Qeveria e Kosovës përgjigjet me të njejtën monedhë: Tarifë për Rrugën e Kombit!

0
463

Qeveria e Kosovës përgjigjet me të njejtën monedhë: Tarifë për Rrugën e Kombit!

 

Pas vendosjes se taksës për qarkullim në “Rrugën e Kombit” nga Qeveria e Shqipërisë edhe Qeveria e Kosovës po i përgjigjet pakënaqësisë që shkaktoi një gjë e tillë ndër banorët e Kosovës dhe po përgatitet që qarkullimi në autostradë të bëhet me pagesë. Bëhet fjalë për autostradën “Ibrahim Rugova” që lidh Kosovën më Shqipërinë, ndërtimi i së cilës ka përfunduar në vitin 2013. Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë se nga viti ardhshëm do fillojë studimi i fizibilitetit për këtë çështje. Por, Kadriu premton se taksa rrugore do jetë e përballueshme për qytetarët e Kosovës. Në vitin 2019 do të hyjmë në procesin e studimit të fizibilitetit dhe do të presim një vit ose dy që të përgatitemi, të marrim opinione, debatet me qytetarë, me organizatat joqeveritare dhe të vendosim një taksë. Por, taksa e Kosovës do të jetë shumë herë më e ulët sesa ajo e ‘Autostradës së Kombit’.  Tirana zyrtare që nga e hëna ka vendosur taksën rrugore për të gjithë ata që udhëtojnë në “Rrugën e Kombit” në pjesën e Shqipërisë, nga 5 deri në 22.5 euro, varësisht nga pesha e automjetit. Çmimi për këtë taksë po kundërshtohet nga qytetarët dhe bizneset e Kosovës, pasi llogaritet se janë shfrytëzuesit më të shpeshtë të autostradës. Kurse zyrtarë të Ministrisë se Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, kanë thënë se nuk kanë arritur të bisedojmë me zyrtarë të Qeverisë se Shqipërisë për këtë çështje.

Por, ndryshe nga Shqipëria, Rexhep Kadriu thotë se edhe pas marrjes se vendimit për vendosjen e taksës rrugore, jo të gjithë qytetarët e Kosovës janë të obliguar të shfrytëzojnë autostradat me pagesë, pasi për të dy autostradat ekzistojnë rrugë alternative. Ne e kemi më lehtë dhe më mirë të vendosim taksë, sepse realisht në të dy drejtimet për Shqipëri dhe Maqedoni kemi rrugë alternative, rrugët e vjetra të cilat janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë. Dhe qytetarët të cilët nuk kanë kushte të udhëtojnë nëpër autostradë, mund të shfrytëzojnë rrugë alternative. Kjo e bën më të lehtë për qytetarët, ndërsa nga pjesa e Shqipërisë nuk ka rrugë alternative që iu mundësohet qytetareve, nëse nuk kanë mjete të përdorin ndonjë rrugë tjetër.  Ekspertë kosovarë për çështje të komunikacionit thonë se autostradat e vendit duhet të bëhen me pagesë, por jo në nivelin e taksës se Shqipërisë. Nol Dedaj, profesor i Komunikacionit në Kolegjin UBT, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se vënia e taksave për shfrytëzimin e autostradave, duhet të bëhet për arsye të menaxhimit dhe mirëmbajtjes nga sektori privat, por që sipas tij, taksa duhet të jetë e përballueshme. “Niveli i pagesës duhet të vendoset pas një studimi të detajuar, në mënyrë që të përcaktohet një çmim i pranueshëm. Unë shpresoj se autostrada e Kosovës i plotëson disa kritere tjera në krahasim më autostradën e Shqipërisë, për shkak se kalon në mes të Kosovës dhe nuk besoj se kostoja nuk duhet të jetë aq e shtrenjtë, sa është taksa rrugore e Shqipërisë”, shprehet Dedaj.

Autostrada Durrës – Kukës – Morinë, që lidh Kosovën më Shqipërinë e quajtur “Ibrahim Rugova”, zyrtarisht thuhet se ka kushtuar mbi 700 milionë euro. Në fund të këtij viti pritet të përfundojë edhe autostrada Prishtinë – Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, e që buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 600 milionë euro.  Të dy autostradat janë ndërtuar nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel-Enka.

Ku humbi porti “kosovar”?

Një tjetër projekt i shpallur me bujë nga qeveria Rama ka “dështuar me sukses” në fushën e amrrëdhënieve me Kosovën. Nisma për ngritjen e një dogane në Durrës, që do t’u shërbente bizneseve të Kosovës, nuk ka rezultuar praktikisht funksionale edhe pse godina për këtë qëllim u përurua nga Kryeministri Rama dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Koncesioni i skanimit në Shqipëri me 22 euro për çdo deklaratë doganore dhe tarifat e larta të parkimit të kamionëve në pjesën e Kosovës janë koncesione dhe po krijojnë kosto shpeshherë më të mëdha se proceduarat e zakonshme. Këto kosto do të rëndohen më tej nga vënia e taksës së re në Rrugën e Kombit, ku për kamionët i kalon të 26 eurot. Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi këtë vit një inspektim të posaçëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për të parë se si po shkon lehtësimi i tregtisë me Kosovën. Në përfundim të kontrollit, KLSH u shpreh se nisma e unifikimit doganor mbetet ende larg, për aq kohë sa mungon një hap vendimtar, siç është ai i unifikimit të politikave fiskale mes dy vendeve. “Veprimtaria e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në unifikimin e pikave doganore si proces teknik e operacional është e mangët dhe nuk ka krijuar premisat për një bashkim doganor të shpejtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk është hedhur hapi vendimtar, unifikimi i politikave fiskale, si parakusht për sigurimin e bashkimit doganor, i cili përbën potencial për rritjen e shkëmbimit të mallrave, rritjen e ekonomisë për dy vendet, si dhe një parapërgatitje e procesit të maturimit për institucionet shqiptare për t’u bërë ballë sfidave që parashtron integrimi në tregun evropian”, vlerëson KLSH.

Duke u ndalur edhe te Porti i Shëngjinit apo Durrësit, që jo në pak raste janë lakuar si pika doganore ku pala kosovare do të kishte qasje direkte, KLSH analizon se për të parin nuk ka një analizë të mirëfilltë, kurse për të dytin ka pasur vonesa që biznesit i kushton të paktën 2 milionë euro, për shkak të burokracive. “Braktisja e projektit për kalimin e Portit të Shëngjinit në shërbim të Doganës së Kosovës, pa u kryer një studim i mirëfilltë për potencialet dhe përfitimet ekonomike që do të sillte për të dy vendet, ka shkaktuar mungesë përgatitjeje institucionale, e cila është reflektuar edhe në shtyrjen e operimit të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit. Grupi i Auditimit është informuar më 10 nëntor 2017 nga Ministria e Financave të Shqipërisë se, operimi i doganës së Kosovës në Portin e Durrësit do të fillonte në dhjetor 2017, për të cilën është përgatitur edhe një projektvendim i Këshillit të Ministrave “Për lejimin e kryerjes së kontrolleve fizike nga zyrtarët e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe Porto Romano dhe njohjen e licencave të agjencive të përfaqësimit Doganor të Kosovës”, nënvizon KLSH.

Fakti që zyra doganore e Kosovës nuk u hap në muajin dhjetor në Portin e Durrësit, sipas KLSH, përbën një tërheqje nga projekti duke qenë se pala shqiptare nuk ka marrë asnjë masë për të plotësuar kriteret bazike të operimit. Porti i Durrësit ka edhe një volum të dukshëm të mallrave që tranzitohen apo përpunohen me destinacion Kosovën. “Nga operimi i plotë i doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, bizneset do të përfitonin një ulje të kostos aktuale me rreth 2 milionë euro në vit, si rrjedhojë e shkurtimit të kohës së operimit”, thuhet në raport.

 

 

Si humbën lidhjet tradicionale?

Për shkak të kushteve që solli regjimi komunist në Shqipëri, dy anët e të njëjtit komb humbën lidhjet tregtare që ekzistonin para Luftës Dytë Botërore. Tregtia do të niste të ringjallej vetëm pas çlirimit të Kosovës më 1999, por me vlera modeste, pasi ndërkohë bizneset e të dyja anëve kishin hyrë tashmë në marrëdhënie tregtare me të tjerë. Kosova me ish-republikat e Federatës, sidomos me Serbinë, ndërsa Shqipëria pas rënies së regjimit totalitar ndërtoi marrëdhënie tregtare me Italinë dhe Greqinë. Mirëpo pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, vendet nisën tregtinë, e cila vijoi me volume të ulëta për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore. Por pas ndërtimit të autostradës së re, Durrës-Morinë, tregtia nisi të rritej edhe pse baza e saj mbetet e vogël. Në fund të vitit 2017, volumi i tregtar u zgjerua me 330 për qind, në krahasim me vitin 2007, duke arritur në 29 miliardë lekë, në krahasim me 6 miliardë lekë që ishin në vitin 2017. Mirëpo tarifat e reja që do të paguhen për koncesionin në Rrugën e Kombit do ta vështirësojnë më tej tregtinë ndërmjet vendeve. Kontrata e koncesionit, që do të nisë vjeljen e tarifave më 17 shtator, parashikon të tarifojë një kamion me 26 euro. Kjo tarifë do të rrisë koston e tregtisë me Kosovën për një procedurë me rreth 20 për qind për bizneset e Kosovës dhe 10 për qind për bizneset shqiptare që eksportojnë në Kosovë. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, më herët është shprehur se vendosja e taksës është e padrejtë. Ai llogarit se bizneset e Shqipërisë do ta vuajnë më shumë shtimin e kostove. Në kontekstin fiskal, Shqipëria ka barrë më të lartë fiskale se Kosova. Shqipëria ka TVSH-në 20 për qind, ndërsa Kosova ka sistemin dy nivelesh 18 dhe 8 për qind. Gjithashtu, tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro në Kosovë është 10 për qind, ndërsa Shqipëria për bizneset e mëdha, me xhiro 80 milionë lekë në vit, i taton me 15 për qind fitimet. Kosova ka një sistem më të butë progresiv për pagat se Shqipëria, sidomos për nivelet më të larta dhe taksat e punës i ka shumë më të ulëta se Shqipëria.

“Dy shtetet kanë strukturë të ngjashme të ekonomisë. Bujqësia zë 10 për qind të strukturës së PBB-së në Kosovë dhe në Shqipëri mbi 23 për qind. Sektori i industrisë zë më shumë se 10 për qind të PBB-së së Kosovës, ndërsa në Shqipëri 11 për qind. Sektori i tregtisë zë 12 për qind në Kosovë dhe po kaq zë edhe në PBB-në e Shqipërisë. Edhe sektorët e tjerë kanë peshë të ngjashme. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik”, thotë Gërxhalliu. Por dëshira e hershme e bizneseve për një treg unik, në fakt, nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar. Por tani kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike. Madje, Serbia dhe Kryeministri saj, Aleksandër Vuçiq, ka propozuar krijimin e një unioni tregtar pa dogana në vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Patriotizmi fals

Ajo që gjerësisht në opinionin publik po cilësohet një ‘unifikim’ i doganave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk është asgjë tjetër vetëm ofrimi i shërbimit të zhdoganimit të mallrave në një ndërtesë të përbashkët, secili me rregullat e veta. Pas deklaratave me tone të larta patriotike, marrëveshjeve, mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet qeverive për lehtësimin e tregtisë, në të vërtetë qeveritë e të njëjtit komb do të zbatojnë një projekt në fushën e doganave, që vite më parë është vënë në funksion me Malin e Zi dhe shumë shpejt do të vihet në zbatim edhe me pikat doganore Greqinë dhe Maqedoninë. Projekti Singleëindoë është një financim i Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit IPA 2012 dhe parashikon që procedurat e dy shteteve të ofrohen në një godinë të vetme, si për Kosovën dhe Shqipërinë. Një biznesi nga Shqipëria që eksporton në Kosovë i duhet të harxhojë vetëm për një procedurë 276 euro. Sipas një studimi që është bërë nga Qendra Shqiptare e Eksporteve, në këtë shumë 30 euro shkojnë për agjencinë doganore, 40 euro janë pagesë terminali, 68 euro kushton certifikata fitosanitare, ku 28 euro është pagesa standarde për 20 ton plus 2 euro të tjera për çdo ton, ndërsa 138 euro të tjera janë pagesa për tarifat e hyrjes në rastin e një kamioni. Kjo bizneseve të Kosovës u kushton një procedurë eksporti me Shqipërinë mesatarisht 144 euro. Në këto pagesa, 25 euro bizneset i Kosovës i paguajnë agjencisë doganore, 10 euro është pagesa e terminalit, 15 euro certifikata fitosanitare, 22 euro tarifa e skanimit në Shqipëri dhe 71 euro në total janë tarifat e hyrjes dhe shërbimet për një kamion në ditë.

 

===

Tjetër rrugë me pagesë: Gjiknuri paralajmëron tarifimin e Tiranë-Elbasan

Pasi të kenë përfunduar të gjitha punimet autostrada e re Tiranë-Elbasan do të bëhet me pagesë, deklaroi ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë në Kuvend. Gjiknuri, duke ju përgjigjur interesit të deputeteve, tha se pagesa në rrugën e re të Elbasanit do të vihet pasi të jetë siguruar një alternativë të tjetër pa pagesë për automjetet. Kostot në rrugën e re te Elbasanit janë rritur me rreth 40 për qind. Pas shembjes tre viteve në parë në Ibë, kompania greke Aktor e nënkontraktuar për punimet ka kërkuar shtesë punimesh. Financimet shtesë të rrugës arritën në 51 milionë dollarë, duke e çuar vlerës e saj në 450 milionë dollarë. Gjiknuri tha se me sigurimin e financimit të fundit prej 16 milionë eurosh rruga do të përfundojë brenda vitit. Mirëmbajtja e rrugës Tiranë- Elbasan aktualisht do bëhet me një kontratë të posaçme, nga një kompani private. Kostot e mirëmbajtjes janë të larta ndaj ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë, tha ministri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here