Media bën mirë të edukojë vetveten, përpara se ta kërkoj prej të tjerëve…

0
450
Nga Dr. Ndriçim Mehmeti:
Pa bërë shumë leksion dhe pa pretenduar se e njoh gazetarinë, më duhet të them që në krye të shkrimit se në Fakultete e Edukimit për programet e studimit “Mësues i arsimit parashkollor” dhe “Mësues i arsimit fillor”, ka një lëndë të veçantë që quhet edukimi për median. Pra mësuesit e ardhshëm edukohen me median dhe ja përcjellin atë brezave që u japin mësim prej daljes nga shpërgënjat e deri sa marrin dijet bazike në një profesion (mision) të nderuar sikundër është ai i mësuesit. Nxënësit edukohen me mediat përmes lëndëve si: Sociologjia, Edukimi shoqëror apo edhe historia. Ajo që refuzon të edukojë vetveten, është media e në mënyrë të veçantë ajo vizive. Ku shfaqet ky refuzim plotësisht i mirë menduar? Në aspektin gjuhësor: Media vizive duke filluar nga edicionet të lajmeve, leximi i gazetave, emisioneve të “ashtuquajtura” argëtuese, politike, sociale etj., gjuha shqipe dhunohet, bastardohet, përdoret pak ose aspak. Performancë, performoj, kompromis, implementim, eksplicid, inmplicid, xha është, deja, kontardiktor, extra ligjor, impostoj, abstragoj, arrestoj, i atakuar, emotiv, interaktiv, etj. Kjo është gjuha që përdor media dhe që nuk ngjan me shqipen në asnjë fjalë. Unë besoj se çdonjëri që punon në media, ka bërë gjuhë shqipe dhe letërsi në shkollë, ka kryer edhe provimet e lirimit dhe të maturës shtetërore dhe lënda e parë e detyruar si provim, prej vitit kur është hapur për herë të parë shkolla e deri më sot është gjuha shqipe. Atëherë pyetja më e thjeshtë në botë është: Përse njerëzit që punojnë në media nuk respektojnë rregullat gjuhësore dhe shkelin me këmbë parimin kushtetues, neni 14, ku thuhet qartë se : “Gjuha zyrtare është shqipja”? Do të mjaftonin disa gjobat e majme, e madje më të majme se rroga marramendëse që marrin ata që i përdorin më shumë këto fjalë dhe mbase ky fenomen do të ishte zbutur prej kohësh. Ose këta njerëz “të shquar” të medias mund të shkojnë të ndjekin shkollën e mesme me kohë të shkurtuar (part time) siç i thonë ata në gjuhën e tyre konteporane dhe mund të mësojnë gjësend më shumë për gjuhën dhe mënyrën e komunikimit të saj me publikun. Kodi etik: Nuk besoj se duhet të marrësh mësim nga dikush apo të edukosh shumë syresh studentë, gazetarë, mësues, nxënës e gjithkënd se nuk është e hijshme që fjalët kurvë, putanë, prostitutë, super pjeshkë, synet, të mos përdoren sa herë që u teket, apo mendojnë mediat se marrin audiencë më shumë, e në veçanti në një emison kinse për fëmijë. Edhe kur bën sikur të merret goja, edhe kur do të bësh të qeshësh një person me zor, nuk do të thotë se duhet patjetër të mbijnë në gojë fjalët e mëispërme. Veshja? Lëre mos e fol. Ka një transparencë tejet të lartë në këtë drejtim si në asnjë element tjetër. Mund të shohësh të gjitha brenda pak minutave e mbetsh pa dyshim i kënaqur se gjumi do të zë me ëndrra eskortash që të ledhtaojnë me shumë ëmbëlsi nga perëndimi i diellit e deri në agim. Po kjo bëhet thjesht për të shpjeguar se “zogu” dhe ballkoni, shpina dhe fundshpina hyjnë më shumë në punë se thjeshtësia dhe mençuria. Modelet e dështuar, krejt pa asnjë meritë i shfaqen publikut si më të suksesshmet . Në TV shfaqen herë pas here njerëz që nuk i njeh askush, pas asnjë kontribut në shoqëri, njerëz që qetësohen e irritohen, që japin këshilla se “po të zësh një dashnore”, “po të ngresh zërin kundër padrejtësive, ke sukses” etj. Këta individ kaq pompoz “mendimtar e vizionar”, nga pedagog të rinj, ithtarë të mendimit liberal-ekonomik, apo të majtë progresiv, bëhen jo krejt papritur qeveritarë e ardhshëm të Shqipërisë. Por ka edhe më keq. Banorë të shtëpisë “Vëllai që nuk e kisha njohur”, dalin e na tregojnë përvojat e tyre sentimentale, pse u rikthehen tek dashuria e parë, si mirëkuptoi dashnori i tretë, jeta idilike në ishujt Kajman më the të thashë. Ndërkaq emisione të tëra i turren mësuesit si e keqja më e madhe e këtij vendi, por nxënësit që dhunojnë mësuesit, përdorin drogë duke bërë kashirllëk në mjediset e shkollës, prindërit që përpiqen të korruptojnë mësuesit, nuk ka në këtë vend. E nuk ka si të ketë. As mësues, sanitarë, mjek, inxhinierë të mirë etj, nuk mund të gjesh modele që të bëhen pjesë e ndonjë emisioni televiziv. Ndërsa për gjokse të dala jashtë, këmbë veshje me brekë e pa brekë, gjithnjë ka një vend të nderuar në mendje. Edhe në këtë rast nuk është faji i edukimit mediatik, por çelësi i etikës qytetare dhe profesionale është flakur në një cep, ku nuk dihet as prej atyre që e mbajnë veten për zëdhënës të opinionit publik.
Një palë fytyra, me veshje të ndryshme në çdo kënd televiziv. Ata janë kudo në çdo TV privat apo shtetëror, lokal apo kombëtar, online me pak a shumë audiencë, i gjen gjithandej. Ndërrojnë këmishën në momentin e fundit, pinë ndonjë cigare e dihasin përpara e gjatë e misionit, por janë aty të pranishëm. Thonë e ç’nuk thonë për veten e të tjerët, lajnë, lëpijnë, pështyjnë e përsëri lëpijnë atë që kanë pështyrë. Nuk kanë as cip as fjalë nderi. Udhëhiqen nga misioni “sa më shumë gënjeshtra, aq më shumë xhepat rrinë ngrohtë”. I dinë të gjitha: Prej botëkuptimit fetar të popullit, taktikat e gabuara të Trump, ngritjen kulturore të Ramës, ndikimin e Berishës në PD-së, lëvizjet e Bashës, gabimet e Macron, pse nuk bëhet koalicion në Itali, e deri tek kënaqësia dhe shija e seksit. Kur është puna për butoks dhe shkencën e ngritjes së vitheve, bëhen edhe më mjeshtra se vetë kirurgët plastik. Edhe pse një pjesë e tyre kanë amerikanizuar emrat Apo vijnë nga Amerika, përsëri janë po aq të super shqiptarizuar, saqë shqiptar me nivelin mesatar të inteligjencës, ngjan një filozof i përkryer përpara tyre. Mos vallë në këtë rast gazetarët apo mediat i detyron kush të paraqesin serialin e shëmtuar me të njëjtët aktorë në ekranet e tyre? Jo. Ata vetë ndihen të magjepsur prej këtij niveli gazetarie që kanë dhe nuk kanë ndërmend të ndryshojnë aspak. Po nëse duan të ndryshojnë mediat, ai hyn në punë arsimi? Në kushtet aktuale them se jo. Mediat vetë nuk kanë ndonjë vullnet për ta bërë këtë, sa kohë që ato veprojnë virtualisht dhe po i largohen halleve të popullit,. Meqenëse ato kanë nevojë për arsimin, a mund të bëj një pyetje: Sa emisione politike bëjnë në vit dhe sa për arsimin, shëndetsinë, mbrojtejn e fëmijëve nag rreziqet e internetit etj. Raporti çmendurisht anon nga emisionet për sex dhe politikë. Mediat i kanë njerëzit jo të arsimuar por të super shkolluar. Shumica janë të gjezdusr nëpër botë. Bëjnë pushime katër herë në vit duke përjashtuar fundjavave që rrallë se i gjen në Shqipëri. Kështu që këta opinon (sh)përbërës le të na iluminojnë edhe ne të varfrit që mezi orientohemi në Tiranë e le më pastaj përtej kufirit shtetëror. Media nuk ka nevojë për arsimin, arsimi ka nevojë për median. Ndërkaq që media vizive në Shqipëri në të shumtën e rasteve me ose pa ndërgjegje kontribuon në ndërtimin e një situate të gëzueshme virtuale, duke e lënë individin jashtë realitetit që ai jeton. Ndoshta në fund të fund të fundit është më mirë kështu. Më mirë jeto në botën e çudirave, sesa të shohësh me sy mizerabiliteitn e jetës tënde dhe të jesh i pafuqishëm për të ndryshuar këtë situatë.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here