KLSH: Ja si u abuzua me fondet për kompaninë Crown Agents

0
200

 

– Ku shkuan miliona euro shpenzime, që inicoi Edi Rama për performancën e doganave shqiptare, me këshillë të gruas së Tony Blairit?

“Monitor”

Në raportin më të fundit auditues lidhur me aktivitetin e ministrisë së Financave, KLSH rekomandon se “Duke konstatuar raste kur shpenzimet janë kryer nga buxheti i Aparatit (kjo për vitin 2014, e sistemuar në vitin 2015), por ndërkohë aseti për të cilin është investuar (psh rasti i Crown Agents”) i takon doganave, të merren masa që në të gjitha rastet në të ardhmen, shpenzime të tilla të kryhen në raport të drejtë me parimet e regjistrimeve kontabël, duke u kanalizuar shpenzimet në ato institucione të cilat përfitojnë asete nga kryerja e këtyre shpenzimeve dhe jo tjetërkund”.

 

Konflikti i Crown me financat për pagesën një vit më parë

Monitor publikoi rreth një vit më parë dokumentacionin e korrespondencës mes Crown Agents dhe Ministrisë së Financave, teksa kjo e fundit tentoi të mos paguante Crown për shkak të mosrealizimit të objektivit të të ardhurave në 2014-n. Një korrespondencë e gjatë, ku janë të përfshirë Ministria e Financave, Crown Agents, Drejtoria e Doganave dhe Avokatura e Shtetit, tregon se Ministria e Financave ishte e dyzuar nëse Crown Agents duhet të “shpërblehej” për 2014-n, pasi nuk kishte përmbushur objektivin që të rriste të ardhurat doganore me 1% të PBB-së, siç përcaktohej qartë në kontratë. Financat tentuan të mos bënin një pagesë (rreth 300 mijë euro), duke e argumentuar me ecurinë e dobët të të ardhurave. Pavarësisht kësaj, Ministria e Financave është detyruar të paguajë Crown pasi nuk ka respektuar afatin ligjor për të argumentuar arsyet e refuzimit të pagesës, ndërkohë që kompania britanike kërcënoi me arbitrazh.

Korrespondenca është zhvilluar në gjysmën e parë të 2015-s (deri në korrik) dhe lidhet me performancën e kompanisë britanike për 2014-n. Të ardhurat doganore në total atë vit u rritën me 0.77% të PBB-së, apo me 10.9 miliardë lekë më shumë. Në një shkresë të Drejtorisë së Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, në mars 2015, që i drejtohej zëvendësministres së Financave thuhej se kjo shtesë ka ardhur 6.6 miliardë lekë si rrjedhojë e ndikimit të Paketës Fiskale dhe 4.2 miliardë lekë nga kuadri makroekonomik. Viti 2014 u mbyll me të ardhura 5.5 miliardë lekë më pak se plani, ku ndikimin më të madh e dhanë akciza dhe renta. Drejtori i politikave fiskale e sqaron zëvendësministren se “Llogaritja e të ardhurave për administratën doganore për vitin 2014 nuk merr parasysh të ardhurat shtesë prej 1% të PBB-së të cilat duhet të kishin ardhur si rezultat i marrëveshjes me Crown Agents. Në fakt, në krahasim me vitin 2013, të ardhurat nga administrata doganore janë 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ose 0.77 % e PBB-së”.

Ministria e Financave ka tentuar të shfrytëzojë faktin që realizimi i pjesshëm i kritereve të performancës së të ardhurave është pranuar nga Crown Agents në rishikimin vjetor që i është dërguar Autoritetit Kontraktues më 17 shkurt. Në email-in që David Smith nga Crown, i ka dërguar doganave dhe zv.ministres së Financave, “kërcënon” që nuk ka asnjë mundësi që drejtorët të pranojnë mospagesë totale për objektivin e të ardhurave, duke paralajmëruar se do ta çojë çështjen për zgjidhje të pavarur në arbitrazh. Ai pohon se mund të pranojnë një pagesë prej minimumi 80%. Smith thotë se është e vërtetë që ata kanë pranuar në raportin e 17 shkurtit se objektivi i të ardhurave nuk është arritur, por shton se aty tregohet qartësisht se Autoriteti Kontraktues (qeveria) nuk ka përmbushur detyrimet në bazë të kontratës, çka ka ndikuar direkt punën e britanikëve dhe mundësinë për të realizuar objektivin e të ardhurave.

Kontrata e dështuar me Crown Agents

E konceptuar si një kontratë konsulence e ndërthurur me aksione në terren, britanikët e Crown Agents do të fitonin pagesa 8.5 milionë euro në dy vitet e para të aktivitetit, plus 400 mijë euro për makina dhe të tjera pagesa për zyrat dhe infrastrukturën operacionale në Shqipëri.

Por, Crown Agents nuk e përmbushi detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare që kërkonte që të ardhurat doganore të rriteshin për një vit fiskal jo më pak se 90 milionë euro (1% e PBB). Situata nuk ka qenë shumë dramatike në vitin e parë kur të ardhurat neto në fund të 2014-s ishin 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ndonëse plani vjetor nuk u realizua me 5.5 miliardë lekë ose -3.5%. Por gjithsesi, Crown Agents nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare, pasi të ardhurat faktike ishin vetëm 78 milionë euro më shumë, ndërkohë që kontrata e kërkonte që ato të mos ishin më pak se 90 milionë euro.

Por situata u bë alarmante në 2015-n, ku performanca e doganave ra dukshëm si me planin dhe me faktin e vitit. Deri në fund të muajit nëntor, doganat kishin grumbulluar 7.3 miliardë lekë më pak në krahasim me faktin e vitit 2014, dhe 9.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit. Siç shihet nga rezultatet e të ardhurave doganore, kompania britanike, Crown Agents, jo vetëm që nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor për rritjen e të ardhurave, por për vitin 2015 ato ishin 6.57 miliardë lekë (47 milionë euro) më pak se fakti i vitit 2014, sipas të dhënave zyrtare të statistikave fiskale nga Ministria e Financave. Qeveria shqiptare njoftoi mosrinovimin e kontratës me kompaninë e konsulencës në dogana, Crown Agents.

Financat raportuan se vlerësonin punën e saj, që nuk lidhej vetëm me të ardhurat, por pohon se “tani do të mund të vazhdojmë të realizojmë standardet që përvetësuam”. Por, si ka qenë historia e kontratës, sa u realizuan kushtet e saj dhe a ishte kjo një kontratë, ku përfitimet i tejkaluan kostot?! E konceptuar si një kontratë konsulence e ndërthurur me aksione në terren, kompania do të fitonte si pagesa 8.5 milionë euro në dy vitet e para të aktivitetit, plus 400 mijë euro për makina dhe të tjera pagesa për zyrat dhe infrastrukturën operacionale në Shqipëri. Situata nuk ka qenë shumë dramatike në vitin e parë kur të ardhurat neto në fund të 2014-s ishin 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ndonëse plani vjetor nuk u realizua me 5.5 miliardë lekë ose -3.5%.

Por gjithsesi, Crown Agents nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare, pasi të ardhurat faktike ishin vetëm 78 milionë euro më shumë, ndërkohë që kontrata e kërkonte që ato të mos ishin më pak se 90 milionë euro.

Por situata u bë alarmante në 2015-n, ku performanca e doganave ka rënë dukshëm si me planin dhe me faktin e vitit. Deri në fund të muajit nëntor, doganat kishin grumbulluar 7.3 miliardë lekë më pak në krahasim me faktin e vitit 2014, dhe 9.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit. Siç shihet nga rezultatet e të ardhurave doganore, kompania britanike, Crown Agents, jo vetëm që nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor për rritjen e të ardhurave, por deri në fund të nëntorit ato ishin 52 milionë euro më pak se fakti i vitit 2014. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka thënë më 12 nëntor të vitit 2013 në Komisionin e Ekonomisë se “treguesit e performancës do t’i kushtëzojnë pagesën nga ana e qeverisë shqiptare kompanisë Crown Agents deri në 25%. Ndërkohë deri në 10% e pagesës kushtëzohet me objektivin e përcaktuar që të ardhurat nga të doganat të arrijnë jo më pak se 90 milionë euro në vit”.

Shqipëria si një vend me zhvillim, ku ekonomia e saj është bazuar në konsum dhe volumi tregtar vjetor me jashtë është mbi 500 miliardë lekë ka njohur raste të mëdha të kontrabandës. Si rasti i naftës virgjin në vitin 2011, ku 11 pronarë dhe administratorë të kompanive “Fisheku” dhe “Euroil”, u futën në burg. Aktualisht të dy kompanitë kanë falimentuar. Por në dy vitet e fundit, kapja e rasteve të mëdha të kontrabandës ka munguar, edhe pse grosistë brenda tregut të cigareve dhe karburanteve pohojnë se kontrabanda në këto produkte është në nivele të larta.

 

Si u përjashtua Crown nga taksat

Sipas përcaktimeve në kontratë, Crown Agents ka përfituar për dy vjet 8.5 milionë euro nga fondet e taksapaguesve. Ekspertët e ekonomisë e patën paragjykuar kontratën me Crown Agents që në nisje të saj, por tani qeveria duket se është bindur pas eksperimentimit dyvjeçar duke sinjalizuar edhe mosrinovinim për vitin e tretë të konsulencës.

Crown Agents, përveçse ka përfituar pagesat fikse dhe pagesa të tjera ekstra për shpenzimet e drejtpërdrejta, ka qenë e përjashtuar nga taksat.

Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 194 të vitit 2013, kontraktuesi (Crown Agents) është përjashtuar nga tatimfitimi, tatimi mbi dividentin, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import dhe tarifat doganore, taksat dhe tarifat në nivel vendor. Personeli ka qenë i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe nga TVSH-ja dhe tarifat doganore, në lidhje me importet për sendet e tij vetjake.

 

Kohëzgjatja e marrëveshjes

Marrëveshja mes Crown dhe qeverisë u lidh në pranverë të 2014-s për një afat 24-mujor (viti I dhe viti II), me të drejtë rinovimi edhe 12 muaj të tjerë (viti III). Vendimi për rinovimin ose përfundimin e zbatimit të marrëveshjes merret nga Këshilli i Ministrave, i cili vendosi mosrinovimin.

Por Autoriteti kontraktues (qeveria) kishte të drejtë që të kërkojë zgjidhjen e marrëveshjes brenda dymbëdhjetë muajve të parë të zbatimit të saj, nëse nuk përmbusheshin treguesit kryesorë të performancës, sipas parashikimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Por pavarësisht se detyrimet e performancës nuk u përmbushën nga britanikët as në vitin e parë, qeveria nuk e ndërpreu marrëveshjen.

 

Pagesat

Për qëllimet e kryerjes së shërbimeve, qeveria ia ka ofruar kontraktuesit pa pagesë, duke nisur nga data e fillimit të shërbimit, zyrat, automjetet, pajisjet dhe lehtësitë e tjera të përcaktuara në shtojcën B, e cila nuk është bërë publike dhe nuk është e botuar në QPZ.

Vlera totale e tarifave dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e parë, sipas kontratës, nuk do të kalonte shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro), plus koston e furnizimit dhe vënies në përdorim të 10 (dhjetë) automjeteve operacionale (deri në një shumë limit prej 400.000 eurosh). Vlera e përgjithshme e tarifave dhe e shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e dytë të kontratës nuk do të kalojë shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro).

Në rast se Autoriteti Kontraktues i jep Kontraktuesit njoftimin për zgjatjen e afatit të kontratës (viti i tretë) vlera e përgjithshme e tarifave dhe e shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e tretë të kontratës nuk do të kalojë shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro), plus TVSH-në (nëse zbatohet) sipas saktësimit në tabelën e pagesave të Kontraktuesit. Qeveria do t’i paguante Crown sipas kontratës, një paradhënie të barabartë me 10% të vlerës së tarifave dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e parë dhe të dytë të kontratës (pagesa e paradhënies), për të mbuluar mobilizimin dhe kostot e tjera. Edhe sot nuk ka pasur transparencë nga financat se sa është paguar në total Crown Agents dhe nëse i është mbajtur ndonjë pjesë pagese për shkak se nuk ka plotësuar objektivin e rritjes së të ardhurave për të dyja vitet, sidomos për vitin 2015, kur të ardhurat ranë edhe në raport me faktin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here