Ligji i ri/ Çfarë ndryshon për lotot, kazinotë dhe bastet sportive  

0
322

Ervin Kaduku

­kazinoCilat do të jenë kufizimet, pagesat dhe detyrimet për lojërat e fatit

 Projektligji i ri për lojërat e fatit është gati që të kalojë në qeveri. Burime nga Ministria e Financës tregojnë se qeveria parashikohet të vendosë kushte të reja në këtë sektor, që po gjen një përhapje gjithnjë e më të gjerë.

Gazeta publikon sot draftin, që duhet të marrë “OK” nga mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, para se t’i nënshtrohet diskutimit në Parlament.

 

Risitë

Ligji i ri detyron lojtarët me shuma të mëdha që të mos jenë më anonimë. Sipas tij, duhet të regjistrohet nga kompania çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste, për shuma të luajtura ose të fituara që kalojnë vlerën 150.000 lekë të reja, si dhe të marrë dhe ruajë të dhëna për identitetin e tyre.

Kazinotë do të detyrohen të hapin vetëm një sallë për ushtrim aktiviteti. Kazinotë elektronike mund të hapin në total deri në pesë salla për ushtrim aktiviteti. Ndërsa bastet sportive dhe bastet për garat në pistë do të kenë të drejtë të pajisin deri në 300 subjekte sekondare me numër identifikimi për efekt tatimor dhe bingot tradicionale deri në 10 NUIS-e sekondare në total.

Në një kazino elektronike duhet të ketë jo më pak se 20 mjete elektronike për çdo sallë, nga 10, që ishte kërkesa zyrtare deri tani.
Afati i licencave për kompanitë e basteve nuk do të jepet më për dhjetë vjet, por për pesë. Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5.000.000 lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave. Veç kësaj, për krijimin e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (taksa e gjoba), organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond shumë herë më të madh, prej 10.000.000 lekësh.
Organizatorët e lojërave të fatit duhet t’u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit: Bingot tradicionale dhe televizive jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë; kazinotë elektronike jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Lotaria kombëtare për çdo lotari duhet të japë për klientët jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Ndërsa kazinotë, jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë.

Sa më poshtë, vijon drafti i përgatitur nga financa.

 

Pjesë nga Ligji

Ky ligj përcakton llojet e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat, që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.

 

Kategoritë e lojërave të fatit

 

1-    Baste sportive

2-    Baste për gara në pistë

3-    Kazino

4-    Kazino elektronike

5-    Kazinotë elektronike në distance

6-    Lotari kombëtare

7-    Bingo tradicionale

8-    Bingo televizive.

 

 

Organizatorit të lojërave të fatit, nuk mund të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit, persona nën moshën 18 vjeç. Organizatori është i detyruar që t’i kërkojë dokumentin e identifikimit çdo lojtari që luan në ambientet e lojërave të fatit, në mënyrë që të mos pranojë lojtarë nën moshën 18 vjeç, dhe ka detyrimin qe të regjistrojë të dhënat identifikuese të lojtarit. Organizatori është i detyruar të mbajë regjistrin e lojtarëve, dhe të ruajë të dhënat e regjistruara në të për një afat jo më pak se 3 (tre) vjet. Organizatori merr masa të ndalojë të luajnë në mjediset e lojërave të fatit, personi për të cilin ka një kërkesë me shkrim, prej të paktën nga një prej familjarëve, nëpërmjet te cilës kërkohet moslejimin e këtij personi të hyjë në mjediset e lojërave të fatit. Kërkesa depozitohet pranë AMLF.Pas marrjes së kërkesës, AMLF-ja njofton të gjitha subjektet, që operojnë në fushën e lojërave të fatit, për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Mbajtja dhe ruajtja e të dhënave identifikuese të lojtarit, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.Mosveprimi nga ana e Organizatorit, sipas njoftimeve të AMLF sjell për pasojë marrjen e masave administrative ndaj organizatorit, sipas nenit 60 të këtij ligji.Rregullat e mbajtjes dhe funksionimit te regjistrit identifikues të lojtareve të parashikuar në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, si dhe kategoritë e subjekteve që detyrohen të mbajnë dhe përditësojnë regjistrin e lojtarëve, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Mbrojtja e lojtarit

Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati, mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit si dhe shanset reale për të fituar. Ndalohet ndërtimi/blerja, marrja/dhënia me qira, huapërdorje e mjediseve, me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve shëndetësore, fetare si dhe shkollave dhe universiteteve.

 

Licencimi

E drejta për tú pajisur me licencë të re për të marrë të drejtën për të organizuar lojëra fati i refuzohet:

-subjektit që kërkon të pajiset me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit, por që ka rezultuar debitor karshi institucioneve shtetërore dhe nuk ka shlyer detyrimet në përputhje me legjislacionin shqiptar ne fuqi si dhe

-subjektit që ka në pjesëmarrje të kapitalit, ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese të veta, individë apo persona që kanë qenë ortak/aksionar, përfaqësues ligjorë apo anëtarë të organe drejtuese të subjekteve të lojërave të fatit që janë debitor karshi shtetit.

Organizatorët e lojërave të fatit, në momentin e licencimit dhe gjatë të gjithë afatit të saj, kanë të drejtë sipas kategorive:

Kazinotë kanë të drejtë të hapin vetëm 1 sallë për ushtrim aktiviteti.

Kazinotë elektronike kanë të drejtë të hapin në total deri në 5 salla për ushtrim aktiviteti;

Bastet sportive dhe bastet për garat në pistë deri në 300 NUIS-e sekondare

Bingot tradicionale kanë të drejtë të hapin deri në 10 NUIS-e sekondare në total

 

Tarifat

 Tarifat e licencimit për bastet sportive, bastet për garat në pistë për të gjithë periudhën e licencimit është 100.000.000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 300NIUS-e sekondare ne total.

Tarifat e Licencimit për kazinotë elektronike dhe kazinotë elektronike në distance për të gjithë periudhën e licencimit është 25.000.000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm 5 NIUS-e sekondare (për kazinotë elektronike).

Tarifat e licencimit për bingot tradicionale për të gjithë periudhën e licencimit është 5.000.000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur 10 NIUS-e sekondare.

Tarifat e licencimit për bingot televizive për të gjithë periudhën e licencimit është 25.000.000 lekë.

Afati i licencimit për kazino jepet për një periudhë 10 vjeçare. Tarifa e licensimit për të gjithë periudhën e licencimit është 1.000.000.000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm 1 salle ne total.

Afati i licencimit për lotarinë kombëtare jepet për një periudhë 10 vjeçare. Tarifa e licencimit për të gjithë periudhën e licencimit, është 1.000.000.000.

 

Rregullorja e lojërave të fatit për bastet

Rregullorja detyrimisht duhet të përmbajë:

-emrin dhe selinë e organizuesit

-emrin, përshkrimin dhe kohëzgjatjen e lojës së fatit

-kushtet për pjesëmarrje në lojën e fatit

-vendin, ku organizohet loja, përkatësisht territorin, ku bëhet shitja e biletave

-çmimin individual të biletës, përkatësisht kombinacionet

-afatin e fundit për pjesëmarrje në lojë

-sasinë dhe vlerën monetare të biletave të shitura

-fondin e fitimit dhe llojin e fitimeve

-përshkrimin e biletës dhe të fletëpagesës

-mënyrën, procedurën dhe mbikëqyrjen e tërheqjes, përkatësisht mënyrën e verifikimit të fitimeve

-mënyrën e publikimit të shumave të fondit fitues dhe rezultateve të lojës

-mënyrën dhe afatin e pagesës së fitimeve monetare

-mënyrën e njohjes me rregullat të pjesëmarrësit në lojë

-çdo dokumentacion të kërkuar nga AMLF-ja

 

 

Kufizime për zhvillimin e aktivitetit të lojërave të fatit për kategoritë Kazino

Lejohet zhvillimi i aktivitetit të lojërave të fatit për kategorinë kazino në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe që janë të vendosura në hotelet të çertifikuara me 5 yje nga institucione përgjegjëse shqiptare.

Lojërat e fatit kazino lejohen të organizohen në zonat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin si zona të zhvillimit të turizmit dhe me propozim të ministrit përgjegjës për ekonominë për zona të zhvillimit ekonomik. Vendimi i Këshillit të Ministrave që miraton zonat, përcakton edhe distancat nga territori administrativ i njësisë vendore.

 

Fondi i garancisë për fituesit e lojërave të fatit

 

Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5.000.000 lekë, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.

Mënyra, forma, procedura dhe shuma e garancisë të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Mosngurtësimi i fondit të garancisë përbën shkak ligjor për pezullimin dhe heqjen e licencës nga AMLF. AMLF-ja i propozon ministrit të Financave zhbllokimin e këtij fondi në këto raste: Me kërkesë të organizatorit të lojërave, në rast se ky i fundit mbyll veprimtarinë e tij në fushën e lojërave të fatit, në rast se ky i fundit vërteton se nuk ka detyrime tatimore apo detyrime karshi AMLF, e vërtetuar kjo nga organet shtetërore përkatëse. Në rast falimentimi apo heqjeje të licencës së ushtrimit të veprimtarisë. Në çdo rast fondi i garancisë përdoret sipas kësaj radhe:

-pagesa e fitimeve të lojtarëve,

-pagesa e detyrimeve karshi AMLF-së,

-pagesa e detyrimeve ndaj organeve tatimore,

zhbllokim në favor të subjektit.

 

Pezullimi i veprimtarisë dhe heqja e licencës

AMLF-ja pezullon për 30 ditë veprimtarinë për ushtrimin e lojërave të fatit dhe/ose propozon, pranë autoritetit të autorizuar, pezullimin e licencës së dhënë për lojëra fati, kur vëren se organizatori nuk shlyen detyrimet ndaj AMLF-së dhe/ose fituesve të lojës, deri në shlyerjen e plotë të tyre.

AMLF-ja konfiskon pajisjet e organizatorit të licencuar për lojërat e fatit, sipas ligjit të procedurave tatimore, në rast se:

  1. ai nuk zbaton ose shkel detyrimet e parashikuara në dispozitat e këtij ligji dhe në aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij;
  2. ai nuk shlyen detyrimet e vendosura nga kjo njësi për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në këtë ligj;
  3. është marrë në bazë të dokumenteve të rreme apo në kundërshtim me ligjin;
  4. gjatë afatit të pezullimit të veprimtarisë vazhdon të ushtroj aktivitet në fushën e lojërave të fatit në kundërshtim me këtë akt;

ç.   në përfundim të afatit të pezullimit të licencës, ai nuk ka shlyer detyrimet ligjore, për të cilën i është pezulluar licenca.

Organizatorit për zhvillim të lojërave të fatit i hiqet licenca për zhvillim aktiviteti në rastet kur:

  1. për të paktën 6 muaj nuk ka zhvilluar aktivitet ose nuk ka bërë pagesat përkatëse dhe/ose deklarimet pranë AMLF-së dhe/ose organit tatimor;
  2. kur ka pezulluar prej të paktën 1 viti aktivitetin pranë organeve përkatëse.
  3. është konstatuar nga AMLF se ushtron aktivitet të padeklaruara apo të pa miratuar nga AMLF dhe pas marrjes së një mase administrative me gjobë ose konfiskim;
  4. është konstatuar se ka pasur makineri të pa deklaruar pranë AMLF për më tepër se 1 herë dhe është marrë paraprakisht një masë administrative;
  5. është konstatuar se makinat që përdoren për ushtrim të aktivitetit të lojërave të fatit nuk janë të lidhura me sistemin e monitorimit online të AMLF-së, për më tepër se 1 herë dhe është marrë paraprakisht një masë administrative;
  6. subjekti është licencuar në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi;
  7. Ortaku/aksionari dhe administratori përfshihen në kryerjen e veprave penale të parashikuara në dispozitat e këtij ligji

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency