Preazantimi i 300-ditëshit/ Kreu i PD: Asnjë vend pune, asnjë investim, vetëm varfëri. Berisha: Dhunë dhe shkelje e ligjit

0
113

Gëzim Saliu

Grupi-PDIsh-kryeministri: Opozita nuk mund të jetë stoli në parlament, na mohohen të drejtat kushtetuese

Partia Demokratike dhe opozita e djathtë ka reaguar dje përmes kryetarit Lulzim Basha për 300- ditëshin e qeverisë së majtë, ku rezultatet e të cilit u paraqitën dje nga kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Sipas kryedemokratit, 300 ditët e para të qeverisë kanë qenë vetëm fjalë e mashtrime pasi theksoi ai në rrjetin social FB, nuk është hapur asnjë vend i ri pune dhe nuk është bërë asnjë investim dhe reformë në vend.  “300 ditë qeverisje, 300 ditë premtime, 300 ditë mashtrime. 300 ditë, fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Asnjë bilanc, asnjë vend të ri pune, asnjë investim, asnjë reformë, vetëm varfëri dhe papunësi.  300 ditë, pasiguri për jetën dhe pronën. Krimi, grabitjet me dhunë, aksidentet, trafiku i lëndëve narkotike në nivele alarmante.  300 ditë, largime masive nga puna, emërime kriminale, korrupsion politik, shitblerje votash.  300 ditë, krimi dhuna dhe brutaliteti kanë pushtuar shtetin”, shkruante Basha.

 

Berisha

Për ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha 300-ditëshi i parë i qeverisë së majtë ka treguar vetëm daljen në pah të mashtrimeve elektorale si edhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës. Sipas deputetit demokrat, rasti i dhunës ndaj kolegut Strazimiri përbën një akt të dirigjuar nga kreu i qeverisë Rama. “300 ditë e qeverisjes së tij e kanë nxjerrë Ramë më lakuriq se çka dalë në plazhet publike të botës. Të gjitha mashtrimet i kanë dalë dhe e vërteta është se ka dalë në shesh se çfarë ai përfaqëson. Rasti i fundit i ndodhur në Parlament, Rama ishte njeriu që organizoi atë që ndodhi. Nuk mundesh kurrë që një folësi në parlament ti ngrihesh mbrapa e ti bësh pyetjet. Pyetjet janë e drejtë vetëm e ministrave dhe kryeministrit. Në rastin që i duhej ngriti një ndrikull, e cila i lejoi vetes të keqpërdoret në shkallë ekstreme. I bëri pyetje sepse Strazimiri tha këtu ka deputetë me precedentë penalë. I kërkoi emër, natyrisht emri dihet, i pari është Edi Rama. Ai urdhëron falangat e krimit dhe godasin deputetin pasi mbaron fjalën në kuvend”, tha Berisha në një intervistë për tvklan. Më tej, ish-kreu i qeverisë pohoi se mazhoranca i ka mohuar opozitës të drejtën e saj kushtetuese për të ngritur komisione hetimore. “Nuk lejojnë opozitën të krijojë komisione parlamentare, edhe komisionin që e fitoi me Gjykatë Kushtetuese për serverat, nuk lejojnë opozitën të hetojë emërimet e kriminelëve në të gjitha nivelet e administratës. Ka vend në parlament për opozitën? Ka vend në këtë parlament, ku janë futur kriminelë, vrasës, përdhunues, ku opozitës nuk i lejohen komisione hetimore. Opozita nuk mund të jetë stoli”, pohoi ai. Ndërkaq, Berisha komentoi edhe deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit John Kerry duke i cilësuar ato si një alarm për demokracinë në vend. “Shqipëria dhe vende të tjera para vendit tonë kanë bërë një progres të rëndësishëm drejt BE-së. Por do ecin këto vende drejt Evropës apo do ndërtohet sistemi kleptokratike, sistem në të cilin jo vetëm vlerat e demokracisë por edhe sovraniteti kombëtar rrënohet, dhe sistem që në Shqipëri po ndërtohet në mënyrë të vendosur nga dyshja Rama-meta me bashkëpunëtorët e tyre”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

 

 Nuk kandidoj për kryetar bashkie/ Ramiz Çoba zgjidhet kryetari i PD-së në Shkodër: Me Spahijën në krah, ringrejmë PD-në

Me vetëm 20 vota diferencë, Ramiz Çoba është zgjedhur dje kryetari i ri i Partisë Demokratike të Shkodrës. Procesi i votimit në raundin e dytë, pas balotazhit në raundin e parë e nxori fitues Çobën me 295 vota, përkundrejt 275 votave që mori rivali i tij, Bardh Spahija. Pas shpalljes së rezultatit, Spahija uroi fituesin e kësaj gare dhe premtoi bashkëpunim në të ardhmen për ringritjen e PD. Ndërsa kryetari i ri i demokratëve Ramiz Çoba tha se kjo është fitorja e të gjithëve dhe se ai nuk do të kandidojë për kryetar bashkie. “Me zotin Spahija në krah unë them se shumë shpejt PD do ringrihet do bëjë një opozitë të fuqishme me synimin drejt pushtetit sa më parë. PD Shkodër do ta kuptoni se nuk është e përçarë, ju e kuptuat edhe sot ku zoti Spahija njohu rezultatin pa hezitim dhe do të jetë një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Për kryetarin e bashkisë së ardhshme ju siguroj se nuk do jem kandidaturë, por siguroj që kandidaturë do jetë një personalitet i Shkodrës i cili do na çojë në mbajtjen e bashkisë së Shkodrës”, tha Çoba. Nga 625 delegatët e rrethit të Shkodrës, morën pjesë në votim 575, ku nga të gjitha fletët e numëruara, 5 rezultuan të pavlefshme.

 

Gjirokastër/ Kreu i degës së PD-së, Bejko: 2 vetëvrasjet në qytet, nga humbjet e vendit të punës

Dega lokale e PD-së në Gjirokastër, ka denoncuar së fundmi, vetëvarjet e ndodhura në këtë qytet në 48 orët e fundit pasi sipas saj ato janë shkaktuar nga humbjet e vendeve të punës së dy viktimave. Policia e Gjirokastrës përmes grupit hetimor konfirmoi se Piro Njocko 59 vjeç dhe Muharrem Majko 47 vjeç janë varur në kushtet e depresionit gjatë fundjavës. Lidhur me këtë ngjarje kreu i ri i PD-së Gjirokastrës, Roland Bejko, e ka motivuar vetëvarjen e Njockos dhe të Majkos, si pasojë e shkarkimit të tyre nga puna, njëri inspektor mjedisi dhe tjetri infermier në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”. “Mungesa e shpresës për të siguruar minimumin jetik, humbja e vendeve të punës për shkak të bindjeve politike, varfëria e tejskajshme ekonomike dhe mospasja e një alternative tjetër punësimi i ka zhytur qytetarët e Gjirokastrës në një gjendje të rëndë depresioni”, u shpreh kreu i PD së Gjirokastrës. Ndërkohë drejtori i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës Armand Mamani dhe drejtori i Agjencisë së Mjedisit në Gjirokastër, Stefan Rapi deklaruan dje se ish punonjësit, janë larguar tetë muaj më parë si pasojë e reformës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency