Lavrentiev, rreshteri sovjetik, zbuluesi i sekreteve ruse termonukleare / Si u shndërrua në fizikan të njohur njeriu pa shkollë të lartë

0
118

 

0Dokumenti 8 që mban datën 3 janar 1951, i klasifikuar Top Secret, është një përmbledhje e kërkimeve të rreshterit Lavrentiev, shkruar nga Sakharov. Me ato çfarë Lavrentiev paraqet në kërkimet e tij, Sakharov nuk ishte i panjohur, madje ai kishte punuar për disa vite rresht me projektin rus për bombën atomike. Por ajo që për të kishte interes lidhej me faktin se Lavrentiev kishte arritur në këto rezultate në mënyrë të pavarur. Ai nuk kishte punuar në projektin atomik dhe i mungonte shkolla e lartë. Por duke lexuar tekste të fizikës bërthamore dhe mbështetur në talentin e tij natyral, kishte arritur të bënte të tijat disa nga sekretet e programit sovjetik termonuklear. Madje ai propozonte disa ide të reja të përdorimit të shpërndarjes termonukleare me qëllime paqësore. Letrat e tij me këto ide ai i dërgoi në rangjet e larta të zyrtarëve sovjetikë. Pas shumë burokracish dhe zvarritjesh një ndër letrat mbërriti në duart e Sakharovit, kështu ky fizikan i ri e i talentuar u bë një zë i rëndësishëm. Dokumentet tregojnë se ai pati mbështetjen e Berias, por me vdekjen e këtij të fundit për Lavrientievin u bë e vështirë të ndërtonte një karrierë të spikatur, kështu që refuzoi të mbaronte doktoraturën në Moskë. Karrierën e tij e vazhdoi në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë në Ukrainë, por ai asnjëherë nuk mori pjesë në programet e ndërtimit të një bombe atomike edhe pse i kishte këto dije. Kalimi i qendrës nukleare gjatë luftës nga Ukraina në Rusi, do të përcaktonte dhe qëndrim pas viteve 50-të për këtë çështje.

 

Propaganda antinukleare e pasviteve `50 në Ukrainë

 

Pas viteve `50 kur Lufta e Ftohtë erdhi gjithmonë e duke thelluar, edhe Ukraina, si shumë republika të tjera apo vende të kampit komunist, iu nënshtrua propagandës antibërthamore, që në fakt ishte në kontrast me politikën e ndjekur nga BS. Kaq e fuqishme ka qenë kjo propagandë, sa efekti ndihet edhe në ditët e sotme në popullatë, e cila është tepër skeptike për armatosjen me armë bërthamore. Mund të thuhet se kjo propagandë e së shkuarës mund t’i shërbejë si leksion Rusisë, në përpjekjet e sotme të tyre për të bindur popullatën dhe politikanët vendas se të qenët në zotërim të armëve bërthamore mund të pengojë interesat e tyre kombëtare. Dokumenti nr. 9 i datës 11 korrik 1957 paraqet një numër ngjarjesh që planifikoheshin nga Komiteti i Mbrojtjes së Paqes të zhvilloheshin gjatë muajit nëntor kundër testimeve bërthamore dhe luftës bërthamore. Të tilla ishin p.sh., manifestimet antibërthamore në Kiev apo në portin e Odesës. Në dokumentin nr. 10 përshkruhet fushata antibërthamore e mbajtur në Ukrainë gjatë muajve shtator-tetor 1958. Gjatë këtyre mitingjeve shkencëtarët mbanin fjalime për dëmet e shkaktuara nga lufta bërthamore dhe testimet bërthamore. Por ajo çfarë i bën të veçanta këto fjalime është përpjekja e folësve për të bindur pjesëmarrësit se përgjegjësi i vetëm për garën e armëve bërthamore dhe testeve të tilla ishte Perëndimi. Dhe për shkak të tyre Bashkimi Sovjetik ishte i detyruar të zhvillonte kapacitet e tij nukleare për të mbrojtur vendet socialiste, pavarësisht se vetë BS ishte i idesë së ndalimit të armëve bërthamore. Aq e rrënjosur dhe me një model tipik ishte kjo propagandë, ashtu si edhe format e zgjedhura të saj, sa vështirë se ka diferenca nga një vend socialist në tjetrin. Në dokumentin me nr. 11, datë 13 shtator 1963, autori paraqet një letër të punëtorit metalurg Nikolai Bychkov. Kjo është një ndër shembujt e mijëra letrave që dërgoheshin pranë Komitetit Qendror të Partisë në Kiev. Ajo shpreh lumturinë e popullit punëtorë ukrainas, fermerëve për ndalimin e pjesshëm të testimeve bërthamore. Nga ana tjetër, po në të njëjtën letër, dënohet qëndrimi i Kinës, që jo vetëm kishte përkeqësuar marrëdhëniet me BS-në, por ishte duke u përgatitur për testim e parë bërthamor në atmosferë. Aktivizimi antibërthamor në Ukrainë ka një histori të hershme, daton para ndodhjes së Çernobilit. Duket sikur autoritetet e kanë nxitur atë për fitimet e tyre politike. Megjithatë, bazuar në dokumentet e sjella nga studiuesit, mund të thuhet pa frikë se rreziku bërthamor ka qenë i pranishëm në Ukrainë, po kështu dhe gara bërthamore mes superfuqive. Kjo frymë antibërthamore duket se u forcua edhe më tepër në Ukrainë pas Çernobilit dhe influencoi në vendimin e marrë nga autoritet e saj në fillim të viteve `90 për shkatërruar armët bërthamore, pas shpërbërjes së BS. Katastrofa e Çernobilit edhe pse mungojnë një sërë dokumentesh pasi janë të klasifikuar mendohet te ketë qenë e ditur për rusët, pasi reaktorët e tij mendohet të jenë përdorur prej tyre për prodhimin e plutoniumit për programet bërthamore, që gjë vinte në rrezik prodhimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Pavarësisht kësaj rusët nuk e morën vendimin për të të mbyllnin këta reaktorë të pasigurt. Në dokumentin 12, të 21 shkurtit 1979, një raport i shefit të KGB, Juri Andropov, shprehen qartë mangësitë në ndërtimin e tij që mund të bëheshin shkak për aksident. Një tjetër raport ku kërkohej me emergjencë mbyllja e Çernobilit, është ai i 9 shtatorit 1982. Por ky dokument për një kohë të gjatë ngeli i panjohur për publikun e gjerë, pasi ishte një dokument sekret. Në fakt, shumë pak prej tyre e dinin se territori i tyre ishte i treti në botë për nga arsenali bërthamor që zotëronte. Kështu do të arrihej në shpërthimin tragjik të 26 prillit 1986, në orën 1.25 am me orën e Moskës. Raporti që përshkruan këtë ngjarje i drejtohet Mihail Gorbaçovit dhe është i hartuar nga KGB. Për t’u pasuar nga një tjetër raport, ai i 28 gushtit 1986, i klasifikuar sekret ku përshkruhen mangësitë në likuidimin e pasojave të Çernobilit. Këto mangësi mund të çonin në viktima të tjera, si pasojë e problemeve të radioaktivitetit të lartë. Me Çernobilin mbyllet një kapitull i errët i programeve bërthamore të Rusisë në Ukrainë.

 

Përfundime

Bazuar në dokumentet e mësipërme mund të thuhet se Ukraina ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e programeve bërthamore ruse. Përpara Luftës së Dytë Botërore, shumë prej fizikanëve bërthamorë të shquar ishin pjesë e Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Krakov. Por kapaciteti i këtyre shkencëtarëve për kërkime bërthamore nuk u mor shumë në konsideratë nga kërkuesit rusë, në mënyrë të veçantë për sa i përket prodhimit të bombës atomike. Shembulli i Maslovit mund të konsiderohet një gabim historik i BS. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, Ukraina vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në industrinë civile bërthamore. Instituti i Fizikës dhe Teknologjisë së Ukrainës pas luftës nuk u përfshi në aktivitete për prodhimin e armëve bërthamore, por shumë fizikanë ukrainas ishin pjesë e përpjekjeve të fshehta të rusëve. Katastrofa e Çernobilit ngelet pa dyshim një pikë e rëndësishme në historinë bërthamore të Rusisë. Dokumentet e deklasifikuara tregojnë se mangësitë e projektit që çuan në katastrofë ishin të njohura për autoritet sovjetike dhe mund të kishin qenë korrigjuar. Pikërisht kjo ishte dhe një ndër arsyet kryesore që me pavarësinë e Ukrainës u vendos dhe shkatërrimi i armatimit bërthamor. Kështu që, propaganda zyrtare ruse e filluar në fund të viteve `50 kundër armëve bërthamore gjeti një pasqyrim real me memorandumin e Budapestit. Por fatkeqësisht me fillimin e konfliktit të sotëm me Rusinë shumë ukrainas mbështesin idenë e rivitalizimit të statusit bërthamor për vendin e tyre. Sigurisht kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë, në shërbim të paqes e demokracisë.

Burimi: Widrow Wilson Center, website

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here