Kërkesa greke për Vjosën/ PD: Bushati e Venizellos, 4 takime, asnjë informacion për diskutimet për lumin Vjosa

0
138

aldo bumci“Kanë qenë bashkitë e Greqisë Veriore, të cilat janë kundër projektit dhe kanë ngritur zërin. Ne jemi informuar nëpërmjet tyre dhe medias e burimeve të tjera që ka një projekt”

Partia Demokratike ka hedhur dyshime lidhur me diskutimet për devijimin e lumit të Vjosës, kërkesë kjo e shtetit grek. Selia blu bëri me dije se që nga ardhja e të majtëve në pushtet, ministri i Jashtëm shqiptar është takuar 4 herë me ish-homologun e tij grek Venizellos, por fakti i habitshëm është se as edhe një herë nuk është bërë e ditur nëse ata kanë biseduar për lumin Vjosa apo jo. Sipas ish-ministrit të Jashtëm të PD-së, Aldo Bumçi, qytetarët janë të interesuar për të mësuar të vërtetën për lumin Vjosa.

 

Lumi Vjosa

Partia Demokratike ka kërkuar dje informacion lidhur me projektin grek për devijimin e lumit të Vjosës. Sipas demokratëve, qeveria nuk po jep asnjë informacion lidhur më këtë çështje, edhe pse janë realizuar 4 takime në nivel zyrtar mes dy vendeve. Në një prononcim, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, tha se qeveria po fsheh të vërtetën për këtë çështje. “Ministri i Jashtëm Bushati është takuar katër herë me ministrin e Jashtëm Venizellos gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e gjysmë që janë në qeverisje. Pse nuk është ngritur kjo çështje në takimet dypalëshe si çështje e një rëndësie të madhe kombëtare?! Pyetja e dytë ka të bëjë me Komisionin e Përbashkët të Përhershëm për Ujërat e Ëmbla midis Shqipërisë dhe Greqisë që është mbledhur më 9 janar të këtij viti”, – tha Bumçi. “Nga këto takime, – vijoi deputeti demokrat, – nuk ka asnjë informacion lidhur me çfarë është thënë për lumin Vjosa, çështje që u bë publike gjatë javës që kaloi nga mediat. Si ka mundësi që nuk ka asnjë transparencë, asnjë informacion se çfarë është diskutuar mes palës shqiptare dhe asaj greke për Vjosën? Sepse ky komision diskuton vetëm çështjen e ujërave të ëmbla, Vjosa, Prespa dhe lumenj të tjerë. Pse nuk kemi informacion?! Kjo mungesë informacioni çfarë fsheh?! Çfarë frike ka pala shqiptare që nuk informon publikun në lidhje me projektet mbi lumin Vjosë?! Çfarë po fsheh me këtë heshtje?! Këto janë shqetësime të mëdha që ne ngrejmë si opozitë, dhe i kanë ngritur dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Besoj se të gjithë qytetarët janë të interesuar për të mësuar të vërtetën mbi lumin Vjosa”, – deklaroi ish-ministri i Jashtëm.

 

Kur është hapur çështja “Vjosa”

“Nga qeveria greke nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare dhe as informacion lidhur me çështjen “Vjosa” deri më 2013. Gjatë kohës që unë kam qenë ministër i Jashtëm, nuk ka pasur asnjë informacion nga Ministria e Jashtme Greke. Nuk ka pasur as edhe një informacion të vetëm. Ne jemi informuar vetëm nëpërmjet medias. Kanë qenë bashkitë e Greqisë Veriore, të cilat janë kundër projektit dhe kanë ngritur zërin. Ne jemi informuar nëpërmjet tyre dhe medias e burimeve të tjera që ka një projekt. Mbas këtij shqetësimi kemi kërkuar që Ministria e Jashtme dhe ambasada jonë në Greqi të vihej në lëvizje dhe të mësojë më shumë për projektin. Kjo është e vërteta”, – u shpreh deputeti demokrat. “Me këtë çështje me interes kombëtar po manipulohet, – vijoi Bumçi, – duke mos e bërë të ditur për publikun kohën kur është hapur. Është kërkuar të manipulohet në media duke dashur ta sjellin çështjen në korrik 2013. Pra, kemi takime të Bushatit me Venizellosin dhe çështja nuk ngrihet ose të paktën publikisht nuk na thuhet gjë. Kemi më 9 janar të këtij viti kemi mbledhjen e Komisionit të Ujërave dhe nuk ka informacion për publikun se çfarë është diskutuar dhe kërkojnë që këtë çështje ta sjellin në korrik 2013. Kërkojnë të manipulojnë çështjen dhe ta fshehin. Kjo është një arsye më shumë që ne të jemi të shqetësuar për sjelljen e qeverisë në lidhje me lumin Vjosa. E vërteta është që ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga qeveria greke”, – tha Bumçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency