Vrasja/ Ekzekutimi i Arben Tollisë, hapen dosjet e vjetra të denoncimeve

0
139

 Anxhela Tato

tolliaPolicia i kërkon Prokurorisë listën e të gjitha viktimave të abuzimeve seksuale të maniakut, pista e hetimeve, hakmarrja

 Shoqërohen në komisariat të afërm dhe dëshmitarë të krimit, asnjë provë apo gjurmë që të identifikojë autorët

 Vrasja e “Kazanovës” Arben Tollia rihap dosjet e vjetra të denoncimeve për abuzime seksuale dhe mashtrime. Nga ana e forcave të policisë është kërkuar bashkëpunimi i Prokurorisë për rikthimin nga e para të denoncimeve në emër të Tollisë, duke qenë momentalisht pista kryesore e hetimit. Sipas deklaratës së viktimës, ai ka pasur raport seksual me 380 femra të ndryshme, të cilat kanë rënë pre e sajimeve të tij, duke u përdhunuar. Por më pikante për blutë mbetet pohimi i Tollisë se ka qenë dashnor i grave të deputetëve dhe përfaqësuesve të drejtësisë. Gjithashtu, i dyshimtë mbetet denoncimi i një vajze të re, e cila pretendonte se ishte mashtruar dhe kanosur nga Arben Tollia në kohën kur ai kishte dalë nga burgu. Por çuditërisht denoncimi u tërhoq brenda pak ditësh nga e reja. Është shumë i lartë numri i personave të dyshuar për këtë ngjarje, viktima të abuzimeve seksuale të viktimës, por për policinë përbën interes informacioni nëse Tollia ka pasur kërcënime konkrete apo konflikte, për këtë arsye është kërkuar zbardhja e tabulateve të bisedave telefonike të këtij muaji. Sipas bluve, dyshimet për këtë krim përqendrohen tek denoncuesit e Tollisë, të cilat kanë rënë në gracën e përdhunuesit. Vetëm gjatë ditës së djeshme ka pasur mbi 15 persona të shoqëruar, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe të afërm të viktimës. Nga të dhënat e bluve mësohet se të shoqëruarit janë pyetur në lidhje me mekanizmin e krimit dhe problemet, në të cilat mund të ketë qenë i përfshirë Tollia. Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se kanë parë dy djem me skafandër në kokë dhe me veshje të errët, të cilët kanë hapur zjarr me breshëri ndaj “Kazanovës”. Ndonëse në orë të darkës, kur ende kishte lëvizje në zonë, ata kanë qëndruar në pritje të viktimës, duke e masakruar me rreth 10 plumba. Ndërkohë, nga të dhënat e para të ekspertizës mësohet se viktima ka rreth dhjetë plagë tejshpuese në trup, kryesisht në stomak, kraharor dhe mushkëri. Nga mënyra se si është zhvilluar krimi, kuptohet që dy autorët kanë qenë vrasës me pagesë dhe në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë, përveç gëzhojave. Gjithashtu, në zonën ku ka ndodhur krimi nuk ka pasur biznese me kamera sigurie, që të ishte i mundur filmimi i skenës së krimit.

 

Dosja

Viktima ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg për të paktën pesë raste përdhunimesh, ndërkohë që është deklaruar se ai ka abuzuar me shumë gra dhe vajza të tjera në Durrës, Elbasan dhe Lushnjë. Në qershor të vitit 2005, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestruan një mori fotosh nudo të femrave me të cilat Tollia kishte kryer marrëdhënie dhe i kishte fotografuar në momente intime dhe krejtësisht të zhveshura. Ai ua dërgonte një foto viktimave të tij, duke i mbajtur nën presion të vazhdueshëm që t’i bindeshin atij, pasi në të kundërtën fotot do t’u dërgoheshin familjarëve të tyre. Dhuna seksuale pasohej me një dhunë të fortë emocionale që u denoncua dhe e dërgoi Tollinë në bankën e të akuzuarve. Ai i ndillte vajzat dhe gratë përmes telefonatave joshëse dhe në mjaft raste bëhet e ditur se viktimat kanë qenë edhe të mitura. Denoncimet e disa prej viktimave të tij janë shoqëruar edhe me fotot që kanë qenë prova më bindëse para Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e tij. Ndaj Tollisë ishte ngritur edhe akuza e trafikimit me qëllim prostitucioni, vepër e mbetur në tentativë. Në deklarimet e tij mediatike, Tollia ka mohuar të ketë kryer përdhunime. Ai pohonte se hiqej si biznesmen për t’i joshur dhe u premtonte apartamente dhe ato, për interes, qëndronin me vullnetin e tyre me të. Madje, sipas tij, këtë mund ta provonin fotot dhe regjistrimet që ai vetë kishte. Denoncimet e bëra Tollia i pati lidhur me faktin se një prej grave, me të cilat ishte lidhur, ishte grua me pushtet e një tjetër gruaja e një prokurori që kishte dijeni për lidhjen e së shoqes me të dhe e kishte kërcënuar haptazi në telefon që t’i qëndronte larg familjes së tij. Pretendimet e Tollisë nuk u morën asnjëherë parasysh, ndërsa që nga nata e kaluar, ai nuk është më. Pasioni për gratë e vrau.

 

 Dritan Dajti/ Kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Mulkurti nga procesi gjyqësor

 Është shtyrë edhe dje seanca gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në Durrës në gusht të 2009-ës. Në procesin e djeshëm gjyqësor te Krimet e Rënda, i pandehur Dajti ka kërkuar shkarkimin e kreut të trupës gjykues, Idriz Mulkurti. I pandehuri dëshiron që procesi gjyqësor në ngarkim të tij të mos kryesohet më nga Mulkurti, pasi, sipas tij, gjyqtari ka konflikt interesi, për shkak të disa njohjeve me familjarë të Dajtit. Nga ana e tij, gjyqtari Mulkurti i kërkoi Dajtit të depozitojë kërkesën, e cila do t’u nënshtrohet procedurave gjyqësore, ndërsa u shpreh se do të veprojë në bazë të vendimit të Gjykatës. Sakaq, mungesa e avokatëve u bë shkak për shtyrjen sërish të procesit gjyqësor. Ndërkohë, në seancën e 13 majit i pandehuri ka kërcënuar relatorin Mulkurti, pasi Gjykata i rrëzoi kërkesën për rindërtimin e ngjarjes së vrasjes së oficerit të policisë Kastriot Feskaj si dhe zhvarrosjes së tij. “Do të të gjejë belaja me mua, mushkonjat nuk janë asgjë. Ma thonë emrin Tan Dajti, e keni kthyer në çështje personale me mua. Nuk janë asgjë ato mushkonjat që po diskutojnë, mbaje mend”, – iu drejtua ai gjyqtarit. Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e 4 policëve në Durrës më 7 gusht 2009, të cilët ishin pjesë e skuadrës që mori pjesë në operacionin për arrestimin e tij, ndërsa procesi gjyqësor prej kohësh ndodhet në ngërç, për shkak se asnjë prej avokatëve nuk pranon të marrë përsipër mbrojtjen e Dritan Dajtit në gjyq.

 

Policia/ I grabitet celulari ish-kreut të degës së LSI-së, Ilir Dashi

 Ish-kreu i degës së Lëvizjës Socialiste për Integrim dhe ish-drejtor i QSUT-së, Ilir Dashi, është grabitur mbrëmjen e së hënës. Ngjarja ka ndodhur tek Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, pranë amfiteatrit. Dashi, i cili aktualisht është anëtar i këshillit drejtues të LSI-së, u sulmua nga dy persona me motor, të cilët i grabitën telefonin celular, “Samsung Galaxy”. Menjëherë janë njoftuar uniformat blu, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ndërkaq, mësohet se deri më tani Shërbimet e Komisariatit numër 1 të policisë së Tiranës kanë shoqëruar disa persona, dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

 

Lezhë/ Grabisin 70-vjeçaren, prangosen 2 persona

 Tre persona të maskuar kanë hyrë gjatë natës në banesën e një 70-vjeçareje për ta grabitur. Ngjarja ka ndodhur fshatin Torovicë të Lezhës. Pasi 70-vjeçarja P. D. ka vënë re se hajdutët kishin hyrë në shtëpi është ndaluar nga ata dhe është lidhur. Tre personat e maskuar, të cilët kanë hyrë në banesë i kanë grabitur 70-vjeçares bizhuteritë dhe sende të tjera me vlerë. Pasi familjarë të tjerë kanë gjetur 70-vjeçaren të lidhur kanë njoftuar policinë, e cila nisi hetimet për identifikimin e autorëve. Mësohet se e moshuara P. D. ka mbetur e dëmtuar në disa pjesë të trupit. Policia pas pesë orësh ka arrestuar dy prej grabitësve të dyshuar, ndërsa një tjetër e ka shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Tomi Ujka, 31 vjeç; Esidor Marku, 22 vjeç. Ndërkohë, mësohet se policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tretë Kristjan Suti, i shpallur në kërkim.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency