Dy fotografë shkodranë në Vlorë

0
375

Qerim Vrioni

Gra me shkarpa-foto Maca (Ark.P.Stefa)

Dihet se Shkodra dhe Korça janë dy qëndrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare.  Prej këtej, po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtrave fotografë, ajo u përhap dhe në qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se  italiani Pietro Marubbi, nga vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të fotografisë shqiptare.

Për shkrimin e mëposhtëm, duhet të falenderoj dhe miqtë e mij, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj për ndihmesën e tyre.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se, Kol Maca, mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas studjuesit nga Shkodra, Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar mjeshtërinë e fotografimit në ateljen e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka shërbyer si  çirak për disa kohë. Gjithashtu, studjuesi i sipërpërmendur shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (ateljenë) e tij për fotografim në qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin 1921.. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej “Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të, emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e vazhdueshme, ende nuk dijmë shumë gjera. Autori i këtyre rradhëve ka gjetur në Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera”(Milano). Artikulli i parë titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e costumi albanesi”(maj 1908). Artikujt e mësipërmë kanë të bëjnë vetëm me Botën Shqiptare. Ata janë shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike, shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto, me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajten e tyre.

Gjithsesi, Kol Maca, në studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë të shkurtër ai ka qënë dhe fotograf zyrtar i Oborit Mbretëror. Kol Maca ishte  dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet e 25 Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.

Në Arkivin Qëndror Shtetëror, ndër të tjera është gjetur një fotografi e tij që paraqet një pjesë nga ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit në atdhe më 12 shkurt 1919. Sipas një shkrimi të atij viti (“Varrimi i Ismail Qemal Vlonës”-“Kuvendi”-Romë, 10 mars 1919), që shoqërohet me këtë foto, kjo është realizuar gjatë homazheve në tregun e madh të Vlorës. Aty, në prani të shumë qytetarëve, të parisë dhe autoriteteve italiane të pushtimit, kanë mbajtur fjalë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, atdhetarë të shquar, firmëtarë të Dokumentit të Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Në foto shihet duke folur Qazim Kokoshi, ndërsa poshtë tij dallohet Jani Minga e pas tij dy nga tre djemtë pjesëmarrës të Plakut të Vlorës, Et’hem dhe Qazim Vlora, i treti, Qamil Vlora nuk është kapur nga objektivi i aparatit. Pas fjalimeve, arkmorti i mbuluar nga Flamuri Kombëtar dhe i shoqëruar nga mijra vetë u drejtua për në fshatin Kaninë, në vendvarrimet e familjes Vlora. Për funeralin e Ismail Qemalit, atë ditë, poeti dhe Kryetari i atëhershëm i Bashkisë Ali Asllani, ka shkruar një elegji shumë të ndjerë që mbyllet me vargjet “Emr’i tija i vërtetë; Është Nëntor njëzet’e tetë“.

Maca, natyrisht atë ditë mund të ketë kryer dhe shkrepje të tjera, gjë fare e zakonshme edhe sot për fotografët në ngjarje të veçanta, por deri tani janë pa autorësi të përcaktuar.

Foto tjetër e Kol Macës që tregon lidhjet e tij me Vlorën, është një portret në këmbë i  Ali Asllanit. Duket si fotografi zyrtare edhe pse është në këmbë. Ajo mban poshtë saj me shkrim dore emrin  “Ali Asllani”, që mund të jetë i tij ose i fotografit. Ka të ngjarë që shkrepja të jetë bërë rreth vitit 1920 dhe shoqërohet me vulën e dyqanit të tij në Shkodër, po kjo nuk do të thotë se me patjetër, është fotografuar atje. Në qytetin verior, Maca ka bërë shtypjen në letër të fotos, të cilën mund ta ketë realizuar dhe në Vlorë.

Kol Maca, ashtu si parardhësit e shquar të Fotografisë Shqiptare, Pjetër e Kel Marubi, Kol Idromeno, Kristaq Sotiri, nuk ka qënë mospërfillës ndaj varfërisë karakteristike të shqiptarëve, shoqëruese e trishtë e tyre deri nga fundi i shekullit të kaluar. Kështu, ai fotografoi në Vlorë, më 1916 tri femra, dy të ngarkuara me shkarpa dhe të tretën të ulur. Veshja e tyre është e fshatrave përreth qytetit, çka mund të tregoj se ato banojnë aty, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë dalë për t’i shitur. Në foto bie në sy veçanërisht pamja e vajzës, sidomos shikimi i saj. Fotografia, natyrisht nuk ka qënë e porositur e aq më pak e paguar, por e nxitur nga bota shirtërore e fotografit e prekur nga skamja (gratë zëvendësojnë kafshët e ngarkesës). Kjo foto, siç kuptohet, tregon se Maca, ka lënë mënjanë rutinën me foto në studio, për të kapur pamje nga jeta e përditëshme në qytet e rrethina. Shumë foto të realizuara nga Kol Maca në atë kohë janë shumëfishuar e shpërndarë edhe si kartolina postare.

Shkodrani tjetër, Gjon Rrota (Shkodër, 1893-Vlorë,1931), që mbahet ndër fotografët e  parë shqiptarë në Vlorë, ishte vëllai i piktorit të njohur Simon Rrota, që kishte studjuar në Itali (Brera, Milano). Në ateljen (dyqanin) e tij fotografike në qytetin bregdetar, ai, punonte kryesisht për komunitetin e qëndrës dhe rrethinave. Gjithashtu në Vlorë, Gjon Rrota u martua me një vajzë nga Fieri nga familja e njohur atdhetare, Kilica (Athina), me të cilën pati vetëm një djalë, Xhorxhin. Edhe ky u muarr me fotografi në Tiranë më tepër për popullatën (Foto Skenderbeu-vitet ’50-’60).

Si shumë mjeshtra të aparatit me studio vetjake edhe Gjon Rrota, fotografoi ngjarje të ndryshme, politike, shoqërore, fetare, shpesh të paporositura, por për kënaqësin e tij vetjake. Në to shpërfaqet ndjesia e tij ndaj të bukurës, kjo sidomos në peizazhe. Një set fotosh të Gjon Rrotës i përket shkollës së parë shqipe të Vlorës, “Shkollës Plotore”, quhej në atë kohë (më vonë u emërtua “Shkolla Nr.1”, tani “28 Nëntori”). Atëhere, viti shkollor 1926-27, drejtor i shkollës ishte bashkëqytetari shkodran i fotografit, Gani Dizdari. Fotot paraqesin pamje nga veprimtari të ndryshme të nxënësve, por edhe gjithe trupin pedagogjik bashkë me ta  para ndërtesës së shkollës. Në to, bie në sy ndër të tjera, qëndrimi dhe veshja e rregulltë e nxënësve, përveç atyre të mësuesve.

Gjon Rrota ka bashkëpunuar ngushtë dhe me bibliofilin, fotografin dhe botuesin e njohur vlonjat, Ibrahim Shyti. Ky i ka botuar dhe shpëndarë disa foto të kthyera në kartolina postare. Një nga këto është edhe peizazhi i qytetit i vitit 1928, fotografuar nga veriu (diku poshtë Qafës së Topit). Objektivi i aparatit të Rrotës ka kapur pjesën kryesore të qytetit, rrugën për në Skelë, Ujin e Ftohtë, detin e deri tek Karaburuni në sfond. Fotoja ka vlera njohëse, por flet dhe për aftësitë piktorike të fotografit gjatë kuadrimit të pamjeve.

Dy fotografi të tjera të Gjon Rrotës, të cilat u shtypën edhe si kartolina, paraqesin pamjen e Sheshit të Flamurit dhe portin e Skelës. Ato mund të futen në “peizazhet urbane” dhe  sot mbartin  shumë vlera dokumentare dhe historike.

E para, që i përket vitit 1919, është marrë nga poshtë kodrës së “Kuzbaba-së” paraqet “Sheshin e Flamurit”, “Sarajet e Vlorajve” të rrethuara me mur e pemë, para prishjes së tyre dhe në krah të saj, “Shtëpija Sharrajve”. Atëhere, ato ishin ndërtesat kryesore të qëndrës së Vlorës. Në banesën e Familjes Vlora (Shtëpia e Xhemil Vlorës) u mbajt më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Historik, ku Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ajo u shkatërua edhe nga mospërdorimi gjatë Monarkisë, tjetra (Shtëpia e Sharrajve) u prish me shpërthim me dinamit gjatë periudhës së komunizmit (vitet ’80) për të ndërtuar një hotel që kohët e fundit pritet të përurohet. Të dyja hyjnë në listën e gjatë të ndërtimeve (banesa, objekte shoqërore e fetare, ura etj) me vlera historike, që sot nuk gjënden të cilat  përbëjnë atë që quhet “Shqipëria e Humbur”, duke përdorur shprehjen nostalgjike (njëkohësisht qortuese)  të krijuar nga publicistit i njohur Ylli Polovina.

Fotoja e dytë është realizuar në portin e Vlorës në vitin 1927, pranë doganës së atëhershme. Fotografi Rrota e ka shkrepur aparatin nga moli nr.1 (këtë emër ka dhe sot), i ndërtuar (sipas një fotoje të Kel Marubit), përpara vitit 1908 nga autoritetet turke të qytetit. Në vitin 1927, shteti shqiptar dhe tregtarët vendas kishin kohë që kishin nisur marrëdhëniet e shumta me jashtë, eksportonin prodhime bujqësore dhe minerare dhe sillnin mallra industriale, kryesisht nga Italia. Në ballë të fotos duket ndërtesa e asaj kohe e kapitenerisë së portit, ndërsa tutje me vështirësi dallohet Dykatëshja e Qeverisë së Ismail Qemalit, mbështetur në një ndërtesë tjeter që sot nuk është më. Në sheshin para  duken mallra të ndryshme në pritje të lëvizjes së tyre.

Një foto që pasqyron një çast nga pritja në Vlorë e Motrave të Mbretit Zog, është gjetur në AQSH, me autorësi “Foto Rrota”. Ato paraqiten duke zbritur nga makinat para Bashkisë (sot Muzeu Historik), ku shihet roja e nderit, autoritetet dhe banorë të shumtë. Aty u pritën me nderime dhe nga Kryetari i Bashkisë, poeti Ali Asllani. Në sfond të fotos duket ish-xhamija e Tabakëve (shembur më 1967) dhe djathtas, ish-hoteli i kinezëve. Fotoja është e vendosur në një kornizë të mirë kartoni. Dihet se ajo vizitë është e vitit 1937, kohë kur fotografi Gjon Rrota kishte gjashtë vjet që ishte ndarë nga jeta. Nga vula eliptike në kornizë dallohet vetëm pjesa e sipërme, “Fotografia Rrota”. Edhe i biri i fotografit, Xhorxhi, mendojmë se nuk ishte në moshë  për të realizuar foton, kështu mund të hamendësohet autorësia e Ibrahim Shytit, gjë që pret vërtetim dokumentar.

Fotografitë e mësipërme futen edhe në gjinitë e fotografisë dokumentare dhe  historike, mjaft të rëndësishme për studime të shumëllojta. Historianë, kërkues të fushave të ndryshme, si dhe njerëz të tjerë kureshtarë për të shkuarën e vendit, mund të gjejnë,  tek fotografia dokumentaro-historike, një burim të veçantë e të pagabueshëm njohurish, madje jo vetëm pamore. Në të përfshihen dhe fotot e dy shkodranëve, Kol Maca e Gjon Rrota, të cilët kanë fotografuar me dashuri në Vlorë gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të kaluar duke lënë për brezat shenja (foto) të vlefshme historike mbi jetën politike e shoqërore, si dhe për natyrën dhe arkitekturën e qytetit të Flamurit.

*Studiues, shkrimi është botuar në gazetën “Dielli”

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency