Në Tiranë Rama kërkon Metën, në Kuçovë LSI-ja hedh valle për dialog

0
533

Në Tiranë në Asamblenë e PS, Edi Rama bëri thirrje hapur që LSI të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme me PS. Ndërkohë që pritej një reagim nga selia e LSI, zyra e shtypit e kësaj force politike shpërndau lajmin e takimeve të kreut të LSI, Ilir Meta në Kuçovë, ku duket me rininë duke kuvenduar dhe hedhur valle për një Shqipëri me të qetë, me të mirë dhe të dialogut e jo përplasjes.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim të Kuçovës. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetet e LSI-së, Silva Caka e Gledjon Rehovica, Sekretari politik i LSI-së për Beratin, Nasip Naço, Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Selfo Kapllani, etj.

Në fjalën e mbajtur parë të rinjve të Kuçovës, Meta tha se të rinjtë e të rejat e Lëvizjes Rinore për Integrim janë modeli më i mirë se si të rinjtë e të rejat në këtë vend duhet të punojnë së bashku, të ndajnë vlera të përbashkëta, të jenë model i bashkëpunimit kudo në komunitet, në shkollë e në shoqëri.

“Të rinjtë dhe të rejat e LRI janë shembulli dhe modeli i një lidershipi të ri në Shqipëri. I një politike të re, e cila ndryshe nga politika e deritanishme e zhytur në egoizëm dhe arrogancë, përfaqëson një politikë vizionare, një politikë solidare, një politikë që kujdeset për njerëzit dhe në radhë të parë për të rinjtë dhe të rejat”, – tha kryetari i LSI-së, duke theksuar se LRI është një fuqi e jashtëzakonshme, pasi përfaqëson një dashuri të jashtëzakonshme për vendin dhe demonstron një solidaritet e socializim të jashtëzakonshëm.

Gjithashtu, Ilir Meta shprehu bindjen se në Kuvendin e ardhshëm të rinjtë do të keni shumë përfaqësuese dhe përfaqësues, për të diskutuar më shumë për ligjet, por edhe për të gjithë problemet e qeverisjes, problemet e të rinjve që nga arsimimi më cilësor e deri te vendet e reja të punës më të mirëpaguara për të rinjtë dhe të rejat tona.

Duke u ndalur te zgjedhjet e ardhshme, Kryetari i LSI-së shprehu keqardhjen që në Shqipëri ende diskutohet nëse do të kemi apo s’do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Nga zgjedhjet e ardhshme, nga suksesi i tyre, dhe suksesi i tyre nuk është as rezultati i LSI dhe as rezultati i askujt tjetër, por është standardi i besueshmërisë që ato do të realizojnë për qytetarët tanë, por edhe për gjithë botën demokratike, varet shumë fati i të rinjve dhe të rejave të Kuçovës dhe të gjithë Shqipërisë, dhe i të gjithë të ardhmes evropiane të vendit tonë”, – deklaroi  Meta teksa shtoi se LSI i ka shërbyer dialogut politik dhe forcimit të institucioneve në vend.

Sakaq, Kryetari i LSI-së tha se njerëzit janë lodhur me konflikte, akuza, me një frymë përjashtuese, që nuk mund t’i ndajë shqiptarët, sepse jemi në një kohë tjetër dhe pretendojmë dhe synojmë, dhe meritojmë një të ardhme akoma dhe më të mirë.

“LSI-ja asnjëherë nuk i ka shërbyer nxitjes së konfliktit, por i ka shërbyer vetëm nxitjes së dialogut, sepse vetëm përmes dialogut politik mund të forcohen institucionet në vend. Këtu bëhet fjala për interesat e të gjithë qytetarëve tanë, bëhet fjala për një të drejtë bazë kushtetuese, që është ajo e zgjedhjeve të lira, e votës së drejtë, e votës së barabartë të çdo qytetari anembanë Shqipërisë dhe kjo nuk duhet vënë më në diskutim mbas 27 vitesh të pluralizmit politik”, – deklaroi Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Mësohet se do te ketë përgjigje nga LSI, disi të pjesshme, për fjalën e Edi Ramës mbajtur në asamblenë e PS. Por ka informacione të besueshme se edhe në kupolën e LSI ka përplasje nëse duhet që Meta të firmosë me Ramën një marrëveshje të dytë apo jo. Debati vazhdon mes dy lobingjeve në LSI.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here