Reforma në drejtësi/ Skenari A ngeci, B-ja i pamundur, C-ja ishte thjesht lojë

0
183

Prapaskenat e lëvizjeve politike të PS, PD dhe LSI mbi reformën në sistemin gjyqësor

 

Gëzim Saliu

 

Në fillim nisi me ekspertët, vazhdoi me planin “B” dhe deklaratën surprizë për zgjedhje të parakohshme e tanimë në tryezë ka paraqitur skenar nga A-ja tek C-ja. Nga krahu tjetër, nisja e diskutimit u përmblodh me akuzat për kapje të sistemit, faza tranzitore  e rekomandimeve të Venecias u cilësua si “fitore” dhe tashmë është kaluar në kushtin e panegociueshëm për respektim të vendimit të Kushtetueses për mandatet e deputetëve.

Është kjo pak a shumë përmbledhja me dy paragrafë e qëndrimeve të dy forcave kryesore politike lidhur me reformën në drejtësi, që nga dita kur nisi diskutimi për të e deri në situatën aktuale, ku ngërçi duket i vështirë për të marrë zgjidhje. Nga njëra anë, PS në gjithë itinerarin e diskutimeve të kësaj reforme ka mbajtur një impostim dukshëm larg aleatit kryesor në qeverisje,duke shprehur mbështetje të palëkundur për propozimet e ekspertëve të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm. Po ashtu ka qenë PS që nuk ka nguruar të “kërcënojë” jo vetëm opozitën por edhe aleatët e saj me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nëse dështon konsensusi politik për këtë reformë. Ndërkaq PD ka shprehur vazhdimisht shqetësim lidhur me ato që i ka cilësuar si tentativa të e mazhorancës për kapjen politike të sistemit, duke akuzuar direkt kryeministrin Rama si njeriun që kërkon të vendosë nën pushtetit e tij edhe sistemin gjyqësor. Në kushtet aktuale, PS dhe PD duken larg arritjes së konsensusit, pikë të cilën aleatja kryesore e socialistëve në qeverisje e ka cilësuar si tepër të rëndësishme. Në gjithë këto kohë, forca e drejtuar nga Meta i ka dhënë krah afrimit mes palëve, madje shpeshherë duke përcjellë edhe mesazhe të nënkuptuara  për socialistët, të cilët nuk nguruan të flisnin për plan B. LSI ka theksuar se do të votojë në Parlament vetëm një reformë që do jetë kryekëput sipas rekomandimeve të Venecias, duke nënvizuar se nuk mbështet asnjë skenar tjetër.

 

Cilët janë skenarët A, B dhe C

Në mesin e debatit për reformën në drejtësi, kryeministri Rama do të deklaronte në studion e TVSH përballë gazetarit Enkel Demi se për këtë çështje ka edhe një plan B nëse opozita nuk pranon konsensusin. “Ne synojmë të miratojmë reformën me konsensus. Ky është plani A. Nëse kjo dështon atëherë kalojmë në planin B”, deklaroi Rama pa i dhënë shumë shpjegim se cili ishte plani B. E ndërsa nuk vonoi kundërpërgjigja e aleatit të tij në qeverisje Meta, i cili i kujtoi kryeministrit se një reformë kaq e rëndësishme për vendin duhet të miratohet me konsensusin e të gjitha palëve. Por në kulmin e diskutimeve, krejt beftas ish-kryeministri i vendit, deputeti socialist Pandeli Majko do të deklaronte përmes një statusi në rrjetin social FB se nëse Parlamenti do dështonte të miratonte reformën në gjyqësor atëherë PS duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Në se nuk mundemi të bindim kundërshtarët e reformës së drejtësisë atëherë shoqëria shqiptare nuk duhet të lihet si “vëzhguese”. Kjo reformë nuk është pronë e politikanëve pasi për politiken, drejtësia ka “funksionuar” shumë mirë. Partia Socialiste nuk ka pse pranon bashkëfajësinë në këtë histori mafioze që rëndon mbi drejtësinë shqiptare. Partia në çdo rast është pjesa. Shqipëria ka brenda edhe kundërshtarët politikë me të cilët ndajmë një atdhe dhe një të ardhme. Pa drejtësi nuk ka të ardhme për vendin tonë. Të vetëm nuk ja dalim dot. Kjo zgjidhje kërkon zgjedhje”, theksoi ai.  Kjo deklaratë surprizë e cila solli jo pak reagime në klasën politike u përforcua edhe më shumë më pas nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, që e konfirmoi paralajmërimin live në një seancë parlamentare. Dhe në fund do të ishte sërish kryeministri i cili do të fliste për plan A. B dhe C, duke i dhënë udhë edhe skenarit për zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për “javanews”, Rama do deklaronte se,: “Unë s’flas asnjëherë me në qoftë se dhe nuk shoh arsye për të menduar zgjedhjet, përderisa plani A është në rrugën e vet të natyrshme dhe as që është shtruar fare deri këtu nevoja për planin B! Zgjedhjet do të ishin plani C, pra një mundësi shumë e largët që mbase do ta konsideronim nëse plani A nuk funksionon dhe nëse plani B nuk realizohet… Por, thënë këto, jam plotësisht dakord me ata që kanë folur për zgjedhje nëse reforma s’kalon, në kuptimin që kjo reformë nuk mund të dështojë sikur asgjë s’ka ndodhur! Sepse është reforma që garanton të gjitha reformat e tjera”.

 

Përkthimi i skenarëve

Por nëse më sipër i trajtuam përciptas dhe në kontekstin e thënieve të vetë aktorëve politikë skenarët e reformës, nuk mund të lëmë pa shtjelluar se çfarë parashikojnë ato ( A, B dhe C). Duke ju referuar deklaratave të kryeministrit, sigurisht që skenari A përkon me miratimin e reformës në drejtësi me konsensusin e të gjitha palëve. Një konsensus i tillë do të vinte fill pas të vetmit konsensus të arritur në këto vite mes mazhorancës dhe opozitës, që lidhet me ligjin e dekriminalizimit.

Ndërkaq fillimisht Rama foli për një plan B, i cili mund të nënkuptonte: 1-Miratimin e reformës sipas edhe deklaratave të përfaqësuesve demokratë duke synuar blerjen e deputetëve të djathtë dhe arritjen e 93 votave pa marrë fare konsensusin e opozitës. 2- Vendimin për të shpallur zgjedhjet të parakohshme nëse dështon miratimi i reformës në Parlament. Por në një intervistë të mëvonshme, kur tashmë skenarin e zgjedhjeve të parakohshme e kishte bërë publik deputeti Pandeli Majko, Rama do të specifikonte më mirë skenarët e tij duke pohuar se: A-ja ishte konsensusi dhe C-ja ishin zgjedhjet e parakohshme. Edhe në këtë rast sërish kryeministri la pa shpjeguar skenarin B, i cili me sa duket ka brenda tij premisa të miratimit të reformës me përjashtimin e opozitës. Por kreu i LSI-së Ilir Meta ka shpjeguar dhe ka theksuar fort që prej nisjes së diskutimit për reformën në gjyqësor se duhet konsensus dhe zbatim i rekomandimeve të Venecias. “Mund t’iu them se ekziston që në fillim në mendjen time vetëm një plan, për miratimin e reformës dhe për miratimin e saj sipas standardeve të Komisionit të Venecias. Plane të tjera çdo forcë politike mund të ketë, por unë mendoj që të gjitha energjitë pozitive duhet t’i përqendrojmë te ky plan. Nuk është koha për t’u zhvendosur nga përpjekja për ta materializuar këtë reformë, sepse është bërë një punë e madhe, është bërë punë shumë e madhe”, do të deklaronte tre javë më parë Kryeparlamentari.

 

Ecuria e skenarëve

Skenari A (duke i mbetur ndarjes sipas planeve të kryeministrit) mori një shtysë të fuqishme vetëm para pak ditësh ku përmes ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, palët u ulën së bashku në tryezën e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi duke nisur dialogun politik. Kjo tryezë e para pak ditëve ishte shumë frytdhënëse pasi rezultati i saj solli zgjidhje për dy nga çështje më shumë të debatuara mes palëve: Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Këshillin e Emërimeve. Kështu lidhur me Byronë mazhoranca dhe opozita ranë dakord që kjo njësi të jetë nën varësinë e prokurorisë Speciale, e cila nuk do të ketë asnjë varësi nga Prokurori i Përgjithshëm. Byroja do jetë një strukturë e posaçme antikorrupsion dhe nuk do të varet as nga Prokuroria dhe as nga policia duke u njëhsuar kështu me modelin amerikan të formuar nga diplomati amerikan Donald Lu. Ajo do jetë  nën varësinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili do të emërojë funksionarët e kësaj strukture e cila quhet Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Ndërkohë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Partia  Demokratike ka bërë një hap pas duke e pranuar këtë strukturë, ndërsa socialistët kanë hequr dorë nga formula aktuale e përbërjes së tij. Palët ranë dakord që të jenë ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS,  të cilët do ti japin zgjidhje çështjeve teknike për këtë institucion. Këshilli Emërimeve ka ndikim të gjerë në emërimin e disa drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve te reja të drejtësisë.

Por fill pas këtij konsensusi që solli jo pak frymë pozitive mes palëve, dita e nesërme e cila përkoi me seancën parlamentare i çoi sërish palët në situatë ngërçi. Duke marrë shkas nga refuzimi i një jave më parë i mazhorancës, opozita bllokoi foltoren e Kuvendit duke kërkuar zbatimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e shqyrtimit të ligjshmërisë së mandateve të deputetëve Suli e Leskaj në këtë gjykatë. Por mazhoranca nuk e mori parasysh kërkesën e demokratëve dhe në një situatë aspak normale parlamentare votoi projektligjet e ditës. Nga ana e saj PD pas seancës mblodhi grupin parlamentar ku pas debateve të shumta u vendos që opozita të kushtëzojë vazhdimin e dialogut për reformën në drejtësi me zbatimin e vendimit të Kushtetueses për mandatet e deputetëve socialistë. Por sipas mazhorancës ccështja e mandateve nuk mund të jetë e lidhur me reformën në gjyqësor.  “Reforma në drejtësi nuk ka lidhje fare as me kërkesat tona, as me ato të opozitës dhe askujt tjetër. Është një reformë e madhe, është një reformë më vete, është një reformë që duan s’duan, të gjithë ata që bëjnë sikur e duan dhe pastaj në fakt nuk e duan, do ta shikoni që do ta votojnë. Të gjitha të tjerat pastaj janë përpjekje për ta penguar, për ta vonuar, për ta shmangur, por janë të gjitha si ajo kënga ‘kërcen prifti nga belaja’”, tha Rama për TCH mbrëmjen e djeshme. Në këto kushte mundësia e skenarit A duket e vështirë, megjithëse kjo alternativë mbetet më e pranuar për një reformë që prek thellë sistemin gjyqësor në vend.

 

Nëse skenari A ka ngecur duket se skenari B (sipas ndarjes së fundit të kryeministrit), nuk do ketë asnjë shans të ndodhë. Mundësia e votimit të reformës në drejtësi nga vetëm mazhoranca e ndoshta me disa vota të siguruara nga opozita për të mundësuar shumicën kushtetuese është thuajse e pamundur. Kjo vjen jo në saj të pamundësisë së blerjes së disa votave ndërmjet opozitarëve, pasi ky është një fenomen që ka ndodhur dhe me shumë mundësia do të vazhdojë të ndodhë në Parlamentin shqiptar. Por pamundësia e këtij skenari lidhet me votat e LSI-së, forcë e cila përmes kryetarit të saj Meta ka vënë thuajse “veton” për një reformë konsensuale dhe përmes rekomandimeve të Venecias. Ndërkohë krahas qëndrimit të LSI-së, në këtë skenar çalon edhe vetë përmbajtja. Kjo pasi votimi i një prej reformave më të rëndësishme të vendit përmes votave të trafikuara do të linte një njollë të pazhdukshme për këtë reformë, duke i lënë gjithnjë asaj hije dyshimi.

 

Ndërkohë që skenari A ka ngecur dhe B duket në pamundësi për të ndodhur, mundësia e skenarit C qëndron më shumë në konturet e lojës politike. Ideja e zgjedhjeve të parakohshme e hedhur nga PS qëndron jo vetëm larg realitetit shqiptar por edhe jashtë mundësive të socialistëve. Mundësia që PS të prishë koalicionin aktual qeverisës (ku nuk dihet qëndrimi që mund të mbajë LSI në këtë çështje) dhe të hyjë në zgjedhje të parakohshme duke rrezikuar edhe humbjen në to janë fare të vogla. Nuk dihet nëse socialistët do ishin aq “guximtar” sa të lëshonin 1 vit e gjysmë nga mandati qeverisës e ti hynin një gare që në kushtet aktuale mund të ketë shumë surpriza. Po ashtu nuk dihet nëse para se të para hedhjes publike të këtyre ideve, PS ka sondazhuar mbështetjen e saj në elektorat. Por edhe nëse kjo ka ndodhur dhe rezultatet kanë qenë pozitive,  vështirësitë e përballjes direkte me elektoratin janë të shumta, duke nisur që nga mungesa e përgatitjes së bazës tek koha e limituar për ti paarqtiru votuesve alternativën fituese. Ndërkohë i pyetur nga mediat lidhur me deklaratën e Majkos, kreu i LSI-së Meta ka deklaruar pak ditë më parë se,: “Jam i bindur se reforma do të miratohet për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës. Së dyti të gjithë kanë rënë dakord që standardet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çështjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione, apo vlerësime. Ndërkohë deputeti socialist Ben Blushi e ka cilësuar këtë ide si një lojë brenda koalicionit. “Kushdo që do ta çojë PS në opozitë propozon zgjedhje të parakohshme, sepse zgjedhjet e parakohshme sot, këtë përfundim mund të kishin. Nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme pa koalicionin që kemi.   Nëse zgjedhjet e parakohshme janë kërcënim për të prishur koalicionin përfundimi i saj është opozita por unë nuk jam i prirur ta marr seriozisht…Nëse e marr seriozisht është ky përfundimi në të cilin unë dal për të thënë që nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme meqë nuk ka vota për reformën në drejtësi, çfarë garancie ka që parlamenti i ardhshëm i ka votat. Kush është garancia që parlamenti i ardhshëm i ka votat.   Kush është garancia që zgjedhjet e parakohshme e bëjnë më të lehtë miratimin e reformës në drejtësi nga ai parlament i ri? E dyta kini parasysh që nuk po jetojmë në ditët më të lumtura në kuptimin ekonomik. Pra zgjedhjet e parakohshme  janë bërë që të trembin zgjedhjet. Jemi sot në deflacion dhe kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i thënë tregjeve apo investitorëve që për një apo dy muaj ka zgjedhje si një lojë me peta brenda koalicionit”, ka deklaruar deputeti “rebel” në PS Ben Blushi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here