

Sot vepra ‘Origjina e botës’ është e ekspozuar në muzeun “Orsei” në Paris, ku të duket mjaft normale të shohësh vepra të tilla, ashtu si nuk të habisin skicat e Rembrandit me gra që bëjnë çiçin. Në vitin 1994 pikturën e bleu në një ankand për 1.5 milion franga psikanalisti i njohur francez Zhak Lakan. Ai e vari atë në shtëpinë e tij të fshatit, por edhe pse një kozmopolitan i shekullit të 20-të, edhe pse një filozof perëndimor, Lakan nuk mundi ta mbante të zbuluar në shtëpi pikturën e një seksi gruaje. Ai i kërkoi piktorit Andre Maso t’i bënte një kornizë të dyfishtë e të vendoste mbi të një pikturë tjetër. Mason i pikturoi variantin surrealist të ‘Origjinës së botës’.

 

 

Info/kult

 

150 albanologë në Prishtinë

Në Prishtinë ka nisur konferenca shkencore ndërkombëtare “Java e Albanologjisë” në të cilën po marrin pjesë rreth 150 studiues-albanologë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Turqia. Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe në të bëhet prezantimi i rezultateve njëvjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.

Me rastin e hapjes së kësaj ngjarjeje, drejtori i Instituti Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, deklaroi se kultura si tërësi e arritjeve të përgjithshme dhe historia si tërësi e fakteve e ngjarjeve janë dy përbërësit identitar në jetën e secilit komb.

“Këto dy dimensione të veçantisë kombëtare i ka edhe kombi ynë shqiptar. Pavarësisht kontekstit kulturor që është tejet plural si rezultat i ekzistimit ndërmjet prurjeve të orientit dhe aksidentit janë ruajtur shenjat kryesore të identitetit të kulturës shqiptare, ndonëse metamorfozave të shpeshta historike të gadishullit ballkanik, e kaluara e shqiptarëve ka lënë gjurmë të qarta të ekzistencës koherente në këtë hapësirë”, – ka pohuar para të pranishmëve drejtori Matoshi.

Valter Memisha, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, ka deklaruar se kjo konferencë përkon me 60-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik dhe se tashmë është institucionalizuar si veprimtari e punës shkencore.

“Tematikat në këtë vit jubilar janë përzgjedhur me kujdes dhe lidhen me tregimet kryesore të punonjësve shkencor të degëve që mbulojnë institutin si dhe me sfidat me të cilat përballet sot shkenca albanologjike. Duke parë arritjet e vlerësuara të Institutit Albanologjik të Prishtinës, të realizuara në rrugëtimin 50-vjeçar që mishërojnë hartimin e qindra veprave të plota apo të mijëra artikujve, për të argumentuar shkencërisht vazhdimësinë historike të shqiptarëve në këto troje, për të mbrojtur homogjenitetin e pandalshmërinë e tyre si komb edhe pse historia i ndau në gjashtë shtete, kjo konferencë do t’i kurorëzojë me suksese këto punime”, – ka thënë Memisha.

Në ditën e parë të konferencës me kumtesa janë paraqitur një varg studiuesish të degës së gjuhësisë shqipe si akademik Jani Thomai, Emil Lafe, Shefkije Islamaj, Xhevat Loshi, Tomor Osmani, Valter Memisha, Ragip Mulaku dhe disa të tjerë, të cilët kanë trajtuar temën “Shqipja në rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike”. Paralelisht me këtë po mbahet edhe seancat në fushën e folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.

Në ditën e dytë të konferencës studiuesit e letërsisë do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën “Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore”, ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria, tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do ti shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”. Sipas organizatorëve, në fund të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, do të botohen të gjitha kumtesat të cilat do të jenë në dispozicion të opinionit të gjerë.

 

Nga urbanistika e Tiranës, Arta Dollani e komanduar në krye të IMK-së

Prej ditës së djeshme, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka në krye drejtuesin e ri, Arta Dollani. Largimi i Apollon Baçes që mbante postin prej kohësh, është lajmëruar ditë më parë, i dorëhequr. Dollani vjen nga përvoja urbanistike në Bashkinë e Tiranës në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë. Në krye të Monumenteve, Dollani do të përballet me sfida, së pari ligjore, ku ende mbetet një nga pikat më të dobëta funksionimi strukturor hallkave menaxhuese nga qendra në bazë, për monumentet. Nga ana tjetër, shumë monumente, një listë e gjatë e deklaruar prej kohësh, presin investime emergjente. Ky është një kalim i shpejtë i një situate mbi monumentet të cilat do të çlirohen në momentin e zbatimit të ligjit. Nëse do të ekzistojë vullneti politik për këtë, dhe jo show siç po mbushen këto ditë mediat, në të kundërtën kjo do të shndërrohet në një bumerang kulturor.

Por të gjitha këto rrëzohen kur mësojmë se Dollani është veçse një drejtoreshë e komanduar, deri në shpalljen e një konkursi dhe zgjedhjen e drejtuesit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency