Kujt ia ndien për listat e hapura?!

0
120

Nga Ergys Mërtiri

 

Pranimin e Ramës dhe Bashës për hapje të listave në zgjedhje, mbështetësit e kësaj kauze e brohoritën si një fitore të tyre.

Ata e panë këtë si një sukses të përpjekjes së tyre për t’iu mponuar palëve, gjë që natyrisht ka qenë e paimagjinueshme. Ç’ndodhi në fakt? A ndodhi vërtet “mrekullia”? Mbrojtësit e listave të hapura kanë propaganduar fort se hapja e tyre do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm për ndryshimin e plotë të sistemit politik, i cili do të transformojë vendin. Ata thonë se listat e hapura do të eliminojnë deputetët pa integritet, duke bërë që Parlamenti të mos kontrollohet më nga kryetarët, por nga populli. Kjo, sipas tyre, është arsyeja përse ata kanë frikë ta pranojnë këtë nismë. Sepse me lista të hapura ata humbin pushtetin e tyre, ndaj edhe bëjnë gjithçka për ta penguar.

Në fakt, e vërteta është se listat e hapura, sado që mund ta komplikojnë disi vendimmarrjen politike, nuk janë hall i askujt dhe me të drejtë. Ato nuk ua heqin pushtetin kryetarëve për t’ia dhënë popullit. Përkundrazi, ato vetëm rrisin pushtetin e biznesmenëve dhe të fortëve, të cilët, me këtë sistem, iu duhet të blejnë vota tashmë, jo më thjesht për partitë, por edhe për kandidatë të caktuar në garën e brendshme brenda vetë partisë. Ky sistem thjesht do të rrisë koncesionet që kryetarët do të duhet t’u japin atyre.

Ajo çfarë e risolli tashmë në vëmendje këtë debat nuk qëndron aspak te presioni publik, por te hilet, me të cilat Rama kërkon të mbijetojë. Thelbi qëndron te koalicionet. Rama është gati t’i hapë listat, vetëm të eliminojë mundësinë që opozita të shkojë në zgjedhje e bashkuar, duke maksimalizuar votën e saj. Të gjithë e dimë se nëse do të kishte koalicione, Rama nuk do të kish fituar dot as në zgjedhjet e 2017-s. Mungesa e koalicioneve mund të bëjë që opozita të humbë nga një mandat në çdo qark dhe, në një zero sum game, siç është politika, çfarë e humb opozita, e fiton qeveria. Ajo do të fitonte kështu, me një të rënë të lapsit, ndoshta rreth 10 mandate qyl.

Eliminimi i koalicioneve tashmë është fija e vetme e shpresës për mbijetesë që kjo qeveri sheh. Hapja e listës, për Ramën është vetëm një alibi, për të realizuar djallëzinë e vet (eliminimin e koalicioneve) dhe pranimi i tyre më pas nga Basha është një mënyrë për t’ia rrëzuar atij këtë alibi. Fakti që listat u pranuan kaq lehtësisht nga palët tregon se ato as trembin e as shqetësojnë njeri.

Por është e papranueshme që ata që kanë mbrojtur listat e hapura, nuk reagojnë për hilen që qëndron pas pranimit të tyre nga qeveria. Deri tani kemi parë vetëm gëzimin për fitoren e supozuar, por asnjë fjalë për ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës që po ndërmerren në emër të kauzës së tyre, gjë që përbën realisht një grusht shteti.

Nëse flasim për ndryshim sistemi, më shumë se Kodi Zgjedhor, këtë po e bën vetë Rama. Ai jo thjesht po e ndryshon, por po e rrëzon plotësisht sistemin politik shqiptar, duke ngritur autokracinë e tij nëpërmjet kapjes së shtetit, institucioneve të pavarura, gjykatave, medias, shoqërisë civile, madje edhe krīmit. Nga një demokraci e brishtë, me qeverisje përgjithësisht të këqija e të korruptuara, po shkojmë gradualisht në një formë autoritarizmi, ku pushteti ushqehet nga varfëria, spektakli politik dhe kapja e organizuar dhe centralizuar e institucioneve.

Ky është thelbi. Ëndrrat me ndërhyrje teknike në mënyrën e votimit, për të rrëzuar sisteme e ndryshuar rrjedhën e historisë se demokracisë shqiptare, mund të jenë muhabete për konsum netësh dimërore, por jo një projekt politik real.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here