Konferenca/ Füle: Raporti, “po” pa kushte. Rama: U mor provimi, drejtoria vendos nëse ka vend klasa apo jo

0
105

Gëzim Saliu

edi rama dhe stefan fule ne tirane konferenca per statusin (1) Komisioneri: Raporti s’ka asnjë kusht, rekomandon statusin kandidat për Shqipërinë

 Füle: Reformat duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Rama: Ne do dëgjojmë, por do udhëheqim

Komisioneri i Zgjerimit Stefan Füle deklaron se Shqipëria ka bërë progres në këta 6 muaj në tre prioritetet kyçe, gjë që ka sjellë rekomandimin pa asnjë hezitim të Komisionit Evropian për statusin kandidat në BE. Duke bërë të ditur se tashmë vendimi mbetet në dorë të vendeve anëtare, eurokomisioneri theksoi në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama përballë gazetarëve se është e domosdoshme që reformat të vazhdojnë me ritmin e duhur e që në bazë të tyre të qëndrojë parimi i gjithëpërfshirjes. “Ne konfirmojmë pa pikë dyshimi dhe rezerva që shtetet anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ne e kemi bazuar këtë në mënyrë të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, reforma në drejtësi etj. Jam inkurajuar nga angazhimi që është treguar nga Shqipëria dhe përpjekjet për reforma dhe shoh një angazhim nga autoritetet përkatëse. Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë prioritete kyçe për ecjen përpara. Klima konfrontuese politike e dëmtojnë Shqipërinë. Qeveria dhe opozita duhet të kenë qasje kompromisi”, – tha Füle. I pyetur nga gazetarët përkatësisht për reformën territoriale administrative, eurokomisioneri theksoi çështja është diskutuar gjatë dialogut të nivelit të lartë. “Për çështje kaq vendimtare sa kjo është shumë e rëndësishme që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe kjo varet, është në dorë të qeverisë dhe opozitës. Nuk e them këtë se kjo fjalë përdoret shpesh në Bruksel dhe është fjalë e bukur, por gjithëpërfshirja është e domosdoshme dhe duhet të ecet përpara dhe duhet të kuptoni në fillim që duhet gjithëpërfshirje dhe ky është një mesazh për të gjithë”.

 

Rama

Pas marrjes së përgjigjes pozitive nga raporti i KE-së, Rama u shfaq i qeshur dje në konferencën për mediat së bashku me eurokomisionerin, ku tha se ky vlerësim do të thotë më shumë punë për qeverinë dhe më shumë realizëm për opozitën. Sipas kreut të qeverisë, raporti i KE-së nuk lë vend për dyshime dhe se tashmë i takon vendeve anëtare të shprehin qëndrimin e tyre me votë në fund të qershorit. “Ky progres raport ka një nënvizim shumë të fortë, nuk lë shteg për asnjë dyshim dhe alibi se, pse Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat, është një rekomandimi i pastër pa asnjë presje pas “PO”. Nuk ndjehem në kushtet për të folur për triumf. Nuk do dëgjoni nota triumfi nga unë e qeveria ime, pasi rruga e integrimit rrit përgjegjësinë, bëhet më e vështirë. Kalimi nga Matura Shtetërore në Universitet e bën më të vështirë punën për të marrë një kualifikim më të lartë”, – tha Rama, duke vazhduar batutat me mësuesin, drejtorujnë dhe shkollën. Në këtë kontekst, pyetjes së drejtuar komisionerit Füle për batutën e Kryeministrit dy ditë më parë lidhur me vendimin e “drejtorisë” së BE-së, i është përgjigjur sërish Rama, ku pohoi: “Unë kam thënë, kemi detyrimin që të bëjmë atë që na takon për të marrë provimin për të cilin ka një komision, komisioni i provimeve. Pastaj a ka vend klasa që të hymë dhe ne apo duhet të presim, këtë e vendos drejtoria. Këtë kam thënë unë dhe e kam thënë kuptohet me një shaka që është gjysma e të vërtetës”. Ndërsa pyetjes se cila do të jetë përgjegjësia e Kryeministrit nëse vendit i refuzohet sërish statusi në fund të muajit qershor, Rama iu përgjigj duke theksuar se vendimi i takon vendeve anëtare, pasi sipas tij, qeveria tashmë e bëri detyrën e saj. “Raporti ja ku është, por sigurisht vendet anëtare kanë edhe arsyet e tyre që nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Unë nuk përgjigjem për dhimbjet e barkut që ka dikush tjetër, diku tjetër”. Sa i përket bashkëpunimit me opozitën, Kryeministri tha se qeveria do dëgjojë sugjerimet e saj, por do të udhëheqë se, theksoi Rama, për këtë jemi votuar. “Ne kemi fituar zgjedhjet, opozita i ka humbur zgjedhjet, ne do dëgjojmë por do të udhëheqim, sepse nuk mund t’i justifikohemi të tjerëve, për më tepër komisionit duke i thënë që e ke ka fajin opozita. Ne do bëjmë çmos që opozita të jetë pjesë, por ne do të udhëheqim”, – theksoi kreu i qeverisë.

 

Batutat e Ramës në konferencë

S’ka koncert për statusin, më vjen keq për Çiljetën. S’merrem me dhimbjet e barkut të të tjerëve

 

Nëse statusi do të na refuzohet nga drejtori, cila është përgjegjësia juaj në këtë rast?

Rama: Nga drejtoria, jo nga drejtori. Me kujton pyetjen, çfarë do bësh ti po të humbësh zgjedhjet? Ne në këtë rast e kemi bërë detyrën tonë. Vendimi për Shqipërinë shpresojmë, urojmë dhe po punojmë që të jepet bazuar në raportin e komisionit. Vendet anëtare kanë kërkuar një raport nga komisioni për të konfirmuar bilancin. Raporti ja ku është, por sigurisht vendet anëtare kanë edhe arsyet e tyre që nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Unë nuk përgjigjem për dhimbjet e barkut që ka dikush tjetër, diku tjetër. Më vjen keq për Çiljetën dhe këngëtare të tjerë që mund ta kishin ndryshe këtë ditë po të ishin të tjerë në qeveri. As sot, as kur të marrin statusin nuk do ketë as fishekzjarre dhe as koncert, e as miting kundër opozitës.

Zoti Füle, Kryeministri Rama, dje ka përdorur një krahasim sa i përket çështjes së integrimit, duke nënkuptuar se Komisioni, mësuesi, sipas tij, na vë notë të mirë, ndërsa drejtori, Këshilli i Ministrave nuk di çfarë vlerësimi do të na japë. Kaq qasje të ndryshme kanë?

Rama: Më citoni saktësisht. Unë kam thënë, kemi detyrimin që të bëjmë atë që na takon për të marrë provimin për të cilin ka një komision, komisioni i provimeve. Pastaj a ka vend klasa që të hymë dhe ne apo duhet të presim, këtë e vendos drejtoria. Këtë kam thënë unë dhe e kam thënë kuptohet me një shaka që është gjysma e të vërtetës. Nëse insistoni që komisioneri të vijë këtu dhe të komentojë shakatë tona, mund ta bëni.

Pse vendoset sot z. Rama për të thyer traditën sepse zakonisht shpreheni se i njihni meritat, dhe vendosët sot të mos i njihni meritë qeverisë së kaluar, nëse e marrim statusin?

Rama: Të marrim statusin dhe pastaj ti njohim meritat dhe për të tjerët që kanë qenë para nesh, por le ta themi hapur për sa na takon në këtë periudhë nuk mendoj se kemi pasur që kemi ndihmë bujare për rezultatet që kemi arritur. Eurokomisioneri tha se do ketë raporte të reja, një në tetor, se statusi kështu e ka, presim raporte. Siç e ka tradita, fjala e fundit i jepet mikut dhe në tavolinën e dialogut të lartë ia lamë opozitës. (qesh)

Füle: (Qesh dhe ai) Mund ta konfirmoj këtë vërtet ashtu ndodhi. Asnjë në raportet tona nuk janë lidhur me një qeveri të caktuar, por në traktat ne i referohemi shtetit.

Në fund të konferencës, Rama-Në fund do të doja t’iu falënderoja edhe ju (gazetarëve dhe medias në tërësi) se pa ju nuk do të ishte e mundur. Jeni ju, pa jemi ne… (qesh)

 

Rama falënderim për ministrat, Metën dhe Bregun, “harron” qeverinë e kaluar

Në fjalën e tij në konferencë kreu i qeverisë shprehu falënderimet sa u takon anëtarëve të kabinetit qeveritar, për Kreun e Kuvendit Ilir Meta si edhe kryetaren e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregun për rolin në këtë proces.“Falënderim i sinqertë për Bregun, e cila nga pozicioni institucional ka pasur edhe ajo rolin e vet të çmuar në këtë proces”. Pyetjes se pse zgjodhi këtë herë të mos njohë meritat e qeverisë së shkuar për procesin e integrimit, Kryeministri iu përgjigj duke pohuar: “Të marrim statusin dhe pastaj t’i njohim meritat dhe për të tjerët që kanë qenë para nesh, por le ta themi hapur për sa na takon në këtë periudhë nuk mendoj se kemi pasur që kemi ndihmë bujare për rezultatet që kemi arritur”.

 

Takimi me dyer të mbyllura/ Bregu: Merita për statusin i takon qeverisë së djeshme

Në takimin e djeshëm të dialogut të nivelit të lartë mes KE-së dhe Shqipërisë, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar raportin si një instrument për të bindur vendet anëtare që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Bregu mësohet të ketë vënë theksin edhe tek vlerësimet për punën e qeverisë së mëparshme. Sipas saj, 8 vite nuk krahasohen me 8 muaj qeverisje. Ndërkohë, pas daljes nga takimi, ish-ministrja e Integrimit theksoi se procesi i dhënies së statusit për Shqipërinë është i vonuar, pasi duhet të ishte bërë më parë. “Më lejoni t’ju shpreh atë që kemi thënë që ditën e parë që statusi i vendit kandidat i vonuar për Shqipërinë do të merret patjetër në muajin qershor. Jemi ndjerë shumë mirë së bashku me kolegët e mi të opozitës, me zotin Halimi dhe zotin Ristani, që në raport vlerësohen arritjet, përpjekja, puna dhe reformat e ndërmarra gjatë 8 vite te qeverisjes tonë, gjë që do të thotë se qeveria e re nuk ka pse të jetë xheloze sepse ka vetëm 8 muaj në pushtet. Vendimi i marrë i statusit të vendit kandidat, është një vendim i cili jo vetëm që i duhet Shqipërisë, i duhet të gjithë shqiptarëve, sepse e kanë merituar atë vendim me kohë”, – tha Bregu.Ndërkaq deputetja e PD-së garantoi se opozita do jetë në krah të mazhorancës për reformat, nëse ligjet do të jenë gjithëpërfshirëse.

 

Mediat e huaja: BE i jep Shqipërisë statusin kandidat

Mediat e huaja duke nisur nga “Financial Times” i kanë kushtuar vëmendje të veçantë faktit që Bashkimi Evropian është i gatshëm për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë edhe në formën e një kundërpeshe ndaj terrenit të fituar nga partitë antipopuliste në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në shkrimin e “Financial Times” ndër të tjera shkruhet se lëvizja për të inkorporuar vendin e varfër dhe me mazhorancë myslimane, janë të përçara për shkak të frikës së emigrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë agjencia italiane e lajmeve “ANSA” vë në faqen e saj të parë deklaratën e ministres së jashtme Mogerini, e cila e konsideron si një vlerësim të duhur për vendin tonë dhënien e statusit kandidat. Në një artikull tjetër po për këtë çështje agjencia italiane e lajmeve shkruan se Brukseli i ka dhënë “OK” Shqipërisë duke e lënë topin në fushën e 28 vendeve anëtare edhe pse vendimi për dhënien e statusit është ende i lëkundur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency