Përplasja te PS për shërbimin e jashtëm/ Bushati rrëzon Daden me mbështetjen e Ramës, deputetja e PS-së: Me këtë ligj, diplomacia, politike

0
108

Gëzim Saliu

 dade bushatiLigji për shërbimin e jashtëm së bashku me dy nenet e kritikuara votohet me 75 vota, as Blushi nuk i del në krah Dades

Përplasja brenda shumicës së majtë për ligjin e ri të shërbimit të jashtëm u përcoll dje edhe në punimet e seancës plenare, ku kryetarja e Komisionit Parlamentar të Jashtëm, Arta Dade, shprehu kritikat e saj ndaj draftit të sjellë nga qeveria. Edhe pse opozita nuk ishte e pranishme në sallë, duke marrë parasysh se PD ka qenë në kundërshti për dy nga nenet më të debatueshme të projektligjit, ishte deputetja socialiste ajo që theksoi në fjalën e saj në foltoren e Kuvendit se Ministria e Jashtme ndikon negativisht tek diplomacia e vendit me këtë draft. Sipas Dades, dy nenet, përkatësisht ai që heq kuotat e rekrutimit të diplomatëve dhe tjetri që i mundëson ministrit të Jashtëm emërimin e ekspertëve nga jashtë shërbimit, si ambasadorë, në rastet e veçanta lënë vend për abuzime në diplomaci. Por ndërkaq, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati theksoi në fjalën e tij se më këto ndryshime synohet përmirësimi i shërbimit të jashtëm shqiptar, si dhe trajtimi i diplomatëve. Ky ligj kishte edhe mbështetjen e Kryeministrit Rama, i cili i vënë në dijeni më parë nga Dade lidhur me pikat e kritikuara të ligjit, kishte shprehur kundërshti ndaj këtyre propozimeve, duke mbështetur draftin e sjellë nga Ministria e Jashtme. Po ashtu edhe në votimin e djeshëm në Kuvend u vu re se “ndihmesa” e kreut të qeverisë ndaj ministrit ndikoi dukshëm në votimin e ligjit në seancë, pasi ishte vetëm deputetja Dade ajo që abstenoi, ndërsa të gjithë ligjvënësit e tjerë të majtë, përfshirë dhe kritikuesit si Ben Blushi, votuan pro tij.

 

Dade-Bushati

Në diskutimin e saj, deputetja Dade theksoi se shërbimi i jashtëm duhet ruajtur dhe mbrojtur nga çdo tentativë për t’u kthyer në instrument shërbyes për pushtetin ekzekutiv, sepse, sipas saj, diplomacia duhet të vihet në shërbim të shtetit dhe vendit. “Ajo kurrsesi nuk mund të jetë kompensim për shërbimet e forcave politike apo individët përfaqësues të tyre, apo të interesave vetjake. Shqetësimi im është pikërisht nëse ne kemi garantuar parimin e patjetërsueshëm për diplomacinë që Zot ka vetëm interesat sublime të vendit dhe kombit. Neni 27 lë hapësirë për abuzivizëm. Ligjet duhet të hartohen jo për 2 dhe 3 vjet”, – tha Dade. Por sipas ministrit të Jashtëm Bushati, kjo dispozitë “nuk është legalizim i VKM-së së qeverisë “Berisha”, që i hapi rrugën punësimit në diplomaci të individëve pa kurrfarë lidhjeje me profesionin e diplomatit, duke bllokuar dhe demotivuar angazhimin e diplomatëve të karrierës. Angazhimi i personave nga jashtë shërbimit bëhet vetëm në bazë të kritereve të mirëpërcaktuara në raste të veçanta, për persona me njohuri specifike në fusha të ndryshme dhe për persona që mbi të gjitha plotësojnë kriteret e rekrutimit në shërbimin e jashtëm”. Më tej, ministri theksoi se ligji synon përmirësimin e shërbimit të jashtëm shqiptar, si dhe trajtimin e diplomatëve, duke pohuar se afati 30-ditor që ligji i cakton Presidentit për t’u shprehur për një ambasador, nuk cenon kompetencat e tij. “Një afat 30-ditor nuk prek aspak kompetencën e Presidentit të Republikës në drejtim të kandidaturës së propozuar nga Kryeministri, ky afat aplikohet edhe për funksione kushtetuese që emërohen nga Presidenti i Republikës”, – tha ministri. Por sipas ish-ministres së Jashtme, Arta Dade, shqetësimet e shprehura në Komisionin e Jashtëm ndaj dy neneve të ligjit ishin të drejta. “Komisioni ka shprehur shqetësimin se neni 27 pika 2 e bën diplomacinë vulnerabël ndaj politikës. Jo se paragjykojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme, por ligjet s’bëhen për 2­3 vjet, por për afat më të gjatë. Në raste të veçanta kur mund të gjenden subjektivizma për emërime. Shërbimi i jashtëm duhet mbrojtur nga çdo tentativë për t’u kthyer në një shërbim politik”, – tha deputetja socialiste. Në fund të seancës parlamentare, ligji i ri për shërbimin e jashtëm u votua me 75 vota dhe 1 votë abstenim të deputetes Arta Dade.

 

 Skandali me diplomacinë/ Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik ka dokumente si minoritare greke

Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik disponon leje qëndrimi si minoritare greke. Denoncimi, i cili u bë më parë nga kryetarja e Komisionit Parlamentar të Jashtëm Arta Dade në debatin e zhvilluar në Kuvend me ministrin Bushati u zbardh dje përmes dokumenteve që vërtetonin se konsullja ishte minoritare greke. Ishte gazetari Arben Llalla, i cili publikoi dokumentin e konsulles Pavlina Ylli në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” e ndërsa deputetja Dade kishte theksuar më parë në debatin e saj me kryediplomatin shqiptar se ky i fundit kishte emëruar një emigrante si konsulle në Selanik, jashtë çdo kriteri ligjor. Por Bushati e mohoi këtë dhe u përgjigj se ajo ishte një kampione. Ish-atletja Pavlina Ylli është me origjinë nga Korça dhe nuk është minoritare, pavarësisht se në dokumente rezulton si e tillë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency