Ambasadorja i dorëzon raportin/ Rama: Ende s’dimë çfarë kërkon opozita. Basha: Reflekto për katranosjen e Kuvendit

0
118

Gëzim Saliu

Vlahutin: Tri pikat kyçe të raportit janë lufta kundër korrupsionit, administrata publike dhe mirëqeverisja ekonomike

rama me ambasadoren e BE Kryeministri Rama deklaron se progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë përbën një inkurajim me vlerësimet pozitive që pati për arritjet e qeverisë. Pasi ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, i dorëzoi raportin kreut të qeverisë, ky i fundit në konferencën për shtyp së bashku me përfaqësuesen e Komisionit Evropian në vend tha se rekomandimet përputhen plotësisht me vullnetin dhe programin e qeverisë: “Dhe i jep fund një historie kanceri në sistemin gjyqësor dhe këtu do përfshihet dhe administrata. Për të vijuar me luftën pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar, që në Shqipëri drejtësia të mos jetë sinonim i korrupsionit, administrata të mos ketë pika përputhje me korrupsionin dhe jeta e qytetarëve të mos jetë e penguar nga korrupsioni, jo sepse e kërkon BE-ja apo nënvizon Raporti, por sepse 5 përparësitë kyçe janë dhe 5 instrumente për modernizmin e vendit”. Sa i përket opozitës dhe qëndrimit të saj për të vazhduar bojkotin e Parlamentit, Rama tha se ende pret që të kuptojë se cilat janë kërkesat ndaj mazhorancës. “Presim që opozita të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkon? Kur ne braktisëm Parlamentin, kërkonim hapjen e kutive. Ishte një kërkesë legjitime sipas nesh, jolegjitime sipas tyre, por ishte një kërkesë konkrete, me një argumentim konkret dhe përcaktonte kushtëzimin e marrëdhënieve tona me Parlamentin. Akoma nuk e dimë çfarë kërkon opozita, kuptohet përveç largimit të qeverisë. Nuk jemi ne që duhet t’ia plotësojmë, është populli shqiptar që duhet t’ia plotësojë me votë”, – tha ai. Ndërkaq, ambasadorja Vlahutin tha se tri pikat kyçe në të cilat konsiston raporti i KE-së, janë lufta kundër korrupsionit, administrata publike dhe koncepti i ri i mirëqeverisjes ekonomike. “Për ne është e rëndësishme gjithëpërfshirja dhe që të mos rëndohet ky dialog, por të ketë debat të çiltër. Ne jemi këtu tejet të angazhuar për të ndihmuar qeverinë dhe ecur Shqipëria përpara”.

 

Basha

Ndërkohë, pas marrjes së progres-raportit të KE-së, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përmes një konference të posaçme nga selia blu tha dje se vetëm 3 muaj pas marrjes së statusit kandidat në BE, nuk flitet asnjë fjalë për hapjen e negociatave. “Europarlamentarët kryqëzuan Edi Ramën për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, të shitblerjes së votave në Korçë dhe amnistimin e krimit. Për herë të parë shprehet shqetësimi për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. T’i kërkosh qeverisë të kërkojë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm tre muaj pas marrjes së statusit kandidat, është tejet alarmuese. Raporti flet rritjen dyfish të azilkërkuesve, që e lidh jo me pamjaftueshmërinë e masave të marra, por edhe me vështirësitë ekonomike”, – tha Basha. Ndërkohë, në përgjigje të Kryeministrit Rama, i cili pohoi se mazhoranca ende nuk ka të qartë se cilat janë kërkesat e opozitës për rikthimin në Kuvend, kreu i demokratëve pohoi se ato janë të shprehura mjaft qartë edhe në progres-raportin e KE-së. “Për fat të keq, Kryeministri bëri strucin edhe sot. Nuk e lexon dot në raport, nuk e dëgjon dot se çfarë thotë Brukseli dhe çfarë i tha sot miku i tij Fyle se çfarë i thotë Komisioni dhe çfarë i ka thënë edhe thotë opozita. Rikthimi i jetës parlamentare do bëhet kur Edi Rama të reflektojë, të flasë, të bëjë një mea culpa të madh për katranosjen që i ka bërë Kuvendit. Shpresoj ta ketë dëgjuar sot, nëse jo, ritransmetojeni përsëri nesër”, – tha ai. Sa i përket reformës në gjyqësor, shefi i opozitës theksoi se duhet të ketë gjithëpërfshirje. “Reforma në gjyqësor, një tjetër prioritet. Duhet qasje bashkëpunuese e gjithë aktorëve. Raporti qartëson se tri ligjet e fundit ishin fragmentare”. Po ashtu, Basha nënvizoi se në raport thuhet qartazi se INUK nuk duhet të përfshihet në shkatërrime në kundërshtim me ligjin.

 

 Presidenti/ Nishani: Rekomandimet e raportit, orientim i prioriteteve për reformat në vend

Kreu i shtetit mori dje në dorëzim nga ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë raportin vjetor të përparimit të Shqipërisë drejt BE-së. Pasi vlerësoi Bashkimin Evropian, Presidenti, vuri në dukje se shqiptarët e kanë kuptuar më së miri se procesi i integrimit evropian është një proces që u përket atyre dhe ku të gjithë aktorët duhet të përmbushin plotësisht përgjegjësitë përkatëse që kanë. Në këtë kontekst, Nishani vlerësoi se qasja e drejtpërdrejtë dhe e hapur si dhe çdo rekomandim i reflektuar nga Komisioni Evropian në këtë Raport janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë, në orientimin e paekuivok të prioriteteve, nga të cilat duhet të udhëhiqen reformat në vend.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency