Aksioni i Tatimeve nisi me biznesin e madh /- Megjithatë, të vegjlit vrapojnë për të blerë kasat e munguara e lëshojnë edhe në 12 të natës kuponin, me të cilin qytetarët ende nuk po mësohen dot

0
97

 

drejtoria e tatimeveErvin Kaduku

Masat e paralajmëruara kundër informalitetit kanë bërë që bizneset, sidomos ato të vogla, të fillojnë të japin masivisht kuponë tatimorë, të palicencuarit të dynden në QKR dhe të mbahet radhë për blerjen apo rregullimin e kasave fiskale. Mësohet se është rritur ndjeshëm nga Tatimet edhe numri i blloqeve tatimore të shitura.

Megjithatë, grupet e punës, të ngritura në kuadër të aksionit ndaj informalitetit, do të fillojnë punën masivisht në terren vetëm duke nisur nga java e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga drejtorja e Tatimeve, Brisida Shehaj. Ajo ka shtuar se, ndërkohë, kanë filluar punë grupet operacionale me bizneset e mëdha. Duke parë kërkesën e madhe për t’u regjistruar, që me zor po përballohet nga QKR, po ashtu dhe dyndjen për t’u pajisur me kasa fiskale, tatimorëve u është kërkuar që t’i lënë disa ditë kohë bizneseve që të vetëformalizohen.

Ndërkohë po organizohen në mënyrë të koordinuar grupet e punës, me pjesëmarrjen e tatimorëve dhe inspektorëve të punës, në mbështetje edhe me forcat e rendit.

 

Plani

Plani i aksionit të Tatimeve ndahet në dy faza. Fillimisht është plani i veprimit afatshkurtër dhe më pas do të jetë hartimi i një plani veprimi përfundimtar që do të jetë 2-vjeçar (2016-2017).

Plani afatshkurtër, i cili nisi më 1 shtator, ka si qëllim formalizimin. Ky plan synon reduktimin e punës së zezë, si dhe rritjen e zbatimit vullnetar të ligjit dhe pagesës së taksave dhe tatimeve. Plani i qeverisë, ndër të tjera synon edhe zhvillimin e kapaciteteve të auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në këtë kuadër synohet përmirësimi i shkëmbimit të të dhënave ndërinstitucionale. Gjithashtu, plani synon edhe gjithëpërfshirje në luftën kundër informalitetit të publikut, biznesit, institucioneve, por edhe median. Si pjesë e planit synohet të rritet komunikimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrja e publikut dhe biznesit të ndershëm. E gjithë kjo bëhet për të mbrojtur konsumatorin.

Për sa i përket biznesit të madh, fokusi kryesor i operacionit do të jetë te vetëdeklarimet apo pasqyrat financiare. Nga publiku kërkohet ndërgjegjësim për aspektin pozitiv të formalizimit, ku pagesa e taksave do të thotë përfitim i shërbimeve publike. Tërheqja e kuponit tatimor e kthen çdo qytetar në inspektorin e parë tatimor.

Ky plan konsiston edhe në aspektin legal, ku do të ketë ashpërsim të masave ligjore për moszbatuesit e ligjit. Do të ketë ashpërsim të masave ligjore për administratën tatimore dhe doganore për trajtimin e rasteve të korrupsionit. Gjithashtu, pritet të ketë ndryshime ligjore për rritjen e zbatueshmërisë së ligjit. Sipas të dhënave, do të krijohet një task-forcë e përbashkët me përfshirjen e Tatimeve, Doganave, sektorit kundër Krimit Ekonomik, Inspektoratit të Punës. Në këtë aspekt do të thjeshtohen strukturat operativo-hetimore.

 

Kasat

Kompanitë e autorizuara për shpërndarjen e kasave fiskale, kanë qenë shumë të zëna ditët e fundit, me bizneset që kërkojnë të blejnë kasa të reja, apo të rregullojnë ato ekzistueset.

Përfaqësuesi i IVA Elektronik pohon se fluksi i bizneseve është pesëfishuar së fundmi, sa që ata me zor e përballojnë. “Më parë me zor i bindnim 20 biznese që të vinin të riparonin kasat, ndërsa tani fillon radha që në 7 të mëngjesit”.

Edhe operatorët e tjerë janë hasur më kërkesa të larta nga bizneset. “Sapo kam marrë kuponin për të blerë një kasë fiskale tek AED, por pajisjen do e marr vetëm pas tre javësh”, – pohon Saimiri, që pasi ka regjistruar një aktivitet rrobaqepësi në QKR, tashmë kërkon të pajiset me kasë fiskale.

Burime nga AED pohuan se kanë pasur një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash, që i ka detyruar të punojnë edhe gjatë gushtit, madje me dy turne. “Nga 300 kasa që shisnim në muaj, vetëm dje kemi shitur 300 kasa”.

Burimet zyrtare nga QKR pohuan se vetëm në gusht në muajin gusht 2015 u regjistruan për herë të parë 4.372 biznese, shifër kjo 6 herë më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Përjashtimet

Edhe pse prej ditësh po flitet vetëm për kasat fiskale dhe kuponin tatimor, ka edhe një kategori që nuk ka pse ta përdorin atë. Kështu, të gjitha ato biznese apo profesione të lira, të cilat i kryejnë veprimet financiare nëpërmjet transaksioneve bankare, nuk është e nevojshme të pajisen me kasë fiskale. Pasi vetë transaksioni bankar është i ligjëruar dhe i regjistruar pranë organeve fiskale. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me kasë fiskale do të pajisen të gjithë ato biznese që ofrojnë mallra apo shërbime në “cash”. Ndërkohë, referuar legjislacionit në fuqi, nuk janë të detyruar të përdorin pajisje fiskale, sipas kërkesave të këtij vendimi, ambulantët dhe shërbimi i transportit, në bazë të ligjit “Për sistemin e taksave vendore”. Gjithashtu të përjashtuara nga ky proces janë biletat e Lotarisë Kombëtare, të miratuara nga Ministri i Financave. Kompania e licencuar për ushtrimin e Lotarisë Kombëtare nuk është e detyruar të instalojë e të përdorë pajisje fiskale, pasi vetë biletat e Lotarisë Kombëtare janë kupon fiskal.

 

Rajonalizimi

Aksioni ndaj informalitetit bën të domosdoshme edhe një ndarje mes të ardhurave tatimore. Sipas strukturave të të ardhurave, niveli i të ardhurave tatimore për muajin gusht është realizuar: 40% drejtoria rajonale Tiranë; 39% drejtoria e biznesit VIP dhe vetëm 21% të gjitha rrethet dhe rajonet e mbetura.

Ndarja me 61 njësi lokale pritet të shoqërohet edhe nga ndarja e taksave mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Në këtë proces, administrata tatimore do të luajë rolin e agjentit të mbledhjes së të ardhurave, të cilat më pas do t’i kalojnë pushtetit vendor. Synimi i parashtruar edhe në strategjinë e decentralizimit që tashmë ka hyrë në fuqi, është ai i rritjes së të ardhurave nga tatimet dhe taksat për njësitë e reja vendore. Referuar strategjisë, për të arritur këtë synim, do të ndërmerren nisma të rëndësishme ligjore, duke përfshirë hartimin e ligjit të ri integral për financat e qeverisjes vendore dhe të paketës së re të decentralizimit fiskal, i cili do të përfshijë zbatimin e konceptit të ndarjes së taksave kombëtare.

Një taksë nga e cila pushteti vendor do të përfitojë është ajo e tatimit mbi të ardhurat personale, që edhe pse është në fuqi nuk ka gjetur zbatim.

Tarifat për furnizimin me ujë pritet të jenë tarifat e para që do të ndryshojnë, pasi njësitë e reja vendore tashmë do të marrin në administrim shoqëritë e ujësjellësve. Po ashtu, taksa për pasurinë që është një taksë ekzistuese, por që nuk zbatohet do t’i nënshtrohet një reformimi tërësor duke ndryshuar parimin kryesor të kësaj takse. Llogaritja e tarifës që do të paguajnë qytetarët do të bazohet mbi vlerën e pasurisë dhe jo më në bazën e sipërfaqes së saj. Po ashtu, në strategji paralajmërohet se në legjislacionin për financat vendore do të rishikohet taksa mbi tokën urbane dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe disa instrumente të tjera financiare si taksa, tarifa e kontribute me qëllim që të sigurohen burimet e duhura financiare për qeverisjen vendore.

Ndryshimet e legjislacionit që vijnë si rrjedhojë e ndarjes së re administrative-­territoriale do të aplikohet duke nisur nga viti i ardhshëm. Ndërsa sa i përket ndryshimeve në paketën fiskale që do të aplikohen vitin e ardhshëm, mbetet për t’u parë nëse rishikimet do të sjellin ulje të taksave e tatimeve apo rritje të tyre.

—-

 

 

Vëzhgim

 

Banka e Shqipërisë nuk heq dorë nga zanati i vjetër…

 

Ish-guvernatori i BSH, Ardian Fullani, u kritikua shpesh nga KLSH, por edhe në media, për shpenzimet që bënte me lekun e shtetit, si me lekun e tij. Por, zëvendësimi i tij nuk duket të ketë prekur politikën e drejtuesve të Bankës në këtë drejtim.

Banka e Shqipërisë njoftoi se kërkon të realizojë objektin e prokurimit “Sigurimi i jetës dhe kujdesi shëndetësor për punonjësit e Bankës së Shqipërisë, për një periudhë një vjeçare”.

Banka e Shqipërisë fton kandidatët e interesuar, të marrin pjesë në procedurën e prokurimit “Tender i hapur kombëtar”, për realizimin e objektit të prokurimit si më sipër, me fond limit … 23.004.000 Lekë”.

Oferta duhet të paraqitet në zyrën e sektorit të Prokurimeve, pranë Departamentit të Administrimit, në Bankën e Shqipërisë, deri më datë 17 shtator 2015.

Lindin disa pyetje.

Së pari, çfarë rreziku për jetën kanë pastruesja apo elektricisti i Bankës së Shqipërisë, që përfitojnë sigurim për jetën, ndërkohë që policëve që përfshihen në operacione anti-kanabis nuk iu ofrohet nga shteti ky shërbim?

Së dyti, e harroi guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës që Bankës iu vodhën nja 7 miliardë lekë të vjetra nga Thesari dhe tani ka ulur shifrën e transfertës së saj në Buxhetin e Shtetit?

230 milionë lekë sigurime janë një mundësi e mirë për drejtuesit e rinj për të futur ndonjë 10-përqindësh në xhep nga kompanitë e sigurimeve, që e japin atë bujarisht pasi nuk mund të mendohet se do të paguajnë ndonjëherë për humbjen e jetës së një punonjësit të BSH, që nuk është ushtarak në front në Afganistan…!

Drejtuesit ndërrohen, por jo zakonet!

—–

 

 

Oferta më 15 tetor

Rruga e Kombit: Zyrtarizohet tarifa 5 euro për autoveturat

 

Dorëzimi i ofertave të kontratës koncesionare për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit do të bëhet me 15 tetor. Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Eduart Seitaj, deklaroi dje se janë zhvilluar diskutime përsa i përket pjesës së dokumentacionit i cili iu është vënë në dispozicion kompanive. “Aktualisht janë përmbyllur takimet konsultative me ofertuesit e parakualifikuar, ndërsa në datën 1 shtator është përmbyllur edhe raundi i pyetjeve përgjigjeve”, – tha Seitaj.

Enti ministerial ka miratuar tarifën prej 5 eurosh me TVSH të përfshirë për përdorimin e Rrugës së Kombit për automjetet e vogla, ndërsa për mjetet e tjera të transportit ka një formulë ngjitjeje të njohur ndërkombëtarisht.

Autostrada Durrës-Kukës-Morinë nisi ndërtimin në vitin 2003 kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë dhe u hap në qershor të vitit 2009. Kjo autostradë e lidh Durrësin dhe Shëngjinin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të ecet me shpejtësi 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës rruga tani mund të kalohet për vetëm 2.5 orë.

=====

 

 

Heqja e monopolit

Transporti ajror, vijojnë bisedimet me koncesionarin e Rinasit

 

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës po vijon negociatat për arritjen e një marrëveshjeje me koncesionarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit për ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare.

Burime nga ministria e Transportit bënë të ditur se procesi i negociatave ndjek logjikën e tij. “Jemi optimistë se do të gjejmë një zgjidhje që ju shërben të dyja palëve”, – deklaruan burimet.

Negociatat me koncesionarët e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” synojnë arritjen e një marrëveshje për të bërë të mundur vënien në funksion edhe të aeroportit të Kukësit dhe ngritjen e një tjetër aeroporti në jug të vendit. Arritja e një marrëveshjeje të tillë do të ndikonte në konsolidimin e tregut me qëllim që qytetarët shqiptar, por edhe të huaj që vijnë e largohen nga Shqipëria përmes transportit ajror t’i ofrohet cilësi sa më e lartë dhe kosto sa më e ulët.

Në marrëveshjen koncesionare të arritur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë koncesionare, “Tirana Airport Partners” për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit në vitin 2004, thuhet se “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licencohet për fluturime komerciale (kargo apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më poshtë thuhet se do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.

Kjo ka bërë që edhe aeroporti i Kukësit, ndërtuar 11 vite më parë përmes një investimi prej 30 milionë dollarësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është në pritje të zgjidhjes së këtij neni mes qeverisë dhe koncesionarit. Negocimi i kësaj pike të marrëveshjes së koncesionit ka qenë objektiv i disa qeverive që nga 2005-a. Por ende nuk është arritur në hapa konkret.

——

 

 

Banka e Shqipërisë

 

Interesat e depozitave në minimum historik

 

Interesi mesatar i depozitave me afat shënoi një tjetër rënie në muajin korrik, duke arritur në një minimum historik prej 1.34%, nga 1.44% që ishte muajin e mëparshëm, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Rënie kanë shënuar të gjitha maturitetet, nga ato 1 mujore, deri te 60 mujore.

Depozituesit e rinj të korrikut, që kanë mbyllur paratë e tyre ma afat maturimi njëvjeçar do të marrin interesa prej vetëm 1.42%. Ky interes u mjafton atyre vetëm sa të indeksojnë inflacionin, që në korrik ishte 1.3% me bazë vjetore, sipas INSTAT-it.

Interesat e depozitave kanë shënuar një rënie të shpejtë, që nga shtatori i vitit 2011, kur Banka e Shqipërisë filloi lehtësimin e politikës monetare, në përpjekje për të nxitur ekonominë dhe për të ulur koston e parasë në vend (kredive).

Në kontrast, ulja e normës së kredive në lekë ka qenë shumë më e ngadaltë, duke rritur diferencën mes interesave të kredive e depozitave, një tregues ky i riskut të lartë të perceptuar nga bankat.

Në korrik, interesat mesatare të kredive zbritën në 7.88%, ndërsa diferenca mes interesave të depozitave e kredive ishte 6.54%, nga 5.9% në shtator 2011, kur filloi politika e lehtësimit monetar.

Individët kanë reaguar ndaj uljes së normave të interesit, duke u zhvendosur drejt depozitave afatgjata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here