Gëzim Tushi: Njeriu Individualist dhe “kufijtë” e Individit Njerëzor…

0
241

Gëzim Tushi

Besoj se zhvillimet intensive të jetës postmoderne, turbulencat e forta të shfaqjes masive të dimensionit superindividualist, fare të “pakontrolluar” të sjelljes së njeriut në shoqërinë e sotme shqiptare, me të drejtë e bëjnë të udhës debatin dhe diskutimin e raporteve të reja të krijuara midis natyrës individualiste dhe nevojës së kufijve të “individit”. Problemi është si mund të bëhet që të kemi bashkëjetesën e njeriut individualist në thelb por dhe njerëzor në të njëjtën kohë. Padyshim që ka qënë një nga revolucionet e mëdha në jetën politike e sociale të pas viteve 90-të, kohë kur shoqëria shqiptare doli nga “këneta deterministe” e sygjestionit social dhe krijoi hapësira për shfaqjen e individit si të tillë, bashkë me veçoritë e gjëndjes shpirtërore individuale. Tani është bërë plotësisht kalimi “apokaliptik” nga shoqëria totale, funksionalisht piramidale e hierarkike, në shoqërinë moderne, që edhe pse me shumë vështirësi është gjithsesi pa dimensione sociale deterministe, me sens të qartë individualist, tërësisht qytetare dhe pa strukturime klasore. Kjo do të thotë që në mënyrë të natyrshme nuk ka pse çuditemi, që natyra e shoqërisë dhe marrëdhëniet e njeriut me të janë gjithnjë e më shumë heterogjene.

Mirëpo të mësuar më të kaluarën tonë super kolektiviste duket se e kemi të vështirë të mësohemi më këtë shoqëri të re të përbërë nga njërëz jo homogjenë por të ndryshëm, të diversifikuar në ide, qëllime, synime e aspirata. Në këtë kontekst thelbi i “revolucionit” që ka ndodhur në përmbysjen e lidhjeve dhe marrëdhënieve midis shoqërisë dhe individit, në mënyrë sintetike mund të shprehet se tashmë ka marrë fund përgjithmonë epoka e errët e “njeriut tërësisht të kontrolluar” nga forca e faktorë të jashtëm. Kjo dukuri është e lidhur me faktin që tashmë shoqëria e dikurshme totalitare është duke u sfiduar nga “organizimi anonim” i jetës sociale, e cila ka në qëndër të saj individin.

Kjo do të thotë se njeriu tashmë vepron në një terren social, në të cilin jo gjithçka është e koordinuar deri ne fund nga pikëpamja e marrëdhënieve sociale të individit apo të determinimit të dimensioneve të jetës së tij private. Si asnjëherë më parë në jetën e shoqërisë shqiptare edhe pse me ca anarki e kaotizëm social, duket qartë se janë zgjeruar së tepërmi kufitë e privatësisë dhe natyrës së jetës intime të qytetarit që tashmë nuk janë më në nivele totale e totalizuese nën suzerenitetin e shoqërisë apo kontrollin mekanik të bashkësisë.

Problemet e përcaktimit të tipologjisë personale të jetës private dhe ndërtimi i natyrshëm i ndjenjës së intimitetit në kohën e lirisë dhe individualizmit nuk janë të lehta. Aq më tepër pastaj për të kombinuar këtë pjesë të jetës intime dhe private me nevojat dimensionit të qytetarit dhe natyrës së njeriut si qytetar dhe qenie publike. Në kohën tonë duket se po ndodh kalimi i njeriut tonë nga përcaktimi i dikurshëm si qënie sociale pa jetë private dhe intimitet personal, në qënie që ka theksuar jetën private, por që gjithnjë e më shumë shfaqet me dimension qytetar të dobësuar  dhe nënvlerësim të jetës publike, parimeve dhe normave të saj.  Padyshim që mungesa e veprimit të disa normave të domosdoshme sociale në shoqërinë tonë, është shpesh herë e shoqëruar edhe me vështirësitë e njeriut për të zgjidhur gjithnjë individualisht problemet e veta jetike. Kjo sepse koha postmoderne ka si parim kryesor të saj, idenë që njeriu individualist duhet të mbështetet në shpatullat e tij dhe jo të shpresoj se mund të mbështetet mbi supet e të tjerëve. Situata e detyron njeriun të jetë kurdoherë i sfiduar “përballë vetes”, gjithnjë e më pak i mbështetur nga përkatësitë dhe “referentët socialë”. Të dish të qëndrosh gjithnjë i suksesshëm “para vetes”, kjo është një sfidë madhore e modelit individualist të jetës. Edhe pse në jo pak raste kjo gjë është më shumë “fat” dhe më pak “zgjedhje individuale”. Sepse sikurse thotë sociologu Zygmund Bauman, “Individ nuk është kushdo. I tillë është ai që kontrollon fatin e tij dhe është i aftë të bëjë zgjedhjet e duhura”.

Mirëpo nga konceptimi i gabuar i këtyre raporteve, sidomos nga ndërgjëgjësimi i faktit se kush ka përgjegjësi për “fatin” individual të njeriut, “vetja” apo të “tjerët”, njerësit në përgjithësi kanë filluar të bëhen tejet egocentristë dhe tërësisht të dhënë pas famës, suksesit, parasë, qejfit, konsumit. Kjo është arsyeja pse njeriu po bëhet qënie e reduktuar sociale, për pasojë ka filluar të kënaqet me tipologjinë e ngushtë e “qenies në vetvete”. Madje, deri në nivelin e reduktuar të ekzistencës së thjeshtë vegjetative. Kjo është një mënyrë të jetuari në të cilën njeriu i lidhur, i ngërthyer pas vetes është ndarë nga tjetri dhe shoqëria, duke e bërë “un”- in e vet një qënie më vete me natyrë ekzistenciale të izoluar nga jeta qytetare. Filozofët e kohës sonë janë të shqetësuar për shtimin e këtij tipi njeriu me natyrë sociale të reduktuar, i mbyllur në guackën e vetes dhe nevojave biologjike të tij, të cilën ata e karakterizojnë si “…ekzistencë e mbrojtur dhe e veçuar për mrekulli nga çdo marrëdhenie” (E Mounier, “Personalizmi”, f 66)

Në të vërtetë është anomali jo e vogël, në se njeriu për motive të shëndosha apo patologjike tërhiqet nga “lufta personale” që zhvillohet jo vetëm me veten por dhe me të tjerët në shoqëri. Madje po të analizojmë tipologjinë e shfaqjes së “njeriut vegjetativ” që jeton brenda vetes, pa lidhje sociale e marrëdhënie me të tjerët, menjëherë do të kuptojmë se pavarësisht nivelit të plotësimit të nevojave personale biologjike apo materiale, në të gjithë rastet kjo kategori njerëzisht përbën bërthamën kryesore të njerëzve të izoluar, të vetëbraktisur. Në shoqërinë tonë po shtohen nerëzit që ngatërrojnë përmasat e hapësirës së jetës private dhe kufijve në të cilat ajo është e interferuar me jetën publike. Marrdhëniet e jetës private me atë publike nuk kanë kufij të prerë apo zona dhe territore ku ndahet jeta e fshehtë intime e njeriut nga ajo publike. Kjo pikë sot konsiderohet e vështirë për t’u gjetur dhe e paqartë për t’u përcaktuar qartë. Ky raport është delikat sepse sic thotë filozofi i Universitetit të Oksfordit David Miller “…ndryshe nga liria e jashtme, ajo e brendshme zor se mund të garantohet me ligj” (D Miller “Filozofia politike”, f 81)

Padyshim, në jetën private njeriu ka të pacënuara liritë vetjake, por ato nuk mund të jenë paradoksale dhe të pakufizuara nga rregullat qytetare dhe normat sociale të jetës publike. Edhe këto liri duan kontrolluar me anën e “frerit social” sikurse mendojne filozofët e modernitetit. Kjo do të thotë se njeriu jetën e tij private dhe natyrën e papërsëritshme të intimitetit nuk mund ta ndërtojë duke anashkaluar synimet sociale që janë qytetarisht të përligjura.  Kjo është arsyeja pse duhet të mësohemi me të vërtetën komplementare të qytetërimit modern, që në ndërtimin e jetës private dhe tipologjisë së intimitetit duhet të llogaritim edhe të drejtën e shoqërisë për të kufizuar në një farë mase të drejtën e asaj që mendon se mund të bëjë gjithkush. Liria individuale në çdo kohë do barazpeshohet edhe me vlerat e tjera me natyrë sociale. Kjo është arsyeja pse edhe filozofët më në zë të personalizmit dhe liberalizmit janë të mendimit se, ”…ajo çka nevojitet, është që ne ta çlirojmë jetën private nga mistifikimet, duke mos lejuar që ajo të bëhet një privilegj apo një mbrojtje kundër jetës shoqërore””. (E Mounier, po aty f 68)

Problemi i ndërtimit të marrëdhënieve midis natyrës së jetës private të veçantë dhe të papërsëritshme dhe statusit publik të qytetarit, është një nga çështjet që akoma nuk është zgjidhur si duhet në shoqërinë tonë. Sepse tranzicioni solli kalimin e skajshëm nga njeriu i përfshirë me zor në turmën sociale pa identitet, në një shoqëri të njerëzve me jetë private në zgjerim por duke reduktuar staturën dhe nivelin publik të statusit të qytetarit. Kjo anomali sociale ka pasojat e veta, të cilat njeriu me sa duket nuk është në gjëndje t’i kuptojë, t’i ndjejë dhe përjetojë individualisht.

Liritë themelorë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të realizohen përmes idolatrizimit të jetës private dhe plotësimit të kushteve vegjetative të jetës personale. Të gjitha ato nuk kanë vlerën e duhur pa kuptuar njeriu nevojën ekzistenciale të përcaktimit të “statusit publik”. Liritë themelore nuk sigurohen pa pjesëmarrjen e të gjithëve, pa u përfshirë në sistemet e kooperimit qytetar. Padyshim është arritje e madhe fakti që tashmë në shoqërinë shqiptare ka më shumë mundësi, për të ndërtuar raporte dhe marrëdhënie të jetës private me atë publike, sepse në thelbin e vet demokracia si hapësirë për mënyra të ndryshme jetese. Shoqëria kompozohet nga individët apo nga grupet sociale? Grupet sociale janë familja, kisha, partitë, shkolla komunitetet. Këto janë ambiente natyrore të domosdoshme për individin. Në se duam të rregullojmë dy “hallkat ekstreme” që janë individi dhe shoqëria duhet të forcojmë kohezionin e tij respektiv në “grupin social”. Kjo do të thotë që të forcojmë shoqërinë dhe të rregullojmë individin duhet të forcojmë familjen, shkollën, kishën. Kjo është sfida, ky është imperative. Jeta është normale kur marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë e vet janë funksionuese. Sepse mbivlerësimi absolut madje deri në marrëzi i interesave vetjake të individit po i jep qartë pasojat sociale, që duken në mënyrë evidentë në një lloj degjenerimi moral të shumë njerëzve.

Midis njeriut dhe botës, ajo që siguron lidhjet midis tyre është një forcë e tretë. Kjo është shoqëria thotë Ralf Dahrendorf. Në fund të fundit edhe pse shoqëria shqiptare ecën në rrugën liberale dhe individualiste, që në mënyrë të natyrshme ushqen “mentalitetin e të përveçmes”, kjo nuk do të thotëse njeriu mund tu shmanget përgjegjësive subjektive. Ato janë të pashmangshme. Ndryshe për fat të keq mund të ecim qorazi drejt një lloj “individualizmi të vrazhdë”. Jeta qytetare dhe rregullat e bashkëjetesës sociale e urbane nuk mund të funksionojnë vetëm mbi bazën e trilleve të pakontrolluara të njeriut superindividualist. Sepse në fund të fundit njeriu individualisht e ka të detyruar përderisa jeton në shoqëri të jetë doemos qënie sociale.  Ajo që shqetëson së tepërmi sot shoqërinë shqiptare është fakti që duhen përpunuar rregulla që sigurojnë kohezion midis dëshirës absolute dhe plotësisht të drejtë të njeriut për “autonomi sociale”, nga njëra anë por dhe kultivim të ndjenjës së bashkësisë sociale. Beteja është për të filluar një proces të përgjithshëm social të “humanizimit të emocioneve” të njeriut në shoqërinë tonë. Pa këtë humanizim ndjenjash brenda vetes, njeriu do ta ketë të vështirë të ndërtojë lidhjet e duhura me tjetrin dhe marrëdhëniet me shoqërinë në tërësi. Sepse në fund të fundit kur flasim për Njeriun Individualist  domethënë kemi parasysh Njeriun Njerëzor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here